Sadik Bejko: Pse shkruan Ali Podrimja?
Dua të qëndroj te një libër i Podrimjes, te “Lum Lumi”. Vetëm në dyvjetshin e fundit e ka ribotuar dy herë dhe gjithmonë vjen i ndryshuar dhe i pasuruar. Duket se ky është libri i jetës për poetin. Një tragjedi personale është sublimuar në art të madh.
****
Ali Podrimja tashmë është një poet me emër të madh. I çiltër, me një buzëqeshje të ëmbël, i vetëdijshëm për sa ka bërë, ai do ta pranonte një epitet të tillë.
Aliu ka një karrierë të shkëlqyer letrare. Ai është nga ata që kanë fituar sigurinë e një embleme: përfaqëson një vlerë të shenjtë për shqiptarët, them në veçanti për shqiptarët, është një emblemë e poezisë.
Në biseda me të ma ka shtjelluar gjatë temën e vështirë: përse shkruaj, por në përmbledhjen me ese “Tkurrja e atdheut” ai i jep një përgjigje, si të thuash, me shkrim kësaj pyetjeje.
Duhet veçuar që ai është një eseist i hatashëm dhe kohët e fundit dhe një antologjist (hartues antologjish).
Esetë e tij kanë nervin e poetit, thuktësinë dhe ngjeshjen e stilistit, ngërthejnë faktin dhe pathosin, kanë dramatikën e udhëtimit nëpër një gjeografi të dhembjeve që kullojnë gjak e tymojnë shkrumb eshtrash, sjellin dëshmi ngjethëse dhe refleksione tronditëse. Ato ushtojnë ankth e rrevoltë bashkë, kanë tingëllimën e këmbanës lajmëtare për atë kob që po i përgatitej Kosovës. Kanë pezmin se veshët e dyllosur janë ku e ku më të mirë, seSA veshët e atij që e ka paravendosur kurrë mos të të dëgjojë.
Por kambanat duhet të bjenë. Deri ne qiell siç di ai t’u bjerë.
Aliu, në vazhdën e poetëve tanë që se ka filluar poezia ndër ne, është i dominuar nga tema e atdheut, një poet simbol i identitetit kombëtar.
Nderi i poezisë
Që në vargun e parë me idenë e atdheut ia nis “Iliada”, kënga e njërit prej etërve të poezisë botërore, e plakut Homer. Etnia në Ballkan është një brengë, është dhe një paranojë. Për ne shqiptarët ajo mbeti një brengë. Për poetët e popujve përreth nesh që na sollën aq dhembje, ajo u kthye në një sëmundje të zezë. Në fund të fundit, shumë ndër poetët e Ballkanit u vunë të bashkëjetojnë me xhelatin. Në se poezia rreh nga absolutja, nga një ëngjëllizim i botës dhe i njeriut, disa poetët në Ballkan u vunë nga situatat të luajnë një rol publik duke u vënë në shërbim të politikave shfarosëse.
Ka poetë që nga shpërdorimi i fjalës, humbasin nderin. Nderhumbësit janë nder i humbur i poezisë.Tek ne nën diktaturë ndodhi që shkrimtari të çojë në burg shkrimtarin në emër të shërbimit ndaj një kuaze, një bote të re. Të tjerë të ballkanas duke i shërbyer shtetit, frymëzuan nacionalizmin, liturgjinë e zezë të gjenocidit të atyre që do të luanin futboll me koka të prera njerëzish.
Aliu dhe poetët e Kosovës i shpëtuan këtij kurthi të zi. Tema e atdheut aty dhe se mori thekset programatike e tragjike të një thirrjeje-britmë që, për rrethanat, çdo poet do t’ia kishte zili : “Kosova është gjaku im që nuk falet’, u përtëri në forma të stërholluara e më shumë të nëkuptuara, përçoi nga qëndresa individuale dhe kolektive. Në kohë të vështira ujiti rrënjët e thara të një identiteti në grahmën e fundit. Kjo poezi është e mbushur me respektin për njeriun, për vlerat e tij.
Nuk urren, nuk e poshteron fqinjin.
Kështu Aliu dhe poetë të tjerë të Kosovës i shpëtuan nderin artit te fjales, i sherbyen një çështjeje të madhe, nje altari te madh, siç është poezia. Ajo nuk degjeneroi në një magji të zezë të propagandës për kauza të dështuara. Ajo mbeti vlerë se i qëndroi pranë njeriut, i forcoi nderin atij, i forcoi dinjitetin atij, i dha zemër që të mos humbasë e të mos tjetërsohet. Poezia duhet të jetë e ndershme, si njeriu. Kjo është një çështje e madhe për një institucion themelor siç ka qenë poezia për shqiptarët, por dhe siç është një vlerë e shenjtë kudo në botë (Kundera).
Këndej, në anët tona, figura e poetit lolo që i vargëzonte bejte propagandës, vaj më det, ka çuar sot tek nje personazh komik, te Mazllëmi, që, për pesë para, del në pikë të mëngjezit cdo dite dhe bllamurit vargje (ç’t’i vijë në mend) nga ekrani i një kanali të njohur televiziv. Kueshtu fjala ka hmbur nderin.
Aliu dhe pak te tjere si ai, ne ato kushte me rrezik koke qe ne i dime, i dolën për zot jetës, njeriut, kombit, poezisë. Fjalës.
Katër nivele leximi për “Lum Lumin”
Për të thelluar sa thashë më lart, dua të qëndroj te një libër i Podrimjes, te “Lum Lumi”. Vetëm në dyvjetshin e fundit e ka ribotuar dy herë dhe gjithmonë vjen i ndryshuar dhe i pasuruar. Duket se ky është libri i jetës për poetin. Një tragjedi personale është sublimuar në art të madh. Do të shfletoja katër nivele leximi të këtij libri të tragjikës universale që i ka shokët të rallë në poezinë tonë duke u vënë përkrah me libra të mëdhenj të saj si: Milosao, Lulet e verës, Baba Tomorri, Juvenilja, Psalme murgu, Vargjet e lira, Lahuta e malcisë, Vallja e yjeve, Perse mendohen keto male.
a. Refuzimi i vdekjes
Në nivelin e parë do të shihja temën e ikjes nga vdekja, një temë e lashtë sa bota, e inicuar që në epin e akado-sumerëve, epin e Gilgameshit. Gilgameshi, qytetndërtuesi, ati i qytetërimit botëror, me dy të tretat hyjni e vetëm me një e tretën njeri, në saje të kësaj të fundit, në atë që është njerëzor, i duhet të vdesë. Ia thonë perënditë. E aty nis udhëtimi i tij i lemerisur nga që nuk do ta pranojë vdekjen, kërkon dhe nën tokë barin e pandekësisë.
Te ky libër i Aliut, te “Lum Lumi” në jehonë të Gilgameshit, ati, babai endet në koridoret e spitaleve, në tunelet dhe metrotë nga Beogradi, në Moskë, në Paris, në fshatin e vendlindjes, udhëton me një fëmijë në krahë që t’ia shpëtojë vdekjes së paralajmëruar vdekjes nga kanceri.
Aliu nuk do ta pranojë vdekjen se ashtu si te Gilgameshi i lashtë një fëmijë është dyfish hyjni: është fëmija, e ardhmja, është biri, hyjni për prindërit, është dhe njeriu vetëm për veten e tij, po njeriu që ikën e s’ vjen më.
Këtu poeti me të drejtë e refuzon fatalitetin dhe rend t’i shpëtojë vdekjes. Lënda rrënqethëse që e mbush librin është dhënë në hollësi të dridhshme në ecurinë e sëmundjes, në pafuqinë njerëzore përpara rrufesh të tilla tragjike. Pafuqi që na shtang e na bën të luajmë mendsh aq më tepër ndaj një fëmije që kërkon mbrojtje. Poeti nuk abuzon si arti i lehtë i shumë filmave e librave me këtë temë. Tonet tragjike mbahen në një solemnitet të përzishëm.
b. Vizioni biblik
E kjo që thamë lidhet me nivelin e dytë të leximit. Pafuqia njerëzore ndaj tragjedive të tilla na bën më të thellë, na çon nga katarsi, na pastron si kalimet nëpër zjarret dlirësuese. Na larteson. Nga kjo lartësi poeti sheh botën, shoqërinë në aq pisllëk e shnjerëzi. Po, kjo është një hedhje në lartësi të tilla që kërkon pastrimin e krejt njerëzimit, e metropoleve, e shoqërisë njerëzore në prerjen e së sotme dhe të së djeshmes, një njerëzim që bashkëpunon e bashkëjeton me të keqen.
Ky është visioni biblik i librit.
Ky është vështrimi pa kohë e pa hapsirë. Ne jemi një qytetërim i rrezikuar përderisa e kemi shtuar të keqen dhe e përtypim si bukën në tryezën e përditshme. Thashë një vision biblik, jo një kritikë sociale siç do të duket në plan të parë.
Dhimbjet e bukura e pasurojnë botën.
c. Bota shqiptare
Niveli tretë është ai i zbulimit të rrënjëve, i rënies në themel të identitetit vetiak e kolektiv. Në të keqe secili nga ne rend të gjejë rrënjët e veta, fijet e holla të qëndresës, rend në brendësitë e historitë e gjakut dhe të vendlindjes. Do një taban të fortë dhe intim që të mbahet e të burrërohet.
Dhe Aliu shkon e nga nuk shkon për t’u mbushur me botën shqiptare, me bukuritë e historitë e saj, me mitikën e hiret e saj. Duke u burrëruar, duke marrë lëndë force e dinjiteti për vete ai na i jep edhe ne që e lexojmë atë. E këtu vij tek çka thashë më lart se ky poet i etnisë e ka mbrujtur këtë lëndë në disa nivele: nga thirrja deri te kolonat ku mbahesh i rrethuar nga uji i zi i vdekjes. Kosova doli përtej Ujit të Zi.
Fjala e shenjtëruar (Lasgushi) e shpëtoi Kosovën.
d. Mjeshtëri e lartë
Niveli i katërt është ai i mjeshtërisë poetike. Ky është i tillë që ndonjëherë të lë shtang. E të bën të mendosh me ç’ forcë demoniake a ëngjëllore ia ka dalë t’i thotë, t’i mbrujë vargjet. Aliu është poeti që rrëfen, analizon, që kalon nga intimja te e përgjithshmja, nga dhimbja tragjike te e madhërishmja me lehtësi e mrekulli gjuhe, vargu e fjale. Ky regjistër i gjerë ndjenjash e situatash është në përshtatje me një arsenal artistic mjeshtëror që do të donte një analizë më vete. Po është ky taban arti që i mban në këmbë tri nivelet e mësipërme. Nga libri del me ndjenjën e shëndetshme të gjallërisë e të thellësive njerëzore të cilave duhet t’u përulesh si tempujve. Këto cilësi dhe lartësi artistike e kanë bërë atë poetin tonë më të përkthyer e më të njohur ndërkombëtarisht.
Një poet që ka arritur lartësi të tilla mund ta shtrojë pyetjen: përse shkruaj? Si duket kjo është pyetja torturuese për çdo poet të vërtetë.
Në rastin e Aliut kësaj nuk mund t’i shpëtosh.
7 dhjetor 2003