Albspirit

Media/News/Publishing

“Kukulla”, rrëfimi i Kadaresë për nënën botohet si roman në Francë

Prill 2015
Sipas botuesit të Kadaresë, mësojmë se “Kukulla” do të jetë si libër më vete shumë shpejt edhe në libraritë tona. “La poupee” (botimet “Fayard”, 160 faqe, 16 euro) është përkthyer në gjuhën frënge nga violinisti Tedi Papavrami
Idili i një shkrimtari të madh që deri më sot nuk e kishte rrëfyer qëndresën më diskrete siç është nëna, papritur e zhvesh nga çdo mister. Natyra e një shkrimtari si Kadare, që i është kthyer vendlindjes më së shumti për historinë, hijet e dikurshme këtë herë i kishte dhënë arsyen më të madhe për t’iu kthyer shtëpisë së tij, në qytetin e lindjes, për të hyrë në kthina e musëndra, aty ku fshinte çdo gjurmë fëmijërie dhe të të rriturit.
Ky kthim shkrimtarin e lidh me nënën e tij. Një nga portretet e befasishme, të ftohta, të ashpra, të guximshme, të ëmbla, të ngrohta plot syrgjynosje andrallash është i përfshirë në botimin e fundit të Kadaresë, “Mëngjeset në Kafe Rostand”, botimet “Onufri”. Është pikërisht ky tregim, rrëfim që ka tërhequr së fundi vëmendjen e botuesve francezë. Shtypi francez një ditë më parë ka bërë me dije se ka dalë nëpër libraritë e Francës romani “Kukulla” i Kadaresë.

Një vepër e shkruar në tri kohë, për të shkuarën, të tashmen dhe, pse jo, të ardhmen, libri i Kadaresë tërhoqi dukshëm vëmendjen e lexuesit, duke u kthyer në një bestseller, në kohën kur doli, e megjithatë “Kukulla” ishte ajo pjesë që ka prekur më së shumti lexuesin me ndjeshmërinë, dhembshurinë, dashurinë dhe sinqeritetin me të cilin ishte shkruar.

Sipas botuesit të Kadaresë, mësojmë se “Kukulla” do të jetë si libër më vete shumë shpejt edhe në libraritë tona. “La poupee” (botimet “Fayard”, 160 faqe, 16 euro) është përkthyer në gjuhën frënge nga violinisti Tedi Papavrami, i sprovuar tashmë me stilin kadarean, duke qenë përkthyes edhe i veprave të tjera të shkrimtarit.

“Kukulla” është stacioni i radhës së shkrimtarit në qytetin e lindjes. Por kësaj here arsyeja është e ëma, një krijesë e brishtë, që asnjëherë nuk kishte arritur ta kuptonte deri në fund. Ndërsa në vepra të mëparshme në mënyrë të tërthortë ka rrëfyer marrëdhënien e tij me të atin, në këtë roman ai përshkruan me hollësi figurën e së ëmës. Tashmë që ajo nuk është më, autori ndalet të zbërthejë se përse e ëma i ishte dukur si një kukull, raporton panorama.

Portreti i saj fjalëpakë, gati i tejdukshëm, vjen përmes rrëfimit qysh në krye të herës, kur ajo erdhi nuse në derën e Kadareve, në një shtëpi të madhe, jo aq të kamur, por hijerëndë, ndryshe nga e saja, deri në ditën kur u largua nga kjo botë e kur pesha e saj i ngjante ajrit.

Profili i saj qartësohet edhe më shumë në marrëdhënien me të vjehrrën, përballjen me atë grua, një nga ato të mençurat dhe të gjithëdijshmet, si të cilat nëna nuk arriti dot kurrë të bëhej, në marrëdhënie me të atin dhe vetë atë, intelektualin dhe shkrimtarin e famshëm. “Gjithmonë e më tepër do të më pëlqente të mendoja se ndoshta pikërisht aty, tek ai zbërthim i gabuar i pamjeve të botës, në atë pasaktësi dhe sprapsje të arsyes, shkurt, në këmbënguljen e fëmijërisë për të mos ikur, fshihet ndoshta zanafilla e asaj që quhej dhuntia e të shkruarit…

Nganjëherë më dukej se të gjitha ato që thuhej se merreshin nga qumështi i nënës, unë i kisha marrë nga qumështi tjetër, disi i ndryshëm, ai i kukullës. Gabime që më dukeshin tani aq të bukura, arsye të përmbysura krejt, ato që, pasi i humbje një herë, nuk i gjeje dot kurrë, më rrinin gjysmë të mpira në kujtesë”, shkruan Kadare te “Kukulla”.

Please follow and like us: