Dashnor Dervishi: Greqia bën presion për çdo çështje të lënë pezull
Greqia është një nga tre vendet e rëndësishme të rajonit për vendin tonë, me të cilën lidhemi me interesa strategjike, praktike dhe vitale. Si dy vende fqinje, që lidhen me historinë dhe traditat e përbashkëta në shekuj, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë i kapërcejnë shpeshherë skemat klasike të politikës së jashtme; ato përzihen edhe me zgjatime të faktorëve që lidhen me politikën e brendshme të vendeve tona; ato bëhen akoma më komplekse me praninë e minoritetit grek në Shqipëri dhe emigrantëve shqiptarë në Greqi, tashmë si faktorë të rëndësishëm, që përcaktojnë axhendën e marrëdhënieve tona.
Marrëdhëniet midis dy vendeve tona aktualisht vlerësohen nga të dy palët si marrëdhënie të partneritetit strategjik dhe vitale. Kohët e fundit, midis dy qeverive tona ka një vullnet pozitiv për intensifikimin e këtyre marrëdhënieve, në interes të të dy vendeve dhe qytetarëve tanë, në interes të paqes dhe stabilitetit në rajon.
I
Është arritur të evidentohet në mënyrë të qartë dhe transparente, zyrtare dhe publike, qëndrimi i secilës palë ndaj marrëdhënieve tona dypalëshe; jo vetëm kaq, por janë parashtruar në një paketë edhe opinionet përkatëse të palëve, si dhe propozimet konkrete për zgjidhjen e tyre, me synimin që marrëdhëniet greko-shqiptare të mund të kthehen në një model të marrëdhënieve të dy vendeve fqinj në rajonin tonë.
Mbas një periudhe të gjatë përpjekjesh dhe ngërçesh, për zgjidhjen e problemeve të shumta dhe të ndërthurura me njëra-tjetrën, në kohën kur ministër i Jashtëm ishte z. Avramopulos, u hodh ideja e krijimit të një pakete, që do t’i përmblidhte të gjitha problemet, që duhet të zgjidheshin për të mundësuar ecjen më shpejt në bisedime. Kjo ide u plotësua dhe u zhvillua me kalimin e kohës, duke paraqitur problemet e hapura me qëndrimet e qarta të secilës palë, me propozime konkrete të ndara sipas problemeve historike dhe aktuale, të shtrira në faza të ndryshme kohore.
Pala greke ka vendosur tri çështje si nevojë prioritare, për të cilat pritet zgjidhje nga ana jonë: delimitimi i detit, varrezat dhe rishikimi i teksteve të historisë. Në themel të tyre qëndrojnë kërkesat e përhershme, që lidhen me minoritetin grek në Shqipëri, si kushtëzim për përafrimin me parametrat europiane të standardeve integruese, duke përdorur kryesisht argumente nga ndarja administrative e fundit, çështja e pronave dhe besimi fetar.
Idetë e Vorio Epirit nuk janë tashmë një shprehje zyrtare, por ato mbahen gjallë nëpërmjet: mosnënshkrimit të një akti zyrtar të kufijve të integruar midis dy vendeve (por vetëm atë detar); kërkesës për shtrirje të varrezave greke në të gjithë territorin imagjinar helenik; rishikimit të historisë, etj.. Në sfond të këtyre masave qëndron ligji i luftës, për të cilin tashmë në Greqi është krijuar bindja, që duhet hequr si një paradoks historik, pasi në kushtet reale nuk i shërben më qëllimit për të cilin është mbajtur. Deri tani, ky ligj ka mbajtur gjallë çdo qëndrim të karakterit nacionalist, frymën e pretendimeve territoriale të Luftës së Parë Botërore, kauza të dëmshme shoviniste në të dy vendet, etj.. Ai është një ligj që po shikohet me kujdes, për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme, pa krijuar konfuzion dhe pasoja që mund të vijnë duke u përshkallëzuar. Deri tani, sipas palës greke, varianti më i mundshëm mbetet gjetja e një formulimi të ri në Traktatin e Miqësisë, ndërkohë që do jetë krijuar siguria, mbasi të jenë ndërmarrë hapa drejt zgjidhjes së tri çështjeve që ajo ka parashtruar.
Pala shqiptare ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për të punuar në gjetjen e zgjidhjeve në paketë; konkretisht edhe për tri çështjet e mësipërme, pasi janë çështje që kanë të njëjtën shkallë të interesit reciprok për të dy vendet. Por, ndryshe nga pala greke, tashmë është bërë e qartë se heqja e ligjit të luftës është hapi i parë që duhet ndërmarrë, pa kushtëzime dhe ekuivoke. Mbajtja e tij në fuqi vë në dyshim çdo hap apo propozim tjetër konkret. Bashkë me heqjen e ligjit të luftës gjen zgjidhje në mënyrë të natyrshme edhe çështja e pronave dhe ajo çame; ndërkohë që çështja e delimitimit të detit, nga ana jonë, kupton edhe zyrtarizimin e kufijve të integruar. Përsa i përket detit, mund të fillohet me trajtimin e përcaktimit të zonave ekonomike ekskluzive. Ndërsa mbledhja e komisioneve për varrezat dhe rishikimin e teksteve të historisë mund të bëhet në çdo kohë, pasi është një proces pa efekte konkrete, përveçse krijon frymën e besimit.
MPJ Kotzias ka treguar vullnet për të bërë hapa në marrëdhëniet me Shqipërinë, por ka ende shumë kufizime nga kornizat e krijuara me kohë me stereotipet e diplomacisë greke. Në MPJ ka elementë, që nuk pajtohen me realitetet e reja në rajon dhe që e shohin me dyshim një avancim të mundshëm të çështjes shqiptare në tërësi, duke pretenduar se zgjidhja e saj mund të prishë ekuilibrat ekzistues, duke prekur edhe interesat greke.
Kjo është arsyeja që diplomacia dhe politika greke, marrëdhëniet me Shqipërinë, në stadin aktual i kanë përqendruar në tri hapa që presin të ndërmerren nga Shqipëria, duke e kushtëzuar në një farë mase me njehsimin me parametrat europianë: deti, varrezat dhe rishikimi i teksteve të historisë. Çdo hap i hedhur nga vendi ynë në tri çështjet e sipërpërmendura, do të jepte sigurinë për palën greke, për atë shqetësim që mban ende në fuqi ligjin e luftës. Më tej, heqja e ligjit te luftës, sipas Greqisë, do të realizohej në mënyrë të natyrshme, duke gjetur modalitetet e nevojshme, nëpërmjet traktatit të ri të miqësisë apo ndonjë akti tjetër zyrtar.
Si konkluzion, të dyja palët kanë të njëjtat objektiva; ndryshon vetëm rruga dhe renditja e hapave që propozohen për t’u ndërmarrë. Në këto kushte, është i nevojshëm krijimi i besimit, që të bihet dakord në parim për këtë ndërthurje veprimesh, që kanë të njëjtin qëllim, duke u përballur me opinionin e të dyja vendeve, me një gjithëpërfshirje të faktorëve kryesorë të politikës dhe të opinionit në të dy vendet.
II
Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë, si pjesë e mozaikut ballkanik mbas Luftës së Parë Botërore, kanë qenë dhe mbeten nën ndikimin e dy opinioneve përcaktuese, që kanë udhëhequr gjithë kompleksitetin e këtyre marrëdhënieve: Idea e Vorio Epirit, nga njëra anë dhe ajo e Shqipërisë së Madhe, nga ana tjetër. Pavarësisht se të dyja palët tashmë janë pozicionuar zyrtarisht kundër këtyre sloganeve, si reminishenca të së shkuarës, në realitetin që jetojmë, ato shfaqen herë pas herë në incidentin më të vogël që natyrshëm ndodh midis dy vendeve fqinje, duke u shoqëruar me retorikë midis Athinës dhe Tiranës. Në mënyrë të veçantë, këto ide shërbejnë si kauzë e përhershme e grupeve ekstremistë nacionaliste apo individëve të veçantë, që realitetet e sotme i shohin me perspektivën e rrezikut të ndryshimeve të kufijve (në Greqi) dhe me dyshimin (në Shqipëri) ndaj tendencës greke për të penguar shtetformimin në Shqipëri.
1. FJALIMET APO DEKLARATAT NACIONALISTE.
Në qarqet zyrtare greke, Shqipëria nuk shihet si një rrezik imediat për ndryshim kufijsh, por si një frymë me mesazhe negative që bëhen shkak për të krijuar pasiguri dhe destabilitet në rajon dhe në mënyrë të veçantë në vende me probleme të theksuara etnike si Maqedonia dhe Bosnja-Hercegovina, apo ato me prani të komuniteteve fetare myslimane, si Shqipëria dhe Kosova.
Nga ana tjetër, objektivi themelor i politikës së jashtme të Shqipërisë ka qenë dhe mbetet integrimi i plotë në BE, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Me këtë perspektivë, ne shikojmë jo vetëm të ardhmen e vendit tonë, të zhvillimit dhe progresit, por edhe zgjidhjen përfundimtare të dasive etnike, përfshirë edhe popullsinë me origjinë shqiptare, që jeton në vendet e ndryshme të rajonit. Përsa i përket Maqedonisë, vetë qeveria e Maqedonisë dhe partnerët ndërkombëtarë e kanë të qartë më mirë se kushdo tjetër, qëndrimin konstruktiv të vendit tonë për stabilitetin dhe integritetin e Maqedonisë.
Shprehja e vullnetit të mirë duhet të pasqyrohet në mënyrë të veçantë në kujdesin që duhet treguar, për të mos përdorur problemet ndërshtetërore, si një zgjatim i problematikës së politikës së brendshme.
2. MUNGESA E FRYMËS SË BESIMIT
Në Greqi, anulimi i marrëveshjes së detit, shtyrja dhe rishikimi i marrëveshjes për varrezat dhe disa veprime të tjera ndaj minoritetit grek, në mënyrë të veçantë ndarja e re administrative në Shqipëri, kanë ngjallur dyshime në besueshmërinë e qeverisë shqiptare. Në mënyrë të përsëritur, kjo gjë është shprehur herë pas here nga shtypi, si dhe nga prononcime apo deklarata zyrtare, të opozitës apo të partive politike.
Shqipëria ka transmetuar vazhdimisht mesazhin se besimi dhe transparenca në marrëdhëniet tona, krijohet duke u takuar, duke biseduar edhe për çështjet për të cilat nuk jemi dakord. Nuk mund të krijohet besim nëpërmjet zëdhënësve apo shkrimeve të porositura në shtyp, shpeshherë të interpretuara në mënyrë të njëanshme, duke krijuar nervozizëm, apo duke kaluar në ekstrem, drejt shkëputjes së çdo komunikimi.
Kryeministri dhe ministri ynë i Jashtëm ishin ndër të parët që uruan homologët e tyre të SYRIZA-s dhe gatishmërinë për të ardhur në Athinë apo për t’i pritur në Tiranë, me vullnetin e plotë për të vazhduar trendin e marrëdhënieve, që ishin krijuar me qeverinë e mëparshme të Samaras. Mbas disa përpjekjeve, hapi i parë që u hodh, ishte aktivizimi i Komisionit të përbashkët për Tekstet Shkollore dhe Historisë si dhe Komisioni i Ujërave dhe Transportit. Në vazhdim, mbas disa vizitave dhe takimeve midis dy ministrave tanë të Jashtëm, si dhe në nivel diplomatik, sekretari i përgjithshëm i MPJ greke vizitoi Tiranën për konsultimet në “paketë”.
3. DELIMITIMI I DETIT DHE LIGJI I LUFTËS
Në Greqi ekziston bindja se marrëveshja e nënshkruar dhe më pas e anuluar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është më e mira e mundshme, por anulimi i saj u bë për efekte të politikës së brendshme të Shqipërisë dhe nën ndikimin turk.
Në fakt, mbas vendimit të Gjykatës Kushtetuese asnjë qeveri në vendin tonë, përfshirë edhe ata që e negociuan, nuk mund të kthehet mbrapsh. Jemi po aq të interesuar që të zgjidhim delimitimin e kufirit detar, ashtu si edhe për marrëveshjet e tjera që lidhen me kufijtë tokësor dhe ujorë. Kjo nuk duhet interpretuar si pretendim për ndryshime kufijsh, siç abuzojnë disa media, por si një shprehje e konfirmimit zyrtar të kufijve ekzistues. Në qoftë se kjo do të shoqërohej edhe me një prononcim zyrtar të Greqisë për anulimin e ligjit anakronik të luftës me Shqipërinë, kjo do të çlironte shumë energji në marrëdhëniet tona dhe në mënyrë të veçantë për vetë Greqinë, si dhe shkëputjen nga disa paragjykime të vjetra historike dhe mbajtjen gjallë të kauzave apo grupeve nacionaliste në të dy vendet.
Njohja e toponimeve të reja nga Shqipëria, sipas kërkesës nga pala greke, ishte një shenjë e vullnetit të mirë nga ana jonë, gjë që e ndihmon Greqinë në vendimmarrje para opinioneve të saja ekstremiste për të hedhur hapa drejt dhënies fund të paragjykimeve dhe normalizimit legal të marrëdhënieve në realitetin, që po jetojmë.
Zgjidhja e çështjes së toponimeve ishte sa e thjeshtë, aq edhe e ndërlikuar. Ajo kishte dimensionin historik, nacionalist, dimensionin e pronave të popullsisë çame, me pasoja edhe në politikën tonë të brendshme, e të tjera. Ajo u përcoll edhe në ndjeshmërinë e qeverisë shqiptare, nëpërmjet masave të dhunshme, që qeveria greke e Samaras ndërmori ndaj fëmijëve të emigrantëve shqiptarë në Greqi. Në këto kushte, u desh vullneti dhe angazhimi i plotë i qeverisë Rama, që me kurajë dhe vendimmarrje zgjidhi një ndër problemet me ngarkesa politike, të mbartur nga disa qeveri shqiptare.
Nga takimet e fundit me funksionarë të MPJ, del se çështja e ligjit të luftës ka kohë që po studiohet nga pala greke, për ta kapërcyer atë si një pengesë artificiale në marrëdhëniet bilaterale. Mbas dorëzimit të një preambule nga MPJ Venizellos, në kuadrin e një pakete të problemeve, por që kryesisht kushtëzonte me njohjen e delimitimit të detit, janë bërë analiza për të gjetur mënyrën për të dalë me sa më pak kosto politike dhe ekonomike nga kjo situatë. Ka një inerci dhe dosje të vjetra, që e mbajnë në fuqi këtë ligj, që fillon qysh prej idesë së hedhur mbas Luftës së Parë Botërore, për krijimin e një konfederate midis dy vendeve tona. Por duhet pasur parasysh që ligji i luftës nuk mbahet në fuqi vetëm për të penguar kthimin e pronave të çamëve, pasi janë dhjetëra ligje, që janë ende në fuqi, qysh nga viti 1944, që e bëjnë pothuajse të pamundur kthimin e tyre.
Mbajtja në fuqi e ligjit të luftës, si një akt i paprecedent dhe unik në të gjithë botën mbas Luftës së Dytë Botërore, ka krijuar në mbarë trevat shqiptare një opinion negativ dhe një frymë mosbesimi në marrëdhëniet me Greqinë, jo vetëm për sot, por që do të lerë gjurmë për një kohë të gjatë në kujtesën tonë. Kjo është e lidhur edhe me qëndrimin e Greqisë ndaj Kosovës. Kjo ndjesi është jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë opinionin e kombit shqiptar, në trevat e banuara nga shqiptarë. Ky qëndrim statik i Greqisë, me kalimin e kohës vetëm sa e përkeqëson imazhin e saj në BE e më tej. Pozitat e Greqisë në Rajon, në raport me shumicën e vendeve anëtare të BE-së dhe partnerët e saj strategjikë, mund të vijnë duke u vështirësuar edhe më tej, me mundësinë e përparimit të qëndrimit serb ndaj Kosovës.
Parë në dinamikën e procesit që lidhet me çështjet e mësipërme dhe që në fakt përbën edhe thelbin e marrëdhënieve midis dy vendeve, kërkohet një angazhim serioz nga të dy qeveritë tona, që i tejkalon dimensionet e MPJ. Përveç angazhimit të specialistëve, të institucioneve të specializuara dhe kompetente, ajo kërkon orientimin në nivel të lartë politik, si dhe konsultë apo asistencë ndërkombëtare të partnerëve tanë të përbashkët. Historia e marrëdhënieve ballkanike tregon se deri tani, problemet, kryesisht kufitare midis vendeve ballkanike, janë përcaktuar ose mbas çdo lufte, ose me praninë apo ndikimin e fuqive të mëdha e me ndikim në rajonin tonë.
4. PERSPEKTIVA EUROPIANE E SHQIPËRISË
Ne opinionin grek mbizotëron ideja se vonesat e proceseve integruese të vendit tonë në Europë, për arsye edhe të lodhjes dhe krizës së disa vendeve europiane, kanë sjellë nervozizëm dhe pasiguri në Shqipëri dhe në disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, gjë që bëhet edhe shkak për slogane nacionaliste. Është bërë e qartë së integrimi i Ballkanit Perëndimor nuk është i afërt, megjithatë Greqia është një nga vendet e BE që këmbëngul më shumë në nxitjen e procesit integrues të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Nga ana tjetër, vazhdon përplasja diplomatike edhe në strukturat e OKB-së, Këshillit të Europës dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, midis përfaqësuesve të dyja vendeve dhe lobeve të secilit vend.
Në fakt, tashmë Shqipëria është e pranishme në strukturat e BE-së, ashtu si komisionet e BE-së janë të pranishme dhe monitorojnë nga afër këtë proces. Nuk vëmë në dyshim qëndrimin pozitiv të Greqisë në këtë drejtim, që është në të mirë, jo vetëm të vendeve të rajonit, por edhe të vetë Greqisë. Cilatdo që të jenë zhvillimet në Europë, Shqipëria e ka zgjedhur rrugën e saj europiane; ajo nuk ka alternativë tjetër; këtë ia imponon edhe pozita e saj gjeografike në gjirin e Europës. Por, nuk mund të vlerësojmë pozitivisht ndërhyrjet apo interpelancat që kërkohen herë pas here nga deputetë dhe euro deputetë të parlamentit grek, për rreziqet që i kanosen rajonit nga nacionalizmat, apo nga Shqipëria e Madhe. Më shumë se Shqipërinë, këto interpelenca dëmtojnë vetë imazhin e Greqisë, që ngre herë pas here të njëjtat tema të vjetra e të konsumuara, në një dinamikë dhe realitet krejt tjetër në rajonin tonë.
Bie në sy fakti që presionet e Greqisë ndaj vendit tonë për realizimin e objektivave të saj në çështje bilaterale të mbetura pezull shtohen në prag të samiteve të rëndësishme europiane, në kuadër të proceseve euroatlantike të integrimit të vendit tonë. Kështu ndodhi në prag të Samitit të NATO-s në Bukuresht në 2009, me marrëveshjen për detin; kështu ndodhi me Stabilizim-Asociimin vitin e shkuar, për toponimet, kur Greqia kishte kryesinë e radhës së BE-së. Qysh tani kanë filluar presionet ndaj politikës zyrtare të Athinës që “gabimet e së shkuarës të mos përsëriten më në vitin 2018, kur Shqipëria pret të hapë negociatat me BE për proceset integruese”.
Aktivizimi i Shqipërisë në kuadër të procesit të Berlinit, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, shkaktoi disa “xhelozi” të palës greke. Por çdo merak nga ana e Greqisë, për rolin e Shqipërisë në rajonin tonë, nuk ka të bëjë fare me pozicionin dhe rolin e Greqisë në këtë rajon. Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë vende kandidate për BE-në dhe realizojnë veprimtarinë e tyre brenda një kornize tjetër, në kuadër të Ballkanit Perëndimor. Greqia së bashku me Rumaninë dhe Bullgarinë dhe së fundi edhe me Kroacinë, janë në një stad tjetër, si vende anëtare të BE-së, në kuadër të Europës Juglindore. Prania dhe roli i Greqisë është i vlerësuar dhe i mirëpritur, si një kontribut pozitiv në BP, pa asnjë rezervë.