Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: KREDENCIALET E NJË POETI

(Besart Varfi: I vërteti i pavërtetë)

Mary Doyle Springer* shkruan:
“Një personazh letrar është një ndërtim artificial i vizatuar prej dhe relativisht intim nga njerëz të jetës së vërtetë. Identiteti i personazhit, bëhet i ditur, më së pari, nga vazhdimësia e zgjedhjeve që bën, ligjëratat, dhe bëmat, në përputhje me llojin e personit që është xjerrë të shfaqet. Nga ana tjetër, identiteti përforcohet nga përshkrimet, nga mënyra e të folurit dhe ç’ndodh në përplasje me personazhet e tjerë. Zgjedhjet, bëmat dhe veset që përbëjnë një personazh kufizohen nga, përputhen me dhe përshtaten me parimet drejtuese të të gjithë vepres, ku personazhi merr dhe mban pjesë. “Jeta” e tij mbaron kur përfundon pjesa e tij në vepër.

Por, siç e kanë thënë të tjerë më të mençëm, ka shumë më tepër se këto, se ngjyrat e format shpesh janë të përçudnuara, sa e vërteta e sajuar me arna të vjedhura aty këtu apo e kopjuar nga një i vërtetë, ai, i cili pi kafè çdo ditë në të njejtin vend, a në të njejtën kafene. Është më tepër se kopje e kopjes. Përveç, që asnjeri nga ne, asnjëherë, nuk ka marrë vendime bazuar në principet e dramës udheheqëse, por shpesh ato kanë qenë sa në atë hulli por edhe ne te kundërt dhe shpesh, thuajse gjithmone, asgjë më shumë se përshtatje rrethanash e përllogaritje llogjike, për të cilat na ka gërryer më pas keqardhja dhe dyshimi. Pa përmendur një farë bizantinizmi, shpesh e njohur si një farë pabesie, në popujt bizantinë, (ndoshta kjo gojëkeqe është përhapur nga armiqtë, sidomos ata ballkanikë, që të tjera thonë, të tjera bëjnë dhe thuajse krejt ndryshe mendojnë. “Njeriu i ri” i diktaturave e dëshmon fare mirë këtë. Se çfarë mendon një personazh është thuajse e pamundur të dihet, por e gjejmë si reflektim të vagullt, tërthorazi nga sa u përmend më sipër, por jo, as një majë malakulli mbi ujë. Lere pastaj se ç’ndjen, në ndërthurrjen e magjijëshme mendim-ndjenjë, apo mendim-ëndërr, ku fare mirë do ta shpjegonte psikologjia dhe psikoanaliza dhe që çuditerisht është kryer në anë të kundërt, duke analizuar autorët nëpërmjet personazheve të tyre, sikunder dhe ëndërrat. Mbase kete ka kerkuar te tregoje, veten brenda tij dhe ky i gjorë, i thjeshtë, “dede” siç thuhej dikur, në librin e tij, “NE”, qe s’u nis e u shkrua për libër, por u mblodh nga të afërmit dhe një mik, që sa ish gjallë nuk e kishte përmendur asnjëhere, s’ka thuajse fare “kredenciale” e veta njerëzore, qoftë jetësore apo letrare:
• Lindi diku në një qytet e shtet të mbyllur burg. Kush nuk!
• U edukua si ne të gjithë, mbaroi shkollën po aty, e çuan apo zgjodhi në ato pak zgjedhje, dhe punoi në mjeshtërinë e tij deri sa vdiq.
• Erdhi, dashuroi, iku. Vdiq vetëm. (e rëndë në atë çast të fundit, sikurse kur lindim, pamvarësisht).
Ah, për pak harrova, filloi të shkruajë poezi i përfshirë dhe përzjerë në lëvizjen idilike, ku Beatles dhe Stones, dhe Bluz, pushtuan botën, e cila arriti si trokitje e mefshtë dhe në dritaren e tij. Gjë, pa qënë aspak revolutionar-disident e pagoi me edukim pranë “kllasës punëtore” dhe kur ra Muri, ngeli në breg të rrymës ku “të edukuarit” dhe benjaminët e pushtetit, i harruar, ushtar a partizan dy herë i humbur, dy herë i përbuzur.

Singer, (emri më kujton një makinë qepëse, krenaria e gjyshes sime, q’e përdorte rallë, por q’e kish blerë me “napolona flori”, dhuratë e të shoqit, me pedal, me trupin e bukur si të një zonje mace), vazhdon:
“Personazhi mund të shfaqet nëpërmjet lidhjes së ngjarjeve, nëpërmjet pamjes, (gabim i madh ky, si mund ta gjykosh tjetrin nga hunda) gjestet, qëndrimi, veshja (?), nga komentet për personazhet e tjerë, nga biseda e drejtë për drejtë me të, të folurit e brendëshëm, i përmbledhur ose i cituar si monolog i brendëshëm; ose nga përcaktime nga vetë autori për qëndrimet dhe qëllimet e personazheve, te cilat mund të jenë të thëna copë ose si shpjegime të arsyetuara.”

Edhe pse i ndjeri Varf, nuk mund t’u shpëtojë këtyre përgjithësimeve të përvojës së letrave të shkruara apo të kënduara , vetë ai, nuk është aspak i përcaktuar edhe pse është historia e vërtetë e jetës së tij. Portreti i tij është tërësisht psikologjik, emocinal, ndjenja dhe ato të fshehura mes vargjeve, ose mes nënkuptimeve të shumta, ca prej të cilave, si shqipëtar kordhëtar, erotike, revoltë dhe fitore, dhe habitshëm dhe gjetkë, nga epilogu në prolog. Po ashtu personazhi tjetër, grua, e dashur, shoqe dhe mike, të cilat në fund, si për çdo njërin nga ne, nuk dolën të ishin siç u duken. Libri ka veç dy përshkrime të tilla dhe ato të pjesëshme. Një për një mace, e cila nuk mund të quhet personazh, e jo ngaqë nuk është njerëzore, (apo është?), dhe tjetri shkruar nga e mbesa Mirela, si duket, dhe ketë, risi a arritje, në të fundit do ta zbulojë lexuesi. Se çfare qe e gjithë kjo, nëse do ta njohësh nga afër, në tepsi si në historitë e gjenezës biblike-hebraike, ka kokën e personazhit, që sy s’ka e as tipare, tashmë, se ia ka tretur koha dhe dheu, e mbase shpejt dhe ç’mbet pluhuri!

“Nuk ish i gjatë, sa lehtë humbiste në çdo turmë, por veç se kur dilte të dukej midis atyre njerëzve, ata sikur tulateshin nga e ecura e tij plot gjallëri, me ritmikë të rregullt e të shpejtë, me lëvizje plot forcë të krahëve, me supe pak të rëna nga një ndrojtje që e kish si natyrë të dytë.”**

Ç’kredenciale! Sikur të mos ish i shkurtër, s’dihet as sa i gjatë, duket si Saliu i Berishajve!
Të besueshmet për këtë autor personazh, janë ndoshta të vërteta, kur çdokush prej nesh lexon e kupton aty ç’të dojë, pa asnjë shteg a gardh, të marrë e të japë ç’do. Mbase la pas një vegim lirie, si të shumë të tjerave.

*Rhetoric of Literary Character: Some Women of Henry James [Mary Doyle Springer] 1979

** Besart Varfi NE Toena 2018

Please follow and like us: