Albspirit

Media/News/Publishing

Dëshmi të panjohura për Ramize Gjebrenë

 

 

Gjebrea refuzon propozimin për t’u fejuar me Nakon; Interesimi i Nakos për Belishovën/ dashuria; “Fejesat ilegale” në parti e çeta/ reaksioni popullor; Nako – armiqësi për të “fejuarën” Gjebrea; Ramizeja me vendim ngulmues të Nakos dërgohet në qarkun e Vlorës, si cjapi te kasapi te Mugosha, që shkroi e firmosi vendimin e pushkatimit të “fejuarës”; E drejta monopol e N. Hoxhës për të vërtetën e amshuar Gjebrea – Nako – Nexhmije…

 

Në metodologjinë e studimit parësore janë faktet, analiza me kriteret: pesha e fakteve, harmonia e fakteve, marrëdhëniet mes tyre, parësor autenticiteti; Më prioritare janë burimet arkivore, memoriaristika, autenticiteti i tyre – në sitën e arsyes. E vërteta është dinake, struket fshehur mes rreshtash, në togfjalësh të rreshtit e pret ta zësh për fije “floku”! E vërteta e fejesës së Interesantit Gjebrea: e vërteta e amshuar dhe e vërteta e pamëshirë!

 

Argumenta pro e kundër

Me largimin nga Tirana nis lëmshi i kokolepsur Gjebrea. Asnjë burim arkivor s’është gjetur, ndaj i referohemi bashkëkohësve të Gjebresë, shokë e shoqe lufte, me shpresë të kap fijen e Arianës e të orientohem në labirintet e së vërtetës, mbuluar me terr nga protagonistët e ngjarjes mister, të largimit të Gjebresë nga Tirana në rajonin e Vlorës! Njohja e së vërtetës, një punë e mundimshme, për dekada e vërteta mbahej në fshehtësi rrasur në skuta të fshehtë të arkivit të partisë e më pas të AQSH-së.

Disa tangente arsyetimi yshtin të ngreh hipoteza pro e kundër. Gjebrea e përfolur asokohe, si deri sot, e fejuar e Nako Spirut, madje sapofejuar dhe i fejuari President i RKSH-së e largon nga Tirana, e çon në Vlorë, kur dihej ç’ndodhte atje! Gjebrea në Vlorë, me ngritje në përgjegjësi? Apo Gjebrea i vuri të fejuarit kufirin te thana, se kalamendohej në dashuri? Apo arsye të tjera e degdisën Gjebrenë në Vlorë? A merr flatra zilia e dihet ç’forcë ka zilia femërore! Nga atëherë ngeli ngulur si pykë: Ramizeja e fejuara e Nakos? Edhe pushkatimi në Ramicë të Vlorës me akuzën kryesore: lidhje e re “dashurore” e “prerje” në besë të “fejuarit” Nako!

Burime, dëshmi, teza, faktologji, hipoteza, një lëmsh me shumë nyja e të kapet fija e historisë/legjendë së Gjebresë! Kqyrim me kujdes faktet, peshën e fakteve, harmoninë e fakteve, fakte kundërthënëse e të shohim si peshorja lëkundet në njërën a në tjetrën anë dhe të rrokim çastin e fundit – nga është rëndesa e madhe e peshores. Pol i palëvizur e vërteta, kulti i së vërtetës, e vërteta e pamëshirë, por s’ndahet, si rrodhe, e vërteta e amshuar.

 

E vërteta e amshuar. Predikimi i Nexhmije H.:

“Ramizeja u dërgua në qarkun e Vlorës, si shoqe me përvojë të forcojë punën me rininë në terren e në repartet partizane. Atje u dërgua me përgjegjësi më të lartë”. (Nexhmije Hoxha, 2002).

“Argument” nga Nexhmije H., një e vërtetë e amshuar e mbajtur gjallë në dekada dhe sot më shumë se më parë. Asgjë s’është më e rrezikshme dhe shkakton reaksion më shumë se sa e drejta e monopolit të njësoj njerëzve për të vërtetën e amshuar. Nexhmije përballë të vërtetës së pamëshirë!

 

E vërteta e pamëshirë

Faktologji për t’i vënë në sitën e arsyes. E vërteta diku bën fole. Memuaret e bashkëkohësve lëshojnë paksa rreze drite, se e vërteta s’vdes, diç mbetet nga e vërteta, vetëm të kërkohet me dashuri dhe s’mjafton dashuria, lipset edhe urrejta për mëkatarët e Gjebresë dhe dashuria e urrejtja bashkë çojnë tek e vërteta, dhe pse mëkatarët mendonin, si deri më sot, se të vërtetës i kishin vënë sipër rrasën e varrit dhe ishin e janë të sigurtë!

Deti Nako, një pragmatist i thekur, të “sapofejuarën” e largon nga Tirana, qëndra e tij, dhe e çon në Vlorë! Vërtet në emër të idealit, interesave të atdheut, i “sapofejuari”, pa kaluar një – dy muaj, të fejuarën e “gradon” në krye të rinisë antifashistë të qarkut të Vlorës, ku dihej se rreziqet ishin të mëdha!

Ca paralele! Tarasi, të fejuarën Xhuglini e mban në Tiranë, në baza të sigurta (si e Bahri Omarit, kunati i tij); Vjosa (M. Shehu) të fejuarën, Fiqrete Sanxhaktari, e kishte pranë, në Brigadën e Parë; Besniku (H. Kapo), të dashurën e le në Zagori, krahina e saj. Nexhmije H. shkruan se Gjebrea ngrihej në detyrë të rëndësishme në qarkun e Vlorës, por mbahet e fshehtë se me largimin nga Tirana për pesë muaj punon për luftën në qarkun e Beratit, e paorganizuar në strukturat komuniste – pa vendimin e partisë dhe të Presidentit Nako!

Nexhmije H: “…. të gjitha e qamë Miston, por Ramizeja e qau një javë të tërë.”  Asfare s’besohet se, kur s’kishin kaluar dy muaj e s’ishin tharë lotët për Miston i fejuar, Ramizeja shpall fejesë me Nakon. Karakteri i fortë e dashuri e madhe për Miston bëjnë të pabesueshme fejesën e “vullnetshme” Ramize – Nako! (Nexhmije Hoxha, 2002).

 

Hap pas hapi tek e vërteta…

 

Luan Omari, me informacion të panjohur më parë:

… Ishim në mbledhje të redaksisë ‘Kushtrimi i Lirisë’ dhe bëhej në shtëpinë time. Atë ditë ishte dymujori i vrasjes së Mistos dhe nga redaksia u kujtua Misto me një çast heshtje. Ramizeja e mbuluar nga lotët e s’përmbahej nga të qarët. Dhimbje e madhe për të fejuarin, Miston. [- Ramize e fejuara e Mistos? [v.b] – Sigurisht e fejuar e Mistos!]

Lotët e Gjebresë për Miston me përkitje edhe me Nexhmije H: “Ramizeja e qau Miston një javë të tërë”, një e vërtetë e kyçur! Gjebrea me situatë shpirtërore shumë të trazuar dhe shpejt në fejesë me Nakon!? E pabesueshme! Shoqe e shokë shkolle e lufte me Gjebrenë dhe bashkëluftëtarë të afërt me Detin, mes rreshtash a përsëdrejti sjellin episode e krijojnë nyja dhe le t’i vemë në sitën e arsyes.

Nexhmije H:

“… Nakoja më tha në konfidencë se ishte në dilemë për të zgjedhur si shoqe jete mes Ramizesë e Lirisë (Belishova), të cilat i vlerësonte të dyja nga inteligjenca, vendosmëria etj. Unë duke qeshur i thashë: Nako, mirë bën që pyet kokën, por pyet dhe zemrën dhe vendos […] Dhe Nakoja vendosi, i bëri propozim Ramizesë […] Vërtet Nakoja nuk ishte aq tërheqës fizikisht por ishte shok me personalitet të theksuar, inteligjent e me kulturë e njeri serioz (Nënkupto: pa ngacmime dashurie) në marrëdhënie me shoqet”. (Nexhmije Hoxha, 2002).

Liri Belishova përkundër:

“… Kjo që më thoni ju, në gojën e Nexhmijes, më çudit shumë! Asnjëherë s’kam kuptuar e ndjerë ndonjë shenjë simpatie të Nakos për mua, që flisni”!  (Liri Belishova, 2003).

Nako i kërkon mendim Xhuglinit për të zgjedhur shoqe jete mes Ramizesë e Belishovës dhe ishte në dilemë – ku të vinte dorë, te njëra a tjetra! Kërkon ndihmë tek Nexhmija e i vjen zgjidhja më e mirë: “Nako, mirë bën që pyet kokën, por pyet e zemrën dhe vendos”. Xhuglini e inkurajon Nakon nga e “drejta” e të fortit, udhëheqësit, të verë dorë ku t’i thotë shpirti, mjaft të hapë gojë e vajza do binte në prehër të tij!…

“… Nakoja vendosi […] Në fillim Ramizeja hezitoi […] s’kaloi shumë kohë dhe Nakoja e Ramizeja njoftuan udhëheqjen e Partisë për fejesën e tyre”. (Nexhmie Hoxha, 2002).

 

Fejesë, me përzgjedhje mes dy kandidaturash dhe miratimi jepet nga koka e partisë!

Nako, sipas këshillës (pyet zemrën) vuri dorë te Ramizeja, e cila në “fillim hezitoi”, por “ra” në krahë të tij! “Gjata” (Sotir Manushi, në udhëheqje të qarkorit të Tiranës) kujton se vërtet u hap fjala (në rreth të ngushtë) se Nako ishte fejuar me Ramizenë, por s’dihet në se ishte fejesë e vërtetë apo fjalë që hapej enkas për ta bërë fejesën fakt e ta detyrojë Ramizenë të japë atë Po-në, që ia kërkon Nako, apo ishte nga ato “fejesa ilegale”, që në maskë ilegaliteti bëhen për “dashuri të shkurtër” nga kuadrovikë komunistë qeflinj!

Ramizeja “në fillim hezitoi”, por më pas vinte (?) në dijeni udhëheqjen e partisë për fejesë me Detin! E lajtmotivi Gjebrea për dashurinë është larg, shumë larg:

“Dashuria është komandanti në fronin e zemrës! Dashuria të hyjë në shpirt, harmoni shpirtërore, morale e fizike, dashuria të jetë e pakrisur, të mbetet përjetë rinore e të mos vyshket kurrë dashuria! (Dosje Tetova – Gjebrea 1955/2002)

Harmoni shpirtërore, morale e fizike, një idealizëm i pastër i Gjebresë, që lëviz në boshllëk, Gjebrea sqimatare në zgjedhje të shokut të jetës. Shoqe që kishin jetuar vite të tëra me Gjebrenë e rrëfejnë me karakter të fortë, të guximshme, s’bënte pazar me dinjitetin dhe e zonja për zgjedhjen e duhur midis postit të lartë të Nakos dhe harmonisë “shpirtërore, morale e fizike”, që dashuria të ishte “përjetë rinore e mos vyshkej kurrë”. (Nexhmije Hoxha, 2002).

Nexhmije H.

“… Ramizeja nuk mendoj se pranoi të fejohet me Nakon vetëm se ai i shfaqi dashurinë për të e se ishte një shok i udhëheqjes e nuk ia “refuzonte” dot dashurinë e propozimin që i bëri”. (Nexhmie Hoxha 2002)

Gjebrea shihte tek Deti shokun e mirë të jetës dhe e vlerëson, më së pari, si njeri e jo si shok i udhëheqjes së lartë – është përfundimi i Nexhmijes.

Argumente që lëvizin, qasen, diku takohen e diku ndahen. Njëri argument në akord me atë që Gjebrea refuzon propozimin për t’u fejuar me Nakon; tjetri ecën në të kundërtën, interesimi i Nakos për të njohur Belishovën e simpatia e tij për të; i treti, Nako e Ramize problem në Qarkorin e partisë të Tiranës dhe zgjidhjen e merr në dorë Tarasi vetë! Sa janë në qasje, takim a ndarje me burime arkivore që jepen më pas në faqet e librit?

… Në dhomë ishin Ramizeja, motra ime, një shoqe tjetër e Nexhmija. Ramizeja në qoshe, e trishtuar, shoqet i mburrnin Nakon, është i mençur, i zoti, udhëheqës etj. Ramizeja kishte ndonjë gjë që e mundonte dhe s’po jep fjalën “po”, që kërkonin t’ia merrnin shoqet e saj, që vazhdonin të tyren: bukuria shkon e vjen. Ndërkohë, motra tha: ta heqim këtë djall me brirë, na nxjerr në pazar dhe më largoi në dhomën tjetër, ku për çudi aty gjeta Nakon, i thashë fill e për pe ç’kisha dëgjuar dhe Nako më tha se isha i vogël e kur të rritesha do e kuptoja. Tashti që jam i moshuar ti më ngacmon për të kujtuar e kuptuar çka dëgjoja atëherë dhe kohë më parë ia tregova dhe shkrimtarit Nasho Jorgaqi. (Dashamir Ohri, 2003. Nasho Jorgaqi ia tregoi N. Hoxhës nga merr përgjigje prej saj: ëmundet, por s’mbaj mend).

Nako bën ndërhyrje tek shoqet, ndoshta më shumë te Nexhmija, për t’i mbushur mendjen Gjebresë dhe priste tinës në dhomë a ndoshta përgjon ç’pretendim kishte Gjebrea. Qasje të tjera…

…Isha në mbledhje me vajzat shtëpijake në një lagje të Tiranës, e drejtonte Liri Belishova, aktiviste e mirë rinie. Raportova tek Nako, i thashë se më la mbresë zgjuarsia e Belishovës dhe Nako më porositi: Përgatit një takim me të rejat në shtëpinë e Lirisë, ta drejtojë vetë. Do të vij unë. Lirija bëri një takim të mirë me të rejat, isha unë e Nako. Kështu u njoh Nako me Lirinë.  (Sotir Manushi, 2002).

…Nako më tha: Kato [Katerinë], Lirija është gjeni! Më bëri vërejtje të mençura për një komunikatë. (Katina Afezolli, 2002).

…Në mbledhjen e qarkorit të partisë së Tiranës ishin Enveri, Gogo, Kozma, Nexhmija, unë etj. Nako, kushedi për ç’arsye s’ishte në mbledhje. Gogoja [Nushi] tha edhe këtë: Si e ka punën Nako me Ramizenë?… Ra heshtje e gjatë e për ta thyer atë, thashë: unë di se janë të fejuar, ështe hapur një fjalë e fshehtë. Gogoja ndërhyri: pse nuk i kanë deklaruar Partisë fejesën? S’pati ndonjë ndërhyrje tjetër të mbështesin mendimin tim. Tarasi ndërhyri: Nako është udhëheqës, ma lini mua këtë problem, e zgjidh unë! Më vonë kuptova se Nako e kishte mësuar ç’thashë në mbledhje dhe filloi të më rrijë rëndë, s’kaloi muaji dhe e pësova: përfundova në Berat, me të njëjtën detyrë.  (Sotir Manushi, 2002).

Nexhmije H: “… s’kaloi shumë kohë dhe Nakoja e Ramizeja njoftuan udhëheqjen e Partisë për fejesë”. Kurse “Gjata” rrëfen ndërhyrjen e G. Nushit: “… pse s’kanë informuar partinë për fejesë?” Xhuglini s’bëri asnjë ndërhyrje të sqarojë se janë të fejuar, si edhe shkruan se “Nako e Gjebrea informuan partinë për fejesë.” Edhe Tarasi s’di gjë për fejesën! Shpallja e fejesës Nako – Ramize me dukje s’ka ndonjë mbështetje!

Një dosje e AQSH-së dhe dyfjalëshi “Tepër Sekret” shkruhet dukshëm në kapak dhe brenda është një fletë me shënime të sekretarit të qarkorit të partisë Tiranë, Gogo Nushi, mbajtur shumë – shumë shkurt me diskutime të kuadrove, shoqe të rinisë komuniste, gati të gjitha me pseudonime, të cilat i shqetësojnë fejesat ilegale:

“… Peçe thotë se partizanet ankohen për përgjegjësit e tyre. Nona, mbi fejesat ilegale. Dhora Leka. Në Rini flitet për këto fejesa, dhe shumë ankohen për këto fejesa ilegale. […] Thonë se këto fejesa i bën Partia. Flasin se në çeta ka abuzime (imorale) nga përgjegjësit. Puna e Vlorës është marrë vesh”. (AQSH. Fondi 22, d. 3, 1943).

Kuadro sevdallinj në parti me “të drejtën” për fejesa ilegale me vajza bukuroshe. “Rregulli” i fejesave ilegale ishte “dashuri e shkurtër”. Fejesat ilegale bënë alarm në popull dhe pjesëmarrëst në mbledhje bëjnë akuza, që vinin nga populli: “Thonë se këto fejesa ilegale i bën Partia. Flasin se në çeta ka abuzime (imorale) nga përgjegjësit.”

Dhora Leka, vinte nga Korça dhe sillte në mbledhje me Gogo Nushin mendimin e popullit e të rinisë korçare, diskuton për fejesat ilegale dhe kujton se vërtet komunistëve u kishte dalë nam i keq, sepse disa prej tyre binin në sy për marrëdhënie imorale me vajza, të lidhura me luftën; në atë mbledhje dënuam fejesat ilegale nga partia, u tha se edhe Ramize Gjebrea, kur ishte në Tiranë, kishte kritikuar në qarkor fejesat ilegale, që bëheshin nga kuadro partiake. Aty mësuam se Gjebrea ishte arrestuar në Vlorë për “dashuri”. (Dhora Leka, 2006).

 

Alarm për fejesat ilegale…

Alarmi jepet nga Sekretari Politik i Qarkorit të Partisë për Tiranën, Gogo Nushi, në letrën që i dërgon Tarasit, më 10/7/1944:

“I dashuri Taras

… Që të gjithë flasin dhe sidomos për fejesat ilegale, fejesa që po shtohen këtej. (Që të gjitha shoqeve u kanë vënë nga një të fejuar.) Partizanët që vijnë nga çetat e ndryshme përhapin fjalë se gjoja në ushtri përgjegjësit mbajnë me vehte gjithmonë shoqe. Flasin se këtoqë të gjitha i bën Partia. …

Të fala shoqnore, Hyseni”.

Partizanë të çetave partizane të rajoneve të vendit vijnë në Tiranë, me ngarkesa negative nga populli për fejesat ilegale “që i organizon partia”dhe “përgjegjësit mbajnë me vehte gjithmonë shoqe”. Ankesat partizane janë reaksion popullor nga rajone baza e luftës dhe për t’u shtuar atyre kritikat e forta për imoralitetin komunist, që vinin nga të djathtët, ana tjetër e barikadës.

Faktologji dhe e vërteta ngre krye e sikur thotë: Ja këtu jam…! Faktologji që mbështetet edhe në burime arkivore, të besueshme.

Deti Nako është në dilemë për zgjedhje midis Gjebresë dhe Liri Belishova, kërkon ndihmën e Nexhmijes dhe “ve dorë” mbi Gjebrenë, por shihet se heziton, s’është e vendosur e shoqe të saj mëtojnë ta bindin për fejesë me Detin. Një letër e Gjebresë e 22 shkurtit ’44 ka paksa shenja të tërthorta për një farë “premtim” Detit për fejesë.

Që ishte premtim e jo fakt saktësohet në verdikti i gjyqit të partisë: “… tradhëtare e shokut të cilit i ka premtuar fejesën”. (AQSH, Fondi 181, dosja 17/1, 1944).

Premtim për fejesë dhe fesjesë ka një distancë jo aq të afërt dhe gënjeshtra politike e mëvonëshme është e madhe: Gjebrea e Nako të fejuar! Ishte një premtim/gjysmë premtimi sa fejesa s’mori fare jetë. Dy janë arsyet:

“Fejesat ilegale” ishin në modë dhe kishin rregullin:  “dashuri e shkurtër” dhe Deti ishte qejfli i njohur për kësi dashurish – krejt e papranueshme për Gjebrenë. E nëse, për rastin, kjo arsye s’qëndronte ama, s’e besoj, atëherë merr vlera të pakundërshtueshme argument:

Ose Liri Belishova futet në mes të Detit – Gjebrea, ose Deti ndërron mendje dhe krijon lidhje dashurore/fejese me Liri Belishovën.

Një letër e Detit Nako për Delegatin Nexhmije, që i jep jetë argumentit që shtrova më parë. Letra…

“Delegat … “Shpirto” … po të lodhet shumë, për arsye që ti di, mbetet [rrugës] dhe rrezikon të mos – – – [e kem] fare. Kupton?…”

Letra është e prillit ’44 me ashiqare argument se Deti kishte lidhje fejese me “Shpirton” (Liri Belishova). Deti i kujton Delegatit Xhuglini arsyen, që ajo e dinte, dhe që e preokuponte shumë Nakon, saqë shihet se është  në gjendje alarmi pse “rrezikon të mos – – – [e kem] fare.” dhe Delegatit i shtron pyetjen: Kupton? Shihet sat ë forta janë lidhjet e Nakos me Shpirton Belishova. Nexhmija i di mirë lidhjet e forta të Nakos me Shpirton, se Nako i kishte dhënë duart të ”fejuarës” Gjebrea, megjithatë s’rresht së shigjetuar me helm Gjebrenë se e kishte tradhëtuar në rajoni i Vlorës. Në faqe të tjera do jetë edhe një letër tjetër e Nakos me lidhje besnikërie po kaq të forta me Shpirton dhe këtë e di shumë mirë Nexhmija, sepse është me shkrimin e saj. Fshehja e lidhjeve të Nakos me Shpirton është edhe nga vetë Nako, që e goditi Gjebrenë për tradhëti; po ashtu edhe nga Tarasi.

Tekefundit, lidhja e Nakos me Shpirton, sidoqë në fshehtësi me Gjebrenë, të “fejuarën”, s’pritet të qortohet aq shumë, por i “fejuari” Nako shkoi përtej njerëzores. Në një letër për Tarasin, Nako është tepër i vendosur kundër që Ramize Gjebrea të punojë në Qarkorin e Beratit, pse atje do të kishte ndihmën e familjes për sëmundjen e saj, ose të punonte në Tiranë. Nako ia arriti qëllimit, Gjebrea dërgohej në Vlorë, të binte atje në kthetrat e përgjakura të Mugoshës e vjen pyetja: Nëse Gjebrea nuk do të ishte në Vlorë, siç kërkonte Tarasi, Liri Gega, Kozma Nushi, a do ndodhte tragjikja? Ja, Nako numër një i tragjikes Gjebrea! Argumenti, në hollësi dokumentare jepet në vijim. (AQSH, Fondi 14, dosja 20, 1943).

Lidhja e Detit me Shpirton apo Deti pas “dashurive të shkurtra” i dhanë Gjebresë të drejtën t’i verë kryq atij gjysmë premtimit për fejesë, e rebeluar largohet nga Tirana e shkon në Berat, janar ‘43. Gjebrea në Tiranë ishte me funksion Sekretare organizative e Qarkorit të Rinisë Komuniste, kurse në Berat mbeti jashtë strukturës organizative komuniste, pasi largohej pa vendim partie, pa pyetur për të!

Dhe diktatorët e çdo shkallare qofshin s’mund t’i jenë mirënjohës kurrë njeriut që zbulon padrejtësi të tyre. I njohur është tregimi i Plutarkut, ku flitet për një ushtar, i cili shpëtoi jetën e mbretit gjatë një beteje dhe në vend që të arratisej, siç e këshilloi me të drejtë një plak i urtë, qëndroi duke shpresuar të përfitonte nga mirënjohja e mbretit dhe këtë ai e pagoi me kokë. Mbretërit nuk i duan ata që kanë qënë dëshmitarë të dobësisë tyre, kurse natyrat despotike nuk durojnë këshilltarë, të cilët, qoftë dhe një herë, janë treguar më të mençur.”

Ramize Gjebrea la pas Tiranën, një shoqëri të gjerë intelektuale edhe shtëpitë përdhese të Tiranës dhe dashurinë e tyre e la të shkruar shoku i saj liceist, që mbeti i paidentifikuar, me shkronjën P.

 

Marrë nga monografia “Ramize Gjebrea, një jetë për tjetër kohë” të Vasfi Barutit.

Please follow and like us: