Albspirit

Media/News/Publishing

Ekskluzive/Procesverbali i firmëtarëve të vdekjes në revoltën e Spaçit, 24 maj 1973

 

P R O C E S V E R B A L

Mbajtur në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, më datën 24 maj 1973, ora 13. 30.

Marrin pjesë në mbledhje shokët:

  1. Haxhi Lleshi, Kryetar
  2. Rita Marko, Nënkryetar
  3. Myslim Peza, Nënkryetar
  4. Shefqet Peçi, Nënkryetar
  5. Bilbil Klosi (Sekretar),
  6. Pilo Peristeri, anëtar
  7. Kahreman Ylli, anëtar
  8. Sadik Bekteshi, anëtar
  9. Agim Mero, anëtar
  10. Dhimitër Shuteriqi, anëtar
  11. Vito Kapo, anëtar
  12. Spiro Moisiu, anëtar.

Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor: Këtë mbledhje e bëjmë për të parë disa të dënuar me vdekje. Kemi thirur Kryetarin e Gjykatës së Lartë shokun Aranit Çela për të na referuar.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Aranit Çela: Në Kampin 309 Spaç, ditët e fundit u bë një revolt nga të burgosurit që përfshiu rreth 500 – 600 veta. Në fillim u dukën, u shfaqën kërkesat prej tyre si gjysëm politike: kërkonin që të largoheshin nga miniera, kërkonin që të faleshin nga dënimet, kishin disa ankime të tjera rreth trajtimit të tyre, etj. Mbasi plasi revolta kërkesat u rritën dhe doli hapur se ishte një revoltë politike kundër pushtetit popullor.

Tani, të gjithë elementët që janë në këtë kamp, janë nga ata politik, janë njerëz që kanë kryer krime kundër shtetit, kundër pushtetit popullor.

Shkaku i revoltës ishte me parullën që të shpëtojnë shokun, që ishte një i dënuar që kish shkelur rregulloren e brendshme, i cili në përleshje u largua nga dhoma e izolimit dhe që këta, të burgosurit e tjerë nuk e dorëzonin.

Revolta pra nga disa kërkesa doli hapur në një revoltë politike, sigurisht të nxitur nga disa elementa kryesor që ishin në këtë kamp.

Kërkesat pra në fillim qenë të tilla, pastaj u dual me parulla, një i dënuar Hajri Pashaj hedh parullat: “Poshtë komunizmi”, “Poshtë Partia”, “Ju do të vini këtu dhe ne do të zejmë vendin t’uaj”, etj.

Revolta zgjati tre ditë, më datën 21, 22, 23 maj. Mbas përpjekjeve u desh që të dërgoheshin forca, u rrethua kampi. Ato sipas tyre kishin krijuar një zonë të çliruar ku vunë ligjet e tyre, rregullat e tyre. Pra u rrethua kampi nga forcat tona, u bë një demostrim i fortë dhe u desh të hidheshin breshëri armësh dhe në fund ju dha ultimatumi : nëse  nuk dorëzohen, do të përdoren armët. Mbas kësaj nga ata u krijua një farë përçarje, sigurisht që një pjesë e mirë u tërhoqën nga frika dhe nga gjendja që u krijua.

Pra në mëngjezin e ditës së fundit, në orën e caktuar u futën forcat tona dhe filluan të dalin të gjithë me përjashtim të 60 vetave kështu që u krijua një përleshje me ta, një përleshje e vogël dhe më në fund u kapën. Nga këta, 12 veta i prumë në Tiranë dhe mbas zhvillimit të hetuesisë shpejt e shpejt në orën 11 të natës u zhvillua gjyqi nga të cilët 4 i dënoi me vdekje.

Mbajtën një qëndrim konseguent armiqësor, të gjithë janë element që kanë qenë dënuar për krime kundër shtetit, tradhti kundër atdheut, janë nga familje reaksionarësh, familje denbabadenë armiq tonë. Pra, nga 12 që u zhvillua gjyqi, 4 u dënuan me vdekje.

Kryetari: Po ata atje filluan punën?

Aranit Çela: Sot atyre ju është shpallur vendimi i Gjykatës për dënimin me vdekje të këtyre të katërve dhe ju është thënë që në rast se shkelin disiplinën dhe rregulloren e brendshme të kampit, në rast se shkelin disiplinën më të vogël, do të kenë përgjegjësi, do të kenë konseguenca. Siç duket situata u qetësua, turni i parë doli në punë.

Tani zhvillimi i gjyqit u bë me 12 që janë nga kryesorët por që nuk është çudi të ketë shpëtuar ndonjë tjetër. Përfundimisht u dënuan 4 me vdekje, ndërsa të tjerët, dmth 8 të tjerët me 25 vjet burgim. Ishte shumë vështirë të ndaheshin, të bëhej dallimi, por megjithatë u pa që këta të katër të dënoheshin me vdekje dhe që janë: Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajri Pashaj.

Kryetari: Tani spjegimet janë të mjafta, prandaj si mendoni, të mbeten këta të katër me pushkatim.

Aranit Çela: Ne themi që të dënohen me vdekje (pushkatim) dhe të pushkatohen jo përpara të tjerëve, jo përpara kampit.

Kryetari: Për këtë vendosni, gjykoni ju, ku t’ju vijë mirë.

Rita Marko: Edhe unë jam dakord që këta të katër të dënohen me vdekje (pushkatim).

Vendoset që:

Skënder Daja, i dënuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim) me vendimin nr. 1 datë 24.5.1973, t’i refuzohet kërkesa për faljen e jetës.

Pal Zefi, i dënuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim) me vendimin nr. 1 datë 24.5.1973, t’i refuzohet kërkesa për faljen e jetës.

Dervish Bejko, i dënuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim) me vendimin nr. 1 datë 24.5.1973, t’i refuzohet kërkesa për faljen e jetës.

Hajri Pashaj, i dënuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim) me vendimin nr. 1 datë 24.5.1973, t’i refuzohet kërkesa për faljen e jetës.

Mbledhja mbyllet.

Tiranë, më 24.5.1973

 

SEKRETARI I PRESIDIUMIT

/Bilbil Klosi/

 

 

Të zhdukur – 24 maj 1973

 

Mos mendoni se ju harruam

Ne s’do ndalemi asnjëherë

Duke thirrur të përmallur

Ju kërkojmë do ju gjejmë.

Ky Agimi i shokuar

Pat një brengë, ju bënë dy

Atë e di e ka vendosur

Vetëm Ti je i munguar.

Ne e dimë jeni katër

Ne e dimë të fundit mbetët

Mbi taracë u gozhduat

Dhe të gjallë s’u dorëzuat.

Të mbërthyer zinxhirë e pranga

Fjalën e fundit shpejt ta thoni

Me një zë ju brohoritët

Ai flamur pa yll të rrojë.

E mësuam vend përruan

Ku përballë në shesh lëndinë

Dhe përroi rrjedh zhurmuar

Kur xhelatët mbi ju shtinë.

 

As kurrizin ju s’e kthyet

Kur hienat ua kërkuan

Një llahtar çau qiellin

Mbi ju nuri u lëshua.

Ishte mbasdite ajo ?

E mësuam na e thanë

Edhe vendin na e treguan

As të vdekur aty s’u lanë.

Prapë do vimë t’iu kërkojmë

Ne po lutemi në gjithësinë

Që në ëndërr të na faniti

Vend groposjen ta zbulojmë.

Ja Dervishi me Skënderin

Ja dhe Pali me Hajrinë

Krah për krah ata qëndrojnë

Rrinë vështrojnë Shqipërinë.

 

Marrë nga libri “Revolta e Spaçit” e autorit Bedri Blloshmi.

Please follow and like us: