Prof. Xhevat Lloshi: Skënderbeu në vendet nordike
Vendet nordike përfshijnë Danimarkën, Islandën, Norvegjinë, Suedinë, Finlandën dhe disa ishuj. Nganjëherë këto quhen edhe skandinave, me një zgjerim të kuptimit, meqë skandinavët përbëjnë tri të katërtat e popullsisë së tyre. Ndodhen në veri të Europës, prandaj mund të përdoret edhe cilësimi ‘veriore’, ndërkaq emërtimi Europa Veriore është më i gjerë, sepse përfshin edhe Britaninë, Irlandën dhe Vendet Baltike. Rrjedhimisht emërtimi si nordikë mënjanon ndonjë ngatërrim.
Nga popujt e këtyre viseve u nisën vikingët, të cilët me anijet e tyre të veçanta shkuan deri në brigjet e Amerikës dhe teposhtë deri në vendet mesdhetare. Emri i tyre do të thotë: detarët. Prej tyre shekujt VIII-XI quhen periudha e vikingëve, domethënë kontaktet e gjera me pjesën tjetër të Europës u vendosën në këtë periudhë dhe në fund të saj ata u kthyen në të krishterë.
Përveç anës gjeografike, e përbashkët për ta është edhe gjuha. Flasin gjuhë, që nga prejardhja janë gjermanike, me përjashtim të finlandishtes, e cila nuk është gjuhë indoeuropiane por uralike. Katër janë gjuhët kryesore: danishtja, islandishtja, norvegjishtja dhe suedishtja. Kanë dalë të gjitha nga nordishtja e vjetër (norse).
Ndonëse trojet tona janë shumë larg nga Vendet Nordike, përmendjet e viseve shqiptare nga nordikët janë mjaft të vjetra. Sipas Dhimitër Kamardës në Shtojcën e ‘Gramatikës së krahasuar të shqipes’ (1866), M. Ataliati jo vetëm i kishte përmendur shqiptarët bashkë me normanët në Itali, por më 1081 të tjerë normanë morën në zotërim Shqipërinë e mesme dhe jugore.
Juristi bizantin dhe pedagogu i drejtësisë me emrin Mihal Ataliati gjatë viteve 1070 ka hartuar një Histori të Perandorisë Bizantine. Një pjesë të shkurtër ia ka kushtuar fushatës së Maniakisit në Sicili. Georg Maniakisi, gjenerali më i madh bizantin i kohës, rreth vitit 1040 ishte duke drejtuar atje një fushatë ushtarake për ta shkëputur ishullin nga sundimi arab. Ataliati, i vetmi ndër historianët e periudhës, ka përfshirë një fragment lidhur me dy grupe popullsish, që shërbenin në ushtrinë bizantine në Sicili ndërmjet viteve 1038-1040. Ai i ka quajtur Albanoi dhe Latinoi. Pas dënimit të Maniakisit dhe burgosjes në Konstantinopol, disa prej ushtarëve skandinavë të Maniakisit mund të ishin bashkuar me Albanoi kur u kthyen në vendlindjen e tyre rreth Durrësit, ku edhe qëndruan, dhe me kalimin e kohës, u quajtën Latinoi, domethënë të huaj, që aderonin te traditat krishtere perëndimore dhe pranonin autoritetin e papës së Romës. Kjo është dëshmia më e hershme e kontaktit të shqiptarëve me nordikët.
John Quanrudi në punimin e tij, që vjen i pari këtu, ka mbrojtur tezën, se Albanoi te historia e Ataliatit janë pikërisht shqiptarët, duke hedhur poshtë interpretime të tjera, që e mohojnë këtë gjë. Ai është nga të paktët studiues në fushën e studimeve ballkanike, i cili është në gjendje të ndërmarrë në shqyrtim teorinë e ndërveprimit ndërmjet skandinavëve dhe shqiptarëve në Mesjetën e hershme, që mund të jetë shkaku i disa ngjashmërive ndërmjet ligjit zakonor (Kanunit) të Shqipërisë veriore dhe kodeve ligjore gojore skandinave të Epokës së Vikingëve. Këtë tezë ai po e shtjellon në një punim tjetër.
Edhe autorët Rolf Ködderitzsch dhe Torsten Meissner nga Boni na tërheqin vëmendjen te këto kontakte të hershme. Sipas tyre, për në Konstantinopol tregtarët skandinavë shkonin nëpër rrjetin e lumenjve rusë ose nga Perëndimi nëpër Mesdhe dhe ndoshta nga shek. X ka pasur nordikë në shërbim të perandorëve bizantinë. Në Islandë krijimtaria letrare e ka fillimin të paktën që nga shek. XII me sagat, të cilat ishin rrëfime kushtuar fiseve kryesore të vendit. Më pas përmbajtja e tyre u shtua me subjekte të tjera, duke përfshirë edhe figura e ngjarje historike prej vendeve të tjera europiane. Një sagë e tillë e fundit të shek. XII njofton për princin Jarl Rognvaldrin, i cili pas vizitës në Jerusalem, u kthye dhe erdhi në Durrës, për të kaluar prej aty në Pulie dhe në Norvegji. Është hera e parë që del kështu në burimet veriore emri i portit tonë në trajtën islandeze Dyrakksborg. Saga e Sigurdhurit, e fillimit të shek. XIV përmend Albaninë. Në mesin e atij shekulli, siç na rrëfen Saga e Magnusit e gjysmës së dytë të shek. XIV, një grup shqiptarësh me prijësin e tyre u takuan me nordikë në Venedik. Në të dy burimet e para përmendet emri i Shqipërisë në trajtën Albania. Autorët përfundojnë, se për fat të keq tekstet në nordishten e vjetër për Shqipërinë janë shumë të pakta. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nordikët nuk kanë pasur njohuri për këto vende të Ballkanit dhe anasjelltas, do të shtoja se edhe shqiptarët i kishin njohur nordikët.
Pasi kisha mësuar, se epika islandeze rreth Skënderbeut burimin e kishte nga libri i Ludvig Holbergut, u shtyva të mësoja rreth këtij autori. Ai ishte shkrimtar dhe historian (1684-1754) nga Norvegjia, kishte udhëtuar shumë dhe me vendosjen në Danimarkë, i dha shkas rilindjes së jetës intelektuale aty dhe mbahet si themeluesi i teatrit danez. Në vëllimin e parë të veprës së tij Historia e krahasuar dhe bëmat e heronjve të ndryshëm të mëdhenj e të njerëzve të famshëm… në dy vëllime, botuar për herë të parë më 1739, mbi 30 faqe i kushtohen Skënderbeut. Nuk ka dyshim, se është mbështetur te vepra e njohur e historianit tonë, Marin Barletit. Është përkthyer islandisht nga fundi i shek. XVII ose rreth vitit 1800. Prej andej e kanë marrë përmbajtjen sagat dhe rimuret islandeze.
Më 2005 në numrin 2 të revistës ‘Lemba”, që del në Ulqin, është botuar përkthimi shqip i pjesës për Skënderbeun nga Arben Çokaj. Ka ndeshur vështirësi të mëdha për ta bërë përkthimin nga danishtja e vjetër. E kemi përfshirë në këtë vëllim pa i bërë ndryshime të dukshme dhe për lexuesin po shënoj nja dy vërejtje. Skënderbeu mori titullin sanxhakbej dhe jo ‘Sanxhak’, sepse kjo fjalë shënon njësinë administrative. Sipas legjendës, ai mori pjesë në një ndeshje para sulltanit dhe jo në një ‘betejë’, sepse ishte një dyluftim që e fitoi. Qatipi i sulltanit nuk shkroi një ‘rekomandim’ për qeveritarin turk të Krujës, por një ferman të rremë. Skënderbeu nuk ishte ‘shef’, por prijës, udhëheqës. Bashkëluftëtari i Skënderbeut nuk quhej Uranakontes, por Konti Uran ose Vranakonti. Do ta vlente, që të bëhej një përkthim i ri.
Sir William Craigie, pedagog në Kolegjin Oriel të Oksfordit, ka mbajtur më 1949 një ligjëratë (The Romantic Poetry of Iceland), e cila është botuar në Glasgou më 1950. E kemi përfshirë të përkthyer shqip, sepse jep një shpjegim të plotë, se çfarë janë rimuret si gjini e poezisë romantike islandeze, në të cilën ka gjetur vend edhe heroi ynë kombëtar.
Kur më 1984 iu drejtuam Bibliotekës Kombëtare të Islandës me pyetjen, nëse kishte të dhëna për Skënderbeun në letërsinë islandeze, drejtori, dr. Finbogi Guthmundson na hapi një faqe të re për këtë fushë. Ai ka qenë më 1951-56 ligjërues për gjuhën dhe letërsinë islandeze në Universitetin e Uinipegut në Manitoba të Kanadasë, ndërsa nga viti 1964 drejtor biblioteke. Na njoftoi se ndodheshin një varg dorëshkrimesh në islandishten e vjetër për Skënderbeun, të përkthyera nga danishtja prej librit të L. Holbergut, si dhe dorëshkrime të disa këngëve epike, të thurura duke u mbështetur te ato. Ai na dërgoi librin e Holbergut, një nga poemat dhe një libër të botuar më 1861. E vizitoi Shqipërinë më 1985 dhe përgatiti një studim të shkurtër për Skënderbeun në burimet islandeze, të cilin e dhashë për botim më 1985 në revistën tonë “Studia Albanica” dhe është përfshirë këtu i përkthyer shqip, bashkë me një pjesë nga varianti islandisht i tekstit danisht të L. Holbergut, të cilin e ka ndjekur mjaft besnikërisht.
Duke pasur tashmë një lëndë të mjaftueshme, përgatita dhe botova një shkrim përgjithësues për Skënderbeun në rimuret dhe e botova në “Gjurmime albanologjike. Ser. e shk. fil.” 34-3, 2004-2005 të Prishtinës. Me këtë rast paraqita disa të dhëna të dobishme për Islandën dhe për vendin e kësaj teme në letërsinë e saj, dhe e përmenda se ishte detyrë e kërkimeve tona të silleshin dorëshkrimet në Shqipëri, duke e quajtur se i kishim të dhënat të plota.
Ndërkaq, njoftime të reja mjaft të gjera ndesha te studiuesi M. J. Driscoll nga një punim, të cilin e kishte lexuar në korrik 2007 në Universitetin e Kembrixhit. Punimi është i ngjeshur dhe për ta lehtësuar shfrytëzimin e tij, po ndalem më gjatë me një paraqitje të përmbledhur. Ai e pranoi me kënaqësi kërkesën që ta përktheja punimin e tij.
Matthew James Driscoll ka lindur më 1954, është autor i afër tridhjetë librave dhe i shumë punimeve, të botuara në disa gjuhë. Ai ka punuar në Institutin Arnamgnaean të Universitetit të Kopenhagës, ka qenë edhe pedagog i jashtëm i Universitetit të Islandës. Është specialist për filologjinë e vjetër nordike dhe i shquar për punën me literaturën e dorëshkrimet e vjetra. Prandaj jo rastësisht ka trajtuar edhe dorëshkrimet e lidhura me Skënderbeun. Me rastin e 60-vjetorit të tij, më 2014 është hedhur në internet faqja “Matthias saga digitalis 6.0/”. Ligjërata e tij e fundit ka qenë më 27 tetor 2016 në Universitetin e Kopenhagës për dorëshkrimet e Magnu i Tjaldanesit. Po përpara se të jap përshkrimin e të dhënave të reja që ka sjellë ai, është mjaft e papritur një prurje tjetër.
Thënia e njohur: “Nuk është shpata – hekur i dheut, po është krahu i fortë i Skënderbeut” qenka edhe anglisht me këto fjalë: “Scanderbeg’s sword must have Scanderbeg’s arm”. E gjejmë atë në një vepër mjaft të njohur me titullin “Fjalori i Brewer-it i shprehjeve dhe i thënieve prej rrëfimeve” (Brewer’s Dictionary of Phrase and Fable). Autori, Ebenezer Cobhan Brewer (1810-1897) kishte ndjekur mësimet në Kembrixh, punoi si kryemësues në një shkollë të Noruiçit, jetoi disa vjet në Paris dhe ka botuar shumë libra arsimorë për lexuesin e përgjithshëm. Botimi i parë i librit më të suksesshëm të tij është i vitit 1870 dhe tani mund të jetë i njëzeti. Shpjegimi i thënies anglisht në fjalorin e tij është: “Muhameti I deshi të shihte shpatën e Skënderbeut, por kur ia paraqitën, askush nuk mundi ta ngrinte; atëherë perandori turk, duke e parë veten të detyruar, ia ktheu mbrapsht. Skënderbeu iu përgjigj, se madhërisë së tij i kishte dërguar shpatën e vet, por jo krahun që e ngrinte atë”.
Sipas studiuesit M. J. Driskoll, rrëfenja nga e cila e ka prejardhjen shprehja, nuk haset te libri i Marin Barletit, për këtë arsye nuk është as në tekstin e L. Holbergut dhe as në përkthimet e në sagat islandisht. Por ajo shfaqet në një prej rimureve. Rimure quheshin poemat epike, si rapsoditë tona, të cilat rrëfimet në prozë me tema romantike dhe më rrallë nga historia i shndërronin në vargje me rimë. Për pesë shekuj ato kanë qenë poezia epike popullore e Islandës deri në fund të shek. XIX. Meqë ato mbështeteshin gjerësisht te sagat, lind pyetja: nga është marrë atëherë kjo ngjarje në një rimur? Tashti mësojmë për një burim të ri rreth Skënderbeut. Historia e Skënderbeut e gjeti rrugën për Danimarkë përpara Holbergut, me botimin më 1709 të një vepre anonime nën titullin e gjatë “Përshkrim i tre mbretërve më të fuqishëm turq … dhe Gjergj Kastriotit ose Skënderbeut, prijësit të Epirit dhe Shqipërisë…”. (Sandfærdige Beskrivelse om de tre Mægtigste Tørckiske Keysere … Georgius Castriotus eller Scanderbeg Første udi Epiro og Albanien…). Në faqen e titullit mëtohet se është marrë nga danishtja, burimi i drejtpërdrejtë për të nuk dihet. Skënderbeut i kushtohen faqet 49-78 dhe përmbajtja është marrë nga Barleti, ndërsa episodi me shpatën del në f. 755-77.
Për rrëfenjën me shpatën, variantet e saj dhe në tekstin danisht më shumë ka gjasa që ta kenë burimin nga vepra e pabotuar e Frankfurtit e viteve 1602-1609 me titullin: Operae horarum subcisivarum, sive meditationes historicae, Centuria altera, cap. LXXVI, f. 350-51. Kemi kështu një burim tjetër të panjohur deri më tash, që ka nevojë të hulumtohet më tej. Nuk po e bëj përkthimin e copës përkatëse pak të gjatë në prozë, po do të kthehem te rimuri islandisht, ku ngjarja zë tri strofa, të cilat po i jap me një përkthim jo në vargje:
“[Ai] i kërkoi burrit t’i dërgonte shpatën, për t’ia huajtur për pak kohë; ai i tha ‘po’ dhe ashtu bëri.
Ndonëse mbreti ishte i fortë, nuk qe në gjendje ta vringëllonte një shpatë të atillë, as mundi ta tundte askush tjetër në oborrin e tij.
Ata e kthyen mbrapsht shpatën menjëherë; Skënderbeu u dërgoi përgjigjen: Unë ua dhashë hua luftëtarëve shpatën, por jo krahun tim.”
Për të kënaqur ata, që botojnë shprehje nga e gjithë bota, po e jap edhe në islandishten e vjetër:
Ljeði’ eg sverð en arminn ei
odda njerðun stáls að þey.
Gjatë shekullit XIX letërsia popullore në Islandë ende tregohej gojarisht dhe ishte gjallëruar nga përpjekjet për pavarësi, kështu që edhe tema e Skënderbeut ishte e parapëlqyer. Qarkullonin mjaft libra të lirë, të përkthyer prej danishtes e gjermanishtes, dhe prandaj libri i Holbergut nuk ishte një përjashtim nga rryma e përgjithshme. Në këtë truall e gjeti vendin edhe Saga për Skënderbeun, për të cilën tashti marrim vesh më me përpikëri sesa më 1985, që u ruajtka në 13 dorëshkrime. Natyrisht, burimi më i parë ka qenë vepra e njohur e Marin Barletit (1510), e cila pati një jehonë aq të dukshme, saqë pa vonuar nisën të dilnin përkthime të Barletit: gjermanisht më 1533 në Augsburg; italisht më 1554 në Venedik; portugalisht më 1567 në Lisbonë; polonisht më 1569; frëngjisht u zgjerua nga Jacques de Lavardin më 1576 në Paris, shoqëruar me një sonet nga Pierre de Ronsard (1524-85). Anglisht prej Zachary Jones-it është botuar në Londër më 1596 sipas Lavardinit, por vendin e sonetit të Ronsarit e zuri një nga Edmund Spenceri (1552-99). Tashmë për autorësinë e këtij botimi ka edhe një artikull nga Franklin B. Williams, Jr,: ‘Spenser, Shakespeare, and Zachary Jones’, botuar në revistën Shakespeare Quarterly, 19 (1968), f. 205-12.
Ka një ngatërrim për pjesën me këtë subjekt ‘El Principe Escanderbeg’. Ajo i quhet Lope de Vegas (1562-1635), kur doli më 1639 në vëllimin 29 të komedive të tij. Bibliografia e Bibliotekës sonë Kombëtare më 1997 (shkurt BBK) e quan të Lopes de Vega Carpio sipas një letre nga Biblioteka e Madridit e vitit 1969, veçse nuk i ka datat e mësipërme për pjesën. Më 1679 pjesa me të njëjtin titull i quhet Luís Vélez de Guevarës (1579-1644) në tekst, ndërsa në treguesin e përmbajtjes del se qenka e Luis de Belmonte Bermúdez-it (1598?-1650?). Këto data dhe emri i fundit nuk dalin te BBK. Aty mungon edhe një botim më 1538 në Strasburg nga Caspar Hedio.
Lord Bajroni (1788-1824) i ka kushtuar dy strofa në Shtegtimet e Çajld Haroldit (1812-1819). U bënë edhe opera me temën e Skënderbeut; prej njërës me muzikën e Antonio Vivaldit (1675-1741) na kanë ardhur vetëm katër arie. Studiuesi Driskoll pohon: “Mund të thuhet pa dyshime se deri rreth vitit 1900, kur ‘turqit’ pushuan së vështruari si një kërcënim, çdo njeri i arsimuar në shkallë të mjaftë, i cili jetonte kudo qoftë në Europë, ndoshta ka qenë i njohur me figurën e Skënderbeut po aq sa edhe me të paraardhësit me emrin e tij, Aleksandrit të Madh”.
Edhe për vetë L. Holbergun marrim vesh për herë të parë se ka botuar një vit më përpara, më 1738, një histori kishtare (Almindelig Kirke-Historie), në të cilën ka një trajtim të shkurtër të Skënderbeut.
Kemi tashti një numër të përcaktuar sagash në dorëshkrime: 13 të shekullit XIX, me titullin islandisht ‘Sagan af Skanderbeg’. Më i vjetri, me se duket, është JS 34 40, hartuar gjatë dimrit 1803-04 si pjesa e shtatë (apo e nëntë?) e materialit prej 10 njësish në faqet 160-173. Hartuesi duhet të ketë qenë Gudhmundur Illugasoni, i cili e shkruan emrin e vet në disa vende të përmbledhjes. Kishte lindur më 1788, jetonte në Bakkakor dhe do të ketë qenë djalosh kur e ka shkruar, sepse vetë në parathënie e vë në dukje, që “është shkruar në vitet 1803 dhe 1804 nga një autor sagash i ri dhe i pastërvitur”. I përmbahet mjaft afër origjinalit danisht të Holbergut dhe është përkthim me cilësi të mirë. Titulli është Saga af Skanderbeg fursta.
Ndër dhjetë saga të vetat dhe shtatë të përkthyera, kleriku dhe poeti Jón Oddsson Hjaltalín (1749-1835) ka përkthyer edhe një sagë për Skënderbeun po ndër vitet 1803-1804 dhe nënkuptohet se e njihte librin e L. Holbergut. Me dorën e tij është ruajtur Lbs 638 80, që do të jetë para vitit 1811 dhe që përmban një tekst të shkurtër Mbi heroin e pakrahasueshëm Skënderbe. E veçantë është se këtu ai ka përfshirë pjesë nga të dy veprat e Holbergut, meqë përshkrimi i fitoreve më të mëdha të Skënderbeut dhe vdekja e tij janë vetëm në librin e vitit 1739.
Einar Bjarnason a Melifelli (1782-1856) ka qenë ndër njerëzit më të ditur laikë të veriut të Islandës, hartues edhe i një ‘Regjistri të njerëzve të ditur’ të pabotuar dhe ka luajtur rol të rëndësishëm për përhapjen e kulturës në vendin e vet. Ai na ka lënë dy dorëshkrime. I pari, ÍB 251 40, është shkruar më 1806-1807 në Brúnastadhir. Saga për heroin tonë mban titullin ‘Sagan af theirri ósigrandi hetju og nafnfræga Skanderbeg fursta í Epíró’, dhe është bashkë me tri saga të tjera dhe dy grupe rimuresh. Dorëshkrimi i dytë, ÍBR 21 40, është shkruar më 1820 në Starrastadhir. Interesante është se këtu Saga për Skënderbeun gjendet bashkë me një sagë për Aleksandrin e Maqedonisë dhe një për Jan Zhishkën.
Dy dorëshkrime janë anonime. I pari, MS nr. 5 80 në koleksionin e G. Helgasonit, është në zotërim privat dhe e ka të shënuar, se është përfunduar më 9 shkurt 1820. Saga për Skënderbeun gjendet krahas katër sagave të tjera. I dyti, Lbs 3625 40 po ashtu i fillimit të shek. XIX, ka një titull të gjatë e të lezetshëm: ‘Disa saga njohëse për burra të vjetër, mbledhur, kopjuar dhe botuar (!) për argëtim të përshtatshëm për ata që i duan sagat, dijet e lashta dhe shembullin e mirë, ushtrim [i cili] ndriçon të rinjtë dhe kënaq të vjetrit’. Nga një burim tjetër kam gjetur se Saga për Skënderbeun ndër 12 njësitë këtu vjen e gjashta në faqet 72-83; duhet të jetë bërë para vitit 1850: Saga af Skanderbeg, þeim nafnfrægn fursta í Epíró (Saga e Skënderbeut: prijësit të famshëm të Epirit). Gabimisht e kanë lidhur bashkë me historinë si aktor të një Nikulasi. Është dorëzuar nga S. Bardharon dhe i biri Leo më 1952.
Ndër dijetarët laikë më të njohur ka qenë Gísli Konrádhsson (1787-1877), autor prodhimtar i historive lokale, autor edhe i shumë cikleve të rimureve. Rreth vitit 1830 po ashtu ka shkruar një Sagë për Skënderbeun, dorëshkrimi Lbs 1953 80.
Dorëshkrimi i 29 marsit 1832, Lbs 1305 80, që i përket Thorsteinn Gíslassonit nga Stokkahlödhum (1776-1883), gjithashtu dijetar laik dhe poet i njohur, përmban edhe tekstin ‘Sagann af Furstanum Skanderbeg’, e cila sipas faqes paraqitëse është përfunduar më ’29 Martj’. Është e dyta nga nëntë pjesë të dorëshkrimit, ndërsa të tjerat janë romanca origjinale e të përkthyera. Atë na e pati dërguar F. Gudhmundsoni më 1984. Paraqitja shqip nga BBK më 1997 është me gabime. Autori nuk e ka mbiemrin ‘Forestien’, por Thorstein. Edhe njoftimet për rimuret e H. Bjarnasonit nuk janë aty të rregullta dhe më poshtë do t’i përshkruaj të plota. Të dhënat e tjera janë për dorëshkrime të tjera, ndërsa tani kemi një informacion të përpiktë për këtë konkretisht.
Ndërsa Thorsteinn Thorsteinsson-i nga Heidhi (1792-1863) ka qenë një ndër shkruesit më prodhimtarë të shekullit XIX. Nuk kishte marrë ndonjë shkollim; që në moshë të re nisi të mblidhte dhe të kopjonte dorëshkrime, e kështu ka rreth gjashtëdhjetë dorëshkrime me dorën e tij (kryesisht Lbs 660-706 40), të gjitha së bashku nja 16.000 faqe. Janë nja dyqind cikle rimuresh dhe po aq saga e përmbledhje të tjera, por jo të gjitha të bëra me kujdes. Lbs 676 40, njësia e parë e dorëshkrimit, është shkruar rreth 1840-50 me titullin “Sagann af theim nafn fræga fursta SKANDERBEG Epiróta kappa’, që do të thotë për Skënderbeun si prijës i Epirit.
Një dorëshkrim me dy njësi, Lbs 854 b 80, e ka shkruar më 1860 Einar Gudhnasoni (1853-1901), autor edhe i dy grupeve rimuresh. Njësisë së parë i mungon faqja e titullit, por pastaj shfaqet gjithandej emri i Skënderbeut.
Sipas M. Driskollit, dorëshkrimi më i gjerë që përmban një sagë për Skënderbeun është Lbs 1767 40, shkruar ndërmjet viteve 1857 dhe 1863 nga Jöhannes Jönsson (1798-1877), një nga shkruesit më pjellorë të shekullit XIX, por prej tij kanë mbetur pak gjëra, nja 7 dorëshkrime të plota, ndonëse vetë ka treguar se ka kopjuar disa qindra himne dhe poema, 49 grupe rimuresh dhe mbi 130 tekste sagash. Dorëshkrimi ka një titull të gjatë: ‘Njëzet e gjashtë saga perandorësh, mbretërish, dukësh, kontësh, baronësh, bujqish, shërbëtorësh e skllevërish, të mirë e të këqij etj.”, duke përfshirë edhe sagën përkatëse për Skënderbeun në njësinë 26, në faqet 269-275. Nga një burim tjetër del se Saga af þerri nafnfrægn hetju Skanderbeg (Saga e prijësit të famshëm Skënderbeu) me këtë titull ndodhet në një tufë prej 104 faqesh, ajo vjen e dyta mes katër njësive të tjera, i përket vitit 1862 dhe është ribotuar më 2014, por këtë dhe një Histori të Skënderbeut po të këtij autori, të vitit 1861, nuk kam pasur mundësinë t’i njoh dhe të jap ndonjë të dhënë tjetër për to.
Dorëshkrimet mbajnë emrat e shkruesve, por mes tyre shkruesi më i zellshëm e prodhimtar duket se ka qenë Magnús Jónssoni (1835-1922). Ai ka jetuar kryesisht në fermën e vet në Tjaldanes në Islandën Perëndimore dhe prej tij kanë mbetur 43 dorëshkrime të bëra gjatë viteve 1874-1916. Sagat e kopjuara i ka përmbledhur nën titullin e përgjithshëm ‘Fornmannasögur Nordhurlanda’ (‘Saga të njerëzve të lashtë të veriut’). Njëzet vëllime prej tij me nga 880 faqe ruhen atje në Bibliotekën Kombëtare: Lbs 1491-1510 40. I përkasin një periudhe nga viti 1880 deri më 1909. Nëntë vëllime të tjera janë në zotërim privat dhe gjithsej prej tij janë 162 saga (!). Dorëshkrimet pas vitit 1888 kanë nga një parathënie për secilën sagë, ku shpjegohet se si i ka gjetur tekstet dhe i krahason me të tjera saga që i njihte. Përmend gjithashtu nëse ka pasur rimure të mbështetura në sagat.
Tri prej 13 sagave për Skënderbeun janë me dorën e Magnusit. Njëra është e fundit në dorëshkrimin e tij më të vjetër: Oslo UB 1159 80, ndoshta para vitit 1880. Dy të tjerat kanë datë dhe parathënie të shkurtër. Dorëshkrimi më i vjetër prej tyre është në zotërim privat, meqë Magnusi ia kishte dhuruar së bijës, Kristinës. Me kërkesën e M. Driskollit, Biblioteka e mori hua dhe i është bërë digjitalizimi. Shpresoj që Biblioteka jonë Kombëtare mund ta marrë në këtë trajtë Sagën e Skënderbeut, që është e nënta nga dhjetë njësitë e përmbledhjes, të përmendura më sipër, ndërsa del edhe në Lbs 1505 40, të shkruar tre vjet më vonë, më 1900. Ajo është përkthyer nga libri i L. Holbergut dhe u bë aq popullore në Islandë, saqë gjendet në 10 dorëshkrime të tjera dhe në një tufë rimuresh.
Te Holbergu nuk ka pasur ndarje të tekstit në krerë, por te 3 dorëshkrimet e Gudhmundur Helgasonit të vitit 1820, Lbs 1305 80 të vitit 1832 dhe Lbs 676 40 rreth 1840-50 ka dhjetë krerë, në njërin (Lbs 1767 40 të vitit 1862) ka tetëmbëdhjetë, të plotë me tituj, si p.sh. kreu 1 për rritjen e Skënderbeut. Lbs 1305 80 është ai i drejtorit F. Gudhmundson që më 1984.
Sagat vetë kanë qenë mjaft popullore, por kanë qenë gjithashtu pikënisja për një varg rímuresh. Përkthimin nga teksti i L. Holbergut e ka shndërruar në vargje me rima, domethënë në rimure, sr. Hannes Bjarnason a Rip (1776-1838). I ka hartuar më 1821-1824 dhe janë shtypur më 1861 si Rímur af Skanderbeg Epirótakappa në Akureyri, qyteti i dytë më i madh i Islandës. Teksti origjinal është hedhur në internet, por nuk lejohet të kopjohet i plotë. Ka të ngjarë që Bjarnasoni të kishte lexuar për Skënderbeun sagën e Gísli Konrádhssonit, të cituar më sipër.
Këto rimure janë ruajtur në pesë dorëshkrime (Lbs 691 40, Lbs 2173 40, JS 95 80 , JS 98 80 dhe ÍB 206 40 ). Siç e tregon Bjarnasoni në pjesën e hyrjes të tufës së parë (I.6-7), dikush që nuk e njihte, i kishte dërguar një kopje të sagës bashkë me kërkesën që të hartonte një grup rimuresh me atë subjekt. Janë bërë mjaft ndryshime kundrejt përkthimit, por sidomos që vargjet t’u përshtateshin konvencioneve të rrëfimit islandisht. Për shembull, pohimet në vetën e parë nuk njihen në stilin e sagave islandeze, ndërsa në fund mbyllja nuk bëhet duke e ndërprerë rrëfimin, por duke shtuar diçka. Ashtu si në eposin tonë, edhe në islandishten përdoren shpesh togfjalësha ose shprehje si formula tipike. Nganjëherë për termat e panjohur shtohen shpjegime ose ndryshohen, si për shembull, përkthyesi nuk e dinte se cilët ishin ‘Dabrensere’: banorët e qytetit të Dibrës, prandaj i ka dhënë thjesht ‘luftëtarët’. Është mjaft e këndshme shtesa aty, ku flitet për Skënderbeun, se kur dëgjoi që kishin ardhur turqit, u përpoq të ngrihej dhe veshi armorin; islandishtja shton: ‘dhe kur turqit dëgjuan se ai kishte veshur armorin, menjëherë ua mbathën dhe nuk deshën të qëndronin më’. Mbretërve dhe prijësve nëpër saga u vishen rregullisht cilësi të shquara, prandaj nuk mund të lë jashtë ato për Skënderbeun: ’përveç guximit dhe trimërisë së tij të veçantë, ai kishte edhe këto cilësi: ishte shumë i pashëm dhe me dinjitet, si njeriu më i madh e më i fuqishëm, ndërsa ishte shumë i dashur me miqtë, besnik dhe i sjellshëm me njerëzit e vet e gjithashtu mendjehapur e bujar’.
Einar Bjarnasoni, që e përmenda më sipër, dorëshkrimit më të hershëm prej tij ÍB 251 40, të shkruar më 1806-1807, kur e ka shndërruar në rimur, i ka shtuar tri strofa, në të cilat Skënderbeu krahasohet me heronjtë e Dhiatës së vjetër, Davidin dhe Juda Makabeun. Nga shqyrtimi që u ka bërë M. Driskolli, del se po këto tri strofa, me disa variacione të vogla, gjenden te dorëshkrimi i Gudhmundur Helgasonit i vitit 1820, krahas me një strofë të katërt, të shtuar ndërmjet së dytës dhe të tretës, e cila sipas stilit ndoshta ka prejardhje gojore, te dy dorëshkrime të tjera, Lbs 1305 80 dhe Lbs 676 40 . Saga islandeze ka pothuaj po aq tekst sa edhe burimi danisht, ndërsa rimuret janë afër dy herë më të gjata sesa proza.
Përfundimi i studiuesit M. Driskoll është se historia e Skënderbeut u prit mirë në Islandë, duke u bërë menjëherë pjesë e një korpusi të teksteve të sagave popullore dhe rimureve, që kanë qarkulluar në Islandën e shekullit XIX, kurse cilësia epike e rrëfimit përftohej sepse vetë M. Barleti për jetën e bëmat e Skënderbeut kishte pasur Homerin si një prej modeleve kryesore. Kështu Skënderbeu mund ta zinte pa vështirësi vendin krahas heronjve tradicionalë islandezë, si: Starkadhr gamli, Fridhthjófur frækn-i dhe Sigurdhur thögli. Nuk mund të mos shprehem, se punimi i M. J. Driskollit është i nivelit të lartë shkencor, rezultat i një pune të gjatë kërkimore dhe është mbështetur te autorë të mëparshëm të afirmuar në këtë fushë, si G. Petroviqi (1881) dhe F. Pall (1938). Madje ai i ka vijuar kërkimet në këtë fushë, siç e dëshmon punimi i tij “The Long and Winding Road: Manuscript Culture in Late Pre-Modern Iceland” (Rruga e gjatë me dredha: Kultura e dorëshkrimeve në Islandën e periudhës së vonë para kohës së re).
Ndërkohë, marrim dijeni edhe për hulumtime të tjera. Harry Hodgkinson ka botuar në Londër më 2005 librin Skënderbeu: nga peng i osmanëve te një hero shqiptar (Scanderbeg: From Ottoman Captive to Albanian Hero). Është e vërtetë, se historianët tanë tashmë e quajnë të provuar, që Skënderbeu nuk ishte marrë peng, por kishte qenë sanxhakbej në zotërimet e të atit. Besoj se sulltani e largoi nga ajo detyrë, nga frika se ai mund të mos i nënshtrohej lehtë, duke gëzuar mbështetjen e bashkatdhetarëve. Do të shtoja me këtë rast, se spekulimet sikur Skënderbeu iu kundërvu osmanëve vetëm sepse donte tokat e të atit e jo më tepër, janë qesharake. Këta spitullaqë të sotëm të historisë, me sa duket, nuk e dinë se fjala ‘atdhe’ do të thotë toka e atit, madje ne e kemi sipas gjermanishtes, ku është pikërisht po ashtu: Vaterland. Si mund të mohohet, që Skënderbeu, duke luftuar për dheun e të atit, nuk paska luftuar për at-dheun!?
Gjithashtu një kolonel, Theodore Felix, ka dërguar në qershor 2015 një faqe anglisht për Betejën e Torviollit, ku shënohet se Skënderbeu paska pasur 15.000 trupa dhe Ali Pasha 45.000. Duket që të dhënat janë marrë nga Barleti, por shënohet “Nga një libër i botës katolike”.
Shkrime të tjera, të cilat nuk do të ishin në vëllimin I të botimit nga BBK, e vlen të shënohen me këtë rast:
1961 — Jan de Vries, Heldenlied und Heldensage, Munich.
1968 — Josef Matl, “Georgius Castriota (Kastriot) Scanderbeg in der balkanischen und europäischen Literatur’, Bulgarische Jahrbücher, 1 (1968), f. 101-10.
1974 — Peter Bartl, artikujt ‘Barletius’ dhe ‘Scanderbeg’ në Biografisches Lexicon zur Geschichte Südosteuropas. Munich.
*
* *
Ndonëse pesë shtetet që i mbulon emërtimi Vendet Nordike kanë shumë anë të përbashkëta jo vetëm si gjeografi, por edhe në histori, në kulturë dhe në gjuhët e tyre, përsëri kanë edhe veçoritë, të cilat kanë kushtëzuar interesimin dhe paraqitjen e figurës së Skënderbeut në literaturën e tyre. Siç e tregova, në Islandë ishte epoka e luftës për pavarësi dhe e lulëzimit të krijimtarisë popullore me sagat e me rimuret, që i dha aq vend edhe figurës së heroit shqiptar. Të ndryshme kanë qenë rrethanat për vendet e tjera.
Në atë kohë kur osmanët po pushtonin Shqipërinë, mbretëresha Margaret I bëri bashkimin personal të Danimarkës me Suedinë dhe Norvegjinë. Mirëpo më 1523 mbret u bë Gustav Vasa, i cili mbahet si heroi kombëtar dhe themelues i Suedisë së kohëve të reja, rrjedhimisht, pas një shekulli Suedia u bë fuqi e madhe europiane. Perandoria e saj përfundoi vetëm më 1709, pas thyerjes në Betejën e Poltavës. Më 1809 humbi edhe Finlandën dhe më 1905 mori fund gjithashtu bashkimi me Norvegjinë. Kuptohet, përse nuk gjejmë ngjashmëri me rrethanat e Islandës, aq sa nuk kishte prirje për figura të huaja, që të merreshin si shembull. Përkundrazi, heronjtë e huaj në Suedi nevojiteshin për ta renditur veten në shkallën e lartë krahas të tjerëve në përmasa ndërkombëtare. Sidomos vlente në këto raste shembulli i lartë moral, kështu natyrshëm edhe Ludvig Holbergu do të shkruante veprën e tij si pjesë të përpjekjes për ta ngritur kulturën daneze në nivelin e Francës e të vendeve të tjera europiane.
Suedishtja në ato zhvillime përmes shekujve ruajti mjaft ngjashmëritë me danishten dhe norvegjishten, ndërsa ishte e dokumentuar shumë herët. Tekstet e para janë të gdhendura në gurët runikë të periudhës vikinge që nga shek. IX. Gjatë mesjetës u përdor latinishtja, por më 1541 u përkthye Bibla, e cila prandaj quhet e Gustav Vasës. Kështu nisi jetën suedishtja e shkruar, standarde. Që nga shekulli XVII filluan të shfaqeshin edhe letrarë të rëndësishëm. Më 1630 Gustav Adolfi i Suedisë u dërgoi udhëzime gjithë priftërinjve që të mblidhnin folklorin skandinav ose nordik. Është kjo një anë tjetër e dallimeve me Islandën dhe Finlandën. Besoj se me këtë shpjegohet përse figura e Skënderbeut del më vonë në gjuhën suedeze dhe madje jo prej penës së autorëve vendës. Libri i Stefan Zanoviqit për historinë e Kastriotit të madh të Shqipërisë të quajtur Skënderbe (Den store Castriotto af Albanien kallad Scanderbeg Historia) u botua më 1788 njëkohësisht suedisht në Stokholm dhe rusisht në Moskë, duke qenë një përkthim i lirë dhe i shkurtuar nga frëngjishtja, domethënë nga libri i Jacques Lavardinit, të ribotuar shumë herë prej vitit 1576.
Studiuesit tanë i kanë kushtuar vëmendje të posaçme librit të Zanoviqit. A. Kostallari në Konferencën e vitit 1968 (materialet janë botuar më 1969, vëllimi I) e ka vlerësuar kështu: “Vepra e Stefan Zanoviçit, iluministit me prejardhje dalmatine… ka një karakter të theksuar polemik. Me përmbajtjen e saj shumë aktuale e luftarake ajo bëri bujë të madhe dhe u përkthye menjëherë në disa gjuhë. Ndikimi i saj ishte i madh edhe në letërsinë e shek. XIX.” (f. 379) Ndërsa si përfundim: “Idetë e veprës së Zanoviçit afrohen shumë me ato të ndriçimtarëve francezë, e sidomos me ato të Volterit e të Rusoit. Ato ushtruan një ndikim të dukshëm edhe mbi letërsinë skënderbejane të shekullit XIX.” (f. 380)
Për hir të së vërtetës dhe pa kapërcyer në skajin tjetër, është e nevojshme të thuhen dy fjalë për Stefan Zanoviqin ose Crnojeviqin (1751-1786). Ishte malazias, kishte lindur afër Budvës dhe ka udhëtuar në shumë vende të botës, në veçanti ka qëndruar në Francë, ku u njoh me enciklopedistët. Por ishte aventurier, mashtrues me emra të ndryshëm fisnikërie dhe deri falsifikues monedhash. Ndër të tjera, e ka quajtur veten pasardhës i Skënderbeut dhe me mëtimin si princ Kastrioti i Shqipërisë vizitoi Vjenën më 1784, por e demaskuan dhe e dëbuan. Librin e kishte botuar frëngjisht pesë vjet më parë, më 1779 me titullin Le Grand Castriotto d’Albanie. Histoire, 131 faqe. Del se dy vjet më parë (1777) Zanoviqi kishte botuar një shkurtore (Abregé de l’histoire de la vie et des actions de Scanderbeg, roi d’Albanie et duc d’Epire), diçka fare e vogël prej 16 faqesh, por titulli i saj ka sjellë, që A. Kostallari të shprehte mendimin, se ka një përkthim greqisht të veprës së Zanoviqit nga Joanis Bailasi më 1812. Mirëpo krahasimi ka treguar, se libri greqisht është mbështetur te Zh. Lavardeni, kështu që zvogëlohet dukshëm ndikimi i librit të Zanoviqit në letërsinë skënderbejane.
Është e qartë, se Zanoviqi ishte nisur nga dëshira për të sajuar një gjenealogji skënderbejane për veten dhe ka shfrytëzuar gjithë retorikën e kohës për të lartësuar Skënderbeun. Në faqet 93-96 ai flet për peripecitë e fatkeqësitë e veta. Pastaj kalon në kritikën e Fjalorit të L. Morerit (1759), pse ka thënë që ‘i fundit i këtij fisi heronjsh ka qenë markezi Saint-Ange, i cili vdiq në betejën e Pavisë më 24 shkurt 1525.’ Sipas Stefanit, Gjon Kastrioti i ri u kthye në Mal të Zi dhe u martua me vajzën e mbretit Lazar Stilianoviqit, të mërguar në principatën e Zetës, buzë liqenit të Shkodrës. Dhe kështu na shfaqet një pohim i fantazisë së papërmbajtur: “Gjaku i Kastriotëve është me të vërtetë më fisniku i Orientit, sepse ai vete pas në shekujt më të largët të origjinës së botës”, madje arrihet deri atje, sa të thotë, që kreu i Kastriotëve ka qenë Paul Emiliusi, i cili theu mbretin e Epirit me numrin e madh të elefantëve. Në internet (Telegrafi.com, 6 gusht 2016) A. Bebja ka përkthyer shqip fjalën e fundit të Gjergj Kastriotit para vdekjes (në origjinal është në faqet 71-89). Janë këshilla të moralit më të lartë njerëzor, me të cilat autori sigurisht që do të bënte përshtypje te lexuesi, ndërsa synimi i tij ishin sundimtarët e kohës, që ta vlerësonin atë vetë, si trashëgimtar i porosive që nga lashtësia e deri te vepra e Makiavelit. Përkthimi shqip ka disa pasaktësi, por do të dëshiroja që e gjithë vepra të përkthehej shqip dhe të botohej me një parathënie të mirë, që të vinte në dukje të gjitha anët, pa i fshehur sajimet e Kastriotit të rremë, meqë neve na pëlqejnë lavdërimet për Skënderbeun.
Janë dhe dy pohime, të cilat ndoshta nuk mund të hidhen menjëherë poshtë si trillime, nëse nuk bëhet ndonjë hulumtim paraprak. Zanoviqi mëton se në Bibliotekën e Stambollit ka një varg të pandërprerë të gjenealogjisë së Kastriotëve. Pohimi i dytë sillet rreth një letre, që Skënderbeu ia paska dërguar sulltan Mehmetit “e shkruar në gjuhën shqipe”, madje ajo gjendet në arkivin e shtëpisë së Cernojeviq-Kastriotit në Malin e Zi, e depozituar në Kishën e Shën Venerandës në Cetinjë. Letra është përmendur në libër e përkthyer frëngjisht në faqen 51. Do të ishte një zbulim për gjithë historinë e shqipes së shkruar, veçse si mund t’i shkruhej shqip një sulltani? Me këtë libër Stefani, mik edhe i Kazanovës, nuk arriti ta shiste veten as në Vjenë dhe as gjetkë si pasardhës i Kastriotëve.
Megjithatë, mbetet pyetja: përse libri u përkthye suedisht dhe rusisht? Mendoj se për rusët ishte tërheqëse lufta kundër osmanëve dhe dihen fare mirë luftërat ruso-turke qysh nga ato vite. Ndërsa për Suedinë ma merr mendja se kishte interes në vizionin perandorak të atij vendi. Është po ai vizion perandorak, i cili në fillim të shek. XIX solli interesimin në Vjenë për përkthimin e Dhiatës së re shqip (krahas disa gjuhëve të tjera ballkanike) dhe vijoi me studimet albanologjike të nivelit më të lartë shkencor deri në ditët tona nga ana e austriakëve.
Si vepër origjinale suedisht kemi më 1835 “Skënder Beu: një pjesë teatrale historike në tre akte” nga Thure Gustav Rudbeck (1806-1876), autor pjesësh, përkthyes dhe historian. Drama ka në qendër ngjarjet gjatë rrethimit të parë të Krujës. Autori shënon se është mbështetur në një novelë të vitit 1825 nga Th. Barros, për të cilën nuk kam ndonjë të dhënë.
Një tjetër përkthim suedisht është bërë një shekull më vonë. Më 1877-79 doli edhe në Stokholm libri “Pamje dhe portrete të Turqisë së sotme nga të gjitha pjesët e Perandorisë Osmane në Europë e në Azi”, i botuar në Lajpcig më 1877. Janë dy autorë: Von Hellwald dhe L. C. Beck. I pari është Friedrich Anton Heller Hellwald (1842-1892), austriak i lindur në Padovë, autor jashtëzakonisht pjellor i veprave gjeografike, antropologjike dhe historike-kulturore. Librin e parë e botoi më 1866 “Migrimi amerikan” dhe vijoi pareshtur me një varg të pabesueshëm veprash shkencore popullore dhe artikujsh. Edhe të tjerë libra të tij janë përkthyer në gjuhët nordike. Mes eseve të tij janë edhe “Etnologjia e vendeve ballkanike” dhe “Ngjarjet në Gadishullin Ballkanik”. Ishte e natyrshme, që në shkrimet e tij do të përmendej edhe figura e Skënderbeut.
Kreu i parë i vëllimit të parë për portretet prej Turqisë hapet me një gravurë, ku janë paraqitur një grup shqiptarësh me kostume kombëtare bashkë me një grua e një fëmijë. Në rreth 10 faqe jepet prejardhja e shqiptarëve, historia e lashtë e të cilëve lidhet me pellazgët e ilirët. Këto dhe të dhëna të tjera për gjeografinë e vendit, për jetën dhe zakonet e popullit, për gjuhën e këngët, të shtyjnë të mendosh se autorët janë mbështetur në librat e albanologut të njohur Johann Georg von Hahn (1854 dhe 1867), pasi edhe emri i albanologut është përmendur disa herë në këtë kapitull, ndërsa kur flitet për gjuhën, del edhe emri i gjuhëtarit Franz Bopp. Rrjedhimisht, kemi të bëjmë me autorë seriozë, prandaj edhe dy paragrafët për Skënderbeun janë një sintezë mjaft e saktë për atë kohë. Ka ndonjë mospërputhje të vogël si: viti i lindjes së Skënderbeut jepet 1404; përmendet kthimi i tij në Krujë pas betejës së Nishit, shënohen luftërat kundër sulltanëve, ndihma që u dha Ferdinandit të Napolit e venecianëve më 1463, ndërsa vdekja datohet më 1467.
Jetëshkrimi i gazetarit dhe biografit Sven Auren (1906-1985) është tipik për ndërthurjen nordike. Ishte gazetar suedez, kishte lindur në Stokholm dhe pasi mbaroi studimet më 1932 punoi pranë disa organeve të shtypit, kurse nga 1957 me një ndërprerje ka qenë kryetar i Klubit Suedez në Paris. Ka nxjerrë edhe një varg librash, disa prej tyre për Parisin dhe një (1948) për Jugosllavinë. Në Helsinki ka botuar më 1936 librin “Lindja Europiane” (Europeisk Orient, 223 faqe). Për Skënderbeun flitet në faqet 20-25. Jepen fëmijëria e tij, kthimi në Krujë, betejat kundër ushtrive të mëdha të sulltanëve, roli i shquar historik i epokës së tij. Autori përmend historianin Spiridon Gopçeviq (me sa duket, ka njohur librin e tij Das Fürstertum Albanien, Berlin 1914), si dhe gjeologun francez Jacques Bourcart (me sa duket, ka njohur librin e tij L’Albanie et les Albanais, Paris 1922). Autori thekson sidomos rolin e figurës së Skënderbeut si simbol i krenarisë kombëtare të shqiptarëve, i trimërisë dhe i shpirtit të tyre liridashës. Heroi shqiptar është bërë edhe një frymëzim moral për gjithë kombet, që luftojnë për rilindjen e tyre. Me këtë vështrim S. Aureni përfshin edhe jehonën e kësaj figure në letërsinë dhe artet botërore. Si burim për veprat letrare natyrisht ai sjell M. Barletin dhe citon poetin Henry Longfellow, se është frymëzuar prej tij për poemën e vet entuziaste. Nga piktura ai sjell një portret të Albrecht Dürer-it të vitit 1500. Është interesante, se autori po në këtë frymë, në faqet 172-173 përpiqet të gjurmojë emrat e shqiptarëve të shquar jashtë atdheut të tyre: arkitekt Sinanin dhe gjeneralët e guvernatorët shqiptarë të Perandorisë Romake, familjen Gjika në Rumani dhe personalitetet politike italiane me prejardhje shqiptare, si dhe Aleksandër Moisiun.
Ndërsa në faqet suedisht të WikiZero dhe të WikiVisual ka një artikull me mjaft ilustrime të çmueshme, si dhe përmenden një varg veprash letrare e artistike kushtuar Skënderbeut. Nuk do ta lija pa shënuar, se aty jepet edhe ky njoftim: “Më 7 tetor 2005 Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi një rezolutë lidhur me 600-vjetorin e lindjes së Skënderbeut, duke e nderuar atë si ‘burrë shteti, diplomat e gjeni ushtarak, për rolin e tij për të shpëtuar Europën Perëndimore nga pushtuesi osman”. Teksti mbështetet edhe në “Librin nordik të biografive familjare”, botimi i vitit 1926. Po shtoj, se ky libër (“Nordisk familjebok”, Owl.13) është botuar në vitin 1910 dhe në faqen 1233 jep zërin: “Kastriota, Georg — me kombësi shqiptare, i njohur më shumë si Skanderbeg”. Është një jetëshkrim i shkurtër, ndërsa në bibliografi del se është mbështetur në burime me peshë: Paganel, Geschichte Skanderbegs (1856); Pisko, Skanderbeg (1894); Cuniberti, L’Albania ed il principe Skanderbeg (1898).
Po njësoj si për suedezët ka ndodhur me danezët, të cilët po ashtu si austriakët deri në ditët tona kanë vijuar me punime albanologjike të nivelit të lartë, duke përfshirë edhe mbledhjen në Kopenhagë të dorëshkrimeve arbëreshe.
E vura në dukje mjedisin historik e kulturor në të cilin u përftua libri i L. Holbergut. Siç tregova, literatura islandeze është mbështetur te burimet danisht. Ky burim nuk paska shterur edhe sot. Më 1988 Universiteti i Aarhusit ka botuar një përmbledhje Fortælling og erfaring: tilegnet Johan Fjord Jensen, nga Ole Birklund Andersen e të tjerë, në të cilën në faqet 135-58 është edhe një artikull nga Minna Skafte-Jensen kushtuar veprës së M. Barletit mbi Skënderbeun, duke e quajtur në titull: “Një rrëfenjë historike: Skënderbeu i Marin Barletit midis krijimtarisë gojore dhe letërsisë” (‘En heltehistorie: Marin Barleti Skanderbeg mellem mundtlighed og skriftlighed’; anglisht A Heroic Tale: Marin Barleti’s Skanderbeg between Orality and Literacy, Århus, 1988). M. Skafte-Jensen (lindur më 1937) është profesore e greqishtes dhe latinishtes; anëtare e Akademisë së Shkencave dhe Letrave Daneze, Norvegjeze e Belge. Ka punuar në Universitetin e Kopenhagës më 1969-1993 dhe në Universitetin e Danimarkës Jugore më 1993-2003. Titulli mund të kuptohet drejt, në qoftë se do të shtoj që ajo ka punuar në fushën e epikës arkaike greke, në teorinë e formulimit gojor dhe për poezinë latine e të Rilindjes në Danimarkë. Punimet e saj do të ishte e mira të njiheshin nga folkloristët tanë.
Shoqata e Miqësisë Shqiptare-Daneze e ka hedhur në internet këtë artikull si në origjinalin danisht, ashtu edhe shqip. Përkthimin nga anglishtja e ka bërë Almira Muçaj dhe e ka redaktuar Ganimete Hoxha më 2007. Ato meritojnë të përgëzohen për këtë punë të mirë që kanë bërë.
Kur shkruhet për L. Holbergun edhe sot, nuk mbetet pa u sjellë në vëmendje libri i tij për heronjtë. Bjoern Andersen më 1999 ka paraqitur librin Krudttoenden i baghaven (Soeberg, Denmark, 235 faqe) me një kapitull kushtuar Skënderbeut. Lidhur me ngjarjet e mëdha në Kosovë më 1999 ai ka përgatitur edhe librin “Në oborrin e pasmë të fuçisë së barutit”, ku e quan se Skënderbeu veproi po njësoj në shek. XV, duke bërë luftën për liri. Po ky autor në maj 2003 i ka kushtuar Holbergut shkrimin Holberg on Scanderbeg.
Tashmë është njoftuar te ne se Peter Pentz në revistën “Sfinx”, mars 2003, ka një artikull për vulën e Skënderbeut “Den Store Albaner”. Autori është arkeolog në Muzeun Kombëtar të Danimarkës. Sipas tij, vula është regjistruar më 1634, Muzeu e bleu më 1839. Por sipas B. Andersenit, rastet kur mund të jetë bërë vula janë disa, ose ndoshta është edhe një falsifikim i mëvonshëm.
Më 2010 Anna Larsdotter ka botuar “Skanderbeg: han ledde kampen mot osmanern” (Skënderbeu: ai udhëhoqi luftën kundër osmanëve), në Allt om historia, nr. 7, f. 56-59.
Meqë Finlanda përfshihet në Vendet nordike, po vijoj me disa njoftime edhe nga ky vend i largët. Gjuha finlandeze nuk është indoeuropiane, por duke qenë një vend mes Suedisë dhe Rusisë, shpesh mes luftërash dhe pushtimesh nga ana e tyre, dallimi gjuhësor nuk i ka penguar marrëdhëniet e ngushta kulturore, madje ka edhe ndonjë ngjashmëri me ecuritë në vendin tonë. Kështu, shkrimet e para në finlandishten i përkasin shekullit XVI, me përkthimin e Dhiatës së re nga Mikel Agrikola më 1548, domethënë fare pak vjet përpara librit të Gjon Buzukut tonë më 1555. Pushtimi rus zgjati nga viti 1820 deri më 1917 dhe në ato rrethana lindi lëvizja për pavarësi, e ngjashme me Rilindjen tonë. Si pasojë, me interesimin për rrënjët kombëtare nga viti 1820 nisi një grumbullim i jashtëzakonshëm i folklorit, i cili solli te botimi më 1835 i eposit të njohur kombëtar Kalevala dhe tashmë në gjysmën e dytë të atij shekulli lëvizja kombëtare mori formë të shprehur qartë si te ne. Në këto rrethana botimet rreth Skënderbeut të Suedisë do të ishin të njohura dhe në Finlandë.
Valdemar Evert Gustav Becker ose shkurt Beker-Bei (1840-1907), ushtarak, politikan dhe aventurier finlandez, në vitet 1870 qëndroi në shtabin e ushtrisë serbe, por u detyrua të jepte dorëheqjen si shef i shtabit, sepse u grind me mbretin serb. Kaloi në Greqi me një plan për një lidhje ballkanike kundër Turqisë, por plani u rrëzua. Atëherë u kthye në Paris dhe nisi të botonte artikuj nëpër gazeta si dhe libra. Më 1880 nxori në Paris “Shqipëria dhe shqiptarët” (L’Albania et les Albanias, par le Colonel Becker. Dentu). Pas vitit 1880 ka shkruar për çështjet e Ballkanit dhe natyrisht do ta përmendte Skënderbeun. Biografi i tij, Erik Becker ka vënë në dukje (1968), se ushqente simpati të veçantë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Duke ardhur në shekullin XX, kemi përmbledhjen e historianit dhe enciklopedistit Yrjë Karilas (Yrjö Karilas, 1891-1982) me titullin “Triumfues mbi vështirësitë” (1922), në të cilën flitet për shqiptarët si një nga popujt më të vjetër të Europës dhe duke vënë në dukje cilësitë e tyre, shkruhet: “— Shqiptarin nuk mjafton ta vrasësh, – turfulloi sulltan Murati i Dytë i Turqisë (i cili luftoi kundër Skënderbeut). – Atë duhet ta varrosësh thellë nën tokë e t’i vësh një gur të madh përsipër. E megjithatë, ai përsëri do të ngrihet po të dëgjojë kushtrimin e luftës të maleve shqiptare”.
Karilasi kishte mbaruar për filozofi, punoi si pedagog dhe pranë Shtëpisë Botuese WSOY. Është autor sidomos i librave edukativë, ndër ta më të njohur janë “Burrat e mëdhenj të pushimeve” (1919) dhe “Gjiganti i vogël” (Pikku Jattilainen, Helsinki, 1937 dhe 1945). I dyti me 1328 faqe bën pjesë në serinë e botimeve enciklopedike finlandeze për fëmijë dhe ka një zë më vete për Skënderbeun: “Gjergj Kastrioti (1403-1468) – Heroi kombëtar i Shqipërisë, i mbiquajtur nga turqit Skënderbeu, i cili i ka thyer osmanët në shumë beteja. Lufta e tij u bë një pengesë e pakapërcyeshme për dyndjen e osmanëve në Ballkan”.
Është fakt vërtet kureshtar, që emri i Skënderbeut ka depërtuar deri në letërsinë finlandeze për fëmijë. Besoj se kjo shpjegohet me një traditë të autorëve finlandezë, që shohin te kjo figurë vlera të larta morale, të cilat mund të shfrytëzohen për qëllime pedagogjike. Më 1944 Brage Engedahl ka botuar në Porvo librin “Unaza e Skënderbeut” (Skanderbegin sormus Seikakailuja Albaniassan. WSOY, finlandisht, 136 faqe). Është një rrëfim i gjinisë së aventurave për fëmijë. Ngjarja u përket viteve 1912-1913. Siç dihet, në atë kohë një Komision Ndërkombëtar punonte për caktimin e kufijve të Shqipërisë. Një djalë suedez, i ati i të cilit ishte anëtar i këtij Komisioni, gjen në pazarin e Romës një unazë çudibërëse. Përmes peripecive, karakteristike për këtë gjini letrare, ai mëson se kjo ishte unaza e Skënderbeut.
Një orientalist i njohur, Armas Salonen (1915-1981), profesor në Helsinki dhe në Çikago më 1947-1949, në vëllimin “Kancelari i Allahut” (Allahin kansat, Helsinki, 1950) gjithashtu i ka kushtuar vëmendje rolit të Skënderbeut në luftërat e shek. XV për të penguar vërshimin osman në Europë. Ai është përkthyes i Gilgameshit dhe i Ligjeve të Hamurabit, e gjithashtu ka përkthyer Kuranin më 1959 dhe është autor i pesë librave si asirolog i njohur.
Disa nga këta tituj për Skënderbeun janë përmendur mjaft kohë më parë nga Liljana Verdha (lindi më 1948) me ndihmën e miqve finlandezë të Shqipërisë. Ajo i ka ndeshur ata tituj gjatë punës për studimin me titull “Shoqëria shqiptare në këndvështrimin finlandez” dhe është autore e shkrimit “Luftëtarë të vijës së parë kundër Lindjes”, si dhe e një “Fjalori frazeologjik shqip-finlandisht-anglisht”, botuar në Helsinki më 1991 (përmban mbi 1200 fjalë dhe 1000 shprehje). Ajo e ka vënë në dukje, se emri i Skënderbeut ka qenë i njohur dhe i vlerësuar prej kohësh, madje historianët dhe letrarët finlandezë kanë pasur në duar botimet europiane për Shqipërinë. Kohët e fundit ajo është konsull nderi i Shqipërisë në Finlandë.
Më 1992 autorja Marketa Olli Kainen (lindur më 1949) në artikullin “Ballkani kultivoi edhe studiues për Finlandën” ka shënuar: “Që në vitet 1500 prijësi i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti, i bashkoi të gjitha principatat shqiptare nën një flamur të përbashkët në luftë kundët turqve. Luftëtarët e Skënderbeut mundën t’i bllokonin turqit në Ballkan. Skënderbeu i bashkoi shqiptarët në një komb shumë më parë se Kavuri e Garibaldi Italinë, apo Bismarku Gjermaninë.” Autorja kishte mbaruar për shkencat politike dhe punoi si gazetare nga viti 1993, ndërsa më 1998 u bë kryeredaktore e revistës “Skeptics”, ku ka botuar edhe atë artikull.
Së fundi, Danimarka dhe Norvegjia ishin nën të njëjtën monarki nga shek. XVI deri më 1814 dhe besoj kjo rrethanë historike ka ndikuar, që deri më sot nuk kemi në duar ndonjë dëshmi për figurën e Skënderbeut posaçërisht në literaturën norvegjeze.
Parashtrimi i mësipërm besoj që jep të dhëna bindëse për pohimin, se po ashtu si kanë vijuar të shtohen veprat kushtuar jetës dhe bëmave të heroit tonë kombëtar, është shtuar edhe interesimi për vetë literaturën rreth figurës së tij. Po na zgjerohen njohuritë se ka njoftime edhe përtej një mijë veprave në njëzet e një gjuhë të botës, që u nxorën në dukje me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit.
Tashmë kemi jo pak shkrime e dorëshkrime për Skënderbeun nga Danimarka, Islanda, Suedia e Finlanda, gjë që na jep të drejtën të shpresojmë, se me gjurmime të mëtejshme do të pasurohet kjo bibliografi me të dhëna të tjera nga këto Vende Nordike, duke përfshirë të papriturat, që ndoshta na ruan ende Norvegjia, për ta plotësuar qarkun e këtyre vendeve veriore të Europës. Përkthimet e teksteve shqip janë bërë prej meje.
Parathënie e librit “Skënderbeu në vendet nordike” me autorë Xhevat Lloshi dhe John Quanrud, botim i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante, Tiranë 2018.