Albspirit

Media/News/Publishing

Topi i plagjiaturës në fushën e qeverisë

Edmond Çata, PhD

Demaskimi publik për plagjiaturë i ish-Zv.ministrit të Arsimit Ervin Demos, dhe akuza më e fundit ndaj Ogerta Manastirliut mund t’i bëjë njerëzit të pyesin: Kush e ka radhën? A është kabineti Rama një tufë ministrash-plagjiaturë? Po Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, ka punim origjinal apo plagjiaturë? Vetë veprimi i “Lëvizjes për Universitetin” ndaj Manastirliut mund të konsiderohet një “plagjiaturë” e veprimit që bëri Taulant Muka ndaj Ervin Demos! Nuk e di nëse Rama do të bëjë “plagjiaturën” e vetes, dmth të bëjë përsëri zv-Ministër Arsimi drejtuesin e lëvizjes. Por katër gjëra mund të thuhen se mund të ndodhin.

Së pari, që rendja mbas personave “plagjiaturë” shumë kollaj mund të shndërrohet në një mani apo gjueti shtrigash. Pra, interesi të mos jetë zgjidhja e problemit, por larja e hesapeve personale. Së dyti, numri i personave që kanë fituar tituj me plagjiaturë mund të jetë shumë më i madh. Pra, të ketë edhe raste të tjera të pabërë ende publike që njerëzit do të dëshironin të bëheshin publike. Së treti, bërja publike e personave që kanë bërë plagjiaturë, në vend që të shërbejë si një pikënisje për t’i hyrë në thellësi fenomenit dhe atakuar shkaqet e tij me politika, mund të përdorej për karikaturizimin e fenomenit. Pra, stimulimin që nervi dhe reagimi publik të binte në logjikën fataliste “Epo të gjithë njësoj janë; s’kemi ç’bëjmë; nuk ka për të ndryshuar gjë! Dhe së katërti, zhvlerësimi i ndikimit negativ të praktikës së plagjiaturës mbi kërkimin shkencor dhe titujt shkencorë në Shqipëri i shkon për shtat të gjithë aktorëve përgjegjës – drejtuesve të universiteteve, të qeverisë, të agjencive publike madje edhe të elitave të partive politike  – që të mos detyrohen të ndërmarrin ndonjë veprim, por të mos bëjnë asgjë. Në katër opsionet më sipër nuk kam rreshtuar rastin e ndërmarrjes së një veprimi ndryshues madhor, real. Pra, ka pak gjasa që evidentimi publik i fenomenit të plagjiaturës të çojë në ndërmarrjen e një veprimi që do të atakonte fenomenin nga qeveria, universitetet, apo agjencitë publike. Në vend që fenomeni të shërbejë si alarm për të ndërmarrë veprime ndryshimi, gjasat janë që situata e cilësisë së shkencë-bërjes dhe titujve akademikë në Shqipëri do të vazhdojë të mbetet njësoj për dy arsye. Arsyeja e parë është çështje vullneti. Përtej rasteve Demo-Manastirliu, është shqetësuese fajtorësia dhe mungesa e vullnetit të drejtuesve të universiteteve, të Akademisë së Shkencës, të Ministrisë së Arsimit, të Agjencive Publike në fushën e arsimit, apo edhe të partive politike për të adresuar fenomenin. Arsyeja e dytë është çështje profesionalizmi dhe qëndrimi ligjor. Në këtë rast, puna e mediave dhe gjykatave shfaqet akoma edhe më shqetësuese. Mediat kënaqen me faktin si bukën e tyre të ditës, por nuk “investohen” fare të hetojnë, nëse fakti i tyre i ditës është një rast i veçuar apo pjesë e një fenomeni më të gjerë. Gjykatat tona, ndonëse Ligji 8733, datë 24 Janar 2001, Neni 45 dhe Neni 46, e ndëshkon praktikimin e plagjiaturës me gjobë ose 2 vjet burg, nuk kanë as edhe një rast të vetëm ndëshkimi plagjiature. Reagimi i kryeministrit Rama në rastin e demaskimit të Ervin Demos ishte emërimi i Taulant Mukës zv-Ministër i Arsimit. Taulant Mukës iu varën në qafë çelësat e zv-Ministrit të Arsimit që ai të bënte atë që qeveria Rama nuk kishte arritur ta bënte dot: të “çante” sistemin e qelbëzuar të universiteteve publike! Tre javë brenda “sistemit”, mendësia dhe praktikat e Ministrisë së Arsimit të Lindita Nikollës, i mjaftuan Taulant Mukës të kuptonte sa i vërtetë që disponimi dhe “mandati” i dhënë; se emërimi ishte thjesht një aplikim i taktikave ala-Nano të kooptimit të zërave kritikë në struktura e pozicione; se Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla nuk udhëhiqet nga interesi publik dhe bërja në arsimin e lartë të atyre gjërave që duhet por numri i votave që sjellin njerëzit apo projektet në xhepin politik; se dështimi i reformës së radhës në arsimin e lartë është pasojë jo vetëm e praktikave centralizuese, e implementimit të politikave të paparaprira nga studime shkaqe-identifikuese, e mbështetjes tek shkatërruesit e arsimit, e përzgjedhjes së njerëzve të gabuar apo militantë, por është edhe pasojë e mungesës së vullnetit për t’i shkuar problemit në zemrën e vet, për të mos dhënë një mandat real, për të mos mbështetur një platformë që vërtet pastron me bisturi qelbin, për të mos thirrur njerëzit e duhur dhe lejuar të bëjnë pikërisht ato gjëra që duhen dhe jo të tjera! Kur nuk të ngjall shpresë ky profil i një qeverie që pretendon se ka bërë reformë, si mund të besosh dhe të presësh se atë që nuk ka arritur të bëjë qeveria, një ndër aktorët më të rëndësishëm, do të marrin përsipër ta bëjnë vetë universitetet apo agjencitë e arsimit të lartë? Përtej faktit, nëse një punim është ose jo plagjiaturë, unë do ta konsideroja një kontribut pozitiv cilëndo media që do tentonte të hidhte dritë në një numër pyetjesh.

Së pari, a është vërtet “shkencor” dhe sa shkencor është në të vërtetë që punim që ka shërbyer si bazë për fitimin e një titulli? Cila është vlera apo kontributi i tij shkencor? Ky verifikim vlen jo vetëm për rastin Manastirliu, por edhe për shumë raste të tjerë të fshehur nëpër rafte të mbuluar nga pluhuri. Së dyti, cila është cilësia e programeve doktorale në universitetet që lëshojnë titujt doktorë? Mbi ç’model dhe ç’praktika akademiko-shkencore “prodhohen” sot në Shqipëri “Doktorët” dhe akordohen titujt “Profesor i Associuar” apo “Profesor”? Nëse bëhet një verifikim i tillë, do të dalin në dritë xhevahire të paimagjinueshme për dikë të doktoruar në një universitet normal. Së treti, cilat janë praktikat që ndjekin realisht udhëheqësit shkencorë, këshillat shkencorë, dhe oponentët shkencorë në “formimin” dhe “prodhimin” e “Doktorëve të Shkencave”? A i kanë, dhe sa i kanë, aftësitë profesionale, metodologjike, dhe shkencore për të prodhuar “Doktorë Shkencash” të gjithë ata “profesorë” që kanë udhëhequr doktorantë dhe vazhdojnë të bëjnë ende kështu? Që kanë shërbyer në këshilla shkencore apo kanë marrë përsipër të bëjnë oponencën shkencore, dhe që vazhdojnë ende të bëjnë të njëjtën gjë? Nëse do të bëhet një verifikim, do të shihet që punën e udhëheqësit shkencorë e bëjnë “nallbanë” që mbajnë tituj të gjoks, e korrekt “me letra,” por që veç shkencës nuk ia kanë haberin fare; që këshillat shkencorë janë struktura ose fiktive, ose të paafta nga pikëpamja profesionalizmit shkencor, ose të molepsura nga kultura e përfitimit të favoreve në shkëmbim të bërjes së ndereve; do të shihet që ata që duhet të bëjnë oponencën shkencore, nuk e bëjnë një gjë të tillë ose sepse kanë probleme me formimin e tyre shkencor, ose nuk dinë, ose sepse nuk duan ta prishin me personin dhe rrethin që qëndron prapa tij.

Cilido projekt që do të tentonte të bënte skanerin në linjat e mësipërme, do të zbulonte kalbësirën, falsitetin, dhe karakterin pseudo-shkencor të një sistemi të tërë që pretendon se përgatit shkencëtarë dhe bën kërkim shkencor! Do të zbulonte përse profesorati shqiptar nuk është në gjendje të bëjë studime shkencore vërtet shkencore; përse

Në gjendjen e mjeruar aktuale të arsimit të lartë, të cilësisë së universiteteve, të cilësisë së profesoratit shqiptar, të cilësisë së kërkimit shkencor dhe të cilësisë së veprimtarisë së Akademisë së Shkencave, vështirë se kryeministri Rama do mund të mburrej se reforma e tij në arsimin e lartë ka qenë një reformë e suksesshme. Qeveria Rama ka ngritur agjenci dhe struktura për kërkimin shkencor por gjendja është po ajo që ka qenë këtu e 20 vjet më parë, kur unë u nisa për studime postgraduate në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, çdo kryeministri shqiptar, në më shumë se një rast, fati iu ka dhënë shansin për të “provuar” se ç’kanë qenë në gjendje të bëjnë. Deri tani, kryeministri Rama ka treguar se në reformimin e arsimit të lartë, teoria e tij e luftës kundër “sistemit”, e futjes në një thes të universiteteve publike me universitetet private, është një dështim! Por në shkencë, “dështimet” shërbejnë për të mësuar, në mënyrë pësore dhe negative “çfarë nuk duhet bërë”. Ose ndryshe, çfarë gabimi nuk duhet përsëritur! Shfaqja dhe bërja publike e problemit të plagjiaturës është një shans që fati i jep Kryeministrit Rama bërë realisht diçka: për ndërmarrë një veting akademik brenda Sistemit të Universiteteve Publike; për të bërë një “qilizmë” dhe evidentuar kush meriton të jetë brenda universiteteve publike dhe kush jo! Në kushtet kur universitetet, drejtuesit e tyre, profesorati i tyre, janë pjesë e problemit, jo zgjidhja e tij, jehona publike e praktikimit të plagjiaturës e ka lënë topin në oborrin e Kryeministrit.

Please follow and like us: