Albspirit

Media/News/Publishing

Gavrosh Levonja: Mjegullën e rastit “Tahiri” e davarit vetëm Rama

 

Dorëzimi i mandatit të deputetit nga ish-ministri i brendshëm Tahiri, nuk kishte si të mos ngjallte diskutime dhe të bëhej objekt për hipoteza nga më të ndryshmet lidhur me shkaqet e arsyet të cilat e shtynë ish-ministrin të arrinte tek një akt i tillë. E natyrisht, nuk kishin si të mungonin përpjekjet e opozitës për të përfituar politikisht për diçka që e kishte kërkuar me kohë. Ishte mëse e natyrshme që përfaqsues të saj të kërkonin se për ç’arsye Tahiri kishte ndryshuar mendim dhe qëndrim nga një javë më parë kur shkoi në parlament për të mbrojtur këtë mandat.

E njejta gjë mund të thuhet edhe për hipotezat që e lidhin vendimin e Tahirit me mesazhet që mund të ketë marrë Rama gjatë vizitës në Gjermani në takimet me zyrtarë të atjeshëm kur është diskutuar lidhur me qëndrimin gjerman ndaj hapjes së negociatave për pranimin e Shqipërisë në BE.

Versione të tjerë e konsiderojnë dorëzimin e mandatit si pasojë e një pakti “Rama-Tahiri”, por, nuk mungojnë dhe hipotezat sipas të cilave e vlerësojnë si produkt të rolit të nje faktori të tretë, konkretisht atij ndërkombëtar, i cili ka ushtruar presion mbi kryeministrin shqiptar për ‘të lëshuar” ish-ministrin e tij, i cili deri një vit e ca më parë ishte ministri “më i suksesshëm”, krenaria e kabinetit të tij. Të gjitha retë nën të cilat janë mbështjellur misteret rreth çështjes apo rastit “Tahiri” mund t’i davarisë vetëm një njeri; kryeministri Edi Rama. Vetëm Rama, si personazhi kryesor në kontaktet me të huajt kur është diskutuar për “odisenë” shqiptare drejt BE mund të thotë me saktësi nëse i është kërkuar koka e Tahirit si një nga kushtet për të marrë votën “pro” për hapjen e negociatave (natyrisht, nëse do të flasë me sinqeritet).

Po ashtu ai është i vetmi, në këtë rast dheTahiri, që mund të sqarojë opinionin nëse ka pasur një marrëveshje mes tyre për braktisjen e vendit në parlament nga ana e ish ministrit dhe në rast se po, cilët kanë qenë kushtet, mb të gjitha çfarë do të merrte Tahiri në shkëmbim të mandatit. Mirëpo, nëse bëhet fjalë për sqarimin e opinionit lidhur me çështjen “Tahiri”, nuk do të kishte vlerë nëse do mjaftohej vetëm me zhvillimet e fundit që kulmuan me dorëzimin e mandatit nga ana e Saimir Tahirit.

Për të zbuluar të vërtetën rreth asaj që ka ndodhur me Tahirin Rama duhet të kthehet prapa në kohë, të paktën deri në momentin kur largoi Tahirin nga posti i ministrit të brendshëm duke e zevendësuar me Fatmir Xhafajn. Atëherë, kryeministri nuk dha asnjë hollësi, asnjë fjalë për të argumentuar largimin nga kabineti të atij i cili konsiderohej si bashkëpuntori më i afërt i tij, si njeriu që modernizoi policinë, si ai që shembi mitin e Lazaratit si “shtet brenda shtetit”, organizatori i shkëlqyer i strukturave të partisë gjatë fushatave elektorale.

Duke pasur parasysh faktin që Rama ishte si të thuash “i plotfuqishëm” në skenën politike të vendit, përballë një opozite e cila akoma nuk e ka marrë veten nga “knockout-i” i pësuar në vitin 2013, mendja ta do se kanë qenë faktorë jashtë Shqipërie ata që e kanë detyruar Ramën të shkarkojë ministrin e tij, të cilin vazhdoi ta mbronte në çdo situatë përballë akuzave të pareshtura nga ana e opozitës. Në fakt, vetëm pak ditë para shkarkimit të tij, Ministri i Drejtësisë së asaj kohe, Ylli Manjani, në një emision televiziv duke u shprehur në drejtim të Ramës hodhi pyetjen: “Pse ky kryeministër nuk largon një ministër gjë të cilën i a kanë kërkuar ndërkombëtarët?”

Pa kaluar shumë ditë nga ajo që bëri publike ministri, Manjani, ndodhi largimi i këtij dhe i Tahirit. Nëse Rama vendos të luajë me letra të hapura duke u treguar transparent përsa i përket çështjes “Tahiri”, pse e shkarkoi një vit më pare, veç të tjerash do ta kishte këtë si një armë të fuqishme për të neutralizuar akuzat e opozitës me të cilat kjo po kërkon dhe kokën e tij.

Please follow and like us: