Prof. Krist Maloki: Perendimor apo Lindor
Lindori shqiptar nuk njeh turp, ai s’ka cipë që t’i nxihet. Lindori shqiptar është i zoti për të gjitha turpet. Shet babë e nane, besën e nderin e vet, për mos me thanë: shpirtin e trupin e vet; vetem e përvetëm që t’i shkojë kungulli mbi ujë. Idealet e lindorit shqiptar janë kolltuku e llokma; dhe për t’i siguruar vehtes këto të mira ai përdor çdo mjet: bëhet kur e do nevoja edhe patriot edhe tradhtar, monarkist e bolshevik, përparimtar e reaksionar, e bile edhe shok i fortë me të tjerë. Porse në shpirtin e vet është Lindori kryekëput rrënimtar, është shkatërrues dhe bashkohet me të tjerët si ato ujqt që vejnë së bashku në pre, por që e shqyjnë shokun e vet kur dobësohet apo plagoset udhës. Sepse Lindori shqiptar i ka instinktet e ujkut vetjak, të ujkut tek. Vendi ku ushqehet dhe majet Lindori shqiptar është atdhe për te. Jo sepse e don, por sepse e shfrytëzon; dhe e shfrytezon pa pikë turpi, dhimbje e kujdesje…
Vet djelmnia e shkolluar e ka gabim kur kujton se perendimorja përmbahet vetëm ndër veshje e mbathje evropjane, apo në të ndëjunit plot kotësi nëpër sallone, apo edhe me kryerjen e ndonjë detyre sa për formë e për të rrëmbyer një rrogë të majme, etj. Perendimorja e vërtetë tregohet pikësepari në kryerjen e një detyre të ndershme, fund e majë për hatër të asaj detyre dhe pa qenë i shtyrë nga zori, nga ndonje dëshirë e prujtun apo nga shkëlqimi i ndonje fitimi marerial. Bile perendimori i vërtetë karakterizohet nga menyra se si ai i ngarkon vetes me vetdashje detyra të rënda, jashtë detyrave të zakonshme e të domosdoshme. Heroizëm s’kerkohet prej askujt, porse lartësia morale e një perendimori matet me graden e vetmohimit dhe vetflijimit rreth nje ideje të lartë, rreth nje ideje që s’ka punë me kolltuqe apo llokma. Detyra e përditshme e një perendimori është: Vepro gjithmonë në një mënyrë të atillë që sjellja jote të jetë shembull dhe rregull mbarëvajtjeje për të gjithë; sillu si njeri i butë me të tjerët, pa hile; pranoje, nderoje dhe çmoje çdo njeri pa qëllime dhe prapamendime lindore. Dhe këto të gjitha kërkohen dhe detyrohen tek çdo njeri i madh a i vogel, pasanik apo i varfër, shkollar apo bilmez – jo nëpër premtime materialiste apo friksime fetare, por vetem e përvetëm në emër të një njerëzimi të lartëm, i cili mbështetet mbi ato të drejta hyjnore që kanë mbirë në zemrën e çdo njeriu pak a shume normal. Dhe shpirti fisnik i një perendimori është pikërisht ajo dhimbje mëshire dhe flijëplotë që drejtohet kundrejt çdo krijese nevojtare, por sidomos kundrejt çdo njeriu fatmjerë, kundrejt çdo populli varfanjak, e më së forti kundrejt kombit të vet në rrezik.
(Gazeta “Përpjekja Shqiptare” 1937)