Albspirit

Media/News/Publishing

Andi BICA: Meditim mbi ciklin e nudove të piktorit Parid Dule

 

 

 

 

 

Një mjedis i vogël por intim, me murale edhe në tavan, me njerëz miqësorë e ftues dhe me një gravitet tjetër në hollin me stola të drunjtë për pritësit si  stacioni i trenit ku priteshin biletat në sportelin e banakut dhe shërbehet çaj i nxehtë nga kuratorja bashkë dialoguese. Sapo hyra në dhomën e të Bukurës krijuar nga Paridi ndjeva energjinë e punëve artistike. U ndala pak më gjatë tek vepra “Simfonia e Universit”. Në qendër të kompozimit rrinin tre muza femërore me violina që performojnë mes galaktikave  melodinë e tyre yjore.

Simbioza e kuratores me piktorin me sa shquaj mbërrin si një pikëtakim vlerash me një emocion të veçantë që solli ekspozimi i nudove të publikuara dhe të panjohura mëparë nga shikuesit prej Paridit. Edhe atë e ka befasuar Erotikja e shprehur ndjeshëm dhe me kualitet nga autori tek Feminiliteti rrethues. Kuratorja e ekspozitës Nurjona Pinguri më zbuloi ndjesitë e saj ndaj pikturës së Paridit duke vlerësuar trajtesën e Nimfave  dhe vendin e Femrës të cilën  Paridi  e prek jo si objekt argëtimi por si një krijesë e ndritshme.

Muzika më tregoi Nurjona gjalloi ajrin e mbrëmjes  në hapje të ekspozitës me tingujt e Di Xheit të famshëm me pseudonimin Abazi i Ati i Gjolekës duke harmonizuar dhe lëvizur figurat e veprave të zgjedhura artistike nën ritmet  relaksues të AC Jazz dhe zërin  rrëmbyes të Paolo Contes brenda hapësirave të  qendrës kulturore Tirana Express .
Raportet koloristike dhe grafike brenda kuadrit ndihen të tendosura në aksin e pikturës, ku rrinë dy muza dhe në skajin e majtë anon jo pak  e shuar në dritë, muza e tretë, që ekuilibrohet disi me dritën ovale lart në krahun  e kundërt.  Tekstura që Paridi shpërfaq më bën ta shoh kozmosin përmes vibrimeve të së bukurës për të më bërë ende më ndjeshme natyrën valore ose frekuencat e  dritës.

Në rrafshin psikologjik tek motivi i vajzës nudo të harkuar që del nga banja dhe piklat e ujit i përkëdhelin flokët, buzët e faqet  provokimi vjen, direkt dhe depërtues. Ajo më lëviz gjithçka në brendi, ashtu si shfaqet  në telajo: sekrete dhe e butë, e ëmbël dhe plot gusto.
Papërsëritja si dukuri mes Nimfave të Paridit ndihet në shprehësinë se nuk ka dy dashuri  njësoj. Format e nudove dhe tipologjia e portretit edhe nëse modelja mund të jetë po i njëjti personazh është krejt e ndryshme nga njëra pikturë tek tjetra.

Ndalem tek thirrja e nudos së shtrirë në përfjetje dhe që më ngjan se ndryshoka pak nga natyra idilike rrethuar me sfumatura tek bukuroshet e tjera. Qëndrimi klasik më kujtoka disa nudo nga mjeshtra botëror të penelit që i shoh të mbivendosura, por origjinaliteti dhe shprehia e veçantë,  bart një tingull tjetër.
Poetikja shihet tek qafa e saj  që hepohet symbyllurazi  lart,  në format e trupit ndihet vërtetësia e trupit femëror;  shoqëruar e gjitha nga delikatesa e gjestit të mbajtjes së pëlhurës  si një lutje rrebele. Në sfond rrethohet nga njolla të ngrohta e të ftohta dhe në fytyrë, gjunjë dhe kraharor është e prekur lehtas me ngjyrën e blertë duke më bërë ta ndiej më të afërt. Përthyerja në penelata më ngjasoka me sistemin e fijeve të tekstilit të një pune artizanale.

Fshehja e  fytyrës së  mbuluar përgjysëm dhe plotësisht, symbyllur dhe njërin sy çelur,  mbulohet edhe me lumnajën e flokëve ndiqet nga  zbulesa  e formave femërore në qëndrimin herë këmbë mbledhur mbi divan duke  lëvizur  si zambak mbi ujëra e herë si gacë e prush mbi flakë.  Ngado ta rrotullosh secilën nga këto piktura të Parid Dules ajo qëndron e balancuar.

Kjo shprehje feminiteti dhe ekuilibri në ciklin e nudove në vaj mbi telajo,  dekorohet nga ngjyra e tone të forta e të ndezura, të veshura nga  bimë, lule apo forma parake (rrathë, trekëndorë, kuadrate).
Paridi  vjen tek kjo ekspozitë i sinqertë, ëndrrimtar si një i dashur romantik, përzgjedhës, mbrojtës dhe vijues i disa vlerave  në këtë ekspozitë që shenjon  një stad tjetër në jetën e tij si krijues. Komunikon përmes imazheve me të rinjtë e çdo moshe sepse ka kurajon të jetë vetvetja.  Raportin me kozmosin në rrugëtimin e tij stilistik e shoh si kapërcim  që ruan gjurmët nga kroi i bukurive femërore drejt kërkimit të brendshëm të  gjenezës.

Biografia Artistike
Parid Dule është piktor, dekorator në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe mjeshtër i arteve marciale (i  lindur më 1969 në Tiranë). Si kampion sporti Paridi është formues dhe promovues i talenteve dhe profesionistë të rinj ndërkombtarë. Paridi si artist pamor është vlersuar me blerjen e një pune nga ish sekretari i OKB Peres De Kuelar, kur vizitoi Tiranën në vitet ’80, gjatë një aktiviteti artistik. Është realizues i disa ekspozitave personale të çelura nga viti 1979 në shumë qytete të vendit. Piktori aplikon pikturën në vaj akuarel, pastel, miks dhe vizatime. Paridi si pjestar i një familjeje artistësh pamor vijon artin si nip i skulptorit Hektor Dule  dhe bir i piktorit Bardhyl Dule duke ia mbrujtur djalit të tij Matis Dules po i talentuar në pikturë dhe karate.

Ekspozitat  më të afërta në kohë janë:
– 2011 – Ekspozita në Muzeu Historik Kombëtar e titulluar “Katër Stinët e Vivaldit”, Tiranë.
– 2013 – Ekspozita “Katër Stinët” në bashkepunim me Qendrën e Kulturës ‘Koco Racin’ në Kinotekën e Qytetit, Shkup, Maqedoni.
–  2014 – Ekspozita Nimfat – Nymphea në Qendrën Kulturore Tirana Express.

Please follow and like us: