Yzedin Hima: Miti i lirisë në poezinë e Havzi Nelës
“Por në të gjitha rrethanat e jetës, në harresë apo në famë të përkohshme, i lidhur në hekurat e tiranisë apo përkohësisht i lirë për t’u shprehur, shkrimtari mund të përfitojë zemrat e bashkësisë së gjallë që do ta arsyetojë atë, me një kusht që ai të pranojë deri në kufirin e aftësive të tij dy detyrat që përbëjnë madhështinë e zanatit të tij: shërbimin ndaj së vërtetës dhe shërbimin ndaj lirisë.”- Albert Camus.
Kur lexojmë tekstet e poetit martir Havzi Nela shohim se shërbimi ndaj së vërtetës dhe shërbimi ndaj lirisë, dy detyrat e shkrimtarit për të cilat flet fituesi i Çmimit “Nobel” në letërsi Albert Camus, janë plotësuar më së miri nga poeti, madje në kushtet më ekstreme për të cilat flet ai: “i lidhur në hekurat e tiranisë”.
Poeti Havzi Nela kreu shërbimin ndaj të vërtetës dhe shërbimin ndaj lirisë, në një vend ku e vërteta dhe liria mungonin krejtësisht dhe shërbimi ndaj tyre paguhej me çmimin e jetës, çmim të cilin e pagoi edhe Havzi Nela. Për poetin e vërteta dhe liria qenë mit. Kur e pa se e vërteta dhe liria nën diktaturë nuk ekzistonin, poeti u arratis nga vendi. Pas rikthimit, arratisjen nga burgu i madh do ta vuante në burgun e burgut për vite e vite të tëra, derisa shteti e vari në 10 gusht 1988 në qendër të qytetit të Kukësit. Havzi Nela krijoi poezi në burg e internim: “Të gjitha këto që shkrova deri këtu, me vjet të tana kanë qëndrue në tru dhe duke i përsëritë me vetveten, me kokë nën jorgan, ose në vende ku isha ma i vetmuem, kam mundë me i ruejtë në kujtesë. Gati gjysma janë krijue me mend, pa përdorë laps dhe janë rimue me anë të gishtave…” – shkruan poeti në dorëshkrimin që i dorëzoi të vëllait.
Tekstet poetikë të Havzi Nelës janë të qartë, të thjeshtë, me ndikim të fortë nga poetika popullore e veriut dhe e poetëve të Rilindjes sonë. Revolta e unit poetik në ndonjë tekst është rrjedhojë e mendjes së tij të lirë, të natyrshme, ku nuk është mbjellë asnjë ide e durimit, e sakrificës, e vuajtjes si provë nga Hyji. Në tekstin e poezisë “Në qelit’ e burgut” liria është e pranishme vetëm si mungesë: pa ajër, pa dritë, dit’ e net i mbyllun si zogu në kuvli”,
Krahas ndëshkimit shpirtëror në burg nuk mungon as ndëshkimi trupor, uria dhe të ftohtit, ndëshkime që në botën e lirë qenë lënë mënjanë edhe kundër atyre që kishin kryer krime:
“Unshëm ulem ha, ma unshëm kur çohem”;
…Për shtrojë e mbulojë me tri batani!
Batani të vjetra, as njena as tjetra,
Gjith pluhun e llum, janë ma trashë se letra.
Poeti e ndjen fort mungesën e lirisë, e vuan shpirtërisht. Vetëm mëndja e tij është e lirë të dalë nga qelia dhe të shkojë atje ku dëshiron:
Mendja m’arratiset, shpërndahet si retë,
Po merr fushat, malet, ikë më le mue t’zinë
Fluturon e s’ndalet, s’e duron robninë.
Ndonëse poeti e pësoi për shkak të arratisjes, uni poetik në tekstet e tij sërish me mendje e kryen këtë akt si sfidë ndaj dhunës, ndaj atyre që i kanë marrë lirinë e trupit, por jo të mendjes.
Në tekstet e Havzi Nelës shpresa se liria do të vijë është e padyshimtë. Për unin poetik ky akt është thjesht një hapje dere:
Me durim përgjoj kur do t’ma hapin derën,
Po e pres lirinë si zogu pranverën!
Në një tekst të shkruar në internim, afër fundit të jetës së tij, poeti jetën pa liri e përçmon, nuk e quan jetë njeriu, por thjesht gjallim pa kuptim:
Pse t’më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?
Veç me përtypë bukën, me u rropatë si kalë?
Pa nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie…
Kur themi se për Havzi Nelën liria qe një mit kemi parasysh se gjendjen që përjetonte poeti, e përjetonin shumë e shumë bashkëkombas të tij, të cilët heshtën të pashpresë, pranuan me përtypë bukën, ndërsa poeti nuk e pranoi këtë gjendje, as në burgun e madh, as në burgun e burgut. Uni poetik te tekstet e Havzi Nelës nuk pajtohet me një gjendje të ndërmjetme. Kjo duket qartë në poezinë “O liri, o vdekje”, ku nuk ka aleternativë tjetër veç lirisë dhe, nëse ajo mungon, mbetet vetëm vdekja:
Me durim e shpresë nuk due të vdes
Si jeta dhe vdekja duhen meritue.
Vargu “Si jeta dhe vdekja duhen meritue” shpjegon më së miri karakterin burrëror të poetit Havzi Nela. Ai nuk bëri asnjë kompromis me të keqen, pikërisht sepse nuk do të ishte i denjë për ta jetuar jetën me meritë, sikurse ai beson. Brenda një vargu kemi dy mësime tejet të rëndësishme: “Si jeta dhe vdekja duhen meritue.” Njeriu edhe kur vdes, duhet të vdesë me nder. Duhet ta meritojë vdekjen e tij. Të vdesë si njeri. Të vdesë për një çështje apo arsye të madhe, siç është liria. Krahas mitizimit të lirisë në këtë varg takojmë edhe mitizimin e vdekjes..
Ndonëse poeti qe një adhurues i lirisë, e dënuan me robëri. Poeti nuk i ndau lirinë nga e vërteta. Ai mendonte se pa të vërtetën nuk ka liri. Po kur artikulimi i së vërtetës dënohet me ligj, atëherë, në fakt, është dënuar liria:
Ma hoqën përgjithmonë, të shtrenjtën, lirinë,
M’i hoqën të gjitha, kot kam mbetë gjallë
Shtëpinë ma rrënuen, nuse më dhanë robninë
Më lanë pa vajzë e djalë, më lanë të qaj me mall.
Krahas mitit të lirisë në tekstet e Havzi Nelës ndeshet edhe destruksioni i mitit të jetës së lumtur në fshatin socialist, mjaft i pranishëm në tekstet e letërisë së socrealizmit. Sërish vijmë te artikulimi i së vërtetës, që për poetin kishte vlerat e lirisë. Përderisa ai adhuron lirinë , adhuron edhe të vërtetën:
Këputesh, dërmohesh, tan ditën e gjatë,
Pesë lekë t’paguejnë, “Kaq”,- thonë, – “jepka vendi”.
Burrat morën malin, në parcela gratë,
Punojnë e robtohen vetëm për bukë thatë.
Ky tekst është shkruar në vitin 1987.
Mitizimi i lirisë kryqëzohet me mitin e metamorfozës në një tekst të Havzi Nelës, ku uni poetik gati e parandjen ikjen nga kjo botë e dhunshme. Ai është gati të shndërrohet në bar, plis se sa të jetojë si njeri i përbuzur, pa liri. Nuk e parashikoi shndërrimin e tij në një shtyllë elektrike ( në një gropë të tillë e hodhën trupin e tij, pas varjes ):
Ma mirë plis, lëndin’ a fush’
Ma mirë bar, kullotë bagëtie,
Ma mirë mos me m’njohë kërkush
Kur zuzarin kam mbi krye!
Poeti në tekstet e tij e ndjeu largimin e parakohëshëm nga kjo jetë, madje edhe gjestin çnjerëzor të diktaturës, të fshehjes së varrit të kundërshtarit: Kur të pyesni:
“Ku e ka vorrin?”,
Kur t’kërkoni me ma gjetë,
Thoni: “Ai urreu mizorin”,
Thoni: “Dheu s’ka me tretë.
Havzi Nela, poeti disident, nuk reshti së kërkuari lirinë:
Thoni: “Desh, kërkoi lirinë,
Si skifter në fluturim…