Ndue Ukaj: Roma- qyteti i përjetshëm
Ese
Në botë ka shumë kryeqytete dhe qytete të madhërishme, që të joshin për arkitekturën e përkryer, për artin dhe vlerat që përfaqësojnë, për muzikën, harenë dhe kënaqësitë që ofrojnë, por asnjë nuk e ka epitetin e qytetit të përjetshëm. E Roma, që në antikë quhej urbs aeterna apo qyteti i përjetshëm. Këtë epitet e ruan edhe sot, me magjinë që ka, ngase, kryeqyteti i përjetshëm, vazhdon ta shkruajë historinë e tij të filluar qëmoti. Po, sepse, siç thotë një fjalë e urtë, Roma nuk u ndërtua për një ditë. Ajo është një histori e gjatë dhe vazhdon të shkruhet e ndërtohet për çdo ditë. Jo vetëm për faktin se Roma është një histori që lidhet me një pjesë të rëndësishme të kujtesës së njerëzimit, por edhe për faktin tjetër, sepse Roma është referencë esenciale e qytetërimit perëndimor; qytetërim ku graviton edhe kultura shqiptare.
Jo domosdoshmërish të gjitha rrugët çojnë në Romë, por megjithatë, qyteti i amshuar, e arsyeton shprehjen “të gjitha rrugët të çojnë në Romë”, sepse rri pushtetshëm në hartën e kulturës së njerëzimit, ashtu siç rrinë pushtetshëm kryeveprat e njerëzimit në këtë qyret dhe rrezatojnë përherë me gjenalitetin e tyre.
Roma, pa hamendësime, është një kryevepër, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.
Kryeqyteti i Perandorisë Romake, që më vonë do të bëhej qendra e krishterimit, është ngjizur nëpërmjet një rrëfim magjeps, që nga legjenda e hershme e deri te koha bashkëkohore. Dhe, këtë e vëren kudo: në rrugë, sheshe, monumente të lashta, në fytyrat e mijëra vizitorëve, e mbi të gjitha në vitalitetin dhe përhershmërinë e tij.
Rrëfimi për Romën ka zënë faqe të shumta të historisë së njerëzimit- e së këndejmi edhe të historisë shqiptare. E ky rrëfim vazhdon të jetë i pakryer e të shkruhet përditë.
Ka shumë shprehje apo fjalë të urta që lidhen me Romën, e njëra nga to është: Roma ka folur, çështja është zgjedhur. Në fakt, kjo shprehje, veç tjerash e dëfton përmasën e përtejme që ka historia e qytetit të përjetshëm, ku arti, kultura, arkitektura dhe shpirtërorja bashkëjetojnë mrekullueshëm dhe kënaqin estetikisht e shpirtërisht vizitorët me shije e kulturë.
Një rrugëtim nëpër qytetin e përjetshëm, është një rrugëtim që t’le pa frymë. E kur rrugëtimi ngjet të ketë mision njohje kulturore, ai bëhet edhe ma shumë domethënës. Në mesin e takimeve të shumta që zhvilluam me autoritete të rëndësishme të Italisë, të Vatikanit dhe të institucioneve tjera kulturore, na u tha se, njohja kulturore është ma e rëndësishme se ajo politike. Po, sepse kultura është pakufi dhe Roma universalisht e ka dëshmuar përgjatë historisë një gjë të tillë.
Teksa shëtisja në ato rrugë që shkruan sa e sa kapituj të historisë së njerëzimit dhe të kombit tonë, unë shtegtoja nëpër kohë dhe mendoja rrugëtimin historik të shqiptarëve. Natyrisht, Italia matanë detit na kujton pjesën vitale të arbnorëve, që ruajtën gjuhë, traditë e kulturë. Na kujton arbneshët, që për shumë shekuj, u bënë hallkë e pashkëputur kulturore e shqiptarëve: që ruajtën kujtesën e moçme historike. E në këtë kontekst, s’ka sesi të mos kujtohet Jeronim de Rada, apostull i shqiptarizmit, dhe një plejadë e tërë shkrimtarësh, dijetarësh e atdhetarësh, deri te shkrimtari Ernest Koliqi.
Pa dyshim, një lidhje tjetër me Italinë, është ajo e heroit tonë me papatin dhe shtetet tjera të kohës. Po, në Romë është një ndërtesë që njihet si bujtina e Gjergj Kastriotit, Princit të Epirit. Një mbishkrim aty dhe portreti i tij, s’ka sesi të mos mallëngjejnë.
Pa dyshim, ky mallëngjim të prek deri në asht dhe të dëfton ç’vlerë ka e kaluara kur ruhet e kultivohet. Ndërkohë, poeti dhe ambasadori Visar Zhiti, na rrëfente historinë e kësaj bujtine, e cila lidhet me kohën kur heroi ynë vizitonte Papën, dhe ky i ofronte atij një nga vilat e tij për të fjetur, mirëpo princi i arbërve e refuzonte atë, sepse kanuni i tij thoshte se, nëse në atë vend ndodhej ndonjë arbnor, ai duhej të flinte aty. Ajo bujtinë, dikur e një arbnori, shndërrohet në bujtinë të Gjergjit tonë. Nga kjo kohë, vendbanimi e ka marrë emrin e heroit tonë dhe është një shenjë e rëndësishme identitare. Gjithashtu, edhe rruga e mban emrin e tij.
Mbishkrim dhe portreti i Gjergjit në këtë shtëpi ngërthejnë në vete një dhimbje dhe kujtim që ta trand shpirtin. Pastaj, miqtë tanë vazhdojnë rrëfimin dhe na shpjegojnë se rruga e parë e emëruar në Itali, që mban emrin e një të huaji, është kjo për heroin tonë.
Në këtë mënyrë, dashuria për Italinë sa vjen e rritet.
Dhe them: po, Roma është qytet i përjetshëm.
Një rrëfim tjetër nga Roma, e që lidhet organikisht me historinë shqiptare, është ai për Propaganda Fide, institucion ky i rëndësishëm ku ruhet një pjesë domethënëse e kulturës shqiptare. Të shoqëruar nga profesori Ardian Ndreca, drejtori i këtij arkivi dhe zëvendësrektori i Universitetit Urbaniana, vizitojmë një pjesë të qënësishme të historisë sonë që ruhen në ato arkiva. Dhe kuptojmë sa të afërta janë lidhjet ndërmjet qytetit të përjetshëm dhe shqiptarëve. Lidhje këto që duhet përtërirë, në frymën e kohës dhe në funksion të njohës sa më të mirë të kulturës dhe identitetit tonë.
E rrëfimi për Romën sigurisht se nuk mund të shkruhet për një ditë, ashtu siç nuk u ndërtua Roma për një ditë. Ai është një rrëfim i pakryer, rrëfim që të joshë e të kënaq. Një rrëfim që të zbulohet përherë e ma madhështor. Një rrëfim për të cilin shoqëria ka nevojë. Një rrëfim që bashkëformëson tokësoren dhe qielloren. Një rrëfim për të bukurën, artin, harenë, futbollin dhe muzikën. Po, sepse Roma është një rrëfim universal dhe me një domethënie organike për kulturën shqiptare. Prandaj, njohja me të, është pikëtakim dhe njohje me kulturën tonë.
(Botuar, sot, te Gazeta Zëri)