Aziatiket e Google ankohen për ngacmimet seksuale
Qindra punonjës të firmës Google në Azi ndërprenë punën të enjten si pjesë e një proteste në mbarë botën rreth mënyrës se si kompania i ka trajtuar rastet e ngacmimit seksual si dhe kulturës në vendin e punës.
Qindra punëtorë dhe punonjës të jashtëm me kontratë të kompanisë, shumica prej tyre gra, pritet të ndërpresin punën edhe në dhjetra zyra të kompanisë në mbarë botën.
Protestat janë treguesi më i fundit i pakënaqësive të punonjësve, që u përshkallëzuan javën e kaluar pasi gazeta New York Times njoftoi se gjiganti i internetit u ka paguar miliona dollarë drejtuesve meshkuj kur janë larguar nga puna, të akuzuar për ngacmime, por pa u publikuar shkeljet që kanë kryer.
Në artikullin e gazetës thuhej ndër të tjera se Google i ka paguar 90 milionë dollarë në vitin 2014 nënpresidentit të atëhershëm Andy Rubin, i akuzuar për ngacmime seksuale. Zoti Rubin i mohoi akuzat në artikull, të cilat kompania nuk i kundërshtoi.
Organizatorët e protestave kërkuan të mërkurën në mbrëmje që kompania mëmë e Google-t, Alfabet, të vendosë një përfaqësues të punonjësve në bordin e drejtorëve të tij si dhe të bëjë publike brenda kompanisë, informacione që lidhen me pagat, në mënyrë që të parandalohen rastet e diskriminimit për shkak të racës dhe gjinisë. Punonjësit i kërkuan gjithashtu kompanisë të rishikojë praktikat e burimeve njerëzore për të bërë që procesi i paraqitjes së pretendimeve për ngacmime, të jetë më i paanshëm.
Shefi ekzekutiv i kompanisë Google, Sundar Pichai, tha se “punonjësit kanë hedhur ide dobiprurëse për të cilat kompania do të marrë masa”.
Pakënaqësitë mes 94 mijë punonjësve të Alphabet-it dhe dhjetëra mijëra punonjësve të jashtëm me kontratë të saj, nuk kanë ndikuar negativisht në çmimin e aksioneve të kompanisë. Por sipas punonjësve, Alphabet-i pritet të ketë probleme me rekrutimin apo dhe mbajtjen e punonjësve në punë, nëse nuk merren masat e duhura për zgjidhjen e problemeve.