Sadik Bejko: Mitet e romantizmi dhe të neoklasicizmit shqiptar
Shiroka me 14 sonetet e tij shënoi kapërcyellin nga romantizmi drejt drejtimeve të tjera letrare. Pas tij do të vinte Mjeda, një neoklasik par excellance te poemat “Lisus” dhe “Scodra”. Një pranëvënie e Shirokës me Mjedën do të nxiste krahasimin mes miteve romantike me ato neoklasicite, pastërtisht neoklasiciste.
Qëllimi kryesor i çdo autori neoklasicik është realizimi i një statusi normativ në cilëndo vepër. Një artist i përgatitur mirë, për të cilin janë familjare normat, ka si qëllim të sintetizojë traditën në veprat e tij. Të rejat, improvizimet, shprehjet individuale të artistit janë virtyte brenda normës. Neoklasicizmi nuk krijon forma arti të tipit “Make it new”, “bëje të re”, (shprehje e poetit modernist Ezra Pound), nuk hidhej drejt një projekti të ri, siç e kërkonte modernizmi. Kusht thelbësor për neoklasicistët është “qetësia” e brendshme, çlirimi absolut i shpirtit nga çdo pasion ose interes, lirimi nga çdo problem tokësor, të hidhesh jashtë kohës dhe hapësirës në kundrimin e pastër të bukurisë, të madhështisë.
Nevoja për të imituar klasikët, për një art të rezervuar nga shprehjet e ideve dhe të botës së ndjenjave vetiake të poetit çoi në epokën e neoklasicizmit solemn (madhështor)”, “fisnik”, “të rreptë”, heroik, të ashpër ose të gjesteve thelbësore, pra, krijoi simbole të një force stoike, të një mençurie sipërore meditative. “Thjeshtësia fisnike dhe madhështia e qetë” e Winckelmann-it, ndërthurur me mitologji, merrte një pamje më antike, me ambicjen heroike të gjesteve statujore, të formave gjigande të hyjnizimit. Kujtojmë te “Lisus” e Mjedës hyjnizimin e Skënderbeut, apo evokimet e prëndive ilire tek “Scodra”. Alegoria mitologjike e neoklasicizmit sublim të Mjedës dhe qetësia sipërore mbajtur tërësisht në një ritëm të shtruar, pa oshëtima, përqëndrimin në gjeste thelbësore, dhanë atë poezi pak të ndjeshme dhe me një gjuhë lehtësisht të lodhur e monotone. Por kjo sillte në poezinë shqipe përshtypjet e një shijeje të re që edhe sot nuk është konsumuar. Në periudhën e tretë të tij, tek libri Psalme murgu edhe Asdreni do të lëvrojë me sukses tema dhe ikonografi neoklasiciste.
Mitet e romantizmit shqiptar ishin mite të propagandës kombëtare. Ato përgjithësisht, mund të thuash, sapo u shqiptuan, u konsumuan. Në kushtet e pas pavarësisë ishin të pazbatueshme, ndaj u goditën nga përfaqësuesit e frymës kritike. Mjeda, i tërhequr nga politika dhe veprimtaria shoqërore, në thellësitë e botës fshatare, do t’i drejtohej ngulmërisht neoklasicizmit. Klasicimin ndoqi Haxhiademi. Por ky më me pak sukses. Dekoret e dramave të tij ishin (neo)klasike. Sidoqoftë Haxhiademi ishte një eksperiment për të treguar se çfarë është të marrësh një formë e ta shartosh në një kohë tjetër pa kuptuar thelbin dhe filozofinë e artit neoklasik. Megjithatë luksi një arti të tillë, si art në vetvete, nga ana e E Haxhiademit, ishte një gjest i mrekullueshëm, një eksperiment i guximshëm: të krijoje një korpus tragjedish klasike në një letërsi që kishte vetëm poezi dhe poema romantike.
Mitet e romantizmit shqiptar nuk ishin hetim dhe zbulim i gjenisë kombëtare, i Volksgeistit të Herderit, hetim në veçantinë e pastër të miteve të një kombi. Nuk ishin hetim te e pavetëdijshmja e brendashkruar te individët e një kombi, nuk ishin zbulim i së veçantës së papërsëritshme kombëtare që na krijon nga brenda dhe na jep atë origjinalitet, që na bën të dallueshëm nga të tjerët. Mitet e romantizmit shqiptar nuk sillnin ato dije dhe ato vlera kulturore të cilat dhe pse nuk janë objekt i ndonjë shkollimi, dihen nga brendësia jonë, vijnë nga hambarët e së pavetëdijshmes dhe i japin vulën e tyre secilit prej individëve të një kombi.
Ndonse krahasimi mund të duket krejt i pavend, mitet e romantizmit shqiptar, ashtu si dhe mitet e komunizmit, u përpunuan nga qendra diturore diku jashtë një realiteti dhe u imponuan atij për ta transformuar atë; në rastin e parë, si dalje nga një situatë fatkeqe kombëtare, në rastin e dytë, si inspirim për një situatë të re sociale.
Do të duhej puna e shumë shkrimtarëve dhe artistëve të mëvonshëm për të zbuluar mitet dhe arketipat e vërtetë të kombëtarësisë te shqiptarët. Dhe mbetet ende të zbulohet.
Mitet romantike ishin punë profetësh që flasin me shëmbëlltyra, me idole që të tjerët duhet t’i ndjekim, punë profetësh që na thonë çfarë të duam dhe çfarë të urrejmë. Në këtë pikë romantikët qenë të parët që hapën hullinë e frymës kritike. Ata që ishin krijuesit e botës, të traditës, të historisë së bukur, të gjuhës së bukur, të atdheut të bukur, të perëndive, ishin, po ashtu, jo për cilindo traditë. Dhe nuk e dinin se po kjo frymë kritike një ditë do t’i prekte dhe vetë ata. Por për qytetërimin shqiptar fryma kritike është e mbarë dhe e shëndetshme.
Jo çdo traditë e së sotmes vlen edhe për nesër.