Agron Duka: Rama, bashkëqeverisje me sirianët
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka reaguar ndaj çështjes së ndërtimit të kampeve të refugjatëve në Shqipëri, në të cilin bënë thirrje për transparencë pasi bashkëqeverisjen mazhoranca e ka kërkuar me shqiptarët dhe jo me sirianët.
Statusi i plotë
Po ndjek me shqetësim debatin mbi ngritjen e kampeve të refugjatëve në Shqipëri. Sikurse ka ndodhur shpesh herë përgjatë viteve të fundit, çështje të rëndësishme, dhe me impakt ndërkombëtar, po trajtohen në fshehtësi dhe në mungesë totale të transparencës nga ana e mazhorancës. Nisur nga precedentët negative të importit të armëve kimike siriane dhe importit të mbetjeve, rreziku që të gjendemi përballë një fakti të kryer është shumë i madh. Sigurisht ne kemi qenë dhe mbetemi një popull migruesish, dhe si komb e njohim fort mirë rëndësinë e mikpritjes.
Megjithatë, një hapje e përmasave të diskutuar në mediat ndërkombëtare, do të ishte përtej çdo proporcionaliteti dhe kapaciteti të vendit tonë. Në këto rrethana, nëse bashkëqeverisja është më shqiptarët dhe jo me sirianët, është jetike, për stabilitetin dhe imazhin e vendit, që diskutime të tilla të zhvillohen në mënyrë të hapur dhe transparente, duke përshirë të gjitha sferat, institucionale dhe shoqërore, përpara se të merren vendime që mund prodhojnë efekte negative afatgjata.