Irma KURTI: Pëllumbat e paqes apo të racizmit?
- Aktet e racizmit në Itali, një zinxhir që nuk mbaron
S’mund të heshtë më as shtypi, as mjetet e tjera të komunikimit përballë episodeve të racizmit dhe klimës së intolerancës të javëve të fundit që ka përfshirë shumë qytete në Itali. Tetë episode të rënda brenda një muaji e gjysëm ku viktimat janë emigrantët. Faji i vetëm? Ngjyra jo e bardhë e lëkurës.
Pas fushatës elektorale që u karakterizua nga tone të larta indinjate dhe mllefi kundër eksodit të emigrantëve në portet e Italisë, veprimet e fundit kriminale janë mëse të kuptueshme.
Një muaj më parë dy emigrantë, që jetonin në një strukturë për mbrojtjen e kërkuesve të azilit në Caserta u sulmuan nga një breshëri të shtënash, të shoqëruara me emrin e Matteo Salvinit, ministrit të brendshëm italian. Ky i fundit, që gjatë fushatës elektorale e më pas ka përdorur në të gjitha prononcimet e tij fjalën “emigrant”, pra, mbylljen e porteve, anijeve me njerëz të pafatë, të cilët përpiqen t’i shpëtojnë luftës apo konflikteve. Kjo kartë i siguroi partisë që ai përfaqëson, Lega Nord, fitoren në një Itali të lodhur nga kriza, që identifikon si shkak kryesor të saj praninë e emigrantëve të sapoardhur në territorin italian.
Nga një e shtunë terrori në Macerata disa muaj më parë ku mbetën të plagosur gjashtë emigrantë deri tek senegalezi i vrarë në Firenze, seria e krimeve vazhdon si një zinxhir që nuk ndalet. Napoli, Forli, Latina, Roma.
Episodi i pak ditëve më parë në Vicenza, përveç indinjatës, të habit me absurditetin e vet. Një punëtor me origjinë afrikane qëllohet me armë teksa po punonte nga tarraca e shtëpisë së një italiani. Personi që e qëlloi i shfajësohet karabinierëve se gaboi shënjestër, në fakt kishte dashur të qëllonte një pëllumb!
Po çfarë po ndodh me italianët? Kur do të mbarojë kjo stinë e nxehtë polemikash, mllefesh, inatesh dhe vrasjesh që na mbush me pasiguri? Ky është vendi që ëndërruam kur braktisëm atdheun?
Jeta është e bukur sepse i ngjan një buqete me lule shumëngjyrëshe që të shplodh sytë dhe mëndjen, ku çdo ngjyrë ka bukurinë, hijeshinë dhe veçanësinë e vet.
Të gjithë ne ëndërrojmë një tokë të lirë, ku mbizotëron paqja, mirëkuptimi dhe toleranca, jo një vend ku vriten pëllumbat që simbolizojnë paqen apo më keq, kur kjo përdoret si një pretekst i mjerë për të përligjur racizmin.