Albspirit

Media/News/Publishing

Havzi Nela, Pelegrini i Lirisë

Ndue Dedaj

Është data 10 gusht 2018. Drejt Kukësit kanë shtegtuar shkrimtarë të shumtë nga Tirana dhe rrethet. Pas një ndalese të shkurtër, si një përshpirtje, para bustit të Havzi Nelës, vendosur kohët e fundit në hyrje të godinës së gjimnazit të qytetit, karvani i gjatë i makinave ku udhëtuar drejt fshatit Kollovoz, vendlindja e poetit disident. Bashkia e Kukësit, me nxitjen e shkrimtarëve kuksianë, ka rindërtuar shtëpinë e tij, duke e kthyer në muze. Është e para herë që në bjeshkët e Topojanit e Shishtavecit ngjitën kaq shumë njerëz të letrave, me një mesazh: vepra e Havzi Nelës rron e do të rrojë. Ndaj ata kanë përgatitur dhe botimin dedikues “Shkrimtarët për Havzi Nelën”, si dhe një numër special të revistës “Illz” të klubit të poezisë Tiranë kushtuar shkrimtarëve martirë. Në Kollovoz, ndër të tjerë, kishin ardhur Shefqet Hoxha, Besnik Mustafaj, Agron Tufa, Sadik Bejko, Namik Dokle, Pandeli Koçi, Izet Duraku, Demir Gjergji, Behar Gjoka, Sulejman Dida, Vera Istrefaj, Fejzulla Gjabri, Savator Gjeçi, Ramiz Lushaj etj. Në të gjitha detajet vërehej dora dhe përkujdesja e poetit Rexhep Shahu, moderator i veprimtarisë përkujtimore. Një meritë të veçantë në nxjerrjen në dritë të këtij martiri të lirisë së fjalës ka shkrimtari Petrit Palushi, i cili ka botuar poezitë e Havzi Nelës, si dhe monografi e artikuj kushtuar figurës së tij.

Emri i Havziut ka qenë jo pak befasues për shumëkënd, kur u “zbulua” pas 1990-s. Në të vërtetë ai kishte qenë aty, në dritë të diellit, por ne nuk e kishim parë. Regjimi i kishte ndry brenda mureve të veta njerëz të lirë si ai. Po pse?… Asgjë e re nuk kishte ndodhur. Ai fillimisht ishte thjeshtë njëri nga ata, mosdashësit e komunizmit në malet e veta. Fundja, në një shoqëri tjetër, mund të rronte dhe si i tillë. Ishte mësues dhe mjaft që nxënësit t’i edukonte me idealet kombëtare. Ish-bashkënxënësi me të në Gjimnazin e rezervave të arsimit në Tiranë, Pal Kuka, nga Mirdita, e kujtonte Havzinë me admirim, tregonte dhe një fotografi që kishin pas bërë si klasë në fundin e viteve ’50 në kryeqytet. “Ishte djalë i thjeshtë, i çiltër, miqësor dhe mësonte. I kishte të gjitha cilësitë për të qenë një mësues i mirë. Por mbas mbarimit të shkollës nuk u takuam më. Nuk kisha dëgjuar as për gjëmën që i kishte ndodhur…”. Dhe Havziu u bë mësues, veçse atdhetar e jo komunist. Mirëpo për regjimin, siç dihet, ishte blasfemi dhe të shihje ëndrra kundra tij, jo më ta deklaroje disidencën tënde.

Partia i donte arsimtarët, mjekët, agronomët, ekonomistët, nëpunësit e administratës të ishin “kope”, të venin si delet e urta andej nga i çonte bariu, të bënin detyrat agjitative në fshat, të shkruanin parullat e socializmit dhe assesi që ata të mendonin me mendjen e tyre, të kishin integritet dhe zë. Havziu qëlloi ndryshe, nga të paktit që nuk ishte brenda llojit, ai nuk ndihej entuziast për kolektivizimin, luftën kundër “zakoneve prapanike e mbeturinave fetare”, që nuk ishin as prapanike e as mbeturina, por tradita dhe besimi i të parëve. Kështu që Havziu jo vetëm nuk duartrokiti për fitoret e Partisë, por një ditë mori të shoqen dhe iku matanë kufirit, në Kosovë, pasi mendonte se atje liria ishte disi më e plotë. Mirëpo vërtet njerëzit atje ishin vëllezërit e tij të një gjaku, me të cilët na kishte ndarë kufiri i padrejtësisë së madhe historike të 1913-ës, por dhe ata mbi krye kishin “draprin dhe çekanin”, që u rrinte si Shpata e Damokleut…

Për ta kryqëzuar Havzi Nelën nuk kishte nevojë domosdoshmërisht për dëshmitarë (jo se nuk do të kishte të tillë), pasi “dëshmitare” e bindjeve të tij antikomuniste ishte vetë poezia e tij, shkruar sipas stilit të poetëve të Rilindjes Kombëtare. Në Lumën e tij qendrestare asnjëherë nuk ishte kryqëzuar fjala, kuvendi, po ndodhte me këtë mësues poet, për të vijuar me të tjerë si Visar Zhiti, gjithashtu një mësues poet, i ardhur nga Lushnja dhe Shkodra njëherësh. Por çfarë mund të ndodhte tjetër në ato treva epike? Për komunizmin ishte i huaj si Muharrem Bajraktari, një korife i lirisë në trojet e veta, që nuk e kishte ndarë pushkën nga dora kundër pushtuesve serbë, italianë etj., si Havzi Nela, që për “pushkë” kishte mendimin e tij ndryshe dhe penën e tij të lirë. Poezia e tij është me palcë shqiptare dhe ai, përpos poetëve antologjikë, ua lexonte dhe atë ndonjëherë nxënësve të tij në shkollat ku dha mësim, në Krumë, Shishtavec, Topojan etj., dhe gjithëkush që e njeh atë kohë, thotë më mirë kjo se sa vargjet e rëndomta pllakateske të përgjegjësve të vatrave të kulturës që himnizonin fronin marksist-enverist, vargje që i pati fshikulluar që në atë kohë Ismail Kadare.

Për autorin e këtyre radhëve ka qenë befasi ajo çka Havzi Nela nga “humbëtira” (në të vërtetë shkolla) politike e Arrnit i kumtonte hetuesisë politike në Rrëshen, e përmes tij, Komitetit Qendror të Partisë, për Helsinkin dhe kartën e tij themelore të lirive dhe të drejtave të njeriut, teksa “filozofët” e indoktrinuar të Bllokut vegjetonin nën hijen e ligustrave të Tiranës, të përhumbur që nga koha kur aty ligjëronte Branko Merxhani, Anton Harapi, Sejfulla Malëshova, gjithashtu një poet rebel. Dhe për këtë publikim të veçantë, dosjen e ridënimit të Havzi Nelës, kur ai ishte i dënuar politik në burgun e Spaçit, duhet përgëzuar shkrimtari Petrit Palushi, ashtu si dhe për publikime të tjera rreth këtij martiri të demokracisë. Havzi Nela, përballë atyre hekurave të kryqëzuara, më 1975 thoshte: “Për sa i përket standardit të jetesës, unë them se standard të mirë jetese kanë popujt e vendeve të Perëndimit, si Amerika, Gjermania, Suedia, Franca e të tjera… Njerëzit në këto vende kanë liri të plota, se atje dhe sikur të bëjnë demonstrata e kërkesa më karakter politik, ekonomik nuk i dënon njeri, ndërsa këtu është ndryshe… Kësaj i thonë demokraci shumë e lartë për mendimin tim”, deklaron ai duke marrë si shembull dhe faktin që presidenti i Amerikës zgjidhet njëherë në katër vjet, se atë mund ta kritikojë cilido, bile e nxjerrin dhe para gjyqit. Ky është dishepulli i lirisë, që jo vetëm dënohet, por shkon dhe në litar! Prandaj, kur të dalin në dritë traktatet e lirisë në Shqipërinë diktatoriale, ylli (jo me pesë cepa) i Havzi Nelës do të ndrisë dhe më shumë, jo vetëm si poet, por dhe si mendimtar politik antikomunist në një shkretëtirë idesh. Duhet të ketë qenë e papërballueshme për regjimin qenia i lirë e Havzi Nelës, përderisa nga viti 1967 kur u arrestua për herë të parë e deri në vitin 1988 kur e ngjitën në litar, jashtë burgut qëndroi vetëm një vit e gjysmë, pjesën më të madhe në internim në fshatin e largët Arrën.

Ke ardhur para bustit të Havziut, te porta e gjimnazit të Kukësit, që mban emrin e tij. Ndjesia e parë është se rrallëherë të ka qëlluar të gjendesh pranë shkollash që mbajnë emra mësuesish dhe kjo të bën të mendosh se gjerat pak nga pak po shkojnë në vend, sa i përket vlerësimit të meritave dhe meritorëve ndër kohëra. Por ka dhe një ndjesi tjetër… sikur asgjë nga ajo që ndodhi fatalisht me këtë njeri të urtë, të mos kishte ndodhur dhe Havziu sot, një burrë 84-vjeçar, të ishte duke dalë nga kjo portë e bekuar e dijes, me tufën e librave të tij në duar, që sapo i ka promovuar me gjimnazistët e qytetit të tij. Do të kishin ardhur dhe shumë shkrimtarë nga Tirana, Prizreni, Prishtina etj.

…Por ata erdhën të ftuar nga Bashkia e Kukësit, në një veprimtari kushtuar Havzi Nelës në bronz, organizuar për herë të parë në këto përmasa.

Please follow and like us: