Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Planet subjektore dhe kohore në disa romane të Kadaresë

 

Te korpusi masiv i romaneve të Kadaresë vërejmë se çdo vepër ka një subjekt të dukshëm qartë, subjekti i jashtëm siç mund ta quajmë, dhe, përtej tij, a në themel të tij fshihet ai që është subjekti i vërtetë i romanit. Kjo cilësi e letërsisë së mirë mund të jetë e pranishme edhe në një poezi, ta zëmë në një poezi të tillë si ‘Mbarim vjeshte’ e Lasgush Poradecit. Në pamje të parë edhe nga vetë titulli i kësaj poezie ngjan se kemi të bëjmë me një pejsazh nga natyra. Në të vërtetë, siç e ka vërejtur dhe kritika (S. Hamiti), subjekti i vërtetë i saj është mërgimi, arratia e bukurisë dhe e fisnikërisë nga jeta dhe nga përditëshmëria.

Në një roman, për më tepër, një cilësi e tillë si dallimi i subjektit të vërtetë nga ai formal nuk është aq lehtë i rrokshëm. Kjo duket sidomos  kur veprat e këtyre shkrimtarëve, pra dhe të Kadaresë, ekranizohen. Kineastët e cekët, duke ndjekur rrjedhën e subjektit formal, mbeten në sipërfaqe dhe e humbasin a i largohen pandreqshëm thelbit të veprës. Një procedim i tillë krijues, shtresëzimi shumësubjektor në një vepër, te Kadareja, si dhe te shumë shkrimtarë të shekullit të njëzetë, është në gjithë vazhdën e krijimtarisë së tyre.

Sekreti i veprës, i realizuar nga këta shkrimtarë qoftë dhe me intuitë, qëndron te loja e dy e më shumë planeve subjektore, tek të shkruarit njëkohësisht për dy gjëra tek e njëjta vepër. Kështu, fërkimi i dy të vërtetave e mban ngrehur vëmendjen dhe i jep artit atë tension “që të mbërthen”, atë që nëpërmjet subjektit të dukshëm ndërtohet dhe ndriçohet subjekti i  brendshëm, subjekti i vërtetë. Kjo lejon ambiguiditetin dhe qartësinë, atë që dy planet mund t’i lexosh veçmas, por edhe bashkë. Kështu nga kritika jonë e deridjeshme tek Kadareja u lexua e dukshmja në veprat e tij.

Kritika e vendeve ku u përkthyen romanet e tij, lexoi më shumë në të padukshmen e tyre. Mbase për shkak të dy a më shumë leximeve, të ndryshme për të njëjtën vepër, ai ishte njëherësh i vlerësuar dhe i pranueshëm për kohën në Shqipëri, po dhe jashtë saj. Megjithëse nganjëherë në Shqipëri vlerësohej për të kundërtën e asaj që pëlqehej në anën tjetër.

Ftohtësia, vetëpërmbajtja, përlargësia e shkrimtarit ndaj të dy planeve subjektore çojnë tek ajo që ai i zbulon domethëniet e veta e njëherazi i përplas ato, pa marrë pjesë, pa u dukur nga mban anë.

Po e tillë është dhe loja me kohën në romanet e tij. Shkruhet për një kohë të shkuar, por në të vërtetë gjithmonë mbahet në mëndje e sotmja, koha në të cilën jeton  autorit. Nga ky fërkim kohësh, i së djeshmes me të sotmen, vjen projektimi në një kohë të përjetshme, të pafundme. Të shkruarit në këtë mënyrë, thotë amerikani Wallas Stivens te eseja “Elementi irracional në poezi”, është akt shënjtërimi. Kjo do të thotë t’i bësh rezistencë presionit shkatërrues të bashkëkohores. Presion bashkëkohor shkatërrues mund të jetë më i dhunshëm, skajshmërisht më i dhunshëm nën diktatura, por nuk është se mungon në cilëndo kohë a në cilindo vend tjetër në botë.

Në kohën kur u shkrua romani “Kështiella”, në Shqipëri flitej e shkruhej me shkronja të mëdha në çdo mur: “T’i shkulim me zjarr dhe me hekur mbeturinat e së kaluarës”. Qytetërimi shqiptar tradicional, edhe pse kishte mbi 20 vjet nën komunizëm, prapë vazhdonte t’i bënte rezistencë komunizmit. “Revolucionarizimi”  me “Letrën e hapur të Komitetit Qendror”, më 1966, donin të zhduknin ç’kish mbetur prej thellësive të këtij qytetërimi. Po u shpallej luftë jo vetëm armiqve fizikë, por luftë deri në çrrënjosje kulturës së lashtë, atyre që atëhere quheshin “mbeturinave” të së kaluarës. Përfshi këtu dhe kishat e xhamitë. Njerëzorja, tradicionalja duhet të zëvendësoheshin nga e dhunshmja, nga gjoja revolucionarja. Kadareja do të ndërmerrte detyrën për ta ruajtur në letërsi këtë Shqipëri të përjetshme, njerëzoren e përjetshme.

Personazhet e këtij romani, personazhe të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, mund t’i identifikoje lehtësisht me shumë nga ata që ishin miqtë e shkrimtarit, me disa nga inxhinierët dhe ekonomistët e Kombinatit të Tekstileve në Berat. Të mbledhur gati çdo ditë në shtabin e drejtorit të përgjithshëm (kryepashait), këta inxhinierë dhe ekonomistë viheshin në darën e luftës së “të fortëve me të butët” (të specialistëve me komunistët, të intelektualëve me punëtorët e partisë). Këta intelektualë më pas, kur u botua romani, në intimitet do t’i flisnin njëri-tjetrit me emrat e personazheve të Kështjellës: Saruxha, Kryeveqilharxh, na ka thirrur kryepashai etj. Mjaftonte kaq, dhe me një nofkë, thënë ashtu si patëkeq shokut në krah, për të kuptuar që Kështiella nuk fliste vetëm për shekullin e  Skënderbeut, as për luftën e komunistëve shqiptarë me hrushovianët e Moskës.

Letërsia e kishte bërë punën. U kishte dhënë njerëzve që kuptonin, një domethënie mbi veten dhe kohën, madje dhe atë që ata të talleshin heshturaz me kohën, u kishte dhënë atë që U. Eco e quan ironia intelektuale.

Shtresëzimi subjektor dhe tematik i romanit Kështjella ishte i trefishtë: në qendër është rezistenca e qytetërimeve, e kulturave, ndaj pushtimeve. Pushtimi është jo të fitosh një betejë, por që të marrësh kështiellën, pra, t’i tjetërsosh si kulturë të pushtuarit. Kritika e kohës lexoi te romani subjektin formal, luftën e otomanëve me shqiptarët dhe “aktualizimin” e historisë, përplasjen e komunistëve shqiptarë me hrushovianët. Por jo dhe atë që kultura shqiptare, e ndeshur historikisht me shumë pushtime, do t’i rezistonte edhe “zjarrit e hekurit” komunist. Pra, koha e parë është lufta e shekullit të 16-të, kjo përbën bazën e subjektit formal, koha e dytë, refleksi i një ndeshjeje ideologjike me hrushovizmin, koha e tretë, ishte ajo më e thella dhe e përjetshmja, kjo përbënte subjektin e vërtetë: kulturat dinë t’i kundërvihen tjetërsimit, deformimit. Mesazhi është universal: duhet t’i kundërvihesh një kohe që shkatërron jo vetën të tashmen, por edhe të ardhmen.

A nuk është e një natyre të tillë dhe kronika e murgut Gjorg (e Kadaresë) te Ura me tri harqe? Ndeshja e lumorëve me malorët, e gurit me ujin, e urës me lumin, të ngjan si një rropamë që vjen nga shekujt e së shkuarës. Por romani sjell një dëshmi për atë se mbi  deformimin e një miti, e një kulture, e një identiteti, hidhet ura e një pushtimi të ri. “E keqja erdhi nga Lindja”,  “Ç’do të bëhet me ty, Arbëri im?”. Ndeshja e ujorëve me tokësorët do të thoje se e arratis veprën në trojet e simbolikes. Ndeshja e despotizmit oriental (e qytetërimit lumor) me qytëtërimin perëndimor (me tokësorët), hedhje e një ure prej lindorëve mbi trojet shqiptare me të tri harqet e saj (bizantinët, otomanët, sovjetikët e Moskës) të çon te një sintezë e historisë sonë, te ajo që Lindja ka sjellë vetëm fatkeqësi dhe largim nga progresi dhe nga identiteti ynë europian.

“Prilli i thyer” është një roman që i pranon të dyja leximet: edhe atë të një afresku mbi jetën e malësive shqiptare nën ligjet e Kanunit, edhe atë të udhëtimit mespërmes një strukture totalitare që shkatërron e vret njerëzit e saj. Marrë në kontekstin kur e shkroi, për atë që shqiptarët të vënë nën “qahajanë e gjakut”, duhet që të paguanin “taksën e gjakut”, për atë që bota ishte e ndarë më dysh, në njërën anë bota e ashpër,  puritane e kanunit dhe, në anën tjetër, bota “e prishur” nga liria, për disa si ne, që vijmë nga diktatura, nga vrasje e njeriut për hir të ca dogmave të ngritura në sistem, është e qartë se për çfarë flitet në këtë roman. Por edhe ata që e lexojnë atë si një roman mbi kanunin kanë të drejtë ta lexojnë si të tillë. Vrasësi i prefektit të Korsikës në vitin 2004, i arratisur në male për t’i shpëtuar ndëshkimit të ligjit, e lexonte këtë vepër, duke medituar me hidhërim mbi vrasjen dhe gjakmarrjen.

Kinoregjizori nga Amerika Latine që e ekranizoi veprën, përcolli mesazhin se njerëzit duhet t’i zgjedhin konfliktet midis tyre me marrëveshje, jo me rrugën e gjakut. Shkrimtari Kadare përtej subjektit të dukshëm “shqiptar”, ka ngjeshur në veprën e tij një lëndë të tillë që ende e shqetëson ndërgjegjen njerëzore: irracionaliteti është shkatërrues për njeriun dhe kjo e keqe universale nuk po i ndahet njerëzimit. Aq më tepër kur ky irracionalitet vepron si strukturë kompakte totalitare, i mbështetur mbi nene e kode juridike.

Kjo teknikë e të shkruarit me dy e më shumë plane shtresore dhe kohore në një vepër është tipike për shumë prej romaneve të tij më të mirë. Kjo ka qenë dhe një nga karakteristikat më themelore të të gjithë prozës dhe poezisë së madhe moderne në të gjithë botën.

Arti i mund kohët dhe ngrihet përmbi kohët – në një farë mënyre arti e krijon kohën, madje ai dhe e ndal, e fikson kohën. Impulset e artit i përshkojnë tej për tej shkëmbinjtë e frikshëm kufizues të botës dhe të kronologjisë. Në artin e madh nuk ka kohë para Krishtit dhe kohë mbas Krishtit, ka kthim te qendra, te përjetësia e fillimit të kohëve, te zanafilla e jetëve, te njeriu. Nuk ka kohë teologjike, ideologjike, kohë e Luftës së Ftohtë e pas Luftës së Ftohtë… ngricë botërore, e prerë mes për mes me mure, me raketa e ushtarë… Ka kohë të njeriut, vetëm të njeriut.

Please follow and like us: