Gjek Marinaj: Si e futa Kadarenë në programet mësimore të kolegjit të Dallasit
Intervistë ekskluzive e shqiptaro-amerikanit, Gjek Marinaj, me origjinë nga Malësia e Madhe, i cili që prej vitit 1990-të, kur u arratis nga Shqipëria, jeton e punon Dallas të SHBA-ës. Marinaj: “Unë shpreha bindjen time se pavarësisht nga origjina e acarimit apo e urrejtjes së disave ndaj tij, shtresa më e thellë e veprimeve të tyre ndaj Kadaresë nuk është asgjë tjetër veçse një moçal i përmbytur nga ujërat e zeza të injorancës”.
Intervista Dashnor Kaloçi
Ashtu sikurse dihet tashmë, fama e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, prej disa dekadash i ka kaluar kufijt e Shqipërisë dhe ai është bërë i njohur edhe në shumë vende të botës ku janë botuar dhe ribotuar pjesa më e madhe e veprave të tij në më shumë se 45 gjuhë të globit. Madje jo vetëm kaq, por disa nga librat e tij më të spikatur në gjininë e prozës, kanë fituar të drejtën të studiohen edhe në tekstet e programeve mësimore të kolegjeve të ndryshme të këtyre shteteve. Një nga ato shkolla ku studiohet vepra e Kadaresë, është Richland College në Dallas të Teksasit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku prej 15 vitesh nxënësit e tij në lëndën e Letërsisë Botërore, kanë të programuar librin “Ura me tri harqe”, të cilin shkrimtari ynë i famshëm e ka shkruar në fillimin e viteve ’70-të. Po si është bërë e mundur që kjo vepër e Kadaresë të studiohet në atë kolegj amerikan?! Lidhur me këtë, dëshmon për herë të parë, shqiptaro-amerikani Gjek Marinaj (me origjina nga Malësia e Madhe, prej vitit 1990-të jeton e punon në SHBA-ës) i cili është dhe pedagogu i atij institucioni arsimor që arriti ta realizonte atë gjë.
Zoti Marinaj, si ju lindi ideja dhe pse vendose që të futësh në programet mësimore të kolegjit librat e Kadaresë dhe si u prit ajo gjë nga titullarët e atij institucioni arsimor ku ju jeni pedagog?
Ideja nuk ka qenë e formuar plotësisht në faktin se Kadareja është një shkrimtar shqiptar. Ai ofron një fuqi të rëndësishme në gravitetin e së bukurës në letërsisë së sotme botërore. Kjo nuk do të thotë se nuk jam ndikuar nga njohja nga afër me krijimtarinë e tij. Megjithatë, ideja për futjen e Kadaresë në programin mësimor të Kolegjit, nuk ka qenë një produkt i nostalgjisë, por i këmbënguljes time profesionale për t’u afruar studentëve oportunitetet më të përshtatshme për suksesin e tyre shkollor. Idetë për të realizuar diçka gjithmonë duhet të jetë në balancë me qëllimin e finalizimit të tyre. Në rastin tim, qëllimi ka qenë konkret. Në njërën anë, edhe sikur letërsia e Kadaresë të rrezatonte për studentët e mi vetëm një fraksion të efektit të kënaqësisë dhe argëtimit letrar që përjetoj unë, ata do të ngeleshim më se te kënaqur me vendimin tim. Nga ana tjetër dhe më e rëndësishmja, duke u dhënë studentëve oportunitetin të studiojnë një shkrimtar të kalibrit Kadare, unë i ftoj të hyjnë në një univers krejt të ri letrar për ta. Aty u jepet mundësia të shijojnë reflektimin e një ylberi të çuditshëm letraro-artistik, ku larmia e ngjyrave të dritës që gjendet aty ka nocione homeriane, në kuptimin e hapësirës së imagjinatës dhe një thellësi virgjiliane në aspektin e aplikimit të fuqisë së mendimit artistik në prozë. Së bashku ato i bashkëngjitjen një kompozimi sipas mësimeve që nxjerrim nga pena e Dantes. Pra letërsia kadareiane ishte një “manual’ më i kompletuar se ai që ata studionin më parë për të njëjtën klasë.
Ngaqë e përjetoje një ndjenje kaq të fortë për librat e Kadaresë, pse e realizove kaq vonë futjen e tij në programet e kolegjit ku ju jepni mësim si pedagog?
Mungesa e eksperiencës ka luajtur rolin e saj në këtë proces. Vitin e parë të mësimdhënies e kam kaluar si “duke ecur mbi vezë”, duke zbatuar me korrektësi dhe duke konsideruar gati çdo sugjerim të kolegëve, pa u përqendruar shumë në idetë e mia apo në opsionet që kisha për të ndihmuar në mënyrë sa më efikase studentët. Mendimi se studentët amerikanë kanë nevojë për letërsinë e Kadaresë, më është vërtitur në vetëdije për një kohë të gjatë. Nxitimi për të marrë kontroll të plotë pedagogjik, për fat të mirë, nuk më zgjati shumë. Me njohjen se “kush është kush” në bordin drejtues të kolegjit fillova të “nxjerr krye” dhe të shpreh mendimet e mia se çfarë është e nevojshme për stilin tim të mësimdhënies dhe për studentët e mi. Midis tjerash kërkova ndryshimin e teksteve të detyruara suplementare për seksionin e letërsisë botërore të lëndës “English and Communication” që jepja. Në fillim insistova në zëvendësimin e librit ‘The Old Man and The Sea’ (Plaku dhe deti) të nobelistit amerikan Ernest Hemingway, me librin ‘The Bluest Eye’ (Syri më i Kaltër) të nobelistes tjetër amerikane, Tony Morrison. Më vonë, pasi e ndjeva se vendi im i punës ishte i sigurt pavarësisht nga natyra e kërkesave që parashtroja, bëra kërkesën për zëvendësimin e librit të dytë ‘The Scarlet Letter’ (Germa e Kuqe) të shkrimtarit amerikan Nathaniel Hawthorne me librin ‘The Concert’ (Koncert në fund të dimrit) të Ismail Kadaresë.
Dhe cila ishte përgjigjia që morët?
Pas një kohe, për zhgënjimin tim, u aprovua vetëm ndryshimi për librin e parë. Ndërsa për librin e Kadaresë mora një përgjigje të shkurtër, të ftohtë negative, ku thuhej: “Pas shqyrtimit të kërkesës tënde për zëvendësimin e librit ‘The Scarlet Letter’ të Nathaniel Haëthorne, me librin ‘The Concert’ të Ismail Kadaresë, ju njoftojmë me keqardhje se kërkesa juaj nuk është aprovuar. Klasa juaj ka në program vetëm dy libra suplementar dhe ne mendojnë se libri i parë është më i përshtatshëm se i dyti për programin tonë”’
Cila ishte lëvizja juaj e dytë apo plani B në se mund të themi kështu?
E dija se refuzimi i kërkesës time kishte të bënte me një problem sipërfaqësor që shpalosej paralelisht me një çështje më të thellë. Problemi i parë ishte tematika dhe mësimet konstruktive që mund të nxirrnin studentët nga zhvillimi i ngjarjeve të trajtuara. Kjo nuk më befasonte për vetë faktin se njëri libër trajtonte standardet morale dhe konsekuencat e thyerjes së tyre në Bostonin e një të kaluare relativisht të lashtë, kurse tjetri kishte të bënte me marrëdhëniet shqiptaro-kineze të dekadave të fundit të shekullit që kaloi. Thelbi i hezitimit të tyre, mendoj unë, ishte edhe njohja e plotë e vlerave artistike të Nathaniel Haëthorne, i cili është i njohur si njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj amerikan i të gjitha kohërave, përball njohjes së kufizuar e aftësive letrare të shkrimtarit shqiptar që bëhej fjalë ta zëvendësonte atë. Kështu, rezervova një kohë të përshtatshme me drejtorin e departamentit të gjuhës dhe letërsisë angleze të kolegjit Prof. Ed H. Garcia. Pas takimit të planifikuar për 30 minuta, i cili zgjati gati 2 orë, u bë i mundur miratimi, por për një libër tjetër të Kadarese, atë të titulluar ‘The three arched bridge’ (Ura me tri harqe).
Cila ishte strategjia juaj që bëri të mundur të thyenit barrierën e kundërshtimit, dhe pse “Ura me tri harqe”?
Në fillim i shpjegova se është në interesin e studentëve të e mi që ata të ekspozohen tek një larmi teknikash dhe burimesh akademike që mundësojnë kalimin e formave e teksteve letrare nga kulturat e huaja për tek kultura jonë (amerikane). Në të njëjtën kohë, i parashtrova mendimin se është e rëndësishme që studentëve t’u jepet mundësia e një përfitimi më të madh drejt thesareve të letërsisë së Ballkanit dhe të krejt Evropës Lindore. Këtë e lidha me idenë së letërsia e Kadaresë dhe metodologjitë e gjetura në artin e prozës e tij të përkthyer në anglisht, mund të kontribuojnë ndjeshëm në ndihmë të studentëve vëçanarisht në revitalizacionin e aktit të interpretimit dhe të promovimit të studimeve të disiplinave të artit dhe humanizmit. Pra u mundova të argumentoj se studentët tanë kishin më nevojë për letërsinë e Kadaresë se për atë të shkrimtarit Nathaniel Hawthorne. Disa nga pikat shtesë të argumentit konsistonin me nevojën e mësimit të metodave se si letërsia e përkthyer mund të aplikohet tek interpretimet e sakta të tekstit letrar dhe të humanizmit në përgjithësi. Po kështu, gjatë njohjes me letërsinë e shkrimtarit shqiptar, studentët do të mësonin se si komunikimet ndërkulturore dhe negociatat shoqërore mund të implimentohen me sukses në prozë. Gjë që studentëve nuk ua ofronte dot letërsia e Hawthorne-it, ashtu siç nuk u ofronte as prezantimin e tyre me skenën bashkëkohore të letërsisë së huaj. E mbi të gjitha, thashë unë, duhej analizuar fakti se Kadareja ishte edhe poet i kalibrit botëror, dhe se proza e tij ishte e fuqizuar me intonacione poetike, gjë që vet Haëthorne e ka pranuar se mungon në prozën e tij.
Si e priti Prof. Garcia idenë tënde se Kadareja është shkrimtar më i nevojshëm për studentët amerikane se Hawthorne?
Në fillim me skeptisizëm. Por e klasifikova mendimin nën fjalën kyçe “nevojë” e studentëve dhe shpjegova se nuk bëhej fjalë për krahasim madhështie midis shkrimtarëve në fjalë. Një tentative e tillë jo vetëm që nuk është në akord me gjykimin tim për letërsinë, por në të njëjtën kohë do të ishte diçka krejtësisht absurde. Ne e dinim se Hawthorne dhe Kadareja janë dy yje që ndriçojnë njëherësh të njëjtën botë letrare në mënyrë unike dhe të pavarur nga koncepti krahasues. Krahasimet cilësore nuk kishin vend në bisedën tonë, faktet po. Të gjitha ato që ia përmenda atij dhe dy profesorëve të tjerë që gjendeshin aty, ishin vetëm disa arsye që të shtynin të mendoje se letërsia e Kadaresë do të ishte më e nevojshme për studentët kishin të bënin vetëm me origjinën kulturore dhe pikën gjeografike të vendlindjes së autorëve. Madje edhe kur fola për faktorin poezi si një avantazh në prozën e Kadaresë, kuptohej se edhe Hawthorne e kishte një të veçantë dominuese ndaj krejt letërsinë perëndimore në prozën e tij: filozofinë. Faktikisht, Kadarenë dhe Hawthorne kanë ngjashmëri në librat e tyre. Siç e thashë edhe më lart, ishte detyra ime t’i bindë Prof. Garcia-në, dhe dy profesorët e tjerë që ai i ishte ftuar të merrnin pjesë në këtë takim, Hillary Fleming (profesoreshe e letërsisë botërore) dhe Mike Garza (Profesor i Psikologjisë) se nëse studentët do të humbnin diçka nga largimi prej njërit libër, në të njëjtën kohë, do të fitonin diçka nga studimi i librit tjetër. Aq më tepër kur propozimi im i fundit ishte “Ura me tri harqe” kundrejt librit “Germa e Kuqe”. Të dy librat kishin linja të caktuara që bashkoheshin në të njëjtën pikë të trajtimit të skenave. Midis tjerash nxora konkluzione se të dy librat përqendroheshin në lidhjet traditës fetare (të kohëve e tyre respektive) me mëkatin dhe diturinë njerëzore. Të dy librat i japin një rëndësi të veçantë aspektit social dhe peripecive për ta jetuar atë në akord me parametrat e orkestruar nga grupe me interesa të caktuara në shoqëritë përkatëse. Në një nivel tjetër, kemi të bëjmë me disa veçori psikologjike, të ngjashme në të dy librat, të identitetit dhe jetës personale të personazheve. Në të dy librat duhej të murosej nga një jetë që të tjerët të gjenin sodisfaksion dhe qetësi mendore në jetën e tyre, ndonëse njëri murim bëhet në trupin guror të një ure dhe tjetri në trupin antisocial të një shoqërie hipokrite!
Si reagonin profesorët gjatë argumenteve qe u parashtruat ju, çfarë pyetjesh të kanë bërë më shumë përshtypje?
Pyetjet që bënin, me kalimin e kohës, morën natyrën e një bisede shoqërore. Në fillim dukej interesi i tyre se si unë do e bëja transformimin e ideve që kisha nga funksioni teorik në atë praktik. Dhe se si do të ndikonte ky transformim në jetën akademike dhe sociale të studentëve. Megjithatë kur filluam të bisedonim më lirshëm, u desh të tregohesha më i kujdesur në përgjigjet e mia. Them kështu se natyra e pyetjeve dalëngadalë po merrte dimensione të tjera konversecionale. Një nga pyetje që më bëri më shume përshtypje erdhi jo nga prof. Garcia apo nga prof. Fleming, por nga profesori i psikologjisë, Mike Garza. Ai më pyeti se nëse do më duhej ta përkufizoja në një fjalë të vetme kundërvënien publike të disa prej kundërshtarëve të Kadaresë, cila do të ishte ajo fjalë? Të them të drejtën nuk e prisja një pyetje të tillë prej tij, ndaj, për herë të parë në bisedë hezitova të përgjigjem “vetëtimthi”. U desh të mendoja për disa sekonda sepse në mendje mu sollën disa fjalë që do të ishin të përshtatshme, si xhelozi, Shqipëri, mbrojtje, dukje, pritje etj. Por sfida ishte se duhej të përgjigjesha në një fjalë të vetme. Fjala që u dhashë qe: injorancë.
Cili ishte reagimi i tyre pas përgjigjies tuaj?
Mesa duket ata nuk e pritën një përgjigje të tillë. Nuk folën, por reagimet e dukshme të fytyrave të tyre, më dhanë të kuptoj se duhej të bëja shpjegime të mëtejshme. U mundova ta mbyll atë kapitull me shpjegime anësore duke shpjeguar se: Dikur shkencëtarët besonin se një objekt gjatë djegies lëshonte një substancë që quhet flogjiston, që në vizionin tonë dukej si flakët e zjarrit. Mjekët dikur besoni se sëmundjet vinin si humbje e ekuilibrit të humorit (diçka e ngjashme me energjitë emocionale) në gjak. Biologjistët dikur besonin se gjallesat nuk do të ndërpriteshin kurrë nga ekzistenca, dhe se nuk mund të vinin kurrë gjallesa të tjera në ekzistencë. Gjeologët dikur besonin se kontinentet nuk kanë lëvizur kurrë nga vendi që gjendeshin të pozicionuar. Shumica e njerëzve në botë besonin se dielli sillej rreth tokës dhe se toka ishte qendra e universit. Por tani ne e dimë se këto ide, dikur të pranuara nga shumë njerëz inteligjentë, nuk janë të vërteta. Me këto shpjegime desha të jap përshtypjen se kundërshtarëve të Kadaresë u duhet akoma kohë për ta kuptuar atë dhe rolin e tij në letërsinë shqipe dhe botërore. Unë shpreha bindjen time se pavarësisht nga origjina e acarimit apo e urrejtjes së disave ndaj tij, shtresa më e thellë e veprimeve të tyre ndaj Kadaresë nuk është asgjë tjetër veçse një moçal i përmbytur nga ujërat e zeza të injorancës. Gjithnjë duke i lënë të kuptojnë se këto janë gjykimet e mia personale dhe se mund të mos reflektojnë këndvështrimet e të tjerëve kundrejt kësaj çështje, shpjegova se, në fakt, lufta kundër Kadaresë nuk kishte të bënë fare me Kadarenë personalisht.
Me siguri përgjigja i juaj i shtyri të kërkojnë shpjegime të mëtejshme prej teje?
Po. Ata u ndalën veçanërisht te fjala qëllim dhe pse mendoja se lufta kundër Kadaresë nuk kishte të bënë fare me Kadarenë. U thashë opinionin tim, duke i ndarë kundërshtarët e tij në pesë grupe kryesore. Argumentet e mia i kryesova me dy fjalë, të cilat shpjegonin një aspekt të logjikës njerëzore që, edhe kur e kuptojmë se nga vendimet që marrim si individë rritet një dëmtim serioz kundra një individi, një shteti apo krejt njerëzimit, ne refuzojmë ta ndërrojmë sjelljen, sepse jemi të bazuar në përfitimet personale që kemi, ose që duket se i kemi, të cilësdo natyre që mund të jenë ato. Ja si i përkufizova grupet për ta:
Në grupin e parë hyjnë ata njerëzit që ankohen rastësisht. Ata janë të thjeshtë dhe ndershëm, por që analizojnë pakënaqësitë e një apo të disa aspekteve të jetës së tyre të përditshme, pastaj pa të keq, duan të gjejnë patjetër fajtorët që ua sollën ato. Siç mund të parakuptohet, njëri prej këtyre fajtorëve duhet të jetë patjetër Kadareja, sepse një shkrimtar kaq i madh, me kaq zë, “po të donte” mund të bënte mrekullia. Pra ky është grupi më i padëmshëm, që aq di dhe aq flet.
Ata që shkruajnë kundër Kadaresë për t’u dukur i futa në grupin e dytë, sepse rreziku që paraqesin është relativisht i vogël dhe se ka karakter krejt primitiv, thjeshtë për t’u dukur. Ata janë të dështuar si “shkrues”, por që vazhdojnë të shkruajnë me shpresën se emri i tyre në të njëjtën faqe gazete me Kadarenë, do ua rrisin sadopak kënaqësinë. Këta janë tipa të çuditshëm për vet faktin se edhe mund ta ndjekin Kadarenë, të tentojnë t’i paguajnë drekën, t’i bëjnë komplimente dhe ta shoqërojnë deri në sallën ku Kadareja do të flasë apo të nderohet me ndonjë çmim…?! Por pikërisht aty u thyhet durimi. Ngaqë podiumi nuk ka vend edhe për ta, ata dalin jashtë në gjysmë të konferencës apo festimit dhe shkojnë në shtëpi të shkruajnë kundra tij.
Grupi i tretë kudër Kadaresë argumentova se përbëhet prej atyre që janë krijues të zotët, të respektuar për krijimtarinë e tyre nga publiku, por që lexuesi i tyre e di, Kadareja e di, madje edhe ata vetë e dinë, se para Kadaresë janë, thjeshtë, krijues mediokër. Ngaqë nuk e durojnë dot suksesin tij universal, dalin kundra tij duke aplikuar taktikën e apelimit sentimental para lexuesit, dhe përdorin një funksionim të njëtrajtshëm emocional për ta tërhequr vëmendjen e tyre nga faktet që vazhdojnë ta bëjnë Kadarenë të suksesshëm para tyre dhe botës.
Ata që shkruajnë kundra Kadaresë për t’u mbrojtur i futa në grupin e katërt të pikës së bisedës. Filozofia e tyre është: “mbrojtja më e mirë është sulmi”. Ata ose i kanë kryer vetë ose janë të instrumentuar nga ata që i kanë kryer vetë ato “krime” për të cilat akuzojnë Kadarenë. Këtyre tip njerëzish u “shkon bark nga goja” kundra Kadaresë vetëm për të mbajtur krimet e veta nën breshërinë e fjalëve të këqija dhe shpifjeve, duke i bërë parapritë dhe duke ia bërë të frikshme shoqërisë iniciativën e mundshme për t’u futur në mes për të zbuluar të vërtetën.
Por, grupi i pestë dhe më i rrezikshmi përbëhet nga ata që e sulmojnë Kadarenë për të dëmtuar kombin shqiptar. Ata nuk duan që Kadareja të fitojë Çmimin Nobel, sepse nuk duan që Shqipëria ta fitoje atë. Ata nuk duan që Kadareja të studiohet në kolegjet dhe universitetet e huaja, sepse edhe tematika, shqetësimet, kultura, dhe jeta e shqiptarëve do të studiohej e vlerësohej. Ata nuk duan që Kadareja të zotërojë vendin e vet në hartën e letërsisë botërore, sepse nuk duan që Shqipëria të zotërojë vendin e vet në hartën e letërsisë botërore!
Cilat janë marrëdhëniet tuaja personale me Kadarenë?
Kryesisht marrëdhënie autor-lexues. Deri tani nuk kam pasë fatin të takohem me të personalisht, por kam biseduar 3-4 herë më të në telefon. I jam mirënjohës që më ka dhënë një intervistë të gjerë dhe të sinqertë për librin tim “Ana tjetër e pasqyrës”. Por mbi të gjitha i jam mirënjohës për letërsinë e tij, studimi i secilës ka bërë ndryshime rrënjësore në drejtimin e jetës time intelektuale.
A e di Kadareja që libri i tij studiohet në atë Kolegj?
Nuk jam i sigurt.
Të kthehemi tek biseda juaj me profesorët e Richland College, si përfundojë ajo?
Me mbarimin e bisedës zura tre miq të rinj, të cilët i falënderova për miratimin e futjes së librit “Ura me tri harqe” në programin e kolegjit. Kur u ngritëm në këmbë për të dalë, profesoresha Fleming më bëri pyetjen e parë: “The se lufta kundër Kadaresë nuk ka të bëjë fare me Kadarenë, a pate mundësi t’i thuash të gjitha ato që kishë për të thënë në lidhje me perceptimin tuaj?” Unë iu përgjija: Cilido shkrimtar shqiptar, po të gëzonte madhështinë e Kadaresë, do të sulmohej me të njëjtat akuza, nga të njëjtat grupe. Në të njëjtën kohë, i solla ndërmend se kjo nuk është as një dukuri e re as një fenomen autentik shqiptar. Shtova se të njëjtin fat, afërsisht në të njëjtën moshë që ka Kadareja sot, ka vuajtur edhe Sokrati në vitin 339 Para Krishtit, të cilin e akuzuan për korrupsionin dhe mëkatimin e të rinjve. Gjykata, i kujtova asaj, pat zgjedhur një juri të përbërë nga 501 qytetarë, 281 prej të cilëve e cilësuan fajtor, dhe e dënuan me vdekje, edukuesin dhe filozofin e shkret, dhe asnjë prej tyre, me sa di unë, nuk ka qenë shqiptar, përfundova unë.
—————————-
Kush është Gjek Marinaj?
Shkrimtar, poet e përkthyes, pedagog në Richland College në Dallas, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare në letërsi, librat e tij janë përkthyera në disa vënde të botës dhe emri i tij është përfshirë edhe në 4 antologji poetike amerikane: “A Moment in Time” (1995), “A Muse to Folloë” (1996), “Best Poems of the ’90-s” (1999) dhe “Echoes From the Silence” (2003).
Gjekë Marinaj u lind në fshatin Brrut të Malësisë së Madhe në vitin 1965 në një familje shumë të varfër. Në vitin 1990-të pasi mundi të botonte në gazetën “Drita” poezinë e famëshme “Kuajt”, me ndihmën e Rudolf Markut dhe Nasi Lerës, poezi e cila u shpërnda si manifest dhe zhurma e saj shkoi deri në Komitetin Qëndror të PPSH-së, ai u arratis nga Shqipëria pasi rrezikonte të arrestohej dhe u vendos si azilant politik në SHBA-ës. Në vitin 1994, ai përfundoi studimet në Institutin Mjekësor ASPT në Arlington.
Katër vjet më vonë, u diplomua në Shkencat e Përgjithëshme të Kolegjit Brookhaven në Dallas. Shkollën e Lartë të Arteve dhe Humanizmit e përfundoi në Universitetin e Dallasit, në Teksas.
Ai është autor i disa librave me poezi, prozë dhe përkthime si dhe i një libri intervistash me individualitete e personalitete të zgjedhura. Marinaj është gjithashtu botues dhe redaktor aktual i revistës “Pena”, revistë letrare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.
Ka kryer studimet specializuese pasuniversitare dhe është diplomuar në Degën e Letërsisë Botërore në UTD. Shumë shkrime me karakter akademiko-letrar i janë botuar në disa gazeta dhe revista letrare amerikane.
Emri i tij është përfshirë edhe në 4 antologji poetike amerikane: “A Moment in Time” (1995), “A Muse to Follow” (1996), “Best Poems of the ’90-s” (1999) dhe “Echoes From the Silence” (2003).
Po kështu, në vitin 2003, dy poezite e tij u përfshinë në antologjinë “Un alfabet al poeziei albaneze” në Rumani, përkthyer dhe botuar në rumanisht nga shkrimtari Ardian Kyçyku. Shkrimtari, poeti e përkthyesi Marinaj, gjithashtu deri tani ka fituar disa çmime letrare, ku ndër të tjera mund të përmendim çmimin e parë në poezi (13 tetor, 2006), dhënë nga revista letrare “Sojourn” me rastin e 18-vjetorit të botimit të saj. Disa nga librat që ka botuar, janë: “Mos më ik larg”, 1995 (poezi). “Infinit”, 2000 (poezi) “Ana tjetër e pasqyrës”, 2003 (intervista) “Ora e paqes”, 2005, (përkthim dhe poezi nga Rainer Schulte) “Në shpellën e Platonit”, 2006 (përkthim dhe poezi nga Frederick Turner) “Poezia Bashkëkohore Amerikane,” 2006 (Antologji e poezisë bashkëkohore Amerikane-përkthim).
Prej gati 15 vitesh, Marinaj jep mësim lëndët English & Communications si dhe Letërsinë Botërore në Richland College, në Dallas të Teksasit, ku jeton me bashkëshorten e tij, Dusita.