Jani Malo: TEJ GARDHIT OSE HISTORIVE ME TË SËMURË MENDORË
Ngjarja makabre e ndodhur në Resulaj të Vlorës na u servir si histori brenda gardhit të një fisi dhe, në shumë media, si vepër e një truri të sëmurë.
Njerëzimi, që në krijimin e botës, i ka të panumërta histori të tilla, siç ka edhe një listë të pambarimtë mendjesh të sëmura e kriminelësh gjakftohtë.
Nuk është vendi të merremi me historinë e botës, por ama duhet patjetër ta hedhim vështrimin tej gardhit të një fisi. Sepse tej fisit fatkeq Zykaj, tej fshatit fatkeq Resulaj, tej qytetit fatkeq të Selenicës, tej qarkut fatkeq të Vlorës, është një fatkeqe edhe më e madhe, një fatkeqe shekullore: Shqipëria.
Shikoni fjalët që përmenden thuajse në të gjitha kronikat për masakrën: Pronë, armë, drogë.
Është një ligj për pronën në Shqipëri, ligji 7501, që ka afërsisht moshën e vrasësit nga Resulaj, por që, si një kriminel gjakftohtë, ka vrarë dhe vret përditë, sigurisht shumë më tepër se 8 vetë. Dhe mbetet një kriminel i lirë dhe i pandëshkuar.
Në fakt vrasësi i vërtetë nuk është ligji. Janë Ata që e bënë dhe Këta që e mbajnë akoma. A nuk është ky një krim për të cilin Ata-Këta duhet të ndëshkohen? A nuk bënë krim Ata-Këta edhe me juristët e plepave, edhe me paratë e piramidave, edhe me armët e ’97, edhe me diplomat falso të tipit “kristal’, edhe me betonizimin e gjithçkaje, edhe me vjedhjen e pronave, edhe me vrasjen e të pafajshmëve, edhe me korrupsionin galopant, edhe me babazinë e tenderave, edhe me papunësinë, edhe me drogën, edhe me … Dhe lista e krimeve të Tyre nuk ka të mbaruar.
Natyrisht asnjë nga këto krime nuk e bëra Unë, nuk e bëre Ti. Pra nuk e bëmë as Ne. Por Ne heshtëm kur Ata-Këta bënin dhe bëjnë akoma krimim e tyre të përditshëm, brenda gardhit të fisit tonë të madh me emrin shoqëri shqiptare.
Dhe Ne vazhdojmë të heshtim.
Prandaj ky është edhe krimi Im, edhe krimi Yt, edhe krimi Ynë.
Po ndërsa as për Ata e as për Këta ndëshkimi nuk paska të filluar, Ne për këtë po ndëshkohemi.
Po le të kthehemi tek autori i masakrës në Resulaj. Ai është një 24 vjeçar. Nuk është e vështrirë të kujtosh çfarë ëndërronin shqiptarët kur ka lindur ai. Edhe më e lehtë është të konstatosh se çfarë arritën në këta 24 vjet.
Nuk di ç’mund të ketë në trurin e një të riu të sëmurë, por është e tmerrshme të mendosh se në trurin normal të shumë e shumë bashkëmoshatarëve të tij gjen vetëm zbrazëti e dëshpërim.
Është e tmerrshme të mendosh se një tru i sëmurë e ka patur dhe e ka këtu, brenda këtij gardhi ku gëlon krimi, habitatin e vet, ndërsa njerëzit normalë, veçanërisht të rinjtë, po i largohen përditë e më shumë këtij vendi fatkeq.
Tronditëse!
Larg gardhit të masakrës.