Albspirit

Media/News/Publishing

Publikohet denoncimi sekret për arrestimin e Sherif Merdanit

Dashnor Kaloçi

Menjëherë pas fjalimit të Enver Hoxhës më datat 15 e 16 mars të vitit 1973 në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku si objekt dhe temë kryesor ishte: “Lufta ndaj shfaqjeve të huaja e liberale në art e kulturë dhe ndikimi i tyre në të gjithë jetën e vendit…”, fjalim i cili e kishte marrë shtysën nga Festivali i 11-të Kombëtar i Këngës në Radio-Televizion, që sapo kishte përfunduar në janar të atij viti, në të gjitha institucionet kulturore e artistike të Tiranës dhe të të gjithë vendit u mbajtën mbledhje të shumta, ku u “punua” ajo fjalë sipas orientimeve përkatëse që vinin nga aparati i Komitetit Qendror të PPSH-së.

Fjala e Enver Hoxhës u “punua” jo vetëm në institucionet kulturore dhe artistike, por në të gjitha “kolektivat punonjëse” dhe organizatat bazë e komitetet e partisë në të gjitha rrethet e vendit, ku u analizuan “me laps në dorë” puna që ishte bërë deri në atë kohë prej tyre dhe detyrat që u dilnin për të ardhmen. Kjo gjë veç të tjerash bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor, që mban datën 22 qershor të vitit 1973, ku sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Librazhdit, Marko Xega, (me origjinë vllehe, nga Korça), informon Komitetin Qendror të PPSH-së, mbi “Disa parulla armiqësore”, që qarkullonin në rrethin ku ai drejtonte punën e partisë. Nisur edhe nga një sërë dokumentesh të tjera arkivore që i përkasin kësaj periudhe kohe, situata që paraqet në informacionin e tij sekretari i parë i rrethit të Librazhdit është pak a shumë e njëjtë edhe me ato të rretheve të tjera të vendit, ku përveç “parullave armiqësore” ka pasur edhe hedhje traktesh e fletushkash po me “përmbajtje armiqësore” si në Korçë, Shkodër, Peshkopi, etj. Dhe të gjitha këto informacione, deri të detajuara, mbushnin përditë skrivaninë e Enver Hoxhës.

Gjë e cila me shumë gjasa e ka frikësuar atë për një “rrëshqitje të situatës” nga dora dhe e ka detyruar Enverin që të mbante fjalimin e famshëm të 15 e 16 marsit në Presidiumin e Kuvendit Popullor, i cili i parapriu atij në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Plenumin e IV. Ajo që vihet re në raport-informacionin e sekretarit të parë të rrethit të Librazhdit, ndryshe nga ato të shumë rretheve të tjera, është se aty përmendet me emër e mbiemër, vetëm Sherif Merdani, i cili sapo ishte arrestuar për “krimin e agjitacionit e propagandës” ndërsa për rastet e tjera, edhe jo të asaj natyre, flitet vetëm në parim dhe pa përmendur asnjë emër. Pra, aty goditja është përqendruar vetëm ndaj Sherif Merdanit, i cili në atë kohë ishte me punë në Shtëpinë e Kulturës së atij rrethi. Po të kthehemi në kohë dhe ta gjykojmë atë raport-informacion sipas logjikës së asaj periudhe kur ai është shkruar, themi se ai ka qenë tepër “korrekt”, pasi në qytetin e vogël të Librazhdit, “shfaqjet e huaja dhe ndikimi i ideologjisë së huaj borgjeze dhe revizioniste” nuk mund të kërkoheshin tek grupi i burrave që kërcente “vallen e Rrajcës”, apo ai te “vallja e pipzave”, pasi dihet se ato “ishin mbështetur fort në traditën dhe tabanin popullor”, por ajo gjë, pra; “shfaqjet e huaja liberale”, do të kërkoheshin tek Sherif Merdani, i cili sapo ishte kthyer nga Festivali i 11-të i Këngës në Radio-Televizion, (festival që ishte anatemuar nga Enver Hoxha), kishte bërë një emër të madh në Tiranë dhe në rrethe, ku ishte mjaft i kërkuar nga rinia që e adhuronte, djalë simpatik që vishej bukur dhe ndiqte modën e huaj, aty në Librazhd këndonte me kitarë dhe kryesisht këngë të huaja, vinte nga një familje e pasur qytetare nga Korça dhe me probleme me regjimin (nga familja Merdani ishin disa në burgjet politike), apo siç thuhej në atë kohë, me prejardhje nga “klasat e përmbysura”.

Dhe nisur nga të gjitha këto dhe jo vetëm, Komiteti i Partisë së Librazhdit, ishte “në rregull” me goditjen dhe arrestimin ndaj Merdanit, pasi ato “kritere” nuk i plotësonte askush tjetër në Librazhd më mirë se ai. Dhe arrestimi e dënimi i tij me burg politik, (ashtu siç do të ndodhte në atë kohë edhe me Minush Jeron, Mihallaq Luarasin etj.) në një farë mënyre “përligjte” goditjen që i kishte bërë Enver Hoxha ndaj Festivalit të 11-të, vetëm pak ditë pas përfundimit të tij. Pra me pak fjalë, nuk mund të kritikohej dhe goditej Festivali i 11-të, pa u goditur personazhet kryesore që e realizuan atë. Por duhet thënë se Sherif Merdanit, nuk i erdhi “e keqja” vetëm nga Librazhdi, pasi ai ishte piketuar që në Tiranë për t’u goditur dhe dënuar.

Veç të tjerash këtë na e bën të ditur (për herë të parë publikisht në faqet e këtij libri), Prof. Dr. Sadik Bejko, shkrimtar, poet, publicist, ish-deputet, cili në atë periudhe kohe, ishte redaktor i teksteve të këngëve në Radio-Tirana dhe kishte një farë shoqërie me Sherif Merdanin. Lidhur me këtë, Sadiku kujton: “Pak ditë pas Festivalit të 11-të, më thirri në zyrë drejtoresha e radios, Nefo Myftiu dhe në konfidencialitet të plotë më tha që ta takoja Sherfifin dhe t’i thosha veçmas, ‘të ketë kujdes me ato këngë që këndon andej lart e poshtë nga shkon, se nuk mundem ta mbroj dot më”. Sadiku kujton se e takoi Sherifin dhe ia tha “porosinë” e drejtoreshës dhe përgjigja e tij ishte: “Për Nefo Myftiun, unë hidhem nga kati i pestë”. Sadiku ia ktheu: “Ti mos u hidh nga asnjë kat, por mbaje parasysh këtë porosi të saj” dhe aty ai u nda me Sherfin për të mos u takuar më deri në fillimin e viteve ’90-të. Pasi siç dihet, Sherif Merdani përfundoi burgjeve të regjimit politik të Enver Hoxhës, sa në Spaç, Burrel, Qafë-Bari e Ballsh, (u ridënua përsëri në burg) për t’u liruar vetëm në vitin 1990-të, kur regjimi komunist ishte në agoninë e tij. Ashtu si edhe pjesa më e madhe e dokumenteve të këtij libri, edhe ky publikohet i plotë dhe pa asnjë shkurtim.

PARTIA E PUNES E SHQIPERISE 
SEKRET
KOMITETI I PARTISE SE RRETHIT EKZ. NR. 1
LIBRAZHD Librazhd, më 22/6/1973
Lënda: Informacion mbi disa parulla armiqësore
KOMITETIT QENDROR P.P.SH. TIRANE
Gjatë muajit maj dhe ditët e para të muajit qershor 1973 në rrethin tonë kemi pasur disa parulla armiqësore kundër Partisë dhe pushtetit. Kryesisht këto parulla kanë të bëjnë me fjalimin e shokut Enver të 15 marsit 1973 dhe problem të tjera.
Disa nga parullat kanë qenë në këto drejtime: Këta na mburren se kanë dritë elektrike, por shtetet e tjera e kanë bërë më parë këtë gjë të tillë. Heqja e antenave të televizorëve u bë me të vetmin qëllim që populli të mos dijë dhe të merret vesh se çfarë bëjnë shtetet e tjera. Enver Hoxha e ngriti këtë problem më 15 mars dhe këto nuk janë gjë tjetër veçse masa shtrënguese dhe Enver Hoxha në qoftë se është i mençur duhet ta dorëzojë vetë detyrën, se do të vijë dita ta shkarkojnë vetë shokët e tij.
Ata të qeverisë tani po ndjejnë se populli nuk i don, prandaj flasin vetëm për gatishmëri dhe vigjilencë. Punët nuk shkojnë mirë, se edhe të mëdhenjtë po grinden me njëri-tjetrin. Në Byronë Politike ka grindje dhe nuk ka unitet. Kështu ka kundërshtuar Fadil Paçrami, pra ka debate, grindje, përçarje. Fadil Paçrami e Todi Lubonja kanë qenë njerëz me pozita, por u shkarkuan se ishin bërë të pakënaqur dhe nuk e duan këtë parti, ashtu siç nuk e do dhe populli. Masa e marrë për ta nuk është e drejtë se ata janë koka të mëdha, se vendi ynë duhet të eci me kohën dhe vendet e tjera të Europës dhe nuk duhet të rrinë mbrapa dhe masat që janë marrë dhe po merr Partia, janë shumë të rrepta dhe këto janë kufizime lirie që i bëhet popullit.
Punojmë gjithë ditën, por nuk marrim gjë dhe tani jemi bërë si bagëtitë, porse kjo nuk do të zgjasë shumë etj.
Revolucioni kultural në Kinë ka qenë një blof se Kina e ndryshoi qëndrimin e saj. Ajo u lidh me Amerikën. Mao Ce Duni nuk ekziston dhe vendin e tij e luan një aktor. Shtetet e tjera janë shumë të forta, kanë armatime që nuk i kemi etj. Ka pasur edhe raste që kanë thënë se na u qelb vetja duke dalë në skenë me këtë muzikë dhe tani ndihet vetëm daullja, etj. Këto janë shprehur nga Sherif Merdani, i cili për krimet kundër shtetit në formën e agjitacionit e propagandës ditët e fundit është arrestuar.

Veç këtij kemi edhe dy persona të tjerë, cilët janë propozuar për t’u arrestuar.
Këto parulla janë bërë nga elementë keqbërës dhe armiq, të cilët janë në përpunim. Nga këto ne kemi nxjerrë detyrat tona. Sipas rastit në takime me sekretarë organizatash bazë, kuadro, popull si në fshat ashtu dhe në qytet, në zona të ndryshme kemi folur për kujdesin që duhet të tregojmë, për rritjen e vigjilencës, për të goditur çdo shfaqje të huaj armiqësore. Meqenëse këto janë në përpunim nuk kemi përmendur emra. Mendojmë që mbasi të arrestohen edhe dy të tjerët, do të bëjmë edhe demaskime publikisht.
Është për t’u theksuar se kohët e fundit megjithëse të pakta, por ka sinjalizime edhe nga organizatat bazë të partisë. Kështu ka qenë rasti nga byroja e organizatës bazë të partisë në kooperativën e bashkuar Hotolisht, se një grua nga familja e saj me qëndrim jo të mirë politik desh të mbillte një pemë në ish-arën e saj dhe kur i është thënë se përse e mbjell, ajo është përgjigjur se është ara time dhe do të vijë dita jonë. Kjo u kap menjëherë nga organizatat bazë dhe vetë brigade dhe u demaskua në popull.

Gjithashtu, kemi pasur edhe disa raste të zbutjes së luftës së klasave. Kështu, në katundin Funares dy komunistë, njëri kryetar i këshillit të fshatit bashkuar dhe tjetri, zv/sekretar i organizatës bazë të partisë dhe arsimtar, fill mbasi bënë konkluzionet e fjalës së shokut Enver të 15 marsit, shkojnë për darkë në dhëndurët e kulakut (dy vëllezër, kanë marrë dy bijat e kulakut) dhe aty ia shtrojnë me të ngrëna dhe me të pira, me dolli, kanë marrë nëpër gojë komunistë e tjerë, ku mbas pijes dhe janë rrahur. Raste të pirjes dhe të zbutjes së luftës së klasave këta kanë pasur edhe herë të tjera dhe janë këshilluar nga organizata bazë, por ata nuk kishin nxjerrë mësime. Një kandidate partie u martua me të bijën e ish-kulakut, të dy djemtë e tij kanë qenë në burg.
Këto raste u analizuan në byronë e Komitetit të Partisë rrethit dhe karshi tyre u mbajt qëndrim duke i përjashtuar nga partia. Është për t’u theksuar se këtë vendim të Byrosë Komitetit Partisë, masa e popullit e ka pritur mirë.

Gjatë kësaj kohe kemi pasur edhe thashetheme dhe intriga në zona të ndryshme për të futur grindje e përçarje, në këto ka pasur edhe komunistë, siç është rasti i sekretarit të organizatës bazë të fshatit Rrajcë, i cili me qëllim që të diskretitojë brigadierin, njeri shumë i ndershëm dhe që kërkon llogari, duke mos bërë lëshime, shpif kundër tij për marrëdhënie me një shoqe të brigadës. Vetë brigada e demaskoi. Organizata bazë u mblodh menjëherë dhe mbajti qëndrim ndaj tij, duke e kthyer nga anëtarë në kandidat partie. (Byroja e Komitetit të Partisë akoma nuk ka vendosur).
Nga këto dhe raste të tjera ne ia kemi bërë problem jo vetëm të organizatës bazë të partisë, por edhe të popullit. Një gjë është pozitive se kur i shtron drejt në popull, ay jo vetëm të kupton drejt, por edhe mban qëndrim të drejtë.
Më datën 16 qershor 1973 në rrethin tonë u zbuluan dhe u kapën dy persona nga shokët e Degës së Brendshme të rrethit tonë në bashkëpunim edhe me disa punonjës të tjerë të ndërmarrjes së ndërtimit dhe fshatarë të fshatrave Lunik, Zdrajsh e Funarë, që kishin vjedhur bankën e Belshit në rrethin e Elbasanit. Të dy këta persona janë nga rrethi tonë. Është për t’u theksuar se Dega e Punëve të Brendshme të rrethit të Elbasanit nuk kishte vënë fare në dijeni Degën e rrethit tonë për ngjarjen e Belshit. Kapja u bë se për ta dyshohej si njerëz jo të mirë dhe që vitin e kaluar kanë pasur tentativë arratisjeje. Bashkë me personat që u arrestuan, u gjetën edhe 240.000 mijë lekë. Hetimet vazhdojnë.
Për të gjitha këto probleme, ne kemi nxjerrë detyrat tona duke intensifikuar punën politike dhe ideologjike, me qëllim për t’u prerë rruga shfaqjeve të tilla.
SEKRETARI I I K.P. RRETHIT
Marko Xega

Please follow and like us: