Albspirit

Media/News/Publishing

Agron TUFA: Një libër i hapur për terrorin e komunizmit shqiptar

 

 

 

1.

Në vitin 1997 një grup studiuesish, shkencëtarësh e politologësh, të kryesuar nga Stephane Courtois dhe Nikolas Werth1) botuan të parin bilanc studimor që përmbledh një panoramë të gjerë të krimeve të komunizmit përgjatë shekullit XX në ato vende ku ideologjia komuniste u praktikua si sistem totalitar qeverisje. Studimi panoramik i botuar me titullin “Libri i zi i komunizmit” jep një peizazh përshkrimor e statistikor me specifikat e terrorit komunist sipas “kulturave” nacionale, që patën fatin e trishtuar të vuanin nën dhunën shtetërore, kryesisht të vendeve të Europës Qendrore, Lindore dhe Jug-Lindore. Bilanci që ofrojnë studiuesit për aq sa zgjatën regjimet komuniste në këto vende, vetëm sa u përket të vrarëve, d.m.th., numrit të qytetarëve të pushkatuar si kundërshtarë, shkon në 100 milionë viktima! Këtu nuk hyjnë në llogari as burgimet, as dëbim-internimet e as format e tjera të shtypjes e represionit. Mirëpo në këtë libër voluminoz me mbi 1000 faqe, që përshkruan gjysmën dramatike të shekullit XX  sipas shteteve që vuajtën ideologjinë komuniste nuk përfshihet në asnjë statistikë Shqipëria! Si duket Shqipëria e hermetizuar me terrorin e vet, edhe pse formalisht e kishte rrëzuar sistemin komunist, vazhdonte të mbetej një planet i padepërtueshëm prej të huajve.

Shqipëria e shushatur dhe e shtangur nga pesha dërrmuese e dhunës verbale e irracionale vazhdonte të mbetej “pa gojë”. Sepse, njëmend, përmasa e fatkeqësisë është aq e madhe, sa goja e hapur nuk është në gjendje të zgjedhë fjalët e para, për t’i hapur udhë rrëfimit të përgjakur të të vërtetave të saj të tmerrshme. Në një vend të përzishëm si Shqipëria në ditët e para të lirisë së dyshimtë, ata që u kanë mbijetuar tmerreve të papërshkrueshme nga asnjë zhanër horrori u gjendën befas në një realitet kaotik, që ngutej me shpejtësi të arrinte “diçkanë”, “shumëçkanë”, “gjithçkanë” e paqartë e të pakuptimtë, si ata qeniet që i kanë gremisur në një Gropë të thellë (të historisë) dhe të cilët kacavirren e kapen me thonj e me dhëmbë vetëm për të dalë jashtë… në një jashtësi të paqartë, të shtyrë nga instinkti i dritës. Këtë gjë e ilustrojnë më së miri disa dokumentarë mbi anijet e rrëmbyera në molin e Durrësit apo të Vlorës (ndër to më i spikatur është dokumentari italian “Anija e ëndrrave”) ku nëpërmjet skenave biblike, reale e të papërsëritshme mund të kapësh llahtarin, ankthin dhe shpresën që shpërfaqet në fytyrat e mijëra mesoburrave, djelmoshave, vajzave dhe fëmijëve të vegjël.

Aq më pështjelluese dhe e frikshme bëhet kjo ndjesi dramatike kur i sheh për ditë të tëra, mbi dhjetë mijë ikanakë, të mbyllur në stadiumet e Brindizit, Leçes, Barit etj., të poshtëruar, të kreshpëruar, të uritur e të shpërfytyruar mes mizeries sanitare, si kafshë, me të cilat qeveria italiane menjëmend sillet sikur të ishin kafshë. Ata luten mandej, me lot në sy para policisë italiane që të mos i kthejnë më mbrapsht. Ky ishte fryti i “njeriut të ri” të komunizmit shqiptar, që me mundësinë e parë mori i lemerisur arratinë nga sytë këmbët.

Dhe sigurisht, nuk ishin këta fatkeq të tmerruar familjarët e ish-të burgosurve politikë. Realiteti i tyre qe akoma më i rëndë! Goja e tyre ende nuk ishte hapur për të nisur rrëfimin e një psikike të traumatizuar përgjatë gjysmë shekulli. Rrëketë e gjakut i kullonin ijëve atdheut deri në ditët e muajt e fundit në diktaturën më gjakatare të botës postmoderne. Në grahmat e fundit, kur komunizmi shqiptar i kishte ditët e numëruara, kufijtë detarë e tokësorë të Shqipërisë në Veri, Jug dhe Lindje u lanë me gjakun e djemve të rinj, shkollarë-adoleshentë, që u sharruan nga plumbat e kufitarëve dhe dhanë shpirt mbi telat me gjemba, edhe pse ligji shtetëror kishte vite që i ndalonte vrasjet në kufi.

Komunizmi shqiptar e nisi rrugën e pushtetit që në vitin 1943 me terror, lista të zeza e pushkatime dhe e vazhdoi terrorin shtetëror me një egërsi të konservuar në eshtra derisa e mbylli po me terror aktin e fundit të tij me 4 viktimat e 2 prillit 1991. Ata që i mbijetuan kësaj tragjedie gjysmëshekullore, personazhet direkt të rrathëve të ferrit, nuk arritën ta përcillnin tek ne përvojën ngjethëse të vdekjes dhe mbijetesës. Shoqëria jonë e indoktrinuar me rrjetën e dendur të propagandës dhe demagogjisë shkollore nuk kishte veshë për të dëgjuar. Në atë nxitim e ngutje të makthshme traumatike, secili rendte të gjente një derë shpëtimi për jashtë, njëlloj sikur të gjendeshin brenda një salle ku ka rënë zjarri. Të tjerë nguteshin të kapeshin pas çdo fije mundësie për të projektuar një ekzistencë pak a shumë të sigurt dhe nuk kishin, as ata, ngenë e dëgjimit të dëshmive.

Ndërkaq pjesa e inkriminuar, ish-funksionarët e partisë dhe shtetit komunist, veglat e regjimit, esnafët e aparatit të dhunës, të gjithë, pa përjashtim, po përgatisnin platformën thuajse të gatshme të “anijes së shpëtimit”, që nga Katowitza. Një pjesë e madhe e ish-partiakëve dhe aparatçikëve trashëguan monopolet e mjaftueshme për t’ia nisur rrugës së lulëzuar të tregtisë, blerjes së tokave, perandorisë së privatizimeve etj. “Inteligjencia me uniformë”, po të perifrazojmë Dostojevskin, trashëgoi monopolet e dijes: institutet, katedrat e universiteteve, Akademinë, shtypin etj.

Pjesa më e errët, e përlyer me gjakun e njerëzve të pafajshëm e të pambrojtur, ata që kishin ushtruar me hekur e terror “drejtësinë” komuniste, gjithashtu mbijetuan: vampirët në pension u larguan bash në zemrën e parajsës kapitaliste dhe u strehuan më së miri në SHBA, Belgjikë, Australi etj, duke lënë këtu, në rrugën e karrierës së hapur e të parashikuar djemtë e vajzat e tyre. Kush nuk arriti të migrojë, u strehua në “çadrat” e demokracisë – në zyra të panumërta avokatie e noterie, që të punonin ashtu si dje, me dosjet.

Drama e vërtetë në Shqipëri tashmë ka ndodhur. Ajo është drama e elitave politike e intelektuale. Një gjendje molepsur e ndërgjegjes për çfarë ka ngjarë, për çfarë ngjet e do të ngjasë. Përpos kësaj drame ku askush nuk u vendos përpara drejtësisë, askush nuk u ndalua të fluturojë dy e nga dy shkallët e karrierës deri në politikën e lartë e në parlament, askush nuk kërkoi falje e askush nuk tregoi makar vendet e pushkatimit të mijëra qytetarëve tanë, po ndodh më e shëmtuara përlyerje, si akti i fundit i kësaj tragjedie: klasa politike shqiptare në të dyja kampet e saj sunduese është tejmbushur me këto produkte tipike të komunizmit, që e zbeh përfundimisht shpresën, së paku për të nderuar kujtimin e atyre njerëzve që diktatura i vrau, rivrau dhe përndoqi.

Por mbetet diçka, të cilën nomenklatura e djeshme, tashmë më e organizuar se kurrë në lojën e pamoralshme të aktrimit të përfaqësimit politik, ende nuk e ka marrë: Kujtesa! Ndonëse përpjekjet dhe demarrshi janë të qarta e të dukshme, ndonëse gazetat dhe studiot televizive kanë kohë që imazhologjinë e perceptimit historik për të djeshmen e kanë orientuar kah “eposi”, “bëmat” dhe “heronjtë” e komunizmit, ata kanë shumë punë për të bërë në një ndërmarrje të pamundshme e donkishoteske: marrjen, sfumimin, eklipsimin e zërit personal të dëshmuesit. Synohet të nxirret jashtë loje Kujtesa. Synohet zëvendësimi i Kujtesës me një Kujtesë tjetër – atë të xhelatit, duke e bërë memece kujtesën e viktimës. Librat memuaristikë që na dëshmojnë vërtetësinë konkrete të terrorit, ditarët, epistolarët e burgjeve, të gjitha llojet e dëshmive, të papërkrahura, të botuara me përpjekjen e autorëve të varfër nuk i nënshtrohen një shkalle leximi, promovimi, programeve edukative e njohëse në shkolla, siç bëjnë vendet e tjera ish-komuniste të Europës Qendrore e Lindore. Përkundrazi, ata nuk i gjen as në libraritë e kryeqytetit dhe janë të padëshiruar në libraritë publike. Ashtu si vetë autorët e kujtimeve, edhe librave të tyre u është ngritur një “atentat”, një dënim me vdekje të ngadaltë e të pavënë re. Nuk po flas për kinematografinë komuniste që vijon ende, për filmin artistik apo dokumentar! Të gjithë e dimë, se në një vend ku krimi ka shpalosur trajtat e tij më të përbindshme, në një vend ku të gjitha temat origjinale të ndeshjes së të mirës me të keqen i gjen po aq sa në kampet naziste të përqendrimit, në një vend historish të pafundme tragjike, me absurditete që s’i rrok truri, kemi vetëm trajtime të vakëta kinematografike, të tipit “Gjuetia e fundit”, d.m.th., vini re, me humor(!).

Në fakt, pavarësisht mosdashjes shumë nënkuptuese për t’u marrë me përvojën njerëzore e kombëtare të qytetarit tonë nën diktaturë, letërsia memuaristike, literatura e dëshmisë ofron një ndër faktologjitë më rrëqethëse të diktaturave në Europë, si për nga niveli, ashtu dhe nga përvoja individuale e kolektive. I tillë është dhe libri i radhës i Bedri Blloshmit, për të cilin do flasim më poshtë.

2.

Pas disa librave të suksesshëm memurastiko-faktologjikë, dëshmitë e Bedri Blloshmit, ish-i dënuar politik me 25 vjet burg (vëlla i poetit-martir Vilson Blloshmi) vijnë e ngjiten në një spirale të re, atë të dëshmisë, përjetimit dhe materialit flagrant dokumentar nga arkivat e dosjeve të hetuesive të ish-Sigurimit të shtetit. Pas librave të suksesshëm që z. Blloshmi ka përgatitur për vëllain dhe kushëririn e tij, poetët martirë Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, në kontributin e dëshmisë së tij bëjnë pjesë dhe librat “Fabrikimi i vdekjes” (2011) dhe “Nga ferri komunist” (2012).

Në librin e parë z. Blloshmi merret imtësisht me dëshmitë dokumentare të hetuesisë mbi procesin e kobshëm që fabrikuan Komiteti i Partisë dhe Dega e Punëve të Brendshme për dënimin me vdekje të dy poetëve, duke na e dhënë cullak ftohtësinë çnjerëzore të mekanizmit të drejtësisë komuniste me gjithë ritualin satanist të kryqëzimit të flisë.

Në librin e dytë “Rrëfime nga ferri komunist”, z. Bedri Blloshmi ka zgjedhur një pastërti konceptuale të dëshmisë, duke hequr dorë vetëdijshëm nga çdo tendencë rrëfimore, që mund ta shtynte në subjektivizëm. Libri me një vëllim prej 700 faqesh i referohet tashmë tragjedisë së fisit Blloshmi, një çerdhe e atdhedashurisë dhe cultures në shekuj, fis që gjatë luftës së dytë botërore u rreshtua në formacionin politik nacionalist të Ballit Kombëtar dhe u bëri ballë me armë çetave internacionaliste të komunistëve shqiptarë. Libri është një homazh për të rënët e këtij fisi, por instrumenti i dëshmisë që zgjedh z. Blloshmi është unikal: asgjë nga vetja, vetëm dokumente! Parakalojnë proceset e para hetimore të shtetit komunist me xhaxhallarët, të atin e sigurisht, me vëllain dhe kushërinjtë.

Faktologjia e librit është demonstrative: thjesht ndërmjetësimi me anë të dokumenteve-faksimile dhe gjithçka tjetër no coment. Po, ka në këtë shtrirje të dëshmive autentike vetëm një ndërhyrje të vockël, që ka natyrën e ironisë së hidhur: me anë të footnot-es autori pajis një shumësi emrash që përgatisin projektin e dënimit me vdekje të poetëve. Emrat realë, operativë, hetues, gjyqtarë, prokurorë – gjithë ta që përbejnë konkretisht mekanizmat e makinerisë së vdekjes nga KP i rrethit të Librazhdit, deri tek Aranit Çela e Komiteti Qendror, janë pajisur, siç thamë, me nga një indeks futnote dhe në fund të faqes, me një shënim koprrac jepen të dhëna se ku punon sot aksh aktor i krimit, posti i lartë që zotëron, pozita shoqërore etj, etj. Kur kanë mbaruar dokumentet autentikë, që na zbardhin trajektoren e krimit nga KP së Librazhdit deri në gjyq, ne kuptojmë një të vërtetë të madhe: vendimin e dënimit të vërtetë me vdekje e kryente Partia, ndërsa organet e drejtësisë komuniste veçse e formalizonin atë, pa pikë mëshire.

3.

Libri më i ri i z. Bedri Blloshmi titullohet “Revolta e Qaf-Barit dhe terrori komunist 1943-1990”. Kemi të bëjmë gjithashtu me një tip origjinal të dëshmisë, për një prej episodeve më prekëse e më pak të njohura të burgjeve komuniste, revoltën e Qaf-Barit, që vjen saktësisht 11 vjet pas asaj të burgut të Spaçit. Natyra e këtij libri me dëshmi është e një karakteri më të ndërlikuar.

Vepra është konceptuar si një kulminacion tragjik në sfondin e përgjithshëm të tragjedisë kombëtare. Logjika e autorit duhet kuptuar pikërisht kështu: në një sfond tragjik të terrorit të pandërprerë që nga viti 1943, vjen akti i fundit i guximit, burrërisë dhe dinjitetit në katakombet komuniste. Secili prej martirëve vjen prej një vargani të gjatë vuajtjesh familjare, por pa u nënshtruar, pa u thyer nga egërsia e persekutimit, derisa të sfilitur e të drobitur nuk janë provokuar rëndë në dinjitetin elementar – rrahja barbare e bashkëvuajtësit të tyre të sëmurë nga policët e kampit. Në fakt, pa ta krahasojmë me zanafillën e Revoltës së Spaçit (21-23 maj 1973) edhe Revolta e Qaf-Barit (22 maj 1984) ka nisur gjithashtu nga një provokim i shëmtuar që cenon integritetin dhe dinjitetin burrëror të shqiptarit: poshtërimin nëpërmjet rrahjes, madje të një të sëmuri.

Historia që përbën bërthamën e këtij libri është, në vija të trasha kjo: shkak u bë rrahja e të burgosurit Ndue Pisha, për arsye se s’kishte realizuar normën ditore. Bashkëvuajtësit e dinin se Ndue Pisha nuk i bënte bisht punës, por ishte i sëmurë e kishte nevojë të shtrohej në spital. Në vend që ta kuronin, gardianët filluan ta rrihnin barbarisht në mes të kampit. Kjo sjellje mizore i revoltoi të burgosurit. Ata u hodhën në mbrojtje të shokut të tyre dhe i rrahën gardianët. Nga Tirana arriti me helikopter në kampin e Qaf-Barit, drejtori i Sigurimit të Shtetit, Agron Tafa dhe zv/ministri i MPB, të shoqëruar me reparte speciale sampistësh. Megjithëse Agron Tafa iu premtoi të burgosurve me megafon, se po të dorëzoheshin, nuk do të merrej asnjë masë kundër tyre, premtimi nuk u mbajt dhe u arrestuan 40 veta, prej të cilëve – Sokol Sokoli, Tom Ndoja dhe Sandri Sokoli, u pushkatuan brenda pak ditësh. 14 të burgosurit e tjerë u ridënuan me burgime të rënda.

Z.Bedri Blloshmi është njëkohësisht edhe autori dhe përjetuesi direkt i kësaj tragjedie. Ai i ka njohur personazhet që u bënë ushqim për urrejtjen e pakufi të xhelatëve, madje ka qenë bashkëvuajtës me ta që nga burgu i Spaçit. Ja si e përcjell z. Blloshmi skenën e fillimit të revoltës, kur ata janë të tubuar në mensë, pak kohë pasi ia kanë shkëputur policëve nga thonjtë bashkëvuajtësin e tyre të sëmurë:

“Te dera u duk Mondi (polici i kampit), i cili tha: “Dëgjoni, kush të dëgjojë emrin, të dalë përjashta pa kundërshtuar. Mos i hapni telashe vetes”… Emri i atij që duhet të dilte në punë (i sëmuri Ndue Pisha A.T) ishte i pari. Sapo doli te dera polici e goditi dhe e mbërtheu nga krahët. Nduja nën breshërinë e goditjeve të policëve thirri përsëri për ndihmë: “Në besë tuaj, shokë, se më mbyti policia! Me të dëgjuar këto fjalë Sokoli bashkë me disa të tjerë dolën vetëtimthi jashtë. Toma që ishte brenda u çua dhe u drejtua për tek dera, e shqeu atë dhe gjithë të tjerët dolëm jashtë. Në oborr filloi përleshja me policinë. Situata doli jashtë kontrollit të policisë. Të dënuarit i vunë para policët që morën rrugën për të dalë jashtë kampit e për të shpëtuar lëkurën. Kapelat e tyre mbetën në oborrin e mensës. Në krye të të dënuarve dallohej Toma me Sokolin. Në këtë kohë oficeri i rojës i tmerruar nga gjendja e krijuar dhe frika se mos të burgosurit dilnin jashtë rrethimit (thyenin kampin), hapi zjarr. Të gjithë oficerët dhe ushtarët të cilët ishin në truprojë happen zjarr. Mbi kamp plumbat fërshëllenin papushim, duke krijuar një skenë të llahtarshme. Oficeri i rojës goditi Konstandin Gjordenin në supin e majtë, gjaku i të cilit rridhte papushim. Për disa orë kampi ishte në duart e të burgosurve në një amulli të plotë. Ne ishim ulur në oborrin përpara mensës e nëpër shkallë. Toma, Sokoli, unë, Haxhiu dhe Martini ishim ulur bashkë e bisedonim se ç’rrjedhë do të merrnin ngjarjet. Në këtë kohë, syri vigjilent e policët që na njihnin mirë si fytyra dhe emra, duke parë dhe ngjarjen, kishin hartuar një listë me emrat e të dënuarve, të cilët ishin përleshur me policinë. Martin Leka, një burrë i urtë e i logjikshëm, u përpoq disa herë për t’i qetësuar gjakrat me policinë, por çdo gjë ishte e kotë. Komandanti i kampit filloi të lexonte emrat, duke thënë se kush dëgjonte emrin duhej të dorëzohej e ta sqaronin këtë problem. “Hajdeni, mos e rëndoni veten më kot”, thërriste ai.

Lista filloi me Sokol Sokolin e vazhdoi me Tom Ndojën, Martin Lekën, Haxhi Baçinovksin, Bajram Vuthajn, Hysen Tabakun, Vllasi Koçin, Lazër Shkëmbin, Lush Bushgjakën dhe Ndue Pishën. Asnjëri prej tyre nuk lëvizi nga vendi. Në këtë kohë mbërriti një numër i madh civilësh të armatosur, policë dhe çeta vullnetare, gra të veshura me uniformë ushtarake që zunë pozicionet rrëzë pishave përballë kampit…

Në kthesën e xhadesë përpara kampit u dukën tufa-tufa ushtarët me armë në dorë, të cilët u përzien me civilët e armatosur buzë përroit, shumë afër kampit. Makinat që merrnin mineralin nuk u lejuan të futeshin brenda dhe u kthyen mbrapsht. Po ashtu dhe inxhinierët, teknikët, brigadierët dhe i gjithë personeli i lirë i minierës nuk u lejua të futeshin brenda. Pas më shumë se dy orësh u dëgjua zhurma e motorit të helikopterit që u soll vërdallë përmbi kamp, gati duke prekur majat e pishave. Bëri dy-tri xhiro dhe nuk e morëm vesh ku u ul. Pas pak mbërritën dy makina dhe civilët që zbritën prej saj u futën në komandë. të gjitha lëvizjet që bëheshin në komandë dukeshin shumë qartë, sepse ishin shumë afër. Ushtarët që na ruanin ditë e natë me automatikë në dorë u zëvendësuan me oficerë. Një civil, njëri prej atyre që hynë në komandë doli e hipi në truprojën që ishte pranë godinës së oficerit të rojës. Ai foli me komandantin e kampit që vazhdonte të lexonte listën me emrat e atyre që duhet të dorëzoheshin dhe i ulëriti:

– Mjaft lexove!

– U drejtua nga ne, nriti dorën, pa orën dhe tha: – Dëgjoni këtu. Keni 5 minuta kohë. Po qetë burra, mos u dorëzoni dhe do ta shihni se ç’ka për të ndodhur!”

Pas këtij përshkrimi, vijon përshkrimi arrestimit dhe rrahjes barbare të të burgosurve. Mandej dënimi me vdekje i Tom Ndojës dhe Sokol Sokolit, sikundër dhe dënimet e rënda për dhjetë të tjerë.

Autori e ka ndërtuar shtypjen e këtij rebelimi dhe fatet e personazheve të tjerë, në mënyrë të veçantë dy të pushkatuarit, Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, jepen nga një perspektivë e shumëfishtë okulare dhe kohore, duke përfshirë materiale të ndryshme me natyrë biografike, përshkrimore të drejtpërdrejtë, të përthyer nëpërmjet dëshmitarëve të tjerë dhe, sigurisht, me një dosje të plotë e të zbardhur të akteve të hetuesisë. Z. Blloshmi ka vazhduar ta mbajë si një peng personal të vërtetën e masakrës së Qaf-Barit dhe rrëfen për ta nga një perspektivë më e vonë kohore, kur ndërmerr, së bashku me një grup familjarësh të viktimave zbulimin e vendit të ekzekutimit. Shpesh në këto përshkrime kalojnë prokurorë të kohës së komunizmit, një ekip i tërë që ka marrë pjesë në vrasje, skena e krimit me aq shumë të angazhuar, sipas detyrave të detajuara. Të gjitha këto imtësi të përpikta e restaurojnë tablonë e plotë të ceremonisë së pushkatimit. Aq shumë njerëz të përfshirë në ritualin e vrasjes!

Diktatura kujdesej me një paramendim djallëzor që ta mbushte skenën dhe rekuizitën e krimit me sa më shumë persona, duke demonstruar kështu prirjen e saj për të përfshirë në përlyerjen me krimin të sa më shumë bashkëpunëtorëve. Ky është një tipar i komunizmit shqiptar që tradhton dëshirën perverse të organeve të dhunës, me tendencën për ta bërë gjithë popullin bashkëpunëtor në krim.

Duke lexuar për përgatitjen ritualore të skenës së krimit, zbulohet edhe tipologjia e funksionimit të armës shtypëse të diktaturës. Në lexojmë dëshmitë që na ofron z. Blloshmi, dhe nënkuptojmë disa mijëra të pushkatuar të tjerë, fjalët e fundit të tyre, letrat, shënimet, amanetet. Libri përfshin edhe triumfin e gjetjes së eshtrave të dy të rinjve të pushkatuar, lehtësimin e familjarëve që shkarkohet me lot e puthje të kafkave, por autori nuk harron të na përshkruajë edhe një të panjohur që i thotë: “ke ende për të kërkuar. Gjej procesverbalin e ekzekutimit të tyre të pajisur me shënimin e ministrit të brendshëm. Aty urdhërohet që viktimave, pas ekzekutimit, t’u nxirren sytë”. Fill pas kësaj personi zhduket. Autori kridhet në meditimi duke i njehsuar bashkëvuajtësit me vëllain dhe kushëririn e tij të pushkatuar. “A thua dhe atyre t’ua kenë nxjerrë sytë?”. Në librin e Blloshmit, fryt i disa viteve punë, është gjetur ky dokument i zi, dhe mban shënimin sipas porosisë së Ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai, një shkrim me stilograf:

“Shënim: Me porosi të Sh. Ministër dy të dënuarve që do të pushkatohen, sytë e tyre t’i jepen Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore”.

E vendosur në qendrën e librit, brenda suazës së krimeve makabre të komunizmit nga fillimi i diktaturës e deri tek vrasjet në kufi, ngjarja e revoltës së përgjakur të burgut të Qafë-Barit, me digresionet e saj të shumta, është si një zemër që rreh e pulson pa pushuar, një nyjë tragjike midis sfondit të zisë. Është ajo që i bashkëlidh kohërat, që u jep atyre kuptim, si të donte të shprehte me këtë, se historitë tragjike të terrorit komunist nuk mund të merren të veçuara, por ato mund të kundrohen nga cilido pikëvështrim, nga cilado histori për të dhënë rrahjen e çmendur të dhimbjes dhe pengut tonë të madh për ata që u sakrifikuan për pak dinjitet personal, e që të gjithë së bashku na përfaqësuan në të vetmin dinjitet të nëpërkëmbur, në kohën kur e keqja kombëtare e kishte nënshtruar me gjithsej popullin shqiptar.

Libri “Revolta e Qaf-Barit dhe terrori komunist 1943-1990”, ashtu si dhe librat e tjerë të Bedri Blloshmit, janë libra të hapur faktologjish e faktografish të panumërta. Të tillë libra përbëjnë “Librin e Zi të Komunizmit Shqiptar”, edhe pse autorët e huaj ende nuk dinë gjë për përmasën e katastrofës shqiptare nën komunizëm.

Këto libra na marrin thjesht e natyrshëm përdore dhe na çojnë në një njohje të drejtpërdrejtë, pa demagogji, të asaj se çfarë ka ngjarë me këtë popull, me këta njerëz.

Libra të tillë janë mjaft të rrezikshëm. Ata edhe kur botohen zhduken misteriozisht nga libraritë. Ata kanë një cen të pandreqshëm: tregojnë fytyrën e vërtetë të regjimit nëpërmjet dokumenteve të tij, sikundërse dhe linjën e tyre kompakte që kemi trashëguar në ditët tona.

 

1) Le livre noir du communisme (Crimes, terreur, repression), Editions Robert Laffont, S.A., Paris 1997, me autorë Stephane Courtois, Nicolas Werth, Jean-Louis Panne, Andrzej Paczkowski, Karel Bartosek dhe Jean-Louis Margolin.

 

Please follow and like us: