Ndue Ukaj: Rreth shtatores së Anton Çettës
Ese
Askush nuk do të mund ta imagjinonte se, do të vinte një ditë dhe në atdheun e tij, kundër Anton Çettës, do të ngriheshin drejtuesit e Institutit, të cilit, më punë dhe përkushtim, ai i dha nder dhe lavdi.
Arsyetimet që u bënë publike sot në media, janë qesharake dhe krejtësisht banale. Janë arsyetime të shkreta, që vijnë si rrjedhojë e mendjeve të mykura, të cilat i trazon shtatorja e Antonit. Po, sepse personaliteti i tij reflekton kulturë, paqe, urtësi dhe dashuri, prandaj mendjet e mykura, që nuk mund të shkapen nga prangat e urrejtjes, e kanë të vështirë ta shohin përditë atë. E kanë vështirë ta shohin të tillët që besojnë se drejtësia vendoset me dhunë dhe jo me dashuri.
Mundem me thanë me plot gojën se, prapa refuzimit të prezantuar sot fshihen tendenca tjera dhe jo “arsyetimet” e proklamuara. Prandaj, leni mënjanë broçkullat dhe “arsyetimet” qesharake, të cilave nuk u beson askush, përpos juve që i keni konstruktuar ato.
Antoni e ka vendin te Instituti i Albanologjisë.
Jam i bindur se, shtatorja e Antonit, i trazon vetëm ndërgjegjet imbecile dhe të trazuara, kontributi i të cilëve në punët e kulturës dhe të albanologjisë është tepër modest, karshi figurës madhore të tij.
Gjithashtu jam i bindur se, shtatorja e Antoni, është burim frymëzimi për mijëra zemra të etura për të parë vendin e tyre më të prosperuar, më të bashkuar dhe më të emancipuar.
Arsyet pse shtatorja e Anton Çettës, duhet të vendoset te Instituti Albanologjik dhe jo diku tjetër, më se paku në livadhet e shkreta, ku tentojnë ta zhvendosin ata të cilëve u bënë hije, janë të pafundme dhe nuk mund të fshihen, ashtu siç nuk mund të fshihet dielli me shoshë.
Në anën tjetër, gjithë ata që hedhin gurë tinëzisht mbi të, duhet ta dinë një fakt: Antoni shtatoren e madhe, në lartësitë e të cilës nuk mund të ngrihen kurrë xhuxhët e kulturës, e ka ndërtuar me veprimtarinë e tij të bujshme, me dashuri dhe punë të madhe, dhe jo me dokrra dhe intriga.
Anton Çetta është figurë shembullore- ikonë e Kosovës- ndikimi i të cilit për lirinë dhe pavarësinë e saj është i pamatshëm dhe i pakontestueshëm.
Shoqëria jonë, e cila nuk ka modele dhe referenca të qëndrueshme kulturore, morale dhe humane, te figura e tij, ka mundësi të gjejë shembullin më të mirë për breznitë e reja. Një shkollë dashurie, për të cilën kemi nevojë më shumë se kurrë, ne një kohë kur na mbizotëron urrejtja dhe mosdurimi ndaj njëri-tjetrit. Në një kohë kur na predikohet përditë urrejtja ndaj historisë dhe figurave themelore kombëtare.
Gjithashtu, figura e tij përfaqëson modelin më të mirë kundër harbutërisë, dinakërisë, autoriteteve të rreme dhe dredhisë. Po, sepse ai, pa asnjë lloj pushteti praktik: pa armë, pa shërbime informative, pa para, pa struktura të organizuara, përballë një regjimi të çmendur, siç ishte ai i Millosheviçit, dhe, përballë një plage tepër të rëndë kombëtare, arriti ta bashkonte popullin e tërë dhe ta luftonte të keqen më të madhe mes nesh: gjakmarrjen.
Antoni zotëronte diçka tejet të çmuar, të pamatshme; një pushtet të epërm: atë të urtësisë dhe të dashurisë, të ngjizur nëpër shekuj nga urtia popullore dhe dija e tij e sistemuar.
Në Prishtinë, tani e dy dekada pas luftës, për të s’ka shtatore.
Ky është turp kombëtar.