Ndue Ukaj: 10 libra që duhen lexuar nga letërsia shqipe
“Dhjetë librat më të mirë, mund të jenë dhjetë librat e përzgjedhur nga regjistri i shumësisë së librave tjerë po ashtu të shkëlqyeshëm.
Zakonisht, kur ballafaqohemi me këso pyetesh sfiduese, na duket se, kemi dalë nga një univers i pafund dhe magjik, dhe, para dikujt, duhet të tregojmë, për dhjetë gjëra që na kanë pëlqyer më shumë nga ajo pafundësi bukurie, ku jemi magjepsë. Thënë ndryshe, nuk është lehtë të tregosh pse pikërisht në një moment, dhjetë gjëra të kanë pëlqyer më shumë se dhjetë tjera”. Ndue Ukaj, kritik dhe profesor i letwrsisw nga Prishtina e sheh letërsinë shqipe, që në zanafillën e saj, ndjekur nga malli për gjuhën dhe lirinë, si shenja identiteti dhe qenësie. “Që nga autori i parë i librit shqip, Buzukut, e gjer me sot, e ndiejmë peshën këtij malli përvëluese, që diku ka shpërthyer më shumë e diku më pak. Buzuku e shkroi librin për dashni ndaj gjuhës e kulturës, që atëbotë po dvarej. Në linjë me këtë, e kemi një çetë të madhe autorësh, që shquhen për vlera specifike në kohë dhe rrethana të caktuara”, thotë Ukaj. Më poshtë ai vjen me 10 librat që sipas tij duhen lexuar nga letërsia shqipe.
Pjetër Bogdani, “Cuneus Prophetarum, (“Çeta e Profetëve)”
Kjo vepër është shkruar në një kohë të zymtë të terrorit që bëhej mbi shqiptarët, kur gjuha dhe kultura shqiptare ishin në zgrip të ekzistencës. Bogdani këtë vepër e shkroi, për “të mos lënë dijen dhe gjuhen e dheut të zhduket”. Si e tillë, kjo vepër është një shpërthim, një mall i madh për gjuhën, identitetin dhe kulturën, në një kohë të trishtë, kur prangat e hekurta të robërisë kishin rënë mbi popullin shqiptar, dhe ai vërtet rrezikohej nga padija që, siç tregon Bogdani, kishte lëshuar shumë rrënjë. Bogdani e shkroi këtë vepër të madhe në përkim me poetikën e kohës, duke i dhënë letërsisë shqipe, një kryevepër, që më vonë influencoi jashtëzakonisht shumë kulturën shqiptare, sidomos filozofinë e saj, gjer te Ibrahim Rugova dhe brezi i tij. Ai shkroi i djegur nga mall që e përvëlonte për ta parë popullin e tij të lartësuar, pra, ai donte ta shihte atë, të përparuar, si krejt vendet e botës, ku lulëzonin dijetarët e letrarët.
Gjergj Fishta, “Lahuta e Malcis”
Kjo është një vepër e madhe, që nga njohës të shumtë te letërsisë shqipe, të huaj dhe shqiptarë, është vlerësuar si vepra më e rëndësishme e letërsisë shqiptare. Në të vërtetë, kjo vepër është një pasuri e pashtershme gjuhësore dhe stilistike, që tregon rrugëtimin tonë të vështirë për të ardhur deri te dita e lirisë. Kjo vepër u shkrua pikërisht atëbotë kur në Shqipëri ishin dukur shkëndijat e para të lirisë së shumëpritur. Kjo vepër, si e tillë, ka vargje kumbuese, figura stilistike mahnitëse, që të trandin shpirtin dhe një rrëfim poetik madhështor.
Faik Konica, ‘Shqipëria: kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”
Konica është njëri nga eruditët më të mëdhenj të kulturës shqiptare, një stilist brilant, që me mendimet e rrepta, u bë njëri nga kritikët më të ashpër të veseve dhe të plagëve shqiptare, e të cilat i stigmatizoi pa kompromis. Po ashtu, ai u bë edhe një nga gjurmuesit më të pasionuar të historisë së kulturës shqiptare, vlera këto që i tipologjizon në këtë libër. Si e tillë, kjo vepër përfaqëson një shkollë kundër zakonit të skllavërisë, ndaj të cilit ves shqiptarët nuk ishin imun, e për të cilin ai ndiente neveri.
Në këtë vepër, Konica i bën një analizë shumëdimensionale historisë së kulturës shqiptar, duke plotësuar boshllëqe të shumta, dhe si e tillë, kjo vepër është një thirrje për ta mposhtë plogështinë, për ta heqë pluhurin e robërisë dhe për të ecë me dinjitet ka përparimi.
Ernest Koliqi, “Tregtar flamujsh”
Koliqi është autor shumë i rëndësishëm i historisë së kulturës shqiptare. Duke lëvruar prozën, një zhanër jo aq të zhvilluar deri atëherë në letërsinë shqipe, ai me të drejtë vlerësohet si njëri nga themeluesit e prozës moderne shqipe, bashkë me Migjenin e Kutelin.
Me këtë vepër letrare, ai hapi shtigjet të reja të prozës moderne shqipe, me tregime të bukura, në të cilat ndien pulset e një shpirti të ndjeshëm, që lufton me gjuhën e artin për emancipim shoqëor. Kjo vepër shquhet për përsosmëri të shprehjes letrare dhe bukuri të pafund të gjuhës.
Mitrush Kuteli “E madhe është gjëma e mëkatit”
Kuteli është prozator me talent të pashoq, me një fuqi imagjinare të pazakontë, vlera këto letrare të cilat i ka shtrirë në shumë fusha dhe në shumë vepra. Te kjo vepër, shpërthen energjia e tij letrare si askund, dhe ai shkruan njërën nga prozat më të bukura të letërsisë shqipe, një prozë të madhe të dashurisë së madhe, të dyzuar, mes tokësores dhe qiellores.
At Zef Pllumi “Rroni vetëm për me tregue”
Ky libër është një nga veprat më të bukura, që tregon sesi “dashnia nuk vendoset me dhunë” në asnjë shoqëri.
Libri i kujtimeve të Pllumit, sot e përherë, për mua, mbetet heshtë që shporon zemrën e egër të komunizmit dhe të dishepujve të tij, që asnjëherë nuk u penduan dhe nuk kërkuan falje, për vuajtët e pafund që u shkaktuan shqiptarëve gjatë errësirës së gjatë komuniste, kur njeriu u degdis dhe u tkurr botën deri në nivel kafshe.
Kujtimet e Át Pllumit farkëtojnë një histori makthi e lirie, ku shprehet fuqia e tërbuar e njeriut që nuk do njeriun, e njeriut që për njeriun është ma pak besnik se ujku, dhe, atij që deri në maksimum lufton për lirinë e njeriut dhe të vendit të vet.
Martin Camaj “Vepra poetike”
Një libër i madh dhe fantastik i poezisë, ku është përmbledhë arti poetik i Camajt, e ku ndihen telat e zemrës së madhe poetike, që rrahin fuqishëm në dejtë e një poezi magjepse, ku ka ambëlsi të pafund të gjuhës dhe thellësi të mendimit.
Camaj, mbase mbetet shkrimtari më i përkorë i letërsisë shqipe. Poeti që iku nga Itaka, por të cilën e barti kudo, në zemër, si shtegtar, duke lënë copëza të saj në gjuhë dhe mendim. Ai pranoi të bëhej shtegtar dhe ky veprim krijoi thyerje në jetën dhe në shpirtin e tij. Sepse, janë dallgët e atdheut të trazuar, që do ta ndjekin çdoherë pas. Është ajo copë Itake që i rri e thadruar në ndërgjegjen e tij. Dhe, poeti nuk mund, e as që do ta fashitë atë copë Itake, rreth së cilës, më pastaj, krijoi hartën e tij shpirtërore e letrare. Larg atdheut, plot mall, dhimbje, kujtime e dashuri për njerëzit dhe natyrën; ndjesi këto që bëhen shkëndija vezulluese fantastike.
Ismail Kadare “Vajza e Agamemononit”
Kadareja ka shkruar një sërë romanësh që janë kryevepra të letërsisë shqipe dhe botërore, por po e veçoj këtë, meqë sapo e kam rilexuar. Ky roman, thënë me gjuhën e autorit, është një vegël torturuese në ndërgjegjen e njerëzimit, në ndërgjegjen e tiranëve dhe atyre që sillen vërdallë tij, në oborrin mbretëror të krimit. Ky roman është shkruar me kulturë letrare mahnitëse, ku flitet për botën e poshtme dhe të epërme, atë të pushtetit dhe të njerëzve që bluhen në sisteme totalitare, siç ishte ai i regjimit barbar të Hoxhës, ku tiranët, duhet të flijojnë fëmijët e tyre për të mbetë në pushtet apo për t’u ngritë në hierarki, kur rastis të bien.
Anton Pashku “Oh”
Një roman modern, me një gjuhë ironike e alegorike dhe veçori narrative mbresëlënëse, “Oh” përfaqëson njërën nga prozat më të veçantë të letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Pashku, duke ndërtuar një roman inovativ, në stil e prosede, me një strukturë narrative bashkëkohore, përfaqëson një prozë të panjohur gjer atëherë në letërsinë shqipe. Autori rrëfen për utopinë e zbritjes dhe të ngritjes, të mosveprimit, përbrenda situatave absurde, meqë personazhi i tij nuk vepron, por vetëm imagjinon.
Azem Shkreli, “Zogj dhe gurë”
Ky libër poetik i Azem Shkrelit është fryt i punë së tij të madhe në fushën e artit, ku ndihet përpikëria e vargut dhe gjuhës. Në këtë libër, shpërthejnë hovet e poetit të madh të plsalmeve dhe të metaforave, që përvajshëm e me tension poetik këndon për njeriun, klithmat njerëzore, atdheun dhe dashurinë.