Albspirit

Media/News/Publishing

Debati i fortë që shkaktoi prania e LGBTI në gjimnaze

Një debat i madh ka përshirë opinion publik pasi disa përfaqësues të komunitetit LGBTI kanë mbajtur disa takime në gjimnazet e Tiranës kundër bulizmit. Menjëherë pas publikimit të takimeve të tyre, kanë vërshuar reagimet në rrjetet sociale edhe nga ish ministra e deputetë të Kuvendit.

Ndër të parët që reagoi ishte ish ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili në një postim në “Facebook” akuzoi Ambasadën Amerikane në Tiranë pasi sipas tij në këtë institucion po iu mësohen të rinjve martesat gay dhe legalizimi i drogërave. Pas këtij postimi i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i aktivistit të LGBT-së Kristi Pinderi, i cili e ka quajtur Manjanin si një njeri të paditur.

“Unë mund ta kuptoj bezdinë dhe parehatinë që mund të ketë Ylli ndaj gjërave që nuk i kupton, si martesat gay. Por nuk kuptoj si vazhdon të jetë rehat me paditurinë e vet e ta shpallë atë botërisht? Çfarë fiton kur i thua botës sa shumë i paditur dhe injorant je?,” – shkruan ai.

Edhe deputeti demokrat Tritan Shehu është shprehur kundër takimeve të aktivistëve LGBT-së me adoleshentët nëpër gjimnazet e Tiranës, për të diskutuar mbi bulizmin dhe fenomene të eksperiencave të tyre. Në një status në “Facebook”, Shehu shkruan se zhvillimi në shkolla i aktiviteteve promovuese të LGBT është i patolerueshëm dhe në mospërputhje për programet e studimit. Ai e sheh këtë gjë si një rrezik për shoqërinë pasi mund të shtyjë drejt devijimit nga norma të prirjeve seksuale të fëmijëve.

Nga ana tjetër, edhe deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, pak ditë më parë akuzoi kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj si dhe kryeministrin Rama se kanë përjashtuar nga skema për përfitimin e banesave sociale pronarët dhe ish të përndjekurit. Në një postim në faqen e tij në rrjetet sociale, Bylykbashi shkruan se “Rama, Veliaj e shpura e mjaftist-ëve dhe persekutorëve te komunizmit ne parlament nuk kane harruar të fusin si përfitues personat nga komuniteti LGBT, apo ata që për 70 vjet banuan ne banesat e pronareve kur pronaret ishin përplasur kolibeve”.

Por sipas tij, kane përjashtuar kategori qe shteti u ka bere vërtet padrejtësi: te përndjekurit politike qe ende sot rropaten pa banesa dhe pronaret e banesave hallexhinj qe u janë prishur e do t’u prishen banesat ne pronësi te tyre‎ për interes publik.

Në këtë debat është përfshirë edhe aktori i humorit Julian Deda. Deda ka përcjellë një reagim të fortë mbi qasjen që ka pasur ky komunitet në gjimnazet e Tiranës për të folur lidhur me orientimin seksual.
“Nese je i komunitetit lgbt, te lehtesohen proçedurat per te marre kredi te bute ne Bashkine e Tiranes. WTF….?!?!
1. A nuk ju duket nje lloj diskriminimi, qe i behet ketij grupimi duke i trajtuar ndryshe nga te tjeret? Pse nuk protestojne keta kershi kesaj padrejtesie?
2. Pse duhet t’i jepet ketyre me shume perparesi dhe perkrahje, se sa çifteve qe jane normal?
3. Kredia e bute jepet per te varfer, nderkohe lgtb-rat u dynden ne fonde nga jashte, miliona euro vijne ne xhepat e tyre, sepse keta shkojne e ankohen “aman na jepni lek se na diskriminon Jul Deda me shoke”.
4. Propozoj te bejne nje aneks ne marrveshje, ku te perjashtohen lgbt-istet nga taksa e rruges se kombit, se gjynah…!
P.s. Meqe ra fjala, e perseris ruani femijet nga eksperiencat e tyre, qe po i tregojne gjimnazeve te Tiranes. Kujdes…” – shkruan Deda.

Ndërkohë, takimet që janë mbajtur në gjimnazet shqiptare nga përfaqësues të komunitetit LGBTIQ kundër bulizmit kanë qenë edhe tema e diskutimit në studion e “Tonight me Ilva Taren”.

Pedagogia Jonila Godole ngriti shumë pyetje të cilat shumë prindër, apo mësues, kanë bërë dhe duan përgjigje nga Ministria e Arsimit. Por përgjigjja e ministrisë ishte shumë zyrtare. Zv/ ministrja e Arsimit Bora Shahini tha se ishte vijim i rezolutës së miratuar nga parlamenti shqiptar në 2015 dhe se kemi të bëjmë me një projekt pilot. Por për shumë pyetje konkrete që shumë prindër e mësues kanë ngritur këto ditë nuk morën përgjigje.

Në studio diskutime shpeshherë kaloi edhe në debate të forta mes psikologes e pedagoges Gogole dhe aktivistes Xheni Karaj:

Jonila Godole: Prindërit i çojnë fëmijët në shkollë se kanë një garanci, kanë program të mriatuar dhe mësues. Duan që fëmijët e tyre jo vetëm të mbrohen fizikisht por edhe në aspekte të ndryshme. Me këtë që po dëgjoj tani, secili mund të vijë në shkollë, një rom mund të flasë për politikën, një LGBTI mund të flasë për gazetarinë, për të drejtat e grave, për gratë në politikë, për të rinjtë nesër në politikë.
Xheni Karaj: Mund të jetë dhe gazetar gay ai.
Jonila Godole: Më duket e tepërt. Dhe me sa po shoh këtu më duket se nuk ka strategji të mirëfilltë. Çfarë lloj platforme iu ka dorëzuar ju komuniteti LGBTI zonja Shahini? Kush i certifikon leksionet, gjërat që ata thonë.
Ndërhyn Xheni Karaj: Nuk janë leksione se na lodhe, na ezaurove. Nuk janë leksione ta kam thënë… ti nuk do të kuptosh.
Jonila Godole: Je kaq jo tolerante moj vajzë! Saqë nuk e kuptoj si ti të vesh në shkollë dhe të kërkosh që komuniteti të jetë tolerant ndaj teje.
Xheni Karaj: Mua më çudit si mund të shkosh ti në shkolla për të folur për komunizmin kur ti je një kryekomuniste.
Jonila Godole: Shumë faleminderit. Kur ma thua ti e marr të mirëqenë.

Please follow and like us: