Albspirit

Media/News/Publishing

Viron Kona: Thesi bosh

 

 

  Tregim

 

                                                              “E shikon ajsbergun,

                                                               një pjesë të vetes tregon,

                                                               provo të zhytesh poshtë tij,

                                                               të fshehtën ia zbulon…”.

                                                                                           Autori

 

1.

Ditë e shtunë. Ende pa u ngritur nga shtrati, ra zilja  e telefonit celular. Ishte xhaxhai  im i moshuar nga Saranda, i cili pas përshëndetjeve të para, më tha:

-Jam  duke ndjekur leximin e shtypit dhe sapo dëgjova spikerin që  lexoi emrin tënd dhe titullin e  një poezie që ke shkruar. Mbase të zgjova nga gjumi se sot e ke ditë pushimi, por desha të ta japë unë i pari këtë lajm, ndaj merre gazetën…

E falënderova xhaxhanë dhe, të them të drejtën, u gëzova që ma  kishin botuar aq shpejt atë poezi. E kisha pasur me merak idenë dhe mesazhin e saj, ndaj isha munduar shumë, prish e ndreq disa herë, derisa kur m`u duk se e “godita” siç duhej, para dy ditëve e dërgova në redaksi. Rezultati: botim i menjëhershëm! U lumturova! Hapa televizorin, por në  ato çaste po lexoheshin gazeta të tjera…Kaluan dhe disa minuta, kur ra përsëri telefoni. E hapa dhe dëgjova një zë të ngrohtë:

-Urime, z. Ledo, urime! Paske shkruar një poezi shumë të bukur sot!

-O faleminderit miku im, e  lexove?

-Sigurisht që e lexova derisa po të uroj, – tha ai tjetri, por kësaj here me një rënie entuziazmi, mbase, ngaqë me mënyrën sesi e pyeta, vura në dyshim  sinqeritetin e  urimit të tij.  “Duhet të jem më i kujdesshëm, – qortova veten, -këta më urojnë, kurse unë u përgjigjem si tutkun!”

Ende pa e mbledhur mirë veten, zilja ra përsëri:

-Urime, urime z. Ledo, ke shkruar një poezi e shkëlqyer! E po, kam thënë unë: ti je poet i vërtetë, je me të ardhme miku im, me të ardhme!

-Faleminderit, faleminderit!

Telefoni matanë u mbyll. Tashmë po ndihesha më mirë dhe gjumi më kishte dalë plotësisht.

Përsëri telefoni:

-Oh, z. Ledo, s`po ta kap dot, duket ke shumë fansa që po të urojnë sot…!

-E paske lexuar, kaq shpejt!?

-Shpejt thua? Me një frymë, vëlla, me një frymë! Urime, urime, ky i sotmi është një gur tjetër i çmuar në gjerdanin e artë të krijimtarisë tënde…!

Përsëri:

-Z. Ledo?

-Po unë jam.

-Eh, dukesh i emocionuar, ndaj s`po të  njohë nga zëri. Dëshiroj të urojë e të përgëzojë, miku im! Një poezi si kjo e sotmja emocionon dhe gurët dhe jo më njeriun…

-Faleminderit, por mbase janë ca të tepërta këto…

-Eh, si gjithnjë modest ti z. Ledo, modest…!

U vesha shpejt e shpejt dhe sapo bëra të dalë nga dera, u hap befas një nga dyert e fqinjëve të katit të njëmbëdhjetë:

-Urimet tona z. Ledo, ke shkruar një poezi të rrallë; ja, kjo është letërsia e vërtetë! – tha ai me dashamirësi.

-Oh, faleminderit shumë! – i thashë, – ja tani po shkoj ta marrë gazetën.

-Po deshe të të japë unë, sapo e mora, kastile  për të lexuar poezinë tënde. Të lutem, pranoje si një dhuratë të vockël nga unë se kam dorën e mbarë…

-Faleminderit, por po shkoj ta marrë vetë, ja, meqë u nisa…, – i thashë, pa dashur ta fyej fqinjin, dhe me mendje vendosa të blija jo një, por pesë copë gazeta. T`i kem, s`dihet se kush m`i kërkon, thashë dhe zbrita shkallët me kërcime dy e nga dy si dikur kur isha djalë i ri. Shpejt u gjenda te kioska e gazetave dhe i zgjata 150 lekë të bëra gati.

-Të  lutem pesë copë gazeta…

-Ah, z. Ledo, po të prisja, por, edhe po të mos kishe ardhur, këtë gazetë me poezinë tënde brilante, do të ta dërgoja në shtëpi. Unë, me leximin e saj e nisa ditën sot, – tha gazetashitësi, duke më parë me dashamirësi. – Ja tek i ke gati z. Ledo, – tha ai dhe shtoi: – E di unë, s`ndalet muza jote, ortek është, ehe, e di unë, e di, ta njoh mirë penën…!

Duke u larguar nga kioska shtrëngova në sqetull katër copë gazeta dhe të pestën zura ta shfletojë. Në faqen e parë, te rubrika e krijimtarisë letrare, atje ku shkruhej poezi, dukej qartë me shkronja kapitale emri im dhe titulli i poezisë që kisha dërguar përpara dy ditëve. Nisa  të kërkojë në faqet ku botohej krijimtaria letrare, por, ngaqë gishtat më dridheshin lehtë, i hapja fletët disi me vështirësi… E kam nga emocioni, thashë dhe vijova shfletimin disi më me ngadalë. I kalova njëherë të gjithë faqet e rubrikës së krijimtarisë por, për fat të keq, nuk e  gjeta dot që herën e parë poezinë time. Nisa përsëri nga faqja e parë e rubrikës dhe deri ku ajo mbyllej, e, përsëri,  poezinë time s`po e gjeja, që s`po e gjeja dot! Si pa kuptuar pashë se ndodhesha te sheshi “Skënderbej”. Po ulem në hijen e ndonjë stoli dhe po i shfletojë faqet më  me nge`, – thashë, – vetëm kështu kam për ta gjetur poezinë, që po më fshihet si gjahu në pyll! U ula në një nga stolat e mermertë, që ndodhej nën një kurorë drurësh  dhe nisa përsëri shfletimin, por tashmë duke i marrë gjërat fare qetësisht dhe me radhë…Isha në  ditë pushimi, kështu që nuk i detyrohesha askujt, ajo ditë ishte e tëra imja dhe mund të bëja çfarë të doja…Shfletoja faqe pas faqeje, si ata pleqtë e ngeshëm që s`lënë fjalë e shkronjë të gazetave pa lexuar dhe thosha me vete se, sapo ta gjeja poezinë, do të nisja ta lexoja me zë, njëlloj si aktorët kur  recitojnë. Ashtu, do t`i ndjeja poezisë ritmin, bukurinë, tingëllimën e çdo fjale, e sidomos, do të ngazëllehesha me hijeshinë e  metaforave, krahasimeve, epiteteve…Por, ndonëse e kërkova poezinë time faqe më faqe e shkronjë më shkronjë, përsëri nuk e gjeta. Me përjashtim të lajmërimit në hyrje të gazetës, që deri ato çaste e kisha lexuar mbase deri në dhjetë herë, tjetër gjë nuk kishte atje me emrin tim. Thashë të verifikoja numrat e faqeve, por, asnjë nuk mungonte, ishin të gjitha atje një mbi një. Nxora një gazetë tjetër nga sqetulla dhe nisa ta shfletojë, por edhe  atje e  njëjta gjë. Faqet ishin plotësisht në rregull, plot lajme, plot artikuj, reportazhe, analiza, fotografi pa fund, tregime, humor, ese, poezi…Vetëm poezia ime nuk shihej gjëkundi!?

 

2.

E mblodha veten dhe po thosha se nuk kishte ndodhur ndonjë gjë e madhe. Thjesht, faqosësi, kishte harruar ta vendoste poezinë time dhe kaq. S`kishte asgjë të qëllimshme, gjëra që ndodhin ose siç u thonë ndryshe “gabime njerëzore”.

Ishte zilja e telefonit që ra përsëri.

-Z. Ledo!?

-Po, unë jam, urdhëroni!

-Ah, më fal z. Ledo, kujtova se i rashë numrit gabim, mu duke ndryshe në  zë. Të mora për të uruar me gjithë zemër…

-Për çfarë po më uroni? – e pyeta qetësisht.

-Si për çfarë? Aha, po e shoh se nuk e paske lexuar ende poezinë që të është botuar. Ke shkruar një mrekulli zoti Ledo, një mrekulli! Vargje me klas, rimë e ritëm të përkryer, pale pastaj ai figuracion i rrallë artistik…eh!

Pak minuta më vonë telefoni ra përsëri e… përsëri. Të tjerë “lexues” të mi të zellshëm, shprehnin konsideratat më të larta për poezinë time, ata ndiheshin plot entuziazëm pas leximit të saj, shihnin tek ajo poezi bukurinë e fjalës,të metaforave me krisma vetëtimash, bukurinë e krahasimeve dhe epiteteve që do t`i kishin zili dhe penat më të shquara…Ndër të tjera, në urimet e tyre më quajtën: “Kalorës të poezisë moderne!”, “Yll në shpërthim”, “Lumë që të rrëmben”…

U meka, u vela me tërë ato lëvdata ndaj, gjatë asaj paraditeje, herë-herë e mbyllja telefonin, por sapo e hapja, shfaqeshin të rreshtuara thirrjet e shumta që kisha humbur. Në telefonin tim s`kishte hapësirë bosh, urime dhe vetëm urime, për një poezi që vetëm sa ishte lajmëruar në faqen e  parë të një gazete, por që për një gabim teknik as që ishte botuar, kurse ata?!

Kisha disa vite që isha bërë drejtor në një nga zyrat e  rëndësishme të bashkisë së qytetit dhe, krahas të tjerave, ishte rritur habitshëm edhe rrethi im shoqëror e miqësor. Shumë nga shokët dhe miqtë e vjetër që, deri atëherë kishin qenë në gjumë letargjik, ishin zgjuar papritmas dhe gumëzhinin pareshtur rreth e qark meje, duke më sjellë në kujtesë episode dhe ngjarje të fëmijërisë, të gjimnazit, të universitetit… e, ku unë dilja që kisha qenë  gjithnjë në qendër… Ata afroheshin tek unë, herë me telefonata, me mesazhe dhe urime në  face book, në istagram, në e-mal…, apo dhe duke pirë me mua ndonjë kafe në lokalet e shtrenjta të kryeqytetit…Gjithë ato kohë isha ndjerë i rëndësishëm, i përkëdhelur në sedër  dhe me të ardhme, por, gjatë atij mëngjesi, kush e  di pse s`po ndihesha mirë…Befas, një drithërimë e thellë më përshkoi të gjithë trupin!

-Çfarë, – thashë me vete, – për shkak se jam drejtor, këta njerëz më kanë  mbuluar me lajka muaj e vite me radhë: edhe për librat me tregime dhe me poezi, për novelat dhe romanet që kam shkruar e botuar…! Më kanë lavdëruar kot, pa lexuar asgjë nga unë, vetëm e vetëm se ua ka dashur interesi të më bënin qejfin, vetëm për ta mbajtur mirë me mua, mbase që, në këmbim të atyre lajkave, të nxirrnin ndonjë përfitim… Djersë të ftohta më kishin mbuluar të gjithë trupin, teksa më bëhej se një tufë grerëzash më ishin sulur dhe s`më linin asnjë çast të qetë me zukatjet dhe thumbat e tyre të mprehtë…

 

3.

Zilja e celularit po binte pa pushim. Nga nervozizmi që më kishte përfshirë s`desha ta hapja, ndjeja dëshirën ta vërvitja tej aparatin tim të shtrenjtë, por telefonata që po binte  ishte tepër këmbëngulëse…

E hapa. Ishte përsëri xhaxhai i moshuar nga Saranda.

-Nuk po kuptoj, – nisi ai, – lajmërohet poezia në faqen e parë të gazetës dhe brenda s`gjej asgjë. Më erdhi keq se të ngrita mendjen që me mëngjes! Unë  sot paradite s`dola dot, por gazetën shkoi e ma bleu mbesa, ajo çamarrokja që sapo ka mbaruar klasën e dytë. I thashë të ma lexonte poezinë tënde, por ajo e kërkoi e kërkoi sa u lodh dhe më në fund më tha:

-Po këtu nuk qenka poezia e xhaxhi Ledos, o gjysh!?

-Shikoje mirë se aty është! – i bërtita se, e di që ajo bën edhe ndonjë marifet për të më ngacmuar.

-E kam me gjithë mend, o gjysh! Vetëm në faqen e parë është emrin i tij dhe titulli i poezisë, por gazeta brenda nuk e ka atë poezi…

-Domethënë në atë gazetë ndodhet “thesi” i nipçes tim, po  është bosh, pa asnjë gram miell, kështu?

-Po, o gjysh, “thesi bosh, pa asnjë gram miell!” – përsëriti duke qeshur ajo shejtanka…Po, e di çfarë ke ti nipçe, u thuaj atyre të redaksisë të jenë më të kujdesshëm, ose, lëre fare, po u them unë vetë se ti edhe mund të nxehesh …

 

 

 

Please follow and like us: