Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Përballë absurditetit histerik

 

 

 

 

Sikur sot shqiptarët t’i ftoje në një referendum mbi prishjen apo jo të Teatrit Kombëtar, me siguri që do fitonte po-ja. Kjo për shumë arsye. Por më kryesorja është ajo dashuri delirante që kemi me veten dhe njëshin për inat të njëri-tjetrit.

Kjo na ka çuar në një bindje absolute sa nuk bëjmë dot dallimin midis godinës dhe historisë. Jo rastësisht shumica dërmuese e webe tona e trjajton çështjen si materialet inerte, si çështje amorfe, godina etj. Nuk thonë teatri, jo teatri… por godina. Në fakt është një dallim i madh, një dallim esencial. Por ne nuk e bëjmë dot. Nuk duam ta dallojmë. Mjafton të shikosh në web-et e majta se si i vërsulen përshembull aktorit Bujar Asqeriu. Një shpurë përbuzjesh e urrejtjesh edhe pse pak ditë më parë shqyem Eurovizionin apo sheshin e legenëve aty në Tiranë, për Ermalin dhe Rita Orën. Dikush mund të thotë, po atëherë përse heziton Edi Rama? Ka frikë nga Bujari apo Roberti? Asesi! Janë akoma pa u rakorduar mirë marrëveshjet me partneritetin privat. Marrëveshjet e përqindjeve, apo konçesionarët 99 vjeçare. Kur ta kuptoni se sa i madh është rryshfeti, apo njëfarësoj rrogëtimi 99-vjeçar i pinjollëve, nga këto ndere, e për më tepër me paratë e juaja. Ju prapë xhepat bosh do t’i keni, xhepat bosh e gojën plot përbuzje karshi Bujarit e ndonjë tjetri. Megjithëse u pëlqen t’i bëni share në fb recitimeve të tilla si, ‘koha e maskarenjëve’ apo ‘ah moj demokraci’. Jemi një absurditet histerik, ku një histori gati tetëdhjetëvjeçare e fshikullojmë me pështyma. Po edhe sikur të jetë godinë e amortizuar, nuk ka asgjë. Megjithëse nuk është, pasi e kanë ndërtuar italianët, ata që akoma kanë objektet e tyre në një moshë me Krishtin. Amortizimi është një preteks për shitjen sa më lirë. Për nxjerrjen jashtë funksionit. Lojë e mrekullueshme e shushunjave. Megjithatë nuk është godina, por historia. Ajo që ne e vrasim për ditë me një gëzim idiotësh. Të tillë jemi.

Tek sa dilja mbrëmë nga një fabrikë ku prodhoheshin monedhat, qindarkat, në Denver të Colorados, më mbeti në mëndje figura prej kauboji e një nëpunësi, diku ndanë stendave të monedhave e të tjera. Një fabrikë gati dyqindvjeçare, një nga ato dhjetë që janë të liçensuara e kontrolluara nga shteti amerikan për prodhimin e qindarkave. Por që paralel organizonte dhe ture për turistët, të shikonin me sytë e tyre se si shkrihej, pritej e konturizohej qindarka. Me një devizë, të mbajmë gjallë historinë tonë. Një histori që kish filluar me shkëmbimet e sendeve, mënyrat e para, midis europianëve dhe indianëve. Ashtu kishte filluar ekonomia e këtij vendi. Kur dikush e pyeti ciceronin në lidhje me kaubojsin tek dera, ajo e përgjigj. Eshtë përfaqësues i dështimit tonë. Po çfarë vidhte, qindarka? – e pyeti një tjetër. Jo, u përgjigj ajo, metal të çmuar. Për gati 14 vjet… deri sa në fund kish grumbulluar një vlerë e barabartë me gati 60 milionë dollarë sot. Kurse ne i biem shkurt. Megjithëse historia e teatrit tonë është tërësisht ndryshe, jo një dështim, por shkëlqim. Po ne nuk na intereson vetvetja, nuk na ha fare meraku për çfarë arritëm. Mjaft të pasurojmë Ramën e shoqërinë e tij, mjaft të rrugëtojmë sojin e tij përmes konçesionarëve e pp-ve. E bëm këtë me shtëpinë e Ismail Qemalit, sa sot i falemi një maketi që nuk ka asgjë të përbashkët me realitetin historik. Bëjeni edhe këtë krim të radhës dhe dilni në rrugë e i varni në litar artistët tuaj. Pastaj vrituni për Ramën e shokë, vrituni për anadollakët e fondamentalizmit se prosperitieti juaj është vetëm dështimi.

Please follow and like us: