Sadik Bejko: Mendjelehtësi vrastare
Shkas për këto që do të rendis më poshtë u bë një bisede mbi fenë. Një dikushi më tha që ia kishe këputur kot në një shkrim mbi fenë në Shqipëri. Sipas tij, asnjë farë gjëje nga ato që shkruaja, nuk ua gjen gjurmën në realitet. Ku kemi dashur t’ia dimë ne për fenei. Ja, sa del prej Vlore, në gjithë atë që tej e përtej i thonë Labëri, ua kanë vënë fshesën me kohë atyre që quhen hoxhë, imam, sheh, a ku e di unë se si i quan ti.
Kjo edhe … edhe mund të jetë e vërtetë. Duhet të kesh ca kushte jetike që t’u lësh vend kërkesave për pak arratisje në mistikë, për meditim, për lutje, për arratisje në zot, ikje larg nga realiteti. Qytetet tona më të zhvilluara kanë pasur tempuj fetarë, mjedise, hane, kafe, kisha, manastire ku mblidheshin poetë, mistikë, klerikë. Në majë të malit, andej nga Labëria, mund të jetonte ndonjë eremit a ndonjë dervish avdall me xhinde…Ky afetari kish të drejtë që po më sfidonte me asgjësim. Mendova pak dhe i thashë: Po, mirë, ju ua vutë drurin klerikëve, po si i varrosnit të vdekurit?
1. Smokthinjoti
A, ma ktheu ai, ta them unë. Në fshatin Velçë kish vdekur dikush. Si t’ia bënin se hoxhën e kishin zbuar. Njëri u tha: Nxirrni në rrugë të madhe dy djem. Të marrin me vete kërrabat e forta prej thane e të ndalin smokthinjotin e parë që shkon. Nuk ka smokthinjot që nuk di për hoxhë. Sa të na varrosë të vdekurin dhe të shkojë në punë të tij.
Ishte ditë pazari, njerëzit zbrisnin në Vlorë. Smokthinjotin e parë që kaloi, djemtë e ndalën dhe i thanë që të linte pazarin se do të varroste një të vdekur në Velçë. Nuk di për hoxhë…po djemtë i treguan kërrabat prej thane dhe… smokthinioti u tremb.
Sa shkoi te varret, pyeti si e quanin meitin. Selim, i thanë. Pastaj smokthinjoti u pertul buzë varrit dhe ia mori këngës:
O Selim o burrë i madh
kisha dy teneqe djathë
po ti më more më qafë
doja t’i shpje në Pazar
ti m’i le përmbi samar.
2. Hoxha i Dukatit
Në fshatin Dukat të Vlorës ka qenë një hoxhë me nam. Sa kalon Llogaranë, vjen fshati Dhërmi i krahinës së Himarës, fshat ortodoks, që flet dhe greqisht. Këta të Dhërmiut, kur kishin sherre në fshat, dërgonin dy djem me kalë te hoxha i Dukatit. Hoxha ndërmjetësonte mes palëve në sherr, jepte zgjidhje që pranohej e pëlqehej nga të gjithë dhe kthehej në Dukat me dhurata e me bekime.
Në Dhërmi kishte plasur prapë një sherr i rëndë. Një vajzë e fejuar, me të fejuarin në kurbet, kish mbetur shtatëzanë më një bari, me të cilin ruanin delet në fshat. Fiset ranë në sherr se vajzën i fejuari e pranonte edhe me barrë. E kam të fejuarën time, thoshte. Por e kërkonte edhe ai që e kish lënë me barrë. Pushkët i kishin vënë në faqe të dy fiset që kërkonin vajzën.
Paria e fshatit jepte e merrte me palët por pa sjellë paqëtim. Hoxha i Dukatit u bë gati t’i hipte kalit, e kishte në kokë zgjidhje e sherrit…,por nuk po e përfillnin. Ata vazhdonin, po grindeshin, gati të thereshin. Hoxha mbante veshët ngrehur. Kur shkuan punët deri në thikë, dërguan me vrap dy djem te hoxha i Dukatit, po ai i zmbrapsi, nuk i pranoi. Ishte fyer. Ai do t’i kish paqetuar me kohë e me vakt. I dërgonin dhurata, i luteshin prapë e prapë. Hoxha nuk tundej nga Dukati…të dërguarve për herë të tretë a të katërt, ai u tha: Merrni kartë e shkruajeni mendimin tim… fliste me zemrim:
Të m’i thoni atij fisi
ta marrë ai që e grisi
që e kish si trung lisi
mbushur me barut inglizi.
3. Prifti i Çorrajve
Fterra prej kohësh e deri më sot, ka pasur të shkolluar e të punësuar në shtet, aq sa ky fshat mund të matet me një qytet. Mirëpo për një farë kohe kishin mbetur pa hoxhë. Prifti i fshatit Çorraj që bënte dhe punët e hoxhës, zbriste dhe varroste të vdekurit në Fterrë. Mitropoloti i Gjirokastrës e thirri dhe e bëri rezil. E bëri lanet. I tha nëpunësit ta zhvishte si prift. Fjala “zhvish” në raste të tilla kishte kuptimin t’i hiqte të drejtën e profesionit, ta çnderonte.
I hoqën kamillafin, kryqin, rason, e lakuriqën e i dhanë ca rrobe të mbetuara në depot e Mitropolisë, që të vishej. I thanë të ulej se do t’i rruanin mjekrën. Por prifti kundërshtoi. Leshi i mjekrës është imi, tha ai. Ato që ishin të priftit, i morët, leshin e kam timin. Dhe doli. Përplasi derën.
Metroplitit nuk i pëlqeu kjo sjellje rrebeli. Duhet ta kishit rruar, para se ta zhvishnit. Kur u zhvesh, ai nuk ishte më prift. Shkoni dhe i blini mendjen, si i ka planet ky prift i paudhë, u tha vartësve.
E gjetën në kafe fare të qetë. Nëpunësit e Mitropolisë po i kërkonin ndjesë që e zhveshën për fare, po ai u tha të mos merakosën për të. Mjekrën e kishte, do blinte një çarçaf të mbështillte kokën e do të bëhej hoxhë në Fterrë. E kam gati punën, u tha.
4. Papu Ilia
Këto që po shkruaj më poshtë, m’i ka rrëfyer Jorgo Bulo, ndjesë pastë.
Në fshatin Sheper vdiq korrieri i fshatit, mysliman nga krahinat e Labërisë. Pleqtë ortodoksë të Sheperit u vunë në hall. Duhet ta varrosnin me hoxhë. Do të dërgonin dy djem me një kalë që të merrte hoxhën në Libohovë. Bora kish zënë rrugët dhe vazhdonte të binte. Hoxha do të paguhej sa të kërkonte për shërbimin. Do të pritej mbase dhe një ditë deri sa të vinte. Pastaj me djem e me kalë do ta përcillnin prapë hoxhën. I vdekuri u kishte shërbyer me besnikëri.
Sipas zakoneve të asaj kohe, lebërit vinin e vidhnin në fshatrat e krishtera. Labi që ishte pajtuar me punë në Sheper, e kishte mbrojtur fshatin nga hajdutët. Merrej vesh me ta që mos të vidhnin në Sheper ku ishte punësuar si roje. E meritonte ta nderonin me çdo çmim: ta varrosnin si njeri.
Fjalët zjenin: sa do paguanin djemtë që do shkonin e vinin, cilët do të pranonin të shkonin në atë mot të keq etj etj. Papu Ilia, prifti i fshatit, u tha, që këtë punë mund t’ua mbaronte ai. Si?, i thanë. Unë kam mbaruar tre vjet shkollë për prift në Stamboll, tha papu Ilia. Atje na mësuan ca gjëra edhe për hoxhë. Ashtu, ditke për hoxhë, ti? Po, tha papu, vetëm se…
Papu bëri bashkë gishtin tregues me gishtin e madh. Ua tregoi këtë shenjë në formën e rrethit… dmth dua paranë, që t’u bëj punën. Dyfish, i thanë pleqtë e Sheperit, dyfish do të shpërblejmë.
Të nesërmen, buzë varrit papu Ilia me një peshqir të bardhë rreth kokës po këndonte me zë lartë të vdekurin: allah, allah, hej va allah, culuvallah…
5. Koka e Demos
Mësuesi një shkolle tetëvjeçare në krahinat pranë Sheperit, ne Hllomo, po zhvillonte orën e letërsisë në laboratorin e biologjisë. Klasat e tjera atë ditë po lyheshin. Në laborator i bëri përshtypje skeleti i njeriut që shërbente si mjet mësimor për anatominë. Ishte në skelet bojë dheu, i shtrembër, me gropëza dhe me gërryerje në kockat. Kafka nxinte më keq. Pyeti: Nuk iu tremb ky skelet? Është koka e Demos, i thanë nxënësit.
Mësues Janit drejtori shkollës i kërkoi që të gjente mjete për orët e anatomisë dhe ai zhvarrosi Demon, i zjeu kockat, i dezinfektoi, i leu me llak dhe ja, tek janë.
Kush kish qenë Demua? Ai, njëlloj si labi i Sheperit, kish vdekur në detyrë dhe e kishin varrosur në një kodër tej fshatit, jo tek varreza ortodokse me kishë e me qipariza ngjitur fshatit. Por e kishin respektuar, e kishin varrosur me hoxhë.
Tani ishim në kohën e komunizmit dhe nuk kishte më nderim fetar për të vdekurit. Jo vetëm kaq, po skeletet e të vdekurve mund t’i zhvarrosnim, që t’u shërbenin fëmijve të fshatit edhe pas vdekjes.
Në pushim ai i tha Janit. Po vdiqa këtu, do t’më çoni patjetër në fshatin tim. Ç’pate? Pse të paska shkuar mendja ters? Kam frikë se po mbeta këtu, do t’ma bëni kafkën mjet mësimor në laboratorin e lëndës së ‘Anatomisë’.
6. Në përfundim
Doja t’i them atij që më sfidoi më asgjësim në fillim të këtyre shënimeve, se feja u ka mësuar njerëzve si të sillen me vdekjen që do me thënë si të sillen me jetën. Shumë qëndrime e sjellje fetare me kohë janë ngulitur në kulturën europiane edhe te laikët e afetarët. Të respektosh njeriun, të çmosh shenjtërinë e jetës dhe të vdekjes. Kjo do të thotë të jesh me perëndinë apo, nëse kjo fjale nuk na pëlqen, do të thotë të jesh në nivelin e një qytetërimi që prodhon siguri dhe mbrothësi për të gjallët dhe paqe për të vdekurit.