Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Gjika: E qeshura e tezes

 

 

Tregim

 

Dy ditë para Pashkës vdiq dhe u varros burri i tezes sime. Nuk kishte asnjë lidhje me të Premten e Madhe e as me Jezusin. Ai thjesht vdiq të enjten.

Isha i panjohur në gjithë atë grumbull  njerëzish, të atij fshati të largët. M’u ngulitën menjëherë në tru kokat e zymta të grave. Nuk e di pse kishte aq shumë gra para dhe pas trupit të të vdekurit që e preka lehtë në ballë. Ato rrinin mbi ca stola të gjatë të vendosur në radhë siç ishin dikur sallat e kinemave. Të gjitha rrinin si të ngrira, rrethuar kokat me ato shami të zeza lidhur fort në tëmtha. Nuk ia kisha fare idenë se çfarë mund të mendonin, të shkonin nëpër mend apo si vuanin realisht ato të shkreta. Por ishin shumë gra, shumë.

Rrinin pa lëvizur, të heshtura, krejt si ushtarët prej balte në varret e perandorëve të hershëm kinezë. Trazoheshin paksa veç kur kalonte ndonjë mortor i porsambërritur. Në varësi të vlerësimit që i bëhej këtij mortori, vajtimoret ia merrnin avazit të vajit duke renditur një e nga një gjithë dertet e të vdekurit që nuk mëkatonin politikën apo qeverinë.

Disa nga gratë lëkundeshin tek përcillnin pjesë nga vaji, fshinin sytë me shami ose bënin gjoja thanin lotët e tyre. Në të vërtetë zakonet u kishin lënë atyre barrën më të rëndë; gratë duhej të ruanin kufomën nga dita e vdekjes deri sa të ngrihej për në varreza të nesërmen. Ata e kishin gjithë kohën mu aty, para syve, pamja e të cilit nuk kishe shanse të shmangej për asnjë çast.

I vdekuri duhej ta kalonte natën e fundit në shtëpi dhe burri i tezes sime nuk e kishte pasur kurrë një fat të tillë, për të qenë i rrethuar nga aq shumë femra në gjithë jetën e vet. Kish punuar në miniera dhe shansi i kish lejuar të ngopte syrin e ndukte vetëm tezen time. Edhe kur doli në pension silikoza ia kishte prerë ditët shkurt…

Hej, o punë hej… gjithë ai kësoll se pse më shëmbëllente me mbledhjet e gjëra popullore që organizoheshin për të demaskuar ose dënuar ndonjë që ia kishte ‘dredhur’ sistemit komunist. Po ajo heshtje, po ai trazim dhimbjeje e hipokrizie, që kurrsesi nuk mund të shoqërohej me entuziazëm apo qëndrim të lirë sipas përjetimit shpirtëror që e përcillte gjithsecili. Ato do të shpreheshin veç mënjanë, vesh më vesh, apo në biseda intime me miq tepër të besuar.

Pasi piva kafenë turke, e përgatitur që me kohë, mbështeta filxhanin në tavolinë e lashë ato dy paro lekë. Ndërkohë u vura në dilemë nëse duheshin vënë sipër apo poshtë filxhanit. Nuk e dija se ç’kuptim kishte. Mos vallë vendosja përsipër simbolizonte gëzim e poshtë filxhanit shprehte hidhërim, rëndesë…

Shikova rreth e rrotull, por nuk kishte të tjerë nga të njihja modelin e saktë. Atë kohë u afrua një burrë që mbante një fletore dhe një laps në dorë e më pyeti për emrin se shumën e lekëve që kisha lëshuar për kryet shëndosh, e kishte regjistruar me të nxjerrë dorën nga xhepi.

“Pashë zotin lëreni atë fletore…”.

“Jo, – kundërshtoi një burrë i moshuar që mbikëqyrte ecurinë e mortjes,- është respekti për të vdekurin, e ai respekt nuk duhet harruar kurrë”.

“Po është kaq fals e i neveritshëm sa nuk i gjendet krahasimi…”. E kisha mu në grykë ta thosha, por më stepi mbikëqyrësi i mortjes. Ishte imponues si nga zëri ashtu edhe nga ngrysja e fytyrës. E kuptova që nuk ia vlente të ndalesha në detaje, apo paqartësi që më vinin e iknin nxitimthi pa asnjë dobi.

Ndeja edhe ndonjë gjysmë ore si fyell, deri sa hynë burra të tjerë e në atë shkak dola jashtë. U habita edhe një herë për ata njerëz të shumtë që pëshpëritnin nën zë e dukeshin pa përjashtim të pikëlluar… U shtyva si të isha një çok që rrokulliset e ngecet bri një grumbulli gurësh. Pas pak e kuptova se nuk ishin krejt trushkulur. Në të vërtetë ata po qanin më tepër hallet dhe gjendjen e tyre të pa shpresë, sesa fatin e burrit të tezes sime.

“Si erdhi kjo punë kështu”? “Fukarallëku po na fur, si të ishim dhi e lidhur buzë greminës ku na tund era një rrem gjethi para hundës”. Ajo pyetje e ai ankim ishin si ato që të përvuajturit  i drejtohen perëndisë, pasi mendjet dhe shpresat njerëzore nuk kanë asnjë shans t’i japin ndonjë përgjigje. E keqja ishte se kësaj radhe as qeveria nuk kishte mundur të sillte ndonjë argument se ai mjerim ishte pasojë e armikut të brendshëm apo të jashtëm, e drejtuesve të pa aftë apo të pa informuar në rreth e në qendër…

Ishte pikërisht kjo heshtje hezituese që e kishte bërë krejt të murrme këtë vuajtje, ndryshe nga ato të tjerat që kishin hedhur me entuziazëm pas zbulimit e dërrmimit të ndonjë grupi armiqësor e sabotator që i paskeshin pasur rrënjët deri te kolektivi i tyre…

“Maskarenjtë mjeranë, nuk ishin dakord ata me partinë, me rendin, rregullin, me komunizmin fitimtar”! “Mirë t’iu bëhet, mos e nxjerrshin kokën shëndosh as nga burgu e as nga internimi”!

Tek rrokotesha me mendimet e mia koti, që nuk mund ta fitonin ngjalljen e tyre kurrën e kurrës, më shfaqet mu në turi tezja ime. Sa e kisha dashur këtë grua, motrën e vogël të nënës, të urtën, të butën e të dhembshurën teze… Tek e ngushëlloje, tek e shihja drejt e në sytë e saj, si kafe e djegur, në grumbullin e dhimbjes që e kishte mbledhur e bërë sa një grusht, mbeta shtangur se ajo po qeshte. E vetmja e qeshur në gjithë atë mortje. “Tanë jetën vuajtje e sakrifica e pat i shkreti… Gjithë kohën larg familjes, larg fëmijëve… Plot e ka dhomën me fletëlavdërimi e diploma…”. Buzëqeshi dhe një çurg lotësh i rrodhi si një strehë jerevie. Ktheu anash dhe i fshiu me mollëzat e gishtave të mëdhenj gjithë plasaritje. “E zeza unë, nuk gjeti njëherë rahat… Ani se nuk arriti ta ngrinte shtëpinë, po së paku të pushonte një lejë si njeri, në një plazh…”. Qeshi, u zgërdhi e u stërmundua të mbante veten, sa më bëri ta kapja në bërryla e t’i lutesha me gjithë zemër: “Po qaj, moj teze, qaj! Dhimbje kalon me lot…”.

“Do të kem vak boll, o nipash, sot ka kush qan…”.

Please follow and like us: