Artur Roshi: Ligjet janë deklarim i të drejtave
Në optikën time, kodi zgjedhor është një ligj që përcakton, natyrën e sistemit demokratik, pra përcakton gradën e lirisë së sistemit demokratik, në të cilën integrohen të gjitha liritë. Pse këmbëngulim ne për betejë për bërjen e ligjit të zgjedhjeve të Kodit Zgjedhor. Ligjet janë deklarim i të drejtave dhe të drejtat deklarojnë kur cenohen thotë filozofi i shquar Joseph Demaree. Tek ligji zgjedhor duhet të përcaktohet qartësisht liria e votës sepse të gjithë dimë që ajo deri më sot është e cenuar. Mungesa e lirisë së votës, sot bën që ne të kemi një sistem demokratik të kontrolluar nga dy forcat kryesore të politikës. Thënë ndryshe nga oligarkët e politikës të cilët në mënyrë mekanike deformojnë vullnetin e zgjedhësve dhe krijojnë pushtete politikë të deformuara, të centralizuara në një dorë të vetme. Kjo është arsyeja që ne sot si opozitarë ankohemi për diktaturë amorfe të pushtetit të sotëm.
Ky kod zgjedhor që kemi sot, ka krijuar oligarkët e zgjedhjeve. Për pasojë kriminalizimin e zgjedhjeve, kriminalizimin e politikës, oligarkët në ekonomi dhe kriminalizimin e ekonomisë. Pra, liria e votës fillon tek hartimi i Kodit Zgjedhor, i cili sipas nesh duhet të hartohet i thjeshtë, i qartë dhe i mbështetur në shanse të barabarta, për çdo garues, qoftë individ apo parti politike. Për këtë, ne kërkojmë mekanizma pa ngarkesa politike të votimit dhe të numërimit të votës, në një afat kohor të krahasueshëm me vendet e perëndimit, në njësinë e numrit të votuesve që marrin pjesë në zgjedhje.
Financimi i partive politike është një tjetër problem kryesor dhe shqetësues për ne. Ai duhet të jetë në përputhje me numrin e votave të shumëzor për vleftën e çdo vote, që del nga fondi i buxhetit, për stimulimin e pluralizmit dhe pa limite të mëposhtme të numërimit të votave. Pra, një parti politike merr një votë dhe duhet të marri paratë e një vote. Sepse çdo shqiptar paguan taksa në adresë të zgjedhësve, pra atje ku beson. Pra tek ajo parti politike që ai voton. Pasqyrimi në media me licencë kombëtare publike, i aktiviteteve politike behet në mënyrë proporcionale me votat e çdo partie, mbasi taksat për televizionet kombëtare paguhen nga të gjithë votuesit për informimin politik të tij, për atë që ka shprehur besimin, pra për atë që ka votuar.
Nuk ka rëndësi lloji i sistemit zgjedhor, por përthyerja e fluksit të votuesve standard, duhet të jetë e drejtë. Pra, një mandat duhet prodhuar nga një numër votash, ku kufiri, midis limitit të poshtëm dhe të sipërm, të jetë tejet i vogël. Pra, të mos krijojë ndarje të theksuara gjeografike bindjesh politike. Duke parë statistikat të krijojë edhe të drejtën e përfaqësimit të minoriteteve. Një parti bëhet parlamentare me numrin e mjaftueshëm të votave të një deputeti, jo të limituar, ose tre deputetë ose gjashtë, si kundër pretendojnë forcat e mëdha politike. Ne na duhet një kod zgjedhor që të krijojë një sistem zgjedhor të qëndrueshëm dhe të pakontestueshëm.
Nuk mund të vazhdojmë më me ligj, hidh ujë dhe hidh miell, duke shtuar rekomandimet e OSBE/ODHIR, të cilat janë këshilla që zbusin vjedhjen e votës, ose ndryshojnë llojin e votës. Ne duhet të tregojmë zotësinë se jemi një komb që di të organizoje një sistem demokratik, që ngrihet mbi zgjedhjet e lira. Ne kërkojmë të ndërrojmë sistemin e referimit të kryerjes së zgjedhjeve. Forca e votës të shoqërohet nga forca e moralit. Dhe jo forca e votës të shihet si forcë hajdutësh. Prandaj ftoj dy partitë, që kanë kapur sistemin zgjedhor, Partinë Socialiste dhe Partinw Demokratike, të pranojnë detyrimin për të lëshuar çdo rrugë për zgjedhje të lira.
*Kryetar i Ballit Kombëtar