Helsinki si Jalta?! Jo! Por bota ka nevojë për një rregull të ri!
Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi
Takimi midis presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus, Vladimir Putin, në Helsinki të Finlandës të hënën e shkuar ka shkaktuar reagime të shumta, latente e deri të ashpra, brenda dhe jashtë SHBA-së, në qarqet europiane dhe më gjerë, te aleatët e Amerikës e te partnerët e saj, te demokratët e te republikanët amerikanë! Si asnjëherë tjetër është komentuar ky takim e sidomos pohimi i zotit Trump se “Putin nuk ka ndërhyrë në zgjedhjet e shkuara presidenciale të SHBA-ve”, pohim të cilin amerikanët e demantuan parolisht e praktikisht, me deklarata refuzuese dhe me arrestimin e një agjenteje ruse, e cila thuhej se “studionte në SHBA”! Po cilat janë disa nga sfidat e këtij takimi dhe çfarë përfaqëson ky takim për palët në fjalë?
1. Sfondi politik në të cilin u mbajt takimi i Helsinkit
Nëse analizojmë zhvillimet politike ndërkombëtare të dekadave të fundit, atëherë duhen vënë re disa prirje të reja në kalcifikimin e pozicioneve të Fuqive të Mëdha. Pas Luftës në Kosovë Rusia dhe SHBA-të intensifikuan përpjekjet kundër njëra-tjetrës, duke treguar se të dy palët kanë ende energji e fuqi për t’u përballur në sfidat e mijëvjeçarit të ri. Kosova u përdor nga Kremlini si preteks i ashpërsimit të qëndrimeve të saj antiamerikane dhe si kasus për operacionet ushtarake ruse për zgjerimin e territorit të kësaj federate në Gjeorgji e në Ukrainë.
Rusia bllokoi gjithashtu iniciativat amerikane për zgjidhjen e krizës në Siri, duke përkrahur aleatin e saj presidentin sirian, Bashar Al Sadat dhe zgjidhjen e krizës atomike me Iranin e Korenë e Veriut. Madje me qëllim nxitjen e këtyre vendeve për një konflikt të armatosur me Uashingtonin. Ish presidenti Obama u përkul përballë presionit rus, ndërkohë që edhe Trump nuk ia doli deri tani të sjellë ndonjë zgjidhje fatlume për Amerkiën.
Moska e shfrytëzoi armiqësinë e saj me SHBA-të dhe me BE-në për të ndërtuar gjithashtu një aleancë të re euro-aziatike, në të cilën bëjnë pjesë përveç Rusisë ,edhe Kina, Turqia, Kazakistani, ndoshta India dhe vende të tjera të rajonit, aq sa u duk se vendet e demokracive perendimore që promovojnë lirinë dhe vendet autokratike do të përballen në një konflikt të ri të ngjashëm me atë të Luftës së Ftohtë!
Ndërkohë që SHBA-të nën Barack Obamën ndërtuan një politike disfatiste ndaj Bashkimit Europian dhe aleatëve të tjerë në glob, Donald Trump i vlerësoi marrëveshjet e parardhësit të tij me vendet e tjera si diskriminuese dhe të papërshtashme për përparimin ekonomik e financiar të SHBA-ve. Ndaj i anulloi ato, ashtu siç anulloi edhe marrëveshjen për çarmatimmin bërthamor me Iranin, marrëveshje e cila favorizonte më së shumti Europën sesa SHBA-të në marrëdhëniet ekonomike, tregtare e të biznesit me Iranin.
Në këto rrethana Donald Trump zgjodhi t’i kundërvihej politikave të mëparshme dhe të promovojë një politikë e diplomaci të re. Mënyra sesi po e zhvillon ai këtë lloj diplomacie duket e dyshimtë, sepse shpesh herë ai kërcënon e në rastin e mëpasëm ladëron partnerët e tij të rëndësishëm ndërkombëtarë, si psh Angjela Merkelin. Kështu ka vepruar kundrejt Vladimir Putin, ndërkohë që në Helsnki ai u soll ngrohtë me kreun e Kremlinit. Edhe Xhorxh Ë. Bush kishte gati të njëjtën sjellje si Donald Trump ndaj partnerëve të tij europianë, Shirakut të Francës dhe Schroederit të Gjermanisë. Me Vladimir Putinin ai vendosi marrëdhënien “e kobures mbi tavolinë”! Por ndryshonte qëndrimi i tij nga ky i Trump ndaj kryeministrit të Britanisë së Madhe.
2. Çfarë i bashkon Trump dhe Putin?
Takimi i Helsinkit dëshmoi se SHBA-të dhe Rusia duan të afrohen midis tyre, për pasojë të afrojnë edhe qëndrimet për zgjidhjen e krizave dhe konflikteve në botë. Marcin Zaborovski, një specialist i politikave të jashtme, i thoshte gazetës gjermane “Frankfurter Allgemaine Zeitung” se “Putin dëshiron një Jaltë të Re… se Putin nuk ka interes vetëm për Ukrainën, por për më shumë se kaq, saktë për t’u bërë palë në vendimmarrjen e rregullit të ri ndërkombëtar”. Sipas ekspertëve, Putin shpreson shumë që ta përfitojë këtë rol të humbur me rënien e Murit të Berlinit, aq më tepër që “Trump asnjëherë nuk është shprehur kritik ndaj Putin”! http://www.faz.net/aktuell/politik/so-sehen-polen-und-die-ukraine-das-helsinki-treffen-15692575.html
Ky konstatim duket se është realist. Po presidenti amerikan çfarë interesi ka që në vendimmarrjen për rendin e ri botëror të ketë partner një vend si Rusia, e cila dallon nga Amerika për vlerat që promovon, për sistemin autoritar të qeverisjes, për drejtimin e vendit nga një dorë e vetme e jo nga institucionet demokrarike, për ambicjet e saj gjeopolitike, të cilat bien ndesh me ato të Uashingtonit? Para se t’i jepet përgjigje kësaj pyetjeje, duhen sqaruar disa aspekte të tjera të zhvillimeve të sotme. Psh, a janë SHBA-të aq të fuqishme sa ta vendosin të vetme rendin e ri botëror?! A është treguar Europa aq besnike, korrekte e mirënjohëse ndaj SHBA-ve për kontributin e saj për stabilitetin, sigurinë dhe paqen në këtë kontinent?! Në këtë kontekst, sjellja europiane e mosmirënjohjes a mund të konsiderohet si kasus i orientimit ndryshe të diplomacisë amerikane?!
Të gjitha këto bëhen bashkë. Amerikanët qëndruan thuajse të në konflikt me Moskën në mbrojtje të gjeopolitikës europiane, vendosën sanksione ndaj Rusisë dhe morën masa të shumta kundër saj, po për shkak të agresionit rus në vendet e lindjes europiane. Ndërkaq disa vende europiane e panë Risinë si vend atraktiv për investime dhe përhapjen e kapitalit të tyre. Nëse bëhet lufta për kapitale dhe zona ekonomike, në këtë rast luftën e bëri Amerika, kapitalet i zgjeroi Europa. Donald Trump duket se dëshiron t’i japë fund këtij absurdi! Ndaj nuk duartrokitet në Europë. Por ai e di se SHBA-të nuk mund të vendosin të vetme për të ardhmen e botës. Trump-it i duhet një partner. Ai nuk beson se diplomacia amerikane mund të ketë sukses në multipolaritet. Bipolariteti është interesi amerikan, aq më tepër kur mmosmarrëveshjet e partnerët europianë nuk janë të pakta. Ndaj ai zgjedh Rusinë.
3. A po shfaqet një Jaltë e Re në horizont?
Në këto rrethana SHBA-të kanë interes për një marrëveshje të re për rendin e ri botëror dhe ndoshta përfitimet më të mëdha do të ishin nëse kjo marrëveshje realizohet midis ish-dy ish-superfuqive. A është Jalta modeli që mund të përdoret? Formalisht mund të merret në konsideratë. Por praktikisht nuk besoj se përsëritet periudha e Jaltës. Në fund të fundit edhe atëherë gati gjysmën e vendeve nën ndikim Stalini i tërhoqi përmes forcës së ushtrisë së kuqe, jo nga tryeza e bisedimeve të Jaltës. Kjo do të thotë se Europa Lindore nuk mund të jetë pjesë e sferës së ndikimit rus, së paku në atë masë sa e si ishte pas Jaltës. Sidomos vendet që tashmë janë bërë pjesë e NATO-s nuk kanë pse i frikësohen një Jalteje të Re. Megjithatë një marrëdhënie direkte e këtij lloji midis Uashingtonit dhe Moskës ka shkaktuar frikë dhe huti në vendet balltike, në Poloni, madje në gjithë Europën Lindore e Juglindore. Ukraina është më e tronditur se çdo vend tjetër nga kjo.
Rusia nuk e ka fuqinë e ish-Bashkimit Sovjetik të kohës së Luftës Dytë Botërore që të imponojë vullnetin e shteteve dhe popujve të Lindjes Europiane. Ajo konsiderohet si një superfuqi e mundur nga rivaliteti dhe Lufta e Ftohtë. Putin ëndërron, por as Trump, as ndonjë president tjetër amerikan nuk do t’i lëshojë Putinit atë që Rusëelti i lëshoi Stalinit. Ndërkohë asokohe besimi midis presidentit amerikan dhe diktatorit sovjetik ishte i verbër, i çuditshëm. Ndoshta dhe për shkak të kontributeve sovjetike në fitoren mbi fashizmin. Por sot besimi midis palëve është i tronditur për shkak të një konflikti së paku 20 vjeçar. Ndaj mund të besohet se në planet amerikane është krijimi i tri rajoneve europiane: Rajonit Perendimor, atij qendror e Juglindor nën ndikimin e SHBA-ve dhe rajonit të skajshëm lindor nën ndikimin e Rusisë. Rusia mund të fitojë terren edhe në Kaukaz e në këtë rast amerikanët llogarisin që të nxisin një konflikt të Moskës me Ankaranë.
4. Po Europa Juglindore çfarë vendi mund të ketë në një marrëveshje të re?
Europa Juglindore ku bën pjesë edhe Shqipëria, Kosova dhe trevat shqiptare të rajonit, në përgjithësi ka gjasa të mbetet nën ndikimin amerikan. Vetëm Serbia mund të jetë teorikisht vend neutral, ose në gjuhën e Jaltës vend i ndarë 50:50 përqind. Vendet e tjera e kanë përcaktuar tashmë fatin e tyre. Por Rusia në përpjekjet e saj për të qenë e pranishme në këtë rajon, do të rritë përpjekjet për të destabilizuar disa zona të Ballkanit, si Maqedoninë, Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi. Ky i fundit është tashmë anëtar i NATO-s. Ndërsa Kosova ka NATO-n brenda saj. Megjithatë Kremlini shpreson se në këtë kohë mund të arrijë disa objektiva praktike, me qëllim që në një takim të dytë ose të tretë midis dy presidentëve të mund të përfitojë në përcaktimin e kufijve të rinj të zonave të influencës.
Pavarësisht asaj çfarë mund të planizohet, do të ketë edhe vështirësi tjera për të ardhur deri te një Jaltë e Re. A do ta pranojnë Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca një vendimmarrje dy palëshe SHBA-Rusi, pa pjesmarrjen e tyre? Eshtë vështirë të mendohet se po. Atëherë çfarë do të ndodhë me rregullin e ri botëror? Sa dhe si do të funksiononte një rend i ri pa aktorët aktualë të Këshillit të Sigurimit dhe pa Gjermaninë si lokomotivë e Bashkimit Europian?! Të gjitha janë në tavolinë. Asgjë nuk është kaq e thjeshtë dhe as aq e lehtë.
Në këto kushte shqiptarët kanë për detyrë të orientohen mirë e drejt, në të kundërtën e orientimit që atyre u dha Jalta, orientim të cilin e përqafuam me shumë dëshirë, madje duke i qëndruar besnik Stalinit deri në rënien e komunizmit! Absurdi i Jaltës tek ne është sa vepër e tre të mëdhenjve, aq dhe vepër e vetë jona. Mësë pari duhet marrë në konsideratë se zgjidhja e konfliktit të shumë përfolur shqiptaro-serb nuk mund të bëhet thjesht me pjesmarrjen e një aktori, BE-së, aq më pak nën autoritetin e Frederica Mogherinit. Prania e SHBA-ve është jetike për shqiptarët. Ky do të ishte sinjali i parë i orientimit tonë drejt një aleance të natyrshme dhe në harmoni me interesat tona.
Tiranë, më 17.07.2018