Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Klod Dyran, historia e një burri të jashtëzakonshëm

Claude Durand (Klod Dyran), iku tepër herët nga kjo botë kur ndërkohë e kishte lënë fushën e botimeve dhe ishte hedhur në botën e shkrimit, në pasionin e tij të parë, shkrimin e romaneve, eseve dhe të teksteve historike, si Isha numri Një, Agjenti i Solzhenicinit, Pavioni i shkrimtarëve, etj.

«Miku francez» i Shqipërisë dhe së pari i Kadaresë, na la padyshim një trisht të madh pasi, ky njeri e bëri Shqipërinë të tijën jo thjesht si një botues që interesohet për romancierin e tij (dhe ai kishte shumë romancierë të mëdhenj që kujdesej për krijimtarinë e tyre), por sepse vërtet, edhe pse e njohu këtë vend në një epokë të errët totalitare dhe pas saj bashkë me kaosin e vet dëshpërues, përsëri ai e deshi shumë dhe e ndjeu si detyrë të kontribuonte disi në ripërtëritjen e këtij kombi.

Ardhjet e tij në Shqipëri edhe pse në periudha të ndryshme, n’a kanë mbetur në kujtesë me sharmin që ai kishte, kulturën e thellë, vizionin politik të botës dhe angazhimin e tij si një njeri humanist. Miq të tillë, kur shkojnë, edhe pse ata mbeten gjithnjë në kujtesën tonë me aktet dhe kontributin e drejtpërdrejtë të tyre, lenë pas një keqardhje të thellë, si largimi i një miku të afërt, edhe pse nuk ke mundur ta pikëtakosh drejtpërdrejt.

Shumë vite më parë, duke shkruar një shkrim për të, ndjesia e parë që kisha ishte t’i thoja: «Faleminderit Claude»! Dhe ja çfarë shkruaja:

Emri: Claude. Mbiemri: Durand. Datëlindja: 1938 në Livry-Gargan, pranë Parisit. Profesioni: Botues, shkrimtar… Biografia e botuesit të veprës së Kadaresë është pak e njohur nga intelektualët tanë dhe aq më tepër nga lexuesit shqiptarë.

Vite me rradhë, nga një dhjetvjeçar në tjetrin, jemi gëzuar me botimet e Kadaresë në Francë dhe shpesh kemi dëgjuar emrin e botuesit të tij, Klod Dyran por përsëri kjo figurë ka mbetur në hije dhe rrallë kemi menduar për të, vlerën e tij, komplicitetin e tij në krijimtarinë e Kadaresë, për këtë pikëtakim kaq të rëndësishëm për letërsinë shqiptare dhe vetë emrin dhe krijimtarinë e Kadaresë.

Vallë sa ka bërë kritika jonë letrare për ta venë në dukje këtë fakt? Sa kanë bërë vetë shkrimtarët?

Emrin e Dyran here-herë e gjejmë në ese të ndryshme të Kadaresë, impresione takimesh, pa mundur të arrijmë në refleksionin se ç’është në të vërtetë botuesi për një shkrimtar të madh, siç është Kadareja, dhe aq më shumë për një shkrimtar të një vendi të vogël si Shqipëria. Botuesi nuk është thjesht një ent, një tregëtar, apo biznesmen i një krijimtarie artistike.

Botuesi është një “komplis” intim i shkrimtarit, ai e shoqëron atë, e inkurajon, e vë në dukje, bëhet një mbështetje morale për të. E padyshim, për Kadarenë ishte një fat që u pikëtakua me Dyran, drejtuesin e “Fayard” që veç romanit Gjenerali i Ushtrisë së vdekur, (botuar nga “Albin Michel”), 1970 dhe të Tamburet e shiut, apo Kështjella në shqip, botuar nga „Hachette Littérature“, në vitin 1972, do të jetë ai që do të botojë pothuaj tërë veprën e shkrimtarit.

Një punë e palodhshme, pasionante, gati tridhjetë vjeçare. Veç Kadaresë ai ka botuar Rexhep Qosen, librin e Bashkim Shehut Vjeshta e frikës, (L’Automne de la Peur), si dhe një roman të fundit të shkrimtarit dhe poetit kosovar Eqerem Basha.

Të tjerë autorë trokisnin në dyert e “Fayard”. E pse jo, një botues si ai, veç bujarisë kishte dhe kërkesën mjaft të lartë të cilësisë së letërsisë, apo esesë që kërkoi t’i prezantojë publikut francez e atij botëror, pasi, siç dihet ishin pikërisht përkthimet e Vrionit, mbi të cilat u bazuan dhe përkthimet e romaneve të Kadaresë në gjuhë të ndryshme të botës. Klod Dyran kishte në dorë të drejtat e autorit tonë më të madh shqiptar të shekullit të XX.

Atë burrë simpatik e kisha parë shkarazi në Tiranë dhe më vonë, nga vitet ‘80 në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve, në hollet e Hotel Dajtit dhe më duket dhe në studiot e Kinostudios «Shqipëria e Re». Lidhja e Shkrimtarëve i rezervonte botuesit francez një pritje të veçantë, edhe pse shumë shkrimtarë e shihnin me xhelozi këtë lidhje të fortë të shkrimtarit me botuesin e huaj, që aq më tepër ishte një premierë në Shqipërinë e epokës totalitare.

Madje hamendësitë ishin të shumta. Realisht do ta njihja atë pasi erdha në Paris si diplomat dhe më konkretisht në librarinë e «Fayard», në «Rue de Saints Pères», apo një mbrëmje të vitit 1992 kur Ismaili me të ktheheshin nga një konferencë letrare në Belgjikë dhe zbrisnin në stacionin e trenave të Gard du Nord bashkë me Helenën dhe Karmenin (Carmen).

Me makinë, përmes shiut, së bashku u drejtuam për në shtëpinë Kadaresë. Klodi të bënte menjëherë për vete me mirësjelljen, buzëqeshjen dhe dashamirësinë e tij. Atë kohë nuk njihja asgjë nga jeta e tij: Cili ishte? Nga vinte? Çfarë pëlqente në këtë botë? Cilët shkrimtarë ishin të preferuarit e tij? A i pëlqente teatri, muzika klasike, kinemaja, ç’dinte ai për Shqipërinë?

Dyran kishte lindur më 9 nëntor 1938 në rrethinat e Parisit. Në rininë e tij ai ndoqi shkollën normale të mësuesve në Versajë dhe shpejt u dashurua pas teatrit. Në këtë kohë të rinisë ai bëh një nga përkrahësit e politikës së një prej europianëve të mëdhenj francez, Mendes France. Filloi të botojë pjesë të shkurtëra dhe u dha pas letërsisë, duke punuar pranë shkrimtarit Jean Carol. Në atë kohë botoi “Menuja e ditës” dhe mori çmimin “Feneon” për romanin e tij të parë “Bregu i detit”, si dhe bashkëpunoi me revistën e njohur letrare Lettres Françaises.

Më pas ky djalosh mjaft simpatik, me fytyrën e një aktori kinemaje, punoi për filmin e Jean Cayrol Goditja e fundit. Pas bashkëpunimeve të para me Gabriel Gracia Markez dhe Solzhenicin, në momentin kur drejtuesit e shtëpisë botuese ”Seuil” kërkuan të tërhiqen nga ai autor dhe Duran vendosi të punojë në shtëpinë botuese “Grasset”, kur më 1979 mori çmimin “Medicis”, për romanin e tij Nata zoologjike.

Në këtë periudhë u caktua drejtor i Përgjithshëm (PDG) i botimeve “Fayard”, duke kërkuar të zgjerojë dimensionet e saj dhe duke u orientuar rreth botimeve të tjera si ato për histori, muzikologji, shkencat humane, letërsi e huaj, etj, dhe duke thithur drejt botimeve “Fayard” personalitete shkencore e politike si Mitterand, ish kryeministri francez Eduard Balladure, Giscard d’Estaing, Shimon Peres, Mandela, Lens Walensa, apo Kisinger e Hillary Clinton, shkrimtari Julien Green, akadamikë si Helene Carrere d’Encausse, Andre Frossard, Alain Peyrefitte, Erik Orsena, Michel Serres, Rene Raymond, librat e çiftit Badinter, etj, autorë të shquar të letërsisë dhe mendimit të sotëm francez e botëror e së fundi dhe Michel Houellebecq. Në vitin 1990-1992 ai u zgjodh presidenti i Institutit “Memoire de l’Edition contemporaine”.

Nga 1991-1998 pasi drejtoi dhe shtëpinë botuese “Stock”, ai kërkoi të krijojë një konstelacion botimesh rreth “Fayard”, pra departamente të reja si botimet Le Pommier, Pauvert, Mazarine, Mille et une nuits, etj. Më 1994 u nderua me titullin “Chevalier de la Legion d’Honneur” dhe më pas me “Officier des Arts et Lettres”(Oficer i Arteve dhe i Letërsisë”). Në vitin 2014, ishte presidenti Holland që do ta dekoronte me titullin e lartë “Commandeur de la Legion d’Honneur”.

Kur filloi në botimet e shtëpisë botuese “Seuil”, që drejtohej nga Paul Flamand, (më parë ai hezitonte të bëhej kineast, siç kishte bashkëpunuar për filmin Coup de Grâce, 1964, apo botimit) ky i fundit i kërkoi të merrej me letërsinë e gjuhës spanjolle dhe ruse. Atëherë ai nuk e dinte se ç’ishin botimet.

Kështu i ra në dorë dorëshkrimi i Garcia Markez Njëqind vjet vetmi. Askush nuk e njihte Markezin në atë kohë në Francë. I pëlqeu menjëherë ky roman dhe i bleu të drejtat e botimit në Francë. “Nuk është turp të them, por atë kohë pagova veçse 5 mijë franga. Gruaja ime Karmen, atëhere ishte shtatzënë. Do ta përkthejmë gjatë kohës së barrës, i thashë asaj, dhe kështu e përkthyem romanin gjatë 9 muajve… Gabo (pra Gabrieli) ishte supersticioz.

Ai më qortonte se e kisha bërë tekstin në një gjuhë të thjeshtëzuar dhe më shtynte të gjeja apo shpikja fjalë për ato fjali që ai kishte sajuar. Ai ishte shumë frankofon. Kur ishte gazetar këtu, gati një moment kishte vdekur urije dhe Francën e shihte si një vend ksenofob dhe jo mikpritës. Megjithatë ai e donte Francën, por francezët jo gjithmonë.” Nga ana komerciale Flamand nuk besonte dhe aq nga romani “Njëqind vjet vetmi”.

Letërsia e gjuhës spanjolle nuk kishte patur ndonjë, “best sellers” të vërtetë. Tirazhi i parë ishte 3 mijë kopje. Në “Le Monde” u botua veç një shkrim në një të katërtën e faqes, në “Nouvel Observateur” veçse një kollonë e vogël. Vitin e dytë, duke folur andej-këndej për vlerat e këtij romani u shitën 3500 kopje. Më pas romani mori çmimin si vepra më e mirë letrare e huaj. Më vonë, u botuan 1 milon kopje në serinë “livre de poche” . Për Francën, me “Njëqind vjet vetmi”, filloi botimi i letërsisë latino-amerikane.

“Shija për Amerikën Latine më bëri të interesohem për gueriljet e asaj kohe. Kjo dhe më shtyu të krijoja në janar të vitit 1968 koleksionin “Combats”, për t’u dhënë të drejtën e fjalës atyre që luftonin. Si social-demokrat që isha, unë mbështesja e mbroja si revolucionarët e Amerikës Latine ashtu dhe disidentët e Europës Lindore. Pikërisht, kur botoja një libër për “Pranverën e Pragës”, tanket ruse hynin ne Çekosllovaki.

Po atë vit botova një tekst të vogël të Solzhenicinit, i cili sapo ishte përjashtuar nga Lidhja e Shkrimtarëve, ç’ka ishte dhe fillimi i persekutimit të tij. Me 1970 botimet “Seuil” fituan të drejtat e vëllimit të parë të veprës së tij Rrota e kuqe, e titulluar “Gusht 14”. Në shkallë botërore të drejtat e Solzhenicinit i kishte në atë kohë një botues gjerman. Më 1979 ai na propozoi një vepër të re, “Arqipelagu Gulag”. Në atë kohë, në Francë askush nuk e njihte fjalën “gulag”.

Kopja e parë e dorëshkrimit na u konfiskua nga KGB. Gruaja që e ruante “vari veten”.“ Pas aventurës së botimit të „Doktor Zhivagos“ së Pasternakut, më 25 dhjetor libri i Solzhenicinit doli në Paris në gjuhën ruse dhe më 1 janar në frëngjisht. Sozhenicini u përzu nga Bashkimi Sovjetik, duke iu hequr madje dhe kombësia e tij ruse. Klod Dyran ishte nga ata botues të njohur evropianë që diti të vlerësojë shkrimtarët e Lindjes europiane, disidentët që po afirmonin tashmë kërkesat e tyre në drejtim të të Drejtave të Njeriut.

Kjo eksperiencë e tij u përsërit edhe me autorë të tjerë latino-amerikanë si, me kubanezin Reinaldo Arenas, të cilit i dërgonte ilaçe dhe që një ditë, ai i kërkoi t‘i dërgonte një kompleks kombinezoni zhytësish, pasi donte të arratisej në anën tjetër, drejt brigjeve të Floridës. Dyran ishte gjithashtu ndër të parët që botoi në Francë kujtimet e Lens Walensës, në një kohë që ai përgjohej e survejohej nga policia sekrete e Polonisë komuniste. Pikërisht kur lëshohej ‘fatwa’ islamike kundër Salman Rushdie, ai guxoi të deklarojë në Le Monde, dhe ishte i vetmi, që ishte gati të botonte ‘Vargjet satanike’.

“Me Kadarenë”

Të paktë janë letrarët e mëdhenj që kanë hyrë në thellësi të jetës së Dyran. Këta janë Kadare, Garcia Markez dhe Solzhenicin. Tri shkrimtarë të natyrave të ndryshme, dy “nobël” dhe një pretendent prej kaq vitesh; një i “realizmit magjik” të Amerikës latine, tjetri disident i shquar i botës staliniste dhe denoncues i gulagut totalitar, i treti shqiptar, ballkanas, europian, me një krijimtari tronditëse, ku mithet e legjendat, bëmat e rapsodëve dhe dramat tragjike kombëtare, janë aureola e tij.

Në shkrimet e tij, herë pas here Kadareja flet dhe për Dyran, veçanërisht në udhëtimet e tij në Paris, shkuarje e ardhje mjaft të tendosura e plot mister, i ndjekur gjithnjë nga dyshimet se dikush po e përgjonte gjer në thellësi të qenies së tij, atmosferë që e gjejmë mjaftë mirë në romanin e tij L’Ombre, (Hija). Klod si të thuash ishte dëshmitar i pamundësisë së lirisë së shkrimtarit në atë kohë, të atij romancieri që më pas ai do ta konsideronte si „një ndër pesë apo dhjetë shkrimtarët më të mëdhenj të botës që jetojnë aktualisht“.

Në një darkë në shtëpinë e poetit dhe kritikut Alain Bosquet, ku do të ftohej Kadareja, duke pritur për një kohë të gjatë që të shfaqej shkrimtari shqiptar, botuesi e kuptoi se ambasada shqiptare në Paris e kishte detyruar shkrimtarin të mos shkonte atje. Madje dihet fakti se kur atasheu i “kulturës” së ambasadës i kërkoi atij të botonte në frëngjisht “veprën e mrekullueshme të shokut Enver Hoxha”, Krushovianët, Dyran i ishte përgjigjur: “Nuk besoj se më intereson”.

“Pata përshtypjen se po më binte tavani mbi kokë”, – do të shkruante për këtë episod Kadareja në Pesha e Kryqit. Mund të thuash se pikëtakimi dhe kompliciteti i Kadaresë dhe Dyran, puna e bërë së bashku, takimet në selinë e “Fayard”, në “Rue des Saints-Pères”, mbrëmjet në „Lipp“, “Flore”, apo në “Les deux Magots”, udhëtimet, ethet e një pune pasionante për afro tri dekada, duke bashkuar këtu përkthyesin e famshëm Jusuf Vrioni, gjithçka përbënte një libër më vete, madje dy: një i shkruar nga vetë Kadareja dhe tjetri që duhej shkruar nga Dyran.

Ata të dy u takuan së pari në vitin 1981, atëherë kur Dyran po kujdesej për botimin e romanit L’Hiver de la grande solitude, kur siç kujton Dyran, „ai ishte rrethuar nga njerëzit e ambasadës „pour écouter ce que nous disions“. „Me vdekjen e Enver Hoxhës, Ismaili kërcënohej të arrestohej, – kujton ai në një intervistë në revistën parisiane L’Oeil de Boeuf, – dhe kur sulmohej me kritika të shumta në shtyp apo në gjirin e Lidhjes së Shkrimtarëve. Ishte urgjente të ndërhyhej.

Kur shkova në Shqipëri bashkë me gruan u prita në kushte të vështira dhe ishim pothuaj të izoluar në një kat të hotel „Dajti“, ku askush s’mund të merrte kontakt me ne, veç njerëzve të regjimit. Por megjithatë nga prezenca dhe deklaratat e mia, ky udhëtim ndihmoi në mbrojtjen e Ismailit… Autoritetet shqiptare e kuptuan se ne ishim mjaft të vëmendshëm ndaj asaj ç’mund t’i ndodhte atij“.

Më 1990, në kohën kur Ramiz Alia nisej për herë të parë në krye të një delegacioni shqiptar në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të OKB-së, në New York, Dyran e ndihmoi Ismailin në largimin e tij drejt Francës, me idenë se kjo do të përshpejtonte proçesin e ndryshimeve politike edhe në këtë vend. „J’ai déménagé une bonne part des archives de Kadare dans mes bagages: treize valises… A Orly, notre equipe était un peu encombrant aux yeux des douanes françaises“ .

Dhe Dyran do ta shoqëronte Kadarenë në gjithë atë periudhë të vështirë por dhe të mbarsur me një veprimtari letrare e politike, që nga deklarata e tij në konferencën e shtypit në Paris ku do kërkonte azil politik e më pas me letrat drejtuar presidentëve të botës, apo për botimet e mëtejshme të Kadaresë.

Më kujtohet pranvera e vitit 1991 kur erdha në Paris me detyrën e diplomatit. Shumë miq më kishin transmetuar përshëndetje për Kadarenë. U takuam në fillim një mbrëmje vonë, në shtëpinë e kitaristit klasik Ehat Musa dhe disa ditë më pas në një apartament të Klod Dyran, diku në Bulonjë, në periferi të Parisit, pranë një kishe në avenynë Jean Jaures.

Në mbrëmje, në interfonin e derës, ku duhej kërkuar emri i tij, ishte në fakt emri “Mozart”. Kadareja ruhej ende nga frika e një reprezaljeje të ardhur nga forca të errta, s’dihej nga. “Botuesi im Klod Dyran, – shkruan Kadare në Printemps albanais, apo Nga një dhjetor në tjetrin, të cilit i kisha kërkuar të vinte në Tiranë, mbërriti me gruan e tij më 11 shtator. Pasi kaluam bashkë darkën, duke e çuar në hotel “Dajti”, i fola për ikjen time nga Shqipëria. Ai më dëgjoi qetësisht.

Ashtu si dhe Michel Piccoli, ai asnjëherë nuk më kishte inkurajuar për një ndërmarje të tillë. Si mik i vërtetë që është, pa më kundërshtuar, ai më vuri në dukje vështirësitë që mund të më dilnin. Ditën tjetër, ne shkuam të shëtisnim, duke folur në shkretëtirën e plazhit të Durrësit. Duke ecur në rërën e qullët, i thashë: mbrëmë, duke u zhytur në shtratin tim, urova me gjithë shpirt që dita të mos agonte më.

”Të kuptoj shumë mirë më tha ai. Të nesërmen më 13 shtator i shoqërova të dy deri tek avioni bashkë me vajzën time të madhe, e cila nuk dyshonte në asgjë. Unë dhe Helena i kishim biletat për 27 shtator. Në pistën e avionit, ku më lanë të shkoja, i pëshpërita Klodit atë që i kisha thënë : nëse ekzistenca e vajzës sonë atje, pengon ardhjen time, ma dërgo atë urgjentisht! Atëherë do të detyrohem ta lë këtu, në momentin e fundit, – i thashë duke evituar fjalën “ta sakrifikoj”.

Ai tundi kokën në mënyrë hijerëndë dhe ne u ndamë.” Në broshurën e librave të botuara së fundi nga “Fayard”, me titullin Veprat e plota, (Oeuvres complets), të Ismail Kadare, në vëllimin 7 dhe 8, shkrimtari dhe botuesi i prezantojnë ato me titullin Les temps des querelles, (Koha e zënkave), një diptik ku vëllimi i shtatë i përket romanit Dimri i vetmisë së madhe, ndërsa vëllimi 8-të, Concert en fin de saison, (Koncert në fund të stines).

Dimri i vetmisë së madhe dhe Koncert në fund të stinës, formojnë një diptik te pakrahasueshëm në gjithë veprën e Kadaresë. Dy romane sqë kanë shumë gjëra të përbashkët, pa qënë ndërkohë binjakë. Me hapësira tepër të mëdha, ndryshe nga veprat e tjera të tij, këto “megalithes” që në dukje mund të shihen si romane historike, ngrihen në një sfond konkret: në të parën, prishja me bllokun sovjetik, 1960-1961 dhe në të dytin me Kinën në vitet 70-të. Me ato, Kadareja nënshkruan dy inkursionet e tij në historinë shekspiriane të botës komuniste.

Dhe ai nuk do të rikthehet më pas, veçse me një tregim mbi Kosovën dhe në një mënyrë më “flu“ tek Hija dhe Spiritus. Ajo që e afron më shumë Dimrin dhe Koncertin në fund të fundit është ndoshta gjërësia e tyre planetare, është thelbi i tyre i “Romanit total”, ky kompozim polifonik që spikat dhe shfaqet në forma të ndryshme: mediat, spiunet satelitore, vëzhguesit, sipas funksionit që zinte kori dhe korrifejtë në tragjeditë greke. Të trajtosh ndarjet ideologjike, duke bërë njëkohësisht një portret të shoqërisë shqiptare të viteve ‘60 – ‘70-të, ishte për autorin tepër e rrezikshme.

Më 1995 Klod Dyran ndërmori një hap tjetër të guximshëm në një hapësirë kur vete ai mund të cilësohej si “një mbrojtës i irredentizmit shqiptar”, duke botuar Çështjen shqiptare, (La question albanaise) të Rexhep Qoses. “Çështja shqiptare, – shkruan ai në pasthënien e këtij libri në gjuhën frënge, – troket fort në portën e politikës botërore, por ajo godet akoma më fort në portën e ndërgjegjes europiane, veçanërisht, të shteteve europiane që lejuan padrejtësinë, e cila është në themel të dramës shqiptare.

Qëllimi i kësaj vepre është që të kontribuojë në zgjimin e ndërgjegjes, në sajë të të dhënave historike aktuale: si u bë ky krim kundër popullit shqiptar?! Si ky popull po e pëson ende këtë krim, si të eliminohen pasojat tragjike, apo më saktë, cila do të jetë zgjidhja e çështjes shqiptare në ditët tona.” Pas kësaj nisme, do të vinte botimi i kronikës së “luftës së Kosovës” “Il a fallu cet mort a nous retrouver”, (“Ra ky mort dhe u pamë”) që do të plotësonte tek publiku francez, europian e botëror tablonë e fatit tragjik të Kosovës.

“Njeriu orkestër“

Kështu e kishte quajtur një gazetar i gazetës Liberation, kohë më parë botuesin e Kadaresë. Padyshim që ai e kishte cilësuar “njeriu orkestër”, sepse Duran kishte aftësinë të orkestrojë në harmoni një punë të jashtëzakonëshme mes bashkëpuntorëve cilësorë e besnikë. Rreth tij ishin një sërë miqsh që e konsultonin dhe e këshillonin për dorëshkrime e botime të ndryshme.

Por për gjithçka ishte gjithnjë ai që vendoste në fund. Sigurisht cilësia e shkrimtarit brenda tij e ndihmonte në një drejtim aq sa dhe ç’mund ta pengonte atë. Dihet që botuesit e mëdhenj nuk kanë qënë shkrimtarë, por të dashuruar pas letërsisë, botimit, shkrimtarëve. Ç’ishte letërsia e vërtetë për Dyran? Realizëm, “verizëm”, “realizëm magjik? Letërsia për të ishte „fiksion”, pra trillim, krijim i pandashëm nga realiteti dhe jeta nga buron. Shkrimtari, thotë ai, është ai që shton diçka mbi realen, atë ç’ka në nuk e gjejmë tek “verizmi”, i cili i përmbahet një interesi sociologjik që nuk n’a intereson dhe aq. Etimologjikisht, autori është ai që shton mbi realitetin.

Ja pse „realizmi magjik”, p.sh. nuk është një nder i letërsisë latino-amerikane. Prej shumë vitesh, Dyran, ishte përpjekur t’i japë një fytyrë të vetën botimeve “Fayard”. Ja pse në të spikasin autorë të zgjedhur dhe së fundi biografi të njerëzve të mëdhenj, si dhe libra që lidhen me shkencat humane, filozofi, sociologji, etj.

Në krye të botimeve rreth muzikës mund të lexosh biografi të mrekullueshme për Mozart, Bah, List, Mahler, Çajkovski, Bethoven, Brahms apo Berlioz, nga figurat historike gjen Sent-Simon, apo Aleksandri i Madh, Franko apo Hitler, Cezar apo Neron, Seneka apo Ciceroni, Stalin, Trocki…

Klod Dyran ishte padyshim një nga botuesit më të njohur të letrave franceze, por njëkohësisht, ishte bërë referencë e rëndësishme edhe për lexuesin e popujve të tjerë. Kështu, ai ishte njëkohësisht dhe një mik i çmuar i shqiptarëve, një intelektual me zemër të madhe që e donte Shqipërinë, që e çmonte historinë e shqiptarëve, që e kishte përjetuar tragjizmin e tij.

Nga takimet e mia të fundit me të më kujtohet një mbledhje në një institucion francez kur pas saj ai më mori në botimet “Fayard” dhe më dhuroi një mori librash mes të cilave dhe dy libra të Cahiers de l’Herne me të cilën ai krenohej, një vështrim për Georges Stern dhe një tjetër kushtuar poetit Rimbaud. Këmbëngulte të më jepte akoma shumë libra por s’doja të abuzoja në mirësinë e tij.

Padyshim që ikja e tij në vitin 2015, në moshën 77 vjeçare, la një boshllëk në peizazhin intelektual e letrar të Francës së sotme…

Please follow and like us: