Sotir ATHANASI: Se ka ca njerëz (3)
Tregim i jetuar
(PJESA E TRETË)
Shiu që nisi të bjerë vrullshëm e me rrebesh sapo zbritëm nga avioni dhe do t’i hipnim mjetit që priste në fushë, na lagu të gjithëve. Por, çuditërisht, askujt nuk iu duk i bezdisshëm. Aq më pak ngacmues. Dhe kurrsesi të trazohej nga ai rrëmbim i menjëhershëm e ai vrull inatçor.
Kësisoj, i përshkuam ata pak hapa me kokën ulur që të mbroheshim disi.
Ai, personazhi ynë i ri i këtij udhëtimi, por edhe i këtij shkrimi, i vetmi që kishte xhaketë, e hoqi atë për të mbuluar me ngut e një kujdes dukshëm të veçantë e ngrohtësisht shoqen e tij vërsnike. Madje mund të themi se kujdesi i tij për të qe me po atë merak që kishte edhe për dokumentet e tij që të mos i lageshin. Ato ishin futur në një qese plastmasi si ato të marketeve, të cilat i kishte palosur disafish.
Vajza, edhe kjo e mikluar disi si tepër nga ai përkujdes mashkullor, e mbante ende mbi krye setrën, pa e kuptuar se tani nuk qe më e domosdoshme. Ndodheshim brenda në autobus.
Po edhe djali. Vazhdonte më kot ta shtrëngonte si për ta mbrojtur nga ai shi, ndonëse i beftë e tinëzar, i cili s’reshtte së rëni, por… përjashta. Qe diçka që u ra në sy të gjithëve. Ashtu, siç edhe të grishtte ta sodisje këtë idil të bukur baritor. Se gjithçka fliste për një çift të dashuruarish nga krahinat e veriut të vendit tonë.
Më në fund, të dashuruarit e kuptuan dhe sidomos djali, se veprimi në fillesën e tij qe tejet i përkorë e i natyrshëm, tani e kishte humbur domosdoshmërinë. Ndonëse për ne vazhdonte të ndriçonte si diçka tejet e bukur, për ata, jo.
Ai ia hoqi xhaketën nga koka vajzës, por tashmë nuk duhej. Autobusikishtembërritur, ndërsashiuvazhdontetëderdhte shtambat e tij nga qielli. Prandaj të gjithë ne që ndiqnim me kënaqësi pastërtinë e ndjenjave të tyre, njëzëri thirrëm:
– Vi – she!
Hyrja në holl me shpërthim të qeshurash e mbushi atë. Më në fund ato u platitën dhe siç ndodh rëndom në të tilla raste, njerëzit nxitojnë për të vulosur pasaportat sa më shpejt në dritarezat e kontrollit policor. Qëllimi? Të mbërrijnë sa më parë pranë bagazheve.
Gjithsesi, edhe çifti ynë tërheqës, i bukur e i dashuruar ngutej përgjatë hollit, pa i shqitur duart e shtrënguara me njëri-tjetrin. Për ta fluturimi për rreth dy orë nga Tirana kishte kaluar si një vetëtimë e mbase edhe si ky shi i beftë e hokatar…
Pa e kuptuar, u gjendëm përballë një sporteli policor. Përparanesh,çiftii hijshëm.Djali iuafrua me shumë mirësjellje dritarezës, pa harruar t’i thoshte “mirëmëngjes” oficerit. Ky, nga ana e tij, u mjaftua me një tundje koke si me përtesë. Se ishin ende orët e para të ditës.
Oficeri mori dokumentet e tij dhe bëri shfletimin faqe më faqe. Në fillim m’u duk një kontroll rutinë. Por s’qe aspak ashtu.
Një tendosje në rritje vërehej në shikimin e tij shitues. Befas, ngriti kryet tejet i acaruar, si të kishte zbuluar gjurmët e një mashtrimi të madh:
– Nuk më thua?!
– Urdhëroni, zotëri!
Oficeri kishte ulur sërish kryet mbi dokumente për t’u ngritur më me pezm dhe për t’i dhënë zërit një ton më të sertë e më zemërak:
– Nuk më thua? – dhe shtoi përpara se të shtronte se cila qe ajo që do të pyeste: – Mos më ndërprit!
Shqiptari ynë tundi kokën në vend që të thoshte “si urdhëron”, që të mos ia tërthorëzonte ligjërimin.
– Nuk më thua?!? Kur erdhe nga Tirana?
– Sot.
– Dhe kur shkove në Tiranë?
– Sot, – u përgjigj djali: shkurt, prerë, sinqerisht dhe i vendosur.
Oficeri hapi portën pas shpine, hodhi një sy dhe pa sahatin e murit, akrepat e të cilit shënonin orën nëntë të mëngjesit. U kthye drejt dhe e përplasi pas qosheve anësore të kabinës pasaportën e bashkatdhetarit tim. Mua më ngriu gjaku dhe m’u drodh zemra. Shqiptari im nuk lëvizi as qerpikun. Kjo do të thoshte se tërbimi i njeriut të ligjit duhet të qe i pakuptimtë. Kështu mendoja unë. Por jo, dhe oficeri klithi:
– Tha me treleni, o tipos! (Do të më çmendë ky tipi!) Njeriu i shërbimit, siç duket, mbante nën vëzhgim portretin e patrembur të këtij “mashtruesi”, i cili kishte edhe kurajën të thoshte:
– Gaboheni, zotni!
– Lathos?!? – u tërbua ushtaraku.
– Po, zotni! Lathos! – përsëriti me të njëjtin ton shqiptari im. Oficeri, që me vështirësi e përmbante zemëratën, më bëri shenjë të afrohesha dhe shqiptarit tim të mënjanohej pak:
– Flisni greqisht? – më pyet.
– Po, zotni!
– Pasaportën!
Ai bëri kontrollin rutinë, e vulosi dhe si ma dorëzoi atë, tha:
– Pyete patriotin tënd të të shpjegojë kur vajti dhe kur erdhi nga Tirana.
– Me kënaqësi, – i thashë unë. Por ai u kujtua për diçka dhe më tha: – Prit!
Iu kthye sërish djaloshit:
– Mirë. Domethënë pardje që kishte ndeshje ti ishe në Greqi. Kështu?
– Po, zotni! Po jo pardje. Parsidje! Të mërkurën! – korrigjoi djali.
– Stop! – tha oficeri.
Djaloshi im simpatik ndaloi.
Mua atë çast mendja më shkoi pesë a gjashtë dekada më parë. Në psikologji ushtroheshim duke pyetur njëri-tjetrin me dredhira të tilla. Si kjo që kërkonte të bënte oficeri. Ai e kishte nxjerrë përfundimin pa e analizuar thellë problemin. Sipas tij, kemi të bëjmë me një rast të mësimit përmendësh të një gënjeshtre, nga e cila mund ta nxjerrësh të vërtetën duke e ndërprerë gënjeshtarin në rrëfimin e tij me një pyetje jashtë teme. Kjo ngatërron logjikën dhe në rast se kemi të bëjmë me pohime të rreme, gënjeshtra del zbuluar. Prandaj ai doli sërish dhe nxitimthi te pyetja e mëparshme:
– Pra, kur shkove në Tiranë?
– Sot!
– Dhe kur u ktheve nga Tirana?
– Sot, zotni!
Për çudinë e oficerit dhe për kënaqësinë time, djali nuk u ngatërrua aspak.
Njeriu me uniformë e harxhoi edhe fishekun e fundit. Durimin e humbi plotësisht, prandaj m’u drejtua mua:
– Fol shqip me patriotin tënd përpara se të çmendem nga kjo paramilito (përçartje).
Unë kisha bindjen, tanimë, se mendja e oficerit gjetiu rravgonte dhe gjithsesi më bënin çudi përgjigjet e djalit që, në vështrimin e tij të patundur thërrmohej çdo dyshim. Prandaj e pyeta direkt:
– Pa më shpjego, o bir, ku qëndron ngatërresa e keqkuptimi i problemit që një oficer policie nuk po i jep dum? Ku është kundërtia këtu, o djalë? Ai e mori shtruar:
– Jam nga Dukagjini i Mirditës. Më quajnë Nik Prel Nika. Grueja jeme, – dhe më tregoi me dorë shoqen që kishte në krah, – quhet Drane Kolë Nika, dhe ashtë e shkrueme në dokumentet e mia…
– Që do të thotë? – e ndërpreva unë.
– Që don me thanë që kjo nuk mundet me udhëtue e vetme.
– Pse?
– Sepse, veç pasaportës që e ka me vizë të skadueme, për me hi në territorin grek, duhet me kenë edhe unë që kam kartat dhe emni i saj asht i shkruem mirë e bukur, besa, – dhe ai tregoi, me krye letrat që ende i sillte ndër duar njeriu i kufirit.
– Kjo është arsyeja, që në çdo pesë a gjashtë muej mue më duhet të shkoj nga Athina në Rinas. Aty ka dalë ime shoqe e më pret bashkë me babën. E unë…
Ai e ndërpreu rrëfimin se u përcoll pak. Sytë iu përndritën, por kafshoi buzën e poshtme fort sa iu mavijos.
– Vazhdo, Nikë! – i thashë unë. – Vazhdo e mos u ep!
– Çfarë me vazhdue e si me e ndjekë rrjedhën e jetës sonë. Po ashtë e katërta herë, o burr’ i dijshëm që mezi mbërrij të pi nji kafe në atë klubin e Nana Terezës me babën tem. Se druhem mos më len avioni me të cilin erdha dhe duhet me hikë për të mos hup vendin e punës. Ani se ia len në dorë babës cigaren e pështjellun për mue.
Dhe Nika heshti për një çast.
– The se është e katërta herë. Kështu?
– Po.
– Pra je mësuar në njëfarë mënyre.
– Po. Por kësaj here kishte ardhur edhe nana.
– Po. Mandej?
– Atë e mbanin hypur në vig. Brenda në furgon.
– Pse?
– Se asht e paralizume. Por, për çudi, sa më dëgjoi zanin, foli. Foli për Krisht, po të them. “Nikë! – më tha, – ta dush grun’, se ajo më pështoi”.
Dukagjinasi Nikë Prel Nika u përlot. E kush do të mund të qëndronte stoik kur bëhet fjalë për nënën dhe je në emigracion dhe ajo është e paralizuar, mijëra kilometra larg?
Dukagjinasi me shputën e dorës resiti sytë dhe si bëri kryqin, e mblodhi veten nga ai ngashërim i beftë.
Oficeri që e ndiqte rrëfimin e tij me një zemërim çuditërisht të shtalbuar e mjaft të zbutur, tha:
– Çfarë ka. Pse u përlot.
– Do t’jua shpjegoj, zotni! Të jeni i sigurt se në ato që do të dëgjoni ka dramë njerëzore. Aspak jerm. Kurrsesi kllapi.
Këtu do të doja të bëja edhe ndonjë metaforë. Se gjëra të tilla mund të “jetohen” në vetëdijen e njeriut normal e pa halle vetëm në jerm e në kllapi.
Nika ende s’kish përfunduar. Ai me një zë të malluar më tha:
– Zotni! Harrova të them edhe diçka tjetër.
– Po?
– Se unë jam nisë sot herët, në ag të ditës nga Santorini.
– Ashtu?
– Po, zotni! Me avion kam ardh’ në Athinë. Me avion nga Athina në Tiranë dhe që andej mbërritëm së bashku këtu, përmes atij shiu…
– Mirë, Nikë. Po pse shkoni çdo pesë a gjashtë muaj në Tiranë e bëni gjithë këtë odise sfilitëse?
– Sepse grueja jeme rri me mue në Santorini vetëm një javë. Se pastaj e hipi në avion dhe e kthej në Tiranë. Aty del baba dhe e pret. Se ajo duhet t’i shërbejë nanës seme të sëmurë. Unë tunda kokën.
Tashti ishte rasti t’i flisja oficerit për një sakrificë tepër të madhe.
E pse jo. Edhe për një veçim me dhimbje të jetës bashkëshortore në kulmin e saj.
E po t’ia kishte ngenë, mund t’i deklamoja greqisht pjesë nga mitologjia greke. Konkretisht: për Empedoklin dhe filozofinë e tij 500 vjet para Krishtit. Mbi parimin e të kundërtave në dashuri e mbi dashuritë…
Ndërsa mendoja këto, Nika tha:
– Ai ende nuk i ka pa vulat e lëvizjeve të brendshme në Greqi. Se nuk do të mërrehej.
– E ndoshta do të mrekullohej, – plotësova unë.
Ia shkoqita të gjitha oficerit ndërsa ai po shihte përputhjet e fjalëve të mia me vulat në pasaportë. Nga shprehja e fytyrës së tij kuptova se:
Nika kishte dalë nga ai tharku i fëlliqur që e kishte futur fantazia e hulumtuesit të dokumenteve. Më pas, kur fytyra e tij u çel dhe bebëzat e syve ia zmadhuan nga habia, u binda se tanimë ishte zhdukur edhe rrethi i kuq në të cilin oficeri e kishte futur atë.
Ai hodhi edhe një shikim nga ne dhe i vulosi të dyja pasaportat me një gjest triumfues.
Nika i mori ato nxitimthi dhe i futi në qesen e bardhë të marketit për ta palosur disafish.
– Pse ngutesh? Bagazhet s’duhet të kenë mbërritur ende..
– Nuk kam valixhe, zotni.
– Atëherë?
– Shpejtoj të kap avionin për në Santorini, zoti oficer. Tjetri lëshoi një pasthirrmë:
– Po, po! Ç’bëjnë shqiptarët! Panajiamu!
( O SHËN MARIA ime! )
* * *
Nuk do të ishte i plotë ky fluturim.
Po aq i mangët rrëfimi do të qe, sikur të mos shkruaja për këtë dukagjinas që nuk i bëri buzë fatit të tij, por pa u tutur në sy atë e pa.
Please follow and like us: