Klienti i fundit vrau Anxhelën pasi refuzoi të paguante
Disa ditë pas vdekjes së 20-vjeçares shqiptare Anxhela Meçani, policia italiane ka identifikuar dhe ka vënë në pranga personin e dyshuar për vrasjen e saj.
Bëhet fjalë për një shtetas italian i cili jetonte në Cuneo.
I dyshuari është personi i fundit që është takuar me Anxhelan.
Policia italiane thotë se është pikërisht ai personi që e hodhi nga makina 20-vjeçaren duke i shkaktuar plagë të rënda që i sollën vdekjen.
Për momentin nuk bëhet me dije identiteti i italianit por mediat raportojnë se bëhet fjalë për një person që ishte klient i 20-vjeçares.
Raportohet se pasi kanë kryer marrëdhënie seksuale, vajza i ka kërkuar paratë, por ai ka refuzuar të paguajë duke e vlerësuar mjaft të lartë çmimin.
Ata kanë debatuar brenda makinës dhe në një moment, italiani ka hapur derën dhe ka shtyrë jashtë shqiptaren 20-vjeçare.
Policia ka sekuestruar edhe makinën ku ndodhi krimi. Identifikimi i autorit u bë përmes kamerave të sigurisë në zonë.