Albspirit

Media/News/Publishing

Influenca e instituteve studimore në politikat amerikane

Mund ta keni dëgjuar termin “think tank”, që zakonisht i referohet një instituti kërkimor ku akademikët ofrojnë analizë dhe këshilla për çështje politike, sociale dhe ekonomike. Institute të tilla janë kritikuar në të kaluarën për influencën e tyre të madhe në formulimin e politikave amerikane. Të dhënat e reja tregojnë se krahasuar me administratat e mëparshme, Shtëpia e Bardhë e Presidentit Trump mbështetet shumë më pak tek institutet “think tank”.

Nga rreth 1800 institute “think tank” në Shtetet e Bashkuara, rreth 400 prej tyre e kanë selinë në Uashington. Administratat e mëparshme janë mbështetur tek studimet dhe idetë e krijuara nga organizata të tilla për të formuluar politika, por me sa duket nuk po vepron kështu administrata aktuale.

“Ishte e qartë se administrata Obama krenohej për nivelin e lartë intelektual, një administratë që i kushtonte shumë vëmendje punës kërkimore. Pra, institutet think tank patën një ndikim të madh mbi atë administratë. Kontrasti është i qartë me administratën Trump, e cila i shikon me dyshim ekspertët dhe punën e bërë nga organizma të lidhur me elitat”, thotë profesor Mark Rom, i Universitetit Georgetown.

Krahas ndikimit tek politikat publike, institute të tilla shërbejnë edhe si baza trajnimi për ata që dëshirojnë të luajnë një rol në media apo në korridoret e pushtetit.

“Organizatat think-tank kanë patur gjithnjë një rol të rëndësishëm në hartimin e politikave. Por, nuk mendoj se tani kanë më shumë influencë se në të kaluarën. Influenca ushtrohet kryesisht në dy mënyra – në artikulimin e ideve të reja dhe promovimin e tyre, si dhe trajnimin e njerëzve. Influenca ushtrohet më mirë kur je pranë qeverisë dhe Kongresit”, thotë Eric Rosenbach, i Qendrës “Belfer” për Shkencat dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Institutet think-tank shërbejnë edhe si porta hyrëse për të talentuarit. Gjatë administratës së Presidentit George W. Bush, zyrtarë si Nënpresidenti Dick Cheney, Sekretari i Mbrojtjes Donald Rumsfeld, Sekretarja e Shtetit Condoleeza Rice erdhën nga organizatat “think-tank” të Uashingtonit. Lisa Curtis, anëtare e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në administratën e tanishme, është ish-studiuese e Fondacionit Heritage, një organizatë me prirje konservatore.

Por, politikat dhe idetë shpesh zhvillohen përmes prizmit të pozicionimit politik. Është e rëndësishme të dihet se kush paguan për këto ide.

“Kur botohet një raport nga institute think-tank mendoj se është e rëndësishme që publiku të kuptojë nëse materiali u influencua nga financuesit. Institutet e mira janë të hapura dhe transparente për punën e tyre kërkimore, në mënyrë që lexuesit të gjykojnë vetë për pavarësinë e këtyre instituteve”, thotë profesor Row.

Ndërsa është e diskutueshme se në çfarë përmasash organizatat think-tank influencojnë politikën zyrtare amerikane, shumë nga ndryshimet në politikat dhe prioritetet e qeverisë e kanë origjinën në një nga institutet think-tank të gjendura në zemrën e kryeqytetit amerikan./voa/

Please follow and like us: