Albspirit

Media/News/Publishing

Flamur Çani: MARRËDHËNIET E MASHKULLORËS ME ALI PASHË TEPELENËN

 

 

Të çuditshme, por të mira kanë qenë marrëdhëniet e Mashkullorës me Ali Tepelenën në tërë periudhën kur ai ishte në fillesat dhe kulmet e veprimtarisë të sundimit të vet. Është folur e pasqyruar pak ose aspak nga djemtë e fshatit për atë periudhë. Djem të fshatit nuk janë përpjekur të studiojnë nëpër arkiva, gjë që se kanë bërë edhe të tjerë studiues, vendas apo të huaj. Është fakt se Aliu nuk i ka ngacmuar mashkulloritët, sepse i janë dashur atij. Duke pasur marrëdhënie të acaruara me Kardhiqin, ai ndalohej për të kaluar me ushtrinë e tij nga rruga e Kardhiqit. Po kështu deri më 1811 nuk e kishte marrë në dorë Gjirokastrën. Dhe as Kardhiqin. Ai nuk donte të hapte fronte të tjera, si për shembull me Mashkullorën, për arsye se ajo ishte qysh atëherë një fshat i madh e me pozita të favorshme kyçe dhe me njerëz trima. Shumë herë Aliu e përdorte fushën e malin e Mashkullorës për të kaluar qoftë me këmbë apo me kafshë deri në sinorët e veta në Delvinë.

Shumë herë në kohë të ndryshme me civilë, por më së shumti me ushtarët ai kalonte në Lekël, Hormovë, Tërbuq, Palokastër, Fushë Mashkullorë, Zall, Lolovit, Kasap, Kërsha, Sopot dhe zbriste në Delvinë në sarajet e vjehrrit të tij, e më vonë në sarajet e veta në Janinë. Kur Aliu ende s’i kishte mbushur 20 vjeç, vajti në Berat; u nis herët për te Pashai, për t’i kërkuar dorën për të marrë për grua vajzën e tij, trimi i tij besnik, Isuf Arapi,(kur u kthye Aliu nga Berati), i tregoi se nëna e tij, Hankua, bënte dashuri me priftin e Hormovës, Çaushin. Aliu ja bëri me isharet Isufit që ta vriste priftin. Isuf Arapi e mori priftin dhe e poqi në hell; si të ishte cjap e jo njeri.(L.D) Në atë kohë dhe më vonë në Mashkullorë u përhap kënga:

“Doli zonja mu tek muri

Shihte si piqej kauri

Si e pikon Isuf Arapi

E pikon me dhjamë cjapi

…………………..” etj.

Kur Ali Pasha do sulmonte Kardhiqin, ai thirri dhe bindi priftin e Zhulatit, i cili punoi me burrat e Zhulatit që qenë mbështetje e Kardhiqit. Ata qëndruan neutralë. Nuk e ndihmuan më Kardhiqin. Madje në përpjekjet e para, kur u dëmtua ushtria e Aliut, prifti i Zhulatit e mësoi që ai të sulmonte edhe nga Mbretja, pjesa e malit, duke i pajisur ushtarët me këmborë e zile, njëlloj sikur të ishin kopetë e bagëtive të malit. Dhe sërish populli i Mashkullorës do këndonte:

“Të mos shkoni nga Zhulati

Se ju sheh Isuf Arapi,

Dhe u pjek me dhjamë cjapi.

O Kokosh seç u përpoqe,

Ty të gënjyen me koqe,

Për sebep të kardhiqote.

Kardhiqotë gunëdhirë,

ku e lanë trimërinë!…”(Sh.H)

Babai i Teqesë së Kardhiqit, Zivligari, i mallkoi kardhiqotët në atë kohë, por Dervishi i tha: “Baba, jo, jo që të gjithë kardhiqotët t’i nëmësh”. Por Babai i nëmi të gjithë. Ai nëmi dhe Dervishin, që t’i dilnin sytë. Dhe thuhet se atij i dolën të dy sytë. Mirëpo Babanë e vranë më pas kardhiqotët. Thoshin se Babai qe shumë i fortë dhe kur të mallkonte ai, të zinte mallkimi menjëherë. Gjithashtu flitej se mundja e kardhiqotëve u arrit si sebep i mallkimit që u bëri atyre Dervishi. Kur kardhiqotët kapën Karon dhe nënën e motrën e Aliut, kur shkonin nga Janina për në Tepelenë më 20 gusht 1811, pasi i morën, i shpunë në Kardhiq dhe nuk i lejuan për 40 ditë rresht që të shihnin sadopak qiellin, duke i keqtrajtuar. Të tjerë thonë, se i trajtuan mirë. Kjo ndodhi se kardhiqotët nuk ia jepnin taksat Aliut, Demir Dosti, Pashai i Kardhiqit i vajti Aliut për ndihmë, në kohën kur ai përpiqej të merrte pushtetin me 200 ushtarët e tij trima e kavalierë të zgjedhur. Atje ata fituan, por kur mbaroi lufta, Aliu nuk i trajtoi mirë; dhe i çarmatosi. Ai nuk e vlerësoi kontributin e kardhiqotëve dhe të Demir Dostit. Kur u kthye Demiri në Kardhiq, e pyeti gruaja dhe paria: “Si u kthyet Aga?”. Demiri iu përgjigj: “Me fitore, por të turpëruar”. Më vonë i rrëfeu parisë, se si kishte ndodhur dhe ata në një gojë i thanë, se ajo ngjarje ishte një turp që duhej larë. Por Babai i Teqesë së Kardhiqit në atë kohë thonë se kishte thyer kanunin. Ai qe kapur me një grua në Kardhiq dhe Paria e Kardhiqit e ndoqi nga Kardhiqi. Më vonë ai u përqendrua në Çepunë. Kur kardhiqotët mbanin nënën dhe motrën e Aliut, ai kërkoi t’i merrte për dy ditë. Dhe ata ia dhanë. Babai i Teqesë së Kardhiqit thirri parinë e Mashkullorës dhe u kërkoi atyre dy djem të fortë e të shpejtë me kafshë që t’i shpinte dy gratë në Janinë tek Aliu. Paria e dëgjoi Babanë dhe ia plotësoi kërkesën. Aliu i priti dhe i falënderoi djemtë mashkulloritë për nderin që i bënë duke i shpërblyer, por ata nuk ia morën paratë, duke u shprehur se atë nder nuk e bënë për të fituar para. Për këtë rast kardhiqotët e vranë Baba Sheh Zivligarin. Ai u varros ku është mekami i Zenelajve sot.

Kur Aliu përgatitej për të sulmuar Kardhiqin, ushtrinë e kishte përqendruar në Cepo, Çepunë dhe Humelicë. Një ditë doli në Qafë të Çajupit, prej nga duket si në pëllëmbë të dorës Kardhiqi dhe Mashkullora. Ai i vëzhgoi prej andej këto dy fshatra dhe tha:

“O Kardhiq e Mashkullorë

Në u hedhça dot në dorë!…

Për Prongji e për Plesat

As që i kam në hesap!…

… etj” (Sh.Haska)

Kjo këngë këndohet dhe sot në Mashkullorë nga të moshuarit. Për ca ditë Aliu ndërmori goditjen e madhe. Me ushtrinë e vet më 3 dhjetor 1811 mori Gjirokastrën dhe vendosi se i erdhi radha të sulmonte Kardhiqin, Cepon e Çepunën, të cilat i kishte si zonë fushimi për ushtrinë e vet.( L.D)

Nga 10-20 janari 1812 Aliu i mori me sulme të rrufeshme këto vende: (Cepon, Çepunën e Humelicën) që pastaj të sulmonte Kardhiqin. Përsëri si përherë në Mashkullorë u ngrit menjëherë kënga:

“Ç’është një vend në histori/ Një qytet në Labëri

Sarajet lloji-lloji/ Dhe kalaja përkarshi?

E ka emrin Kardhiqi…etj”( A.V)

Këtë këngë e këndonte Asllan Veizi nga Plesati dhe Abaz Çani e Jaço Beqiri nga Mashkullora, sa herë që bëheshin bashkë. Atëherë Kardhiqi ka pasur rreth 6000 banorë dhe një ushtri të fortë. Në Kardhiq strehohej nga frika dhe Pashai i Delvinës.

Përfundimisht mund të themi se sebepi i konfliktit midis Aliut dhe Demir Dostit nuk kishte qenë marrja peng dhe trajtimi që iu bë Hankos dhe motrës së Aliut, Shanishas. Qëllimi i vërtetë ishte që të merreshin thesaret e Kardhiqit që thuhej se ishin shumë të mëdha. Thesari i Kardhiqit ishte i madh, por kjo nuk u tregua asnjëherë nga Demir Dosti. Ka shumë versione. Që thesari është varrosur në Mbrete dhe në Kalanë e Kardhiqit. Demiri, edhe pasi u torturua para djalit të tij nga njerëzit e Aliut, nuk tregoi asgjë. Unë duke punuar shumë vjet në zonën e Kardhiqit, kam dëgjuar se shumë njerëz të vjetër thoshin, që Demir Dosti fshehu 12 mushka të ngarkuara me flori, të cilin e fshehu në Mbrete. Thonë që i vrau si njerëzit dhe mushkat që ishin ngarkuar me flori. Me gjithë përpjekjet që bëri, nuk e shtiu dot në dorë thesarin. Edhe nga torturat që i bëri Aliu Demir Dostit në sy të djalit të tij, edhe djallëzia që përdori, nuk e gënjyen e s’e përgjunjën Demir Dostin. Në atë periudhë Ali Pasha thirri në tendën e tij parinë e Mashkullorës për mbështetje. Vanë atje: Sotir Qirkua i Parë, Beqo Beqiri i Parë dhe Çano Çani i Parë. Por paria e Mashkullorës nuk pranoi të luftonte me kardhiqotët, prandaj i thanë Aliut: “Ne në Kardhiq kemi plot vajza e nipër nga martesat e bëra, po ashtu i kemi komshinj. Ne pranojmë të të japim çdo ditë nga një bukë për çdo familje dhe dy qengja për periudhën e qëndresës nga çdo shtëpi mashkullorite për ushtrinë tënde si dhe tagji e urov për kafshët…” (L.D) Aliu mbeti dakord dhe ashtu u bë. , siç propozoi paria e Mashkullorës. Aliu vendosi në drejtim Thanas Vajën dhe Odisenë 20 vjeçar që e nxori nga burgu. Ai ishte i papërmbajtur në krahë të Thanas Vajës, megjithëse ky i fundit ish i plagosur në luftimet e para me Kardhiqin. Në fillim Aliu e sulmoi Kardhiqin me 5000 forca, duke shtuar më pas edhe 1000 ushtarë të tjerë. Forcat e armatosura të Kardhiqit drejtoheshin nga Demir Dosti dhe Mustafa Pasha i ikur nga Delvina, për t’u shpëtuar reprezaljeve të Aliut. Kardhiqotët u bënë dëme të mëdha forcave të Aliut, duke luftuar me trimëri të madhe.(L.D) Aliu u detyrua të përdorte dredhi tjetër. Zbatoi porosinë e priftit të Zhulatit, duke e sulmuar Kardhiqin nga krahët, nga Mbretja, me forca nga Zhulati që atëherë qëndronte neutral. Forcat e Aliut sulmuan pa u kuptuar. Kardhiqotët fillimisht luftuan bashkë, pastaj u përçanë dhe luftuan si familje e fise, por u coptuan. Ky ishte gabimi që bëri Kardhiqi dhe Demir Dosti, që solli mundjen dhe shkatërrimin e kardhiqotëve. Lufta midis dy ushtrive u bë në 20 janar të 1812 dhe vazhdoi deri në fund të shkurtit. Gjatë dyzetë ditësh luftimesh të ashpra Aliu kapi dhe shpuri në kalanë e Shëndërjadhës 800 burra kardhiqotë të moshës 16-60 vjeç. Pasi i rreshtoi mirë, i vëzhgonte nga koka në këmbë me radhë. Si hoqi ca të rinj e pleq, 670 të tjerët i shpuri tek hani i Valaresë, ku dha urdhër për t’i vrarë të gjithë ata burra të çarmatosur. Për vrasjen e tyre caktoi ushtarët e tij lebër, por ata nuk iu bindën se panë që kardhiqotët qenë pa armë. Pastaj Aliu iu drejtua 250 kalorësve të djalit të vet, Myftarit nga Mashkullora e Greqisë. Por edhe ata nuk pranuan. Në fund Aliu vendosi forcat e tij mirditore. Ata qëlluan mbi kardhiqotët, duke i asgjësuar të 670 vetat. Populli i zonës dhe i Mashkullorës ka kënduar vazhdimisht:

 

“Mali Kardhiqit s’bën lule/

Kardhiqote, qaj me lotë.

Ç’më treti, moj e zeza/

Ç’më treti sevdaja jote,

Që s’më lë, moj e zeza/

Që s’më lë të dal në shoqe!”

 

Dhe kënga vazhdon më tej:

“Do të nëm Ali Pashanë/

Kardhiqotë miza-miza

I shpuri të shtypnin driza/

Populli përreth u rrinë.

Zunë gratë e ulërinë…!”( M.D)

 

Këtë këngë e këndonte përherë Malo Dadaj. Të gjitha këngët transmetoheshin brez pas brezi dhe kështu nuk humbisnin. Marrëdhëniet e kardhiqotëve me Mashkullorën edhe pas asaj ngjarjeje makabre kanë qenë dhe u mbajtën të mira nëpër vite. E madje gjatë viteve të mëpasme marrëdhëniet midis të dy palëve u zhvilluan më të mira. Në këtë kohë në Mashkullorë këndohej kënga që i bënte jehonë pasojave të luftës së Aliut me kardhiqotët. Jaço Beqiri ia merrte vazhdimisht në sebepet e fshatit dhe vëllai i tij, Fikja, ia kthente mirë me grykë:

“Ishte ditë e xhuma

Njëzet hëna shepera.

U këput një yll e ra

Kondua nga Mashkullora..

Isharet për Kardhiq la

Mashkullora dhe Kardhiqi

Vdiqi Vitoria, vdiqi…etj” (Zog që bie mbarësi në shtëpi)( A.V)

Edhe pas asaj ngjarjeje mashkulloritët kanë dhënë e kanë marrë vajza nga Kardhiqi. Dihet që të dy palët bashkohen nga tradita të njëjta.

Please follow and like us: