Bedri Blloshmi: TERRORI NË FERRIN E SPAÇIT MBAS 1973 (5)
Kol Mani
Kol Mani ka lindur në 1945 në katundin Plan të Dukagjinit, të rrethit Shkodër. Kola ishte djal i Vatës dhe i Lezes. Punonte murator, kishte mbaruar filloren dhe ishte i martuar. Pa pritur e arrestojnë më 8.12.1975 me akuzën se kishte zhvilluar agjitacion e propaganda kundër pushtetit, parashikuar nga neni 73/1, nen që mbushte burgjet me puntorë pa pagë. E dënuan 8 vjet, dhe si djalë i ri e i shëndoshë, dënimin do ta bënte në Spaç. E pëfytyrojmë të riun malsor të rritur në ajrin e bjeshmëve, ta gjejë veten në tmerrin e galerive në nxehtësinë e mbi 40 gradëve, pa sigurim teknik, dhe nën klithmat e policëve, që pa pyetur për gjëndjen e mjeruar teknike të galerisë, çirreshin duke kërkuar me çdo kusht ciklin (prodhimin sipas normës).. Në thellsi 200-600 metrash punohej me tre turne. Asnjëherë nuk bëhej fjalë për pushim ditët e diela, kështu nga mbilodhja e puntorëve dhe aksidentet ndodhnin gati çdo ditë. Thyerje këmbësh, duarsh, gishta të coptuara nga vagoni, këto ishin gjysma e së keqes. Më e keqja ishte të të binin sipër tonelatat e mineralit. Për të nxjerrë kufomën e të vrarit nga ajo masë e stërmadhe duhej punuar ditë e natë rrjesht me tre turne e papushim. Ky është edhe tipari më njerzor, mund të thuash heroik i atyre djemve: të punonin me tërë shpirt për shokun, për t‘ia hequr tokës, por edhe poshtërsia e skllavëruesve të tyre, që atë trup ia jepnin sërish tokës, por pa një shenjë nderimi. Poshtërimi u shkon atyre vetë, por akoma nuk shpallet. Dhe vdekje të tilla ishin të shpeshta, prandaj gjymtimet nuk përbënin më problem për ne; ishim ambjentuar me to… Mesa mbaj mend se qe në zonën e tretë që shembja e galerisë zuri nën vete Kol Manin. Sapo u përhap lajmi, të gjithë të burgosurit u tronditën shumë dhe refuzuan të vazhdonin punën. Sigurimi i punës ishte e vetmja gjë që ligjërisht mund ta pretendonin.. Por komanda i ndëshkonte me birucë, pa marrë masa për përmirësimin e gjendjes teknike, të cilat kushtonin. Kjo pra ishte statusi i “riedukimit” të tyre: të punonin pa mbrojtje dhe nën shkopinjtë e policëve: pra një skllavëri e mirëfilltë. Kush këmbëngulte në të tijën,të mos punonte më në galeri edhe mbasi kishte bërë 5-6 muaj izolim, transferohej në kamp tjetër. Kishte të tjerë që të demoralizuar në kulm, prinin bukën e nuk flinin me ditë të tëra nga dëshpërimi. Qëkur jam liruar, jam përpjekur të gjej emrat e atyre që humbën jetën në ferrin e kampeve, kam bërë kërkime me shokët, që të sjellim në kujtesë sëpaku një pjesë të atyre burrave të ndershëm, që pa pasur asnjë faj, mbaruan kaq tragjikisht, por edhe lista e tyre nuk është e plotë, sepse nuk ka një organizim si duhet për ata që s`kanë përkrahje..
Kam mbledhur dokumentat e lëshuara nga komanda, por shumë nga të vrarët në galeri apo të vrarë nga ushtari nuk kanë process verbale. Ata, sigurisht, nuk do të thonë të vërtetën edhe për ata që vret galeria. Mjaftohen vetëm me një fjalë në një copë letër, “vdekur” dhe firmat e komisarit dhe komandantit të kampit poshtë. Problem për komandën ishte plani i cili nuk duhet të mbetej pa realizur asnjë ditë, këtë kërkonte Tirana, dhe asgjë më tepër. Kështu që Kol Mani, me një fëmi që s`e kishte parë kurrë dhe i vrarë në galeri do groposej tek shokët në Shpal.
Republika popullore socialiste e Shqipërisë
Gjykata e rrethit Shkodër
Nr. 45 regj. Themeltar
Nr.44 I vendimit
Vendim
N’emër të popullit
Gjykata e rrethit Shkodër e përbërë prej Liljana Rulit gjyqatare, Evelina Shurbani nd. Gjyqtare, Muhamet Kraja nd. Gjyqtar
Të asistuar prej sekretares Shpresa Dervishi me pjesmarrjen e prokurorit Terzi Kruja në datën 18.2.1976 mori në shqyrtim në séance gjyqsore me dyer të hapura çështjen penale nr.45 që i përket:
I pandehuri Kol Mani, i biri i Vatës dhe i Lezes datlindja 1945 lindur në fshatin Plan të Dukagjinit dhe banues në fshatin Guci e re, me kombsi e shtetsi shqiptare, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje puntor në Nd. P. Rexhepi. Me arsim 4 klasë, I marutar me grua shtatzanë, ka kryer shërbimin ushtarak, pa parti, I dënuar në vitin 1973 me 3 muaj heqje lirie për mbajtjen e një thike pa leje, pa imunitet, arrestuar më 8.12.1975.
Akuzuar: se ka kryer krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor.
Trupi gjykues pasi dëgjoi të pandehurin, dëshimtarët e çështjes, dëgjoi mbrojtjen dhe fjalën e fundit të të pandehurit i cili kërkoi pafajsi, edhe prokurorin i cili kërkoi deklarimin e të pandehurit fajtor dhe konform nenit 73/1 te K.P kërkoi të dënohet me 8 vjet heqje lirie, pasi e bisedoi çështjen në tërësi.
. . .
Në masën e dënimit gjykata ka parasysh se (e palex.) e madhe shoqërore të veprës pasi drejtohet kundër pushtetit tonë popullor ashtu dhe atë të autorit të krimit, personalitetin e të pandehurit si dhe shkallën e veprimtarisë së tij. Gjykata çmon se duhet të zbatohet dënimi plotësues në konfiskimin e pasurisë.
P . K . A
Trupi gjykues duke u mbështetur edhe në nenin 277-279 të P.Pr. penale:
V e n d o s i
Të deklaroje fajtor të pandehurin Kol Vat Mani për krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor dhe conform nenit 73/1 të K.P. e dënon me 8 (tetë) vjetë heqje liri dhe me konfiskimin e pasurisë së tij të luajtshme dhe të paluajtshme. Vuajtja e dënimit i fillon nga data 8.12.1975. Shpenzimet gjyqsore i ngarkohen të pandehurit. Kundër këtij vendimi lejohet ankim e protestë brenda 5 ditëve në gjykatën e lartë nga dita e shpalljes.
U shpall sot me datën 18.2.1976.
Sekretare Gjyqtare
Shpresa Dervishi Liljana Puli
Shënim: Kundër këtij vendimi ka bërë kërkesë ankimore i gjykuari Kol Mani me datën 23.2.1976 dhe dosja së bashku me akte iu dërgua për shqyrtim ligjor gjykatës të lartë me shkresën nr.45 datë 23.2.1976.
Shkodër, më 23.2.1976
K/sekretarja e gjykatës
(Myzejen Dymylja)
Vijim i ankimeve: Gjykata e lartë me vendimin nr.78 datë 5.3.1976 ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr.44 të datës 18.2.1976 të gjykatës rrethit Shkodër. Vendimi u dërgua për ekzekutim ligjor degës P. Brendshme me shkresën nr.4 data 15.3.1976 dhe seks. Financave
Shkodër, 15.3.1976
K/Sekretarja e Gjykatës Myzejen Dymylja
Republika popullore e Shqipërisë
Gjykata e Lartë
“Kolegji Penal”
N3.83 i regj. Themeltar
Nr.78 i Vendimit V e n d i m
N’emër të popullit
Këshilli gjyqsor i kolegjit penal të gjykatës së lartë informuar nën kryesinë e:
Lumturi Resmja – Anëtare e gjykatës së lartë, më antarët
Sofokli Krongo – “ “ “ ‘’ ‘’
Ismail Lame – “ “ “ “ “
Në seancën e hapët gjyqsore me datën 5.3.1976 mori në shqyrtim çështjen nr.83 që i përket të gjykuarit:
Kol Mani, i biri i Vatës dhe i Lezes, lindur në 1945 në katundin Plan të Dukagjinit, rrethit Shkodër, banues në Guci e Re të rrethit Shkodër me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore punëtor (murator), pa parti, mësim fillor, i martuar, i dënuar më pare për arme mbajtje pa leje, arrestuar më 8.12.1975 I akuzuar se ka zhvilluar agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor dmth se ka kryer krimin e parashikuar nga neni 73/1 të K.P. Me vendimin nr.44 datë 18.2.76 e rrethit Shkodër e ka deklaruar të gjykuarin fajtor dhe në baze të nenit 73/1 te K.P e ka dënuar me 8 vjet heqje të lirisë. Kundër këtij vendimi është ankuar i gjykuari, i cili ka parashtruar këto shkaqe për prishjen e tij. Siç kam deklaruar në hetuesi ashtu dhe para trupit gjykues unë nuk kam zhvilluar asnjë bisedë armiqsore me personat që më akuzojnë mua dhe që janë Mark Shkrepi, Lulash Pali e Pal Kovaçi. Unë nuk kam pas asgjë të keqe me këtë pushtet mbasi prej tij veç të mirave un nuk kam patur asgjë të keqe, pra un nuk kam pas asnjë farë bazë për të pasë për qëllim minimin dhe dobsimin e tij. Gjykata para se të më deklarojë fajtor për një krim të tillë, duke u mbështetur tek thëniet e dëshmitarve të sipër treguar të ndalej më tepër dhe ti pranonte me rezerv thëniet e tyre siç kam parashtruar me dëshmitarin e akuzës Mark Shkrepi. Unë kam pas mosmarrveshje dhe akuza që bën sot e bën vetëm për inate personale dhe për të më rënduar mua.
Këshilli gjyqsor i Kolegjit Penal të Gjykates të lartë
Pasi dëgjoi relacionin e antares Lumturi Resnja si dhe pasi shqyrtoi në tërësi çështjen,
V ë r e n
Vendimi i Gjykatës është i drejtë. Nga të gjitha materialet e çështjes rezultoi se i gjykuari Kol Mani ka zhvilluar agjitacion dhe propaganda kundër pushtetit popullor me qëllim minimi e rrëzimi të tij. Me persona të ndryshëm ai është shprehur kundër vijës politike të parties sonë në fushën e ekonomisë duke bërë në këtë drejtim krahasime të padrejta. Ai është shprehur se për këto arsye dëshiron të arratiset duke u shfaqur vetë mendimin dëshmitarit Mark Skrepi, i cili sapo ishte kthyer nga ushtria dhe ka kërkuar nga ai ta ndihmonte të kalonte kufirin. Ky i gjykuar është vërtetuar se ka marrë në mbrojtje armiqtë e partisë e të shtetit tonë Beqir Ballukun etj. Duke mbështetur veprimtarinë e tyre. Në kundërshtim me sa ai pretendon ska asnjë shkak të mos u besohet dëshmitarve, të cilët dhe në ballafaqim me të gjykuarin dhe në seancë gjyqsore kanë dëshmuar po të njëjtat gjëra. Në këto kushte si fajsinë dhe cilsimi ligjor I veprës janë të drejta. Vendimi I gjykatës është I bazuar dhe në pjesën që bën fjalë për masën e dënimit. Gjykata ka vlersuar drejt si shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprës është dhe fajsia e të gjykuarit. Në pajtim me të ajo ka caktuar edhe masën e dënimit.
Për keto arsye
Këshilli gjyqsore I kolegjit penal të Gjykates së Lartë në mbështetje të pikës 1 të nenit 310 të K.P.P
V e n d o s i
Lënien në fuqi të vendimit nr.44 datë 18.2.1976 të gjykatës rrethit Shkodër
Tiranë më 5.3.1976
Anëtar Anëtar Kryesuese
Ismail Lama Sofokli Krongo Lumturi Resnja
(firma) (firma) (firma)
Informacion nga komanda për vrasjen e Kol Manit nga katundi Plan i Dukagjinit. Komanda mjaftohet nga fjala “vdekur” e jo “vrarë” në galeri. Rëndësi kishte kur një i dënuar arratisej nga kampi alarmohej i gjithë sigurimi dhe çetat vullnetare apo kooperativistë derisa ta kapnin dhe më pas ta pushkatonin.
FLETË NJOFTIMI PËR LIRIM NGA BURGU
Nr. 38 i kartelës gjyq 11016
Dega e IV-të
Tiranë
Ju njojtojmë se më datën 13.10.1980 vdekur.
- Emri Kol 2. Mbiemri Mani
- Atësia Vat 4. Datlindja 1945
- Vendlindja Guci e re
- Vendi ku do të banojë Guci e Re Shkodër
- Koha e dënimit 8 vjet
- Arsyeja e dënimit agjitacion
- Qëndrimi i tij në burg
Komisari i rrepartit 303 Komandanit i rrepartit
Pjetër Cara Meto Kondi
LUC VUKAJ
Ka lindur në fshatin Vermosh të rrethit të Shkodrës dhe ka banuar po aty. Prindërit e Lucës ishin Pashku dhe Katerina. Po në fshat ka mbaruar edhe shkollën fillore. Luca i dëshpëruar dhe pa asnje shpresë se ndonjë ditë do të mbushte barkun me bukë vendos të arratiset. Merr rrugën, afrohet tek kufiri pret sa të kalojë patrulla që të kalojë në Jugosllavi. Siç e kam thënë diku tjeter “në çdo ferrë,çdo gëmushë, apo në çdo maje lisi ishte “syri vigjilent i partisë”. Gjithë natën sigurimi vigjilonte duke ndjekur popullin e uritur se mos arratisej. E mbërthejnë Lucën, i hedhin prangat të gëzuar, dhe ashtu të leckosur e me bark bosh të shpërfytyruar nga urrejtja e dëshpërimi e sjellin në degën e punëve të brendshme në Shkodër. Me akuzën për arratisje mbetur në tentativë e dënojnë me 10 vjet heqie lirie dhe e dërgojnë në Spaç për të vuajtur dënimin, ku dhe do të linte kockat si shumë të tjerë.
Më hollësisht do flasim mbas vendimit të gjykatës se ç‘ndodhi me Lucën. Por shkurt edhe Luc Vukaj pushon i groposur, i dërmuar nga tonelatat e malit; edhe ai pushon në luginën e vdekjes në Shpal bashkë me shumë shokë të tjerë që nuk u pajtuan me skllavërinë dhe kërkuan një rrugëdalje…
Republika Popullore Socialiste e Shqiprisë
Gjykata e Rrethit Shkodër
Nr regj them 103
Data rregj 2.5.1901
Nr vendimi 103
Data vendimit 15.5.1981
Vendim
Në emër të popullit
Gjykata e Rrethit të Shkodres e përbërë prej Haki Kraja – Kryertar e seancës gjyqsore, Minire Smaja – Nd. Gjyqsore, Zeja Duka – Nd. Gjyqsore, asistuar nga sekretarja Lumturi Kasapi, me pjesëmarrjen e prokurorit: Remzi Kruja, në Shkodër, më datën 15.5.1981 shqyrtoi në seancë gjyqsore me dyer të hapura cështjen penale me të pandehurin:
Luc Vukaj: I biri i Pashkos dhe Katerinës me datlindje 1955 lindur dhe banues në Vermosh me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore puntor, beqar, i pa dënuar, me arsim 6 klasë, i paorganizuar, i arrestuar me 21.9.1980. I akuzuar se ka kryer krimin e tradhëtisë ndaj atdheut e formën e arratisjes jashtë shtetit, mbetur në tentativë, vepër kjo e parashikuar nga neni 47 germa ‘’gj” e 11 të K.P. Gjykata pasi shqyrtoi materialet dhe provat e marra gjatë zhvillimit të gjykimit, pasi dëgjoi, prokurorin I cili kërkoi të deklarohet fajtor i pandehuri sipas akuzës dhe të dënohet me 10 vjet hejqe lire dhe 5 vjet heqje të drejtës së zgjedhjeve, degjoi të pandehurin I cili pranoi se do e shpërbleje me punë fajin.
V ë r e n
I pandehuri Luc Vukaj, duke qenë i molepsur dhe nga ndikimi i ideologjisë së huaj borgjeze revizioniste, i ka lindur mendimi criminal për të tradhtuar atdhenë. Për realizimin e këtij mendimi, ai ka filluar përgatitjet, ka përcaktuar vendin ku do të bënte kalimin e kufirit, ka blerë këpucët e reja në dyqanin e Vermoshit, i ka kërkuar xhaxhait të tij një xhaketë dhe mbasi ka siguruar cigaret me datën 21.5.1980, është nisur për realizimin e veprës kriminale. Duke qenë banor i zonës kufitare ai është nisur për kalimin e vijës së kufirit tek posta kufitare “Bashkimi” sepse siç pohon vëtë i pandehuri nuk ka dashur me kaluar kufirin në Vermosh sepse andej banojnë malazez, por në Bashkim sepse atje ka shqiptarë. Për të kontrolluar lëvizjen e patrullës kufitare, i pandehuri është ndalur tek tabela “Ndal mos kalo vetëm, brez kufitar “dhe mbasi është siguruar se nuk ka njeri është nisur nëpër brezin kufitar drejt vijës së kufirit shtetror ndryshe nga mendimi që ka krijuar i pandehuri Luc “se nuk është vrejtur nga asnjeri” njësiti kufitar ka parë të pandehurin duke lëvizur në brezin kufitar dhe kur është bindur se ai do kalonte kufirin ka thirrur Ndal, por i pandehuri ka ikur me vrap. Atëhere ushtarët kanë qëlluar me armë 2 herë dhe mbasi kanë lëvizur me vrap kanë kapur në flagrancë në tentativë për tu arratisur ne Jugosllavi të pandehurin Luc Vukaj. Në këto rrethana, i pandehuri Luc Vukaj ka kryer krimin e tradhëtisë ndaj atdheut duke tentuar të arratiset në Jugosllavi, vepër penale kjo që parashikohet nga neni 47 germa “gj” e 11 të K.P. Fajsia e të pandehurit provohet nga pohimin e plotë të tij në procesverbalin e zënies në flagrancë, me pohimet e hollsishme në të gjitha fazat e paraqesin, qoftë në hetuesi qoftë në gjykatë, si dhe në theniet e dëshmitarve Lutfi Hoxhallari e Ibrahim Daci I pandehuri qoftë në hetuesi qoftë në gjykatë për të zbutur përgjegjsinë që ka për krimin pretendon se vepër penale e ka kryer në gjendjen e një mërzitjeje i cili i ka ardhur si rezultat I dy goditjeve që ka patur në kokë në vitin 1976 dhe në fillimin e shtatorit 1980. Ky pretendim nuk është i bazuar dhe u rrëzua me një sërë provash që u administruan në seancë gjyqsore. I pandehuri është plotsisht I ndërgjegjshëm për veprën e kryer, keshtu ai sapo ka marrë pagën, një ditë para se të tentonte për tu arratisur ka blerë në dyqanin ku punonte dëshmitari Gjelosh Vuktilaj, këpucë, corape, pasqyrë, kërkhër, etj. Ne fakt ky që vërteton se i pandehuri veprimet pregatitore për tu arratisur. Përsëri po atë natë para se të kryente krimin ai i ka kërkuar xhaxhait xhaketën me justifikimin se do të shkonte ne dasëm në Vukël. Dëshmitarë Pashk Vukaj dhe Zef Drago, vërtetuan se I pandehuri ka qënë rregullisht në punë ka dorzuar rrogën e tij. Edhe në komunikim me trupën gjykues gjatë hetimit gjyqsor, orientohet drejt, ka mendime të qarta, çka vërteton saktësisht konkluzioneve të ekspertimit psikiatriko-ligjor. Në përcaktimin e masës të dënimit gjykata mbasi mban parasysh rrezikshmërinë e theksuar shoqërore të veprës, e cila cënon pavarsinë dhe sigurinë e republikës popullore socialiste të Shqiprisë, mban parasysh nivelin e ulët të zhvillimit të përgjithshëm kulturën e të pandehurit, faktin se vepra ka mbetur në fazën e tentativës neni, 111 pika 3 e K.P. afërsinë e arrdhjes së pasojës faktin se I pandehuri arratisjen nuk e ka realizuar për shkaqe të pavaruara nga vullneti I tij. Gjithashtu, ndaj të pandehurit për shkak të karakterit të rëndë të krimit, që ka kryer, duhet të aplikohet edhe dënimi plotësues me heqjen e së drejtës së zgjedhjes që parashikohet nga neni 25 K.P.
Për këtë arsye:
Trupi gjykues në mbështetje të nenit 149-150 të K.Pr.P.
Vendosi:
Të deklarojë fajtor të pandehurin Luc Vukaj për krimin e tradhëtisë ndaj atdheut në formën e arratisjes jashtë shtetit, të mbetur në tentative që parashikohet nga neni 47 germa “gj” e 11 te K.P dhe e dënon me 10 (dhjetë) heqje lirie dhe konform nenit 25 të K.P. me heqje e së drejtës së zgjedhjeve për 5 vjet kohë, dorzimin e radios Pashk Vukaj. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim e protest brenda 5 ditëve në gjykatën e lartë.
Shkodër, më 15.5.1981
Sekretarja Gjyqtari
(Lumturi Kasapi ) Haki Kraja
(firma) (firma)
Vërtetohet se ky vendim ka marrë formën e prerë në datë 21.5.1981 dhe me shkresën nr. 103 datë 22.5.1981 ju dërgua d.p. të brëndëshme Shkodër për ekzekutim ligjor.
Shkodër më 22.5.1981
- Sekretari i gjykatës
Lefter Jahaj
Ç‘ndodhi me Lucën në zonën e dytë në Spaç.
Shfrytëzimi me tre turne në minierën e Spaçit i neve skllevërve të komunizmit vazhdonte pa pushim. Nga njëra anë mitrolozi në duart e ushtarit nga ana tjetër galeria me gojën hapur që kërkonte racionin e saj të mishit. Nga temperatura mbi 40 0C në barkun e nëntokës, kur delnim jashtë me vagonin në temperaturë minus 100C, shiu e dëbora përzier me mjergullën e dendur na binin në shpinën e lagur, trupi i mbuluar nga djersa kthehej në akull menjëherë. Fillonin të dridhurat kërcitja e dhëmbëve dhe duart ngjiteshin në hekurat e vagonit. Vetëm kur ktheheshim në barkun e nëntokës dhe futnim duart e ngrira në nxehtësinë e piritit, ato na shpiheshin. Merret me mend se ç‘ndodhte me ndonjërin nga ne të cilin për dënim e kishte lidhur polici në majë të kodrës nën tufan. Ndërsa punonim u dha lajmi nga brigadieri i dënuar se ishte shembur galeria 3/36 veriore dhe kishte zënë nën vehte një të burgosur. “Shpejt, shpejt thëriste hajde ti shkojmë në ndihmë e ta nxjerrim”. Kjo ngutje nuk do të thoshte se kishte shpresë që ai të dilte i gjallë nga masa e shkëmbit që e kish zënë poshtë. Gjithsesi kufoma duhej nxjerrë edhe po të ishte copa copa, për ta groposur diku, jashtë rrethimit tek vendgroposja e zakonshme, e cila s`mund të quhej kurrë varrezë…
Por nga ana tjeter polici dhe brigadieri i lirë, pa u shqetsuar fort për këtë që ndodhi, i jepnin shumë rendësi të mos ndërpritej puna, plani duhej bërë dhe frontet e tjera duhej ta vazhdonin prodhimin. Më pas nga policia në bisedë me të lirët shkëmbeheshin batutat: “He more, nuk është ndonjë gjë e madhe, një armik më pak…Ne e dimë, këta edhe në varr armiq do të mbeten”. Puna vazhdonte me nxitim duke mbushur vagonat, dikush me lopatë dikush me dorë apo me kapelen e shollit, nxitonim për të hequr mineralin. Ne ndërroheshim shpesh kur mbusheshin vagonat. Ishim të mbytur me djersë e të nxirë katran, të gjithë gojë kyçur të tronditur, dikush me cigare në gojë afronte llambën e karbitit për ta ndezur. Papritur një copë çizme u zbulua.Aty punonin aq sa lejonte hapësira e galerisë. Hoqëm sa hoqëm mineralin, i tërhoqëm me forcë ato kockat e dërmuara, por nuk mundëm ta nxirnim komplet kufomën, sepse minerali binte pa pushim. Koka e Lucës ishte zënë shumë keq midis trupave prej druri. Në asnjë mënyre nuk mund ta lëvizje se rridhte mineral dhe e mbulonte përsëri. Ndërkohë polici në cepin e galerisë (bashkë me disa të lirë që erdhën nga zonat e tjera për ndihmë) pyeste brigadierin e dënuar “hë më thuaj sa vagona u bënë a po i numëroni, se duhet bërë plani patjetër”. Ne përpiqeshim të nxirnim kufomën. Bërtisnim e mallkonim malin e mineralin që rridhte e na pengonte, kurse polici e kishte mendjen te minerali për të bërë planin. Papritur polici diç i pëshpëriti brigadierit të dënuar. Ky i fundit na mblodhi dhe theu heshtjen, hajde të dalim jashtë, meqënëse u lodhëm do na zëvendesojnë të lirët, do punojnë ata për ta nxjerrë kufomën. U nisëm me kandilat në dorë qull në djersë e duke shikuar mbrapa me dyshim njerëzit të cilët qëndronin në kembë, sa më shumë largoheshim për të dalë jashtë dritat e kandilave pranë vendit të kufomës, dukeshin si xixëllonja që ishin në fund të një humnere, ndërsa flaka e kandileve tona lëkundej gati në të shuar sipas lëvizjeve të hapave. Në galeri po futeshin të tjerë të lirë. Kishin diçka në mend. Mbasi u siguruan se ne ishim larguar dhe kishim dalë jashtë galerisë, ja filluan punës për të nxjerë Lucën e dërmuar, po si? Duke e prerë në qafë! Kështu, koka e veçuar nga trupi e me goje hapur mbushur me pirit e me pikat e gjakut që njomnin mineralin, ua zgjidhi situatën… E mbasi groposej kufoma në vend groposjen në Shpal ku ishin dhe të tjerët vajtur më parë e groposur, ashtu e gjymtuar, mbyllesh cikli i fjalëve të fundit të çdo proces-verbali. Përgjegjësinë e merrte i dënuari sepse kishte hyre vetë në zonën e rrezikshme, dhe nuk e kishte detyruar njeri. Kështu i vrari merrte dhe fajin përsipër. Nuk dimë as na është dhënë informacion se çfarë ka ndodhur mbas viteve 90 me çështjen e këtyre të burgosurve të vrarë. Si dhe ku janë groposur atje, në kodrat e mbuluara me ferra; dhe as dime nëse ka kush shënim që tu jetë vendosur një shenjë dalluese. Sipas fjalëve që qarkullonin më vonë shumë nga të vrarët janë marrë nga familjarët, por si? Ndërsa për rastet që të burgosurit vriteshin nga ushtari, bëhej nga komanda një relacion. Ndërsa për Luc Vukajn nuk kam gjetur asnjë rresht të shkruar. Po ashtu dhe fotografia i mungon.
SABRI KEQI
Sabri Keqi lindi më 08.03.1944, në fshatin Ishëm të rrethit të Durrësit nga prindër Ymer dhe Nurije Keqi. Familja e Sabriut ishte me bindje nacionaliste. Babai i tij, Ymer Keqi ishte arratisur në Jugosllavi. Kështu në muajin Qershor të 1945ës, Sabriu motak u internua me familjen në Berat për këtë shkak . Nga Berati, në vitin 1947 i çojnë në Bënçë të Tepelenës, ku qëndruan deri në vitin 1949. I kthyer në fshatin e lindjes kreu aty shkollën fillore, për të vazhduar shumë më pas gjimnazin në Fushë-Krujë, ku diplomohet në vitin 1975, tashmë 30vjeçar. Ndërkohë në vitet 1966 – 1968 kishte kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Zall Herr të rrethit Tiranë. Sabriu më pas punoi si murator në linjën e tensionit të lartë. Në muajin Dhjetor të vitit 1976, ai fejohet me një vajzë që vinte nga rradhët e të persekutuarve politikë. Më 27 Qershor 1977 Sabriu arrestohet nga sigurimi për fjalë goje. Me akuzën për agjitacion e propagandë që e kapte Neni i famshëm 73/1, dhe me ndihmën e dy dëshmitarëve të rremë, e dënojnë me 10 vjet burg dhe e çojnë të vuajë dënimin nën kerrbaçin e policëve, dhe, siç e kemi thënë, punohej jashtë çdo rregulli e sigurimi teknik, në Spaç të Mirditës. Gjëma e zuri Sabriun e shkretë në datën 27.08.1978, ditë e dielë, ditë pushimi kudo në botë, por jo tek ne atje që punonim si të mallkuar pa gëzuar asnjë ditë çlodhjeje. Të gjitha zonat ishin në punë. Sabriu tek punonte në zonën e pestë, i shembet galeria sipër dhe i riu ishmak i posamartuar dhe i rrëmbyer nga gjiri i familjes vdes. Për ta nxjerrë nga barku i malit, kufomë tashmë, neve të dënuarve të gjallë e të pagroposur të asaj brigade, na u desh të punonim dy ditë rrjesht, nga tre turne në ditë, deri sa ia hoqëm nga trupi materialin e shembur. Kështu mbaroi jeta e një djali të pafajshëm, të rritur në internim dhe të arrestuar më pas e të mos kthehet kurrë më i gjallë në familje. Mbas vitit 1991 familjarët të interesuar se ku tretej trupi i Sabriut, bënë shumë kërkime për të gjetur vendin. E hoqën nga Shpali i Mirditës dhe e varrosën me të gjitha nderimet pranë varrezave të familjes në Fushë-Krujë.
Republika popullore socialiste e Shqipërisë
Gjykata e lartë
“Kolegji Penal”
Nr.327 I regj. Themeltar
Nr.336 I vendimit
Vendim
“N’emër të popullit”
Këshilli gjyqsor i kolegjit penal të gjyaktës të lartë i formuar nën kryesinë e:
Lumturie Resnja anëtare e gjyaktës së lartë me anëtarë
Sofokli Krongo anëtare “ “ “
Stavri Çeço anëtar “ “ “
Në senacën e hapët gjyqsore me datën 15.10.1977 mori në shqyrtim cështjen nr.327 që i përket të gjykuarit:
Sabri Keqi i biri i Ymerit dhe i Nurijes, dtl. 1944, lindur në katundin Kërtushaj të rrethit Durrës, banues në Fushë Krujë të rrethit Krujë, me origjinë shoqërore fshatar i varfër , me gjendje shoqërore punëtor, pa parti me arsim të mesëm, i pa dënuar , i arrestuar më 24.6.1977 I akuzuar se ka zhvilluar agjitacion e propagandë kundërr pushtetit popullor dmth se ka kryes krimin e parashikuar nga neni 73/1 të K.P Me vendim nr.104 datë 13.9.1977 Gjykata e rrethit të Krujës e ka deklaruar të gjykuarin fajtor dhe në baze të nenit 73/1 të K.P e ka dënuar 10 vjet heqje të lirisë. Kundër këtij vendimi është ankuar i gjykuari, i cili ka parashtruar këto shkaqe për prishjen e tij:
Nuk është e vërtetë që të kem kryer krimin për të cilin akuzohem.
Dëshmitarët e pyetur në hetuesi dhe gjatë gjykimit nuk thonë të vërtetën. Gjykata në këto kushte duhej ti kishte vlerësuar më drejt thëniet e tyre.
Këshilli gjyqsor i Kolegjit Penal
Të gjyaktës së larte
Pasi degjoi relacionin e anteres Lumturi Resnja si dhe pasi shqyrtoi cështjen në tërësi.
V ë r e n
Në kundërshtim nga sa pretendon i gjykuari fajsia e tij është e vërtetuar. Dëshmitarët e pyetur si gjatë hetuesisë dhe gjatë gjykimit, kanë patur marrëdhenie me të gjykuarin dhe nuk ka asnjë arsye të mos u besohet. Kështu duke qënë se këto mardhënie me dëshmitarët ai u ka folur atyre kundër vijës së partisë në shumë fusha, politike ekonomike dhe ushtarake. Ai është shprehur se në Shqipri njerzit punojnë me orë të gjata dhe se qeveria, sipas tij nuk I paguan ata për të gjithë punën që bëjnë, se gjendja ekonomike këtu është e keqe, se njerzit jetojnë si kafshët dhe në të njejtën ka lavdëruar dhe ngritur lart mënyrën kapitaliste të jetesës. Dëshira e tij për ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri, i gjykuari është përpjekur tua pasqyrojë si realitet të afërt se gjoja sipas tij “ska për të kaluar dhe 6 muaj dhe situata këtu do të ndyshoje” dhe vetëm pas kësaj si dhe klasës nga ai rrjedh do të jetojnë me bollëk. Po me këtë frymë armiqsore i gjykuari i shpjegon edhe masat mbrojtse që merr pushteti ynë popullor për forcimin e mbrojtjes. Duke lavdëruar festivalin e 11 të këngës në radio I gjykuari është përpjekur të bindë dëshmitarët se muzika tek ne është e injoruar, se në këtë drejtim “nuk ka liri si në Itali, Angli etj.” Dhe në të njëjten kohë ngre lart figurën e F.Pacramit dhe T.Lubonjës, të dënuar nga partia dhe pushteti ynë popullor për veprimatri sabotuese dhe armiqsore në fushën ideologjike. Duke i gjetur të provuar faktet si më sipër, gjykata drejtë ka miratuar me konkluzionin se vendimi i gjykatës është i drejtë si përsa i përket fajsisë dhe cilsimit ligjor të veprës. Gjithashtu drejt ajo ka caktuar kundër tij dhe masën e dënimit. Gjykata ka vlersuar si shkallë të rrezikshmërisë shoqërore të veprës, shkallën e fajsisë, ashtu edhe personalitetin e të gjykuarit, I cili njihet si element me prejardhje të keqe politike dhe si pasojë me predispozicionin armiqsor ndaj partisë dhe vijës së saj. Për këto arsye Këshilli gjyqsor I Kolegjit Penal të gjykatës të lartë, në mbështetje të pikës 1 të nenit 313 te KPRP
V e n d o s i
Lënien në fuqi të vendimit nr.104 datës 13.9.1977 të gjykatës të rrethit Krujë.
Tiranë më 15.10.1977
Antar Antar Kryesuese
- Krongo d.v S. Ceco d.v L.Resnja d.v
Zbardhi vëretohet njesia me origjinalin\
F.Q Kryesekretari
Ylli Mahmudi
Vdekjet në galeri vazhdojnë
Praktika për të dënuarit që i vriste puna e rëndë ose aksidenti jashtë çdo sigurimi teknik atje në thellësi me mbi 40 gradë nxehtësi e nën shiun e acidit sulfurik që na ripte shpinën e na hapte plagë, (plagë që rrjidhnin gjak deri tek çizmet e mbushura me djersë) ishte kjo: Plotsohej një formular i ndryshëm nga ato që vriste ushtari. Ishte një fletë „lirimi” (ç‘ironi!) ku shkruhej „vdekur”, dhe pranë masa e dënimit dhe rrethi i origjinës së të vrarit. Ndërsa për ata që i vriste ushtari me breshëri, problemi qëndronte ndryshe. Bëhej festë, i jepej fletë lavdërimi vrasësit, dekorim nga presidiumi dhe shtrohej darkë me birrë e raki. Kështu i jepej mesazhi kujtdo; popull e të dënuar: „rri sus, përndryshe të vras!”, kurse ushtarëve e policëve kriminelë: „Mos ngurro, vraji këta me vend –pa vend, dhe të lumtë pushka! Na dhe lejen të shkosh në shtëpi e të gëzohesh me familjen”. Por kjo ndarje mes trajtimit që i bënte popullit ( dyzet mijë të burgosurve që hoqën burg, gjashtë mijë të ekzekutuarve, dhe qindra mijra të afërmve të tyre) , dhe nga ana tjetër zagarëve të pashpirt, ose të edulkuar ashtu,që i shërbenin pa asnjë mëshirë përkundër fatkeqëve që mundoheshin nëpër galeritë, tregon frikën e madhe, tmerrin, që kishte klika e Tiranës nga populli që e kishte vënë përfund, dhe s‘mund të sillej ndryshe tashmë veçse duke e vazhduar tradhtinë e saj pa mundësi kthimi mbrapa..
FLETË NJOFTIM PËR LIRIM NGA BURGU
Nr karteles gj. 10495
Vdekur
Dega IV-të
Ju njoftojmë se me datën 27.81978 u vdekur.
- Emri Sabri 2. Keqi
- Atësia Ymer 4. Datëlindja 1944
- Vendilindja Kërtushë
- Vëndi ku do të banojë Fushë- Krujë
- Koha e dënimit 10 vjet
- Arsyeja e dënimit agjitacion
- Qëndrimi i tij në burg
Shënim: Në pikën 8 të shënohet politik ose ordiner Komisar I repartit 303. Komandanti i repartit 303
Pjetër Cara Meto Kondi
HYSNI PALLA
Lindi më 1927 në fshatin Çezmë e Madhe në rrethin e Pogradecit. Prindërit e Hysniut ishin Alushi dhe Esmaja. Hysniu ka qënë i martuar me dy fëmijë, kjo familje kishte qënë prekur nga reforma agrare, prandaj ishte cilësuar “kulakë”. Hysni Palla është arrestuar me datë 15/5/1966. Në rrethin e Pogradecit si në shumë rrethe të tjera kufitare bëheshin arrestime me bujë për ta friksuar popullin, për ta mbajtur nën terror. Edhe arrestimi i Hysni Pallës bëri shumë bujë, ishte i treti i “grupit “të formuar nga Sigurimi. I gjithe “grupi” i sajuar qëllimisht në tavolinë duke i zgjedhur siç donin, thjesht si farefis me të dënuar të tjerë përbëhej prej 5 vetësh: Irfan Muço, Xhevit Muço, Hysni Palla, Enver Leka dhe Mehdi Myslimi. Mbas shumë muajsh tortura në hetuesi, (madje Xhevit Muco u mor për tu torturuar në hetuesinë e Tiranës), më në fund i nxorrën në gjyq dhe përfundimi ishte: Irfan Muço e Xhevit Muço dënohen me vdekje pushkatim. Sipas informacioneve të besueshem janë groposur në vendin e quajtur “Luadhi i Çelos”. Hysni Palla dënohet me 25 vjet heqje lirie dhe dërgohet në burgun e Elbasanit më pas në Spaç. Në vitin 1982 Hysniu sëmuret dhe ndërron jetë në infermierinë e burgut në Spaç. Si gjithë të tjerët edhe atë e groposën në Shpal. Mbas përmbysjes së komunizmit familjarët, miqtë e shokët e burgut zbuluan vendgroposjen dhe udhëtuam me arkivol në krahë drejt atij vendi për ta marrë. Mbas nxjerrjes së eshtrave i morëm dhe i vendosëm me nderime në varrezat e fshatit. Nuk e di pse, një detyrë kaq e trishtë si varrosja e një shoku, që zakonisht të pikëllon, tashti mbas kaq vitesh që e dinim atje ,të hedhur si një send pa vlerë, më dha kënaqësi. Ndjeva sikur bëra dishka të rëndësishme, ndreqa një pjesë nga padrejtësia e madhe që u bë mbi kurriz të këtij populli, dhe mendoj dhe e ndiej fort se e tërë shoqëria, dhe veçanërisht organet shtetërore, nuk mund të kryejnë detyrën e tyre qeverisëse, pa e vënë në krye të zotimeve si më kryesoren e detyrave, vendosjen me nderime tek vendbanimet e familjeve të trupave të atyre që u ekzekutuan ose vdiqën në burgje; përndryshe hija e diktaturës, do rëndojë akoma mbi fatin e këtij vendi. Hysni Palla tani pushon atje pranë prindërve të tij. Ndërsa djali i Hysniut, Luani,i rritur me shumë mundime e halle, ka krijuar familje, është larguar nga fshati i tij i vuajtur dhe jeton në Elbasan. Dokumentat e gjyqit të montuar nga sigurimi për grupin e Pogradecit Akuza e parë ishte për tradhëti ndaj atdheut (arratisje) mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 64-100 i Kodit Penal, agjitacion e propagandë parashikuar nga neni 73/1K.penal dhe takim me diversantët.
Republika popullore e Shqipëris
Gjyakata e Lartë
“Kolegji Penal “
Nr169 I regj. Themeltar
Nr171 I vendimit
V e n d i m
N’emër të popullit
Këshilli gjyqsor I kolegjit penal të Gjykatës së Larte, informuar nën kryesinë e:
Llazi Stratoberda zv. Kryetar i gjykates së lartë, Me antarë Sybhi Dedej Anëtar, Hilmi Telegrafi Anëtar
Në seancen e hapët në 20/10.1966 mori në shqyrtim çështjen penale nr 189 që u përket të gjykuarve:
- Irfan Muço i biri i Jahjajt dhe i Zimes i datëlindjes 1930 lindur dhe banues në katundin Çezmë e madhe të rrethit Pogradec, me origjinë shoqërore fshatar i mesëm në gjendje shoqërore bujk, i koperuar, pa parti, me arsim 2 klasë fillore, i martuar, pa fëmijë, I arrestuar me 14.2.1966
- Xhevit Muço, i biri i Rrapushit dhe i Nazikos, i datëlindjes 1921 lindur në katundin Çezme e madhe, banues në Lushnje, me origjine shoqërore fshatar i mesëm, me gjëndje shoqërore punëtor, pa parti, me arsim fillor, i martuar, ka 2 fëmijë, i dënuar, i arrestuar me 23.12.1965
- Hysni Palla i biri i Alushit dhe i Esmasë i datëlindjes 1927 lindur dhe banues në katundin Çezme e Madhe të rrethit Pogradec, me origjinë shoqërore fshatar i mesëm (cilësuar kulak) në gjëndje shoqërore bujk me arsim 1 klasë fillore, i padënuar, i arresutar me 14.5.1966.
Te akuzuar se:
Kanë kryer krimin e tradhëtise ndaj atdheut kanë bërë agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor dhe se ka mbajtur armë pa lejen e organeve kompetente, d.m.th. kanë kryer krimin e parashikuar nga nenet 64,73/1 e 273/1 K.P. Me vendimin nr. 28 datë 28.9.1966 Gjykata e Qarkut të Korcës i ka deklaruar fajtor dhe I ka dënuar në bazë të nenit 64, në lidhje me nenin 14,28 dhe 42 gërma a e c te K.P
- Irfan Muço me vdekje, dhe konfiskimin e pasurisë pjesën e tij dhe me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
- Xhavit Muço me vdekje dhe kofiskim e pasurisë pjesën e tij dhe me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
- Hysni Palla me 22 vjet heqje e lirise me kofiskimin e pasurisë dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 4 vjet kohë.
Në bazë të nenit 73/1 K.P. ka dënuar:
Irfan Muco me 10 vjet heqjen të lirisë,
Xhavit Muco me 10 vjet heqje të lirisë,
Hysni Palla me 8 vjet heqje të lirisë.
Përfundimisht duke bërë bashkimin e dënimeve në bazë të nenit 48 të K.P. i ka dënuar:
- Irfan Muço me vdekje me kofiskim pasurisë pjesën e tij dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
- Xhavit Muço me vdekje me kofiskimin pasurisë pjesës së tij dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
- Hysni Palla me 25 vjet heqje të lirisë me kofiskimin e pasurisë dhe me humbjen e së drejtës elektorale për 4 vjet kohë.
Për këtë arsye
Këshilli Gjyqsor i Kolegjit Penal Të Gjykatës së lartë
Në mbështetje të nenit 313 pika I-rë e K.Pr.P.
V e n d o s i
Lënien në fuqi të vendimit nr28 datë 28.9.1966 të Gjykatës së Qarkut të Korçës. Ky vendim është i formës së prerë përsa u përket Irfan Muços dhe Xhavit Muços, por ai nuk mund të vihet në ekzekutim pa marrë të dënuarit përgjigjen e lutjes për falje që kanë të drejtë ti paraqesin sipas nenit 349 të K.Pr.P Presidiumit të Kuvendit Popullor brenda tri ditëve nga data e marrjes njoftim mbi këtë vendim.
Tiranë më 20/10/1966
Anëtar Anëtar Kryesusi
(H. Telegrafi) (S. Dedej) (Ll. Stratobërdha)
RRËFIMI I NJË VRASËSI
Personat që përmendëm më lart u akuzuan siç e pamë se kanë takuar të arratisurit Bardho Leka e Petro Tonilla. Bardho Leka ishte babai i poetit, studiuesit dhe mësuesit Genc Leka, i pushkatuar më 17 korrik 1977 në vendin e quajtur “Përroi i Firarit” Bashkëshortja e Bardho Lekës ishte motra e Xhavit Muços (Gjiska). Në këtë grup të sajuar u pushkatuan dy, Irfan Muço dhe Xhavit Muço, ndërsa Hysni Palla u dënua me 25 vjet heqie lirie dhe në vitin 1982 aty nga muaji Maj Hysniu sëmuret në Kampin e Spaçit ku vuante dënimin dhe ndërron jetë. Sipas informacioneve të mbledhura bëhej fjalë si vend pushkatimi ishte lumi i Tërhanit, në hyrje të Pogradecit. Po ashtu të tjera informacione të çojn në një tjetër vend pushkatimi të quajtur “Luadhet e Çelos”. Jemi interesuar gjatë rreth kësaj ndodhije kriminale, kemi gërmuar por pa rezultat. Ata janë pa varr edhe sot. Me kërkimet që bëra në dokumenta, por duke pyetur për personat përgjegjës dhe vendndodhjen aktuale të tyre, gjeta më në fund prokurorin e atij viti të zi që kishte dënuar këtë “grup” në Pogradec.Shiste cigare pranë komisarjatit të Pogradecit. Në një rrugicë, pranë një tezge prej dërrase, i ulur në një stol prej druri, mu duk një shkurtabiq biçimsës me fytyrë të vrare lije e rrudha rrudha, në kokë mbante të ngjeshur vesh me vesh një kapele të ronitur. Kjo fytyrë gati e nxirë, rrojtur vënde-vënde, mu duk ndryshe nga shumë të tjerë që mbajnë akoma qëndrim kapadaiu. Ngjante si i friksuar, shikonte sa majtas djathtas pa pushim. Ia ngula sytë për ta studiuar si tip. Me vështirsi e ngrinte kokën dhe fliste pa e shikuar në sy këdo që i fliste. Ndërkohë, para meje ecte një burrë me trup mesatar, edhe ky me kaple të ngjeshur vesh me vesh, i kërrusur dhe me kapotë ushtarake. Sapo u afrua tek tezga ku ishte ulur personi që përshkrova, i çirret: “Pse u vonove? Kam më shumë se dy orë vetëm, shqeva sytë duke parë nga rrugica por ti nuk dukeshe”. “Hajde ulu, ulu” i thotë ai dhe i zgjati një cope dërrasë që e mbante midis këmbëve. I ardhuri po uleshe me shumë vështirsi dukë rënkuar. “Mos rënko ja priti tjetri. Kemi shumë gjynahe për të larë, por jemi mire sa kemi këmbë e dorë”. Asnjeri s`e kishte mendjen tek kalimtarët që mund t`i dëgjonin, por unë u afrohem dhe i ndërpres duke u thënë:
– Mirserrini, sa janë këto cigare?- e pyes dhe marr në dorë një paketë Slims,
– 800 lekë të vjetra.- ma ktheu ai duke bërë një lëvizje të lehte të kokës për të parë tinëz se kush po ia blinte cigaret. Mu kujtua menjëhere një personazh i Hygo-it tek romani “Të mjerët”, inspektori i policies Zhaver, që ishte i vendosur tërë jetën për të kapur të arratisurin nga burgu Zhan Val Zhanin. Ishte veshur si lypës, kishte dalë në rrugë dhe kërkonte gjoja lëmoshë. Kur Zhan Val Zhani i dha një kacidhe këtij “lypsi”, ai ngriti kokën për ta parë kush ishte. Po ku ay e ku ky… Ky stërc i keq, mbante një palë syze me një xham të thyer. Çudi, qënka katandisur keq mendova. Sapo më pa që s’isha vendali, u ngrit në këmbë gjithë servilizëm por prapë duke mos më shikuar në sy. Hapa paketën ndeza një cigare ia shtriva,
– Ndize, – i them.
– Faleminderit, do ta marr megjithse kam vite që e kam lënë. Nga të kemi or zotëri, -më thotë – sipas veshjes do jesh ndonjë zyrtar.
-Pse mendon se mund të jem zyrtar?
– E them se dhe unë në një kohë kështu rrija veshur, shumë rrallë vendosja dy herë një kollare, pa le kostumet. ..Ishim shumë mirë në atë kohë.
– Ç’punë ke bërë?- i them. Mbasi psherëtiu fërkoi mjekrën me doren që i dridhej lehtë dhe tha:
– Ikën ato kohëra, tani erdhën kohëra të tjera more zotëri.Unë kam punuar prokuror i rrethit të Pogradecit shumë vite dhe tani vjen puna dal në këtë rrugicë të errët, të shes ndonje cigare të hamë një kafshatë bukë. Po ju ku punoni, sipas pamjes, do jesh atje lart, në Tiranë?
-Po, po – i them – punoj në Ministrinë e Brendëshme, kishim një punë këtu në Pogradec dhe dolëm për këtej nga juve. A jeni ish-prokurori Jovani – e pyes,
– Po – mu përgjigj gjithë servilizëm.
– Do të flasim këtu apo do të shkojmë në një zyrë në komisariat? Kam një punë me ju.
-Si të urdhëroni juve zotëri, unë çfarë të di do t‘i them megjithëse problemin s`e di, po pres të ma thoni edhe këtu ku jemi, unë mendoj se jemi mire, këtë shokun po e përzemë dhe flasim vetëm për vetëm, po qe se ka lidhje me profesionin që kam pasur.
– Po – i them, me atë ka lidhje.
– Ik, – i tha shokut të vet – hajde ngriu se kam punë me këtë të ministrisë. Me shumë përtesë ai u ngrit i mbështetur në bastunin prej dru thane e duke rënkuar u largua andej nga kish ardhur.
– Kam informacione në lidhje me juve, kërkoj të flasim sinqerisht. Dëgjo, në vitin 1966 kush ka qënë prokuror këtu në Pogradec ju apo ndonjë tjetër?
– Po, – më thotë – këtu kam qënë unë prokuror.
– A kishte raste të vinin nga Prokuroria e Korçës kur zhvillohej ndonjë gjyq shëmbullor siç i quanit ju për të bërë bujë.
-Jo – më thotë – këtu kam qënë vetëm unë.
– A ju kujtohet një gjyq i cili është bërë me dyer të mbyllura dhe nga 5 të arrestuarit dy u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan?
– Po, po unë mbaj mënd disa raste pushkatimi, mos e ke fjalën për atë grupin e Çezmës së Madhe që donin të arratiseshin, madje kishin takuar dhe “diversantë” të ardhur nga Jugosllavia?
-Po,- i them un – pikërisht për ata bëhet fjalë. Ishin nga fshati Çezmë e Madhe e Mokrës, kanë qënë grup i rrezikshëm, armiq të betuar, gjyqi ka bërë shumë bujë kështu më kanë thënë disa nga kjo krahinë, a të kujtohet? Mos e ke fjalën për Irfan Muçon dhe Xhevit Muçon që janë pushkatuar?
-Po, po – ja kthej – i ke rënë tamam; për këta interesohem. Mua më ka dërguar Ministri i Brendshëm për të zbuluar vendin e groposjes se ka fjalë që janë nxjerrë jashtë me shërbim dhe nuk janë ekzekutuar.
Ju si mendoni është e vërtetë?
– Për sa thua se janë nxjerrë jashtë, kjo nuk është e vërtetë, unë kam marrë pjesë në ekzekutim. Ata të dy janë pushkatuar tek një vend që quhet “Luadhet e Çelos” andej nga Zagorçani. Unë kam qënë atë natë atje që i pushkatuam.
-Kam dhe një informacion tjetër i them. Tek lumi i Tërhanit, ka pasur dy vendpushkatime apo më shumë?
-Jo jo, Xheviti me Irfanin janë atje ku të thashë, e mbaj mend shumë mirë. Ata ishin burra jo llafe,mua rrallë më ka qëlluar të pushkatoj njerëz si ata,por ata të dy ishin të veçantë.
– Pse thua rrallë? Unë e di se në çdo 6 muaj apo një vit duhej të bëhej ndonjë pushkatim ose të krijoje ndonjë grup për të mbajtur popullin nën presion.
– Grupe krijonim me urdhër nga Ministria e Brendëshme, për të pushkatuar i caktonin ata, neve jepnim mendimin tonë dhe ministria nuk na kundërshtonte.
– Kur i ekzekutuat, cila ishte fjala e tyre e fundit, mban mend gjë?
-Po po, e mbaj mend. Ata ishin të vendosur: e urrenin sistemin komunist.
-Po sytë a jua lidhët?-e pyes unë.
– Jo, nuk pranonin t‘ua lidhnim sytë.
-I vratë pas shpine apo ballë për ballë?
-Ballë për ballë… nuk pranuan as të kthenin kurizin.
-Ka pasur shumë armiq rrethi i Pogradecit, apo jo?
–Po po, kanë pasur shumë lidhje këta të Çezmës me disa armiq të rrezikshëm nga Bërzeshta e Librazhdit. Dhe ata kanë të pushkatuar shumë, kanë qënë nëpër burgje, internime, kishin njerez të arratisur në Amerikë. Në fshatin Dunicë njëri nga fisi i Blloshmëve bëri një masakër, vrau mbi 35 burra, se një javë më parë ishin vrarë 5 Blloshmaj e shumë të tjerë. Unë nuk e di nga jeni juve dhe a keni dëgjuar për këto.
– Jo jo nuk di për këto që më the, unë nuk jam nga këto anë.
-Kam dëgjuar për një grup të rrezikshëm që u kap këtu në një fshat të Librazhdit, më thotë prokurori, ata u pushkatuan dy apo tre burra, dhe ata ishin armiq të rrezikshëm. Kam lexuar një relacion të Ministrisë së Brendshme për atë grup. Edhe ata kanë pasur lidhje, janë të tyret me ata Blloshmajt e burgosur.
-E kemi pasur partinë e forte, i them prokurorit, i zbulonte grupet armiqsore,
-Po, po ma ktheu prokurori, por më shumë sajoheshin grupe sipas situatës nuk janë të gjitha të vërteta.
–Pse, mendon se kishte dhe sajime? Partia nuk bëntë gjëra të tilla, e pyes unë.
-Kishte sa të duash se popullin vetëm frika e mbante.
-Mirë,- i them – çfarë do bëjmë, do shkojm tek vendi i pushkatimit se muhabetet nuk mbarojnë kurrë. Më pas shtrohemi këmbëkryq dhe flasim.
– Ja më thotë ti çoj në shtëpi këto pak gjëra që kam, dhe ikim por të lutem largoju pak më tutje se do thërras gruan, është mirë të mos të të shohë se do më pyesi ç‘ishte ai burri me kostum, dhe pse u takuat.
Kështu e kanë gratë duan të dinë çdo gjë.
Ja hipëm makinës të cilën e ngiste një kushëriri im (Agimi). Prokurori gjatë rrugës nuk fliste, merrte frymë me vështirësi. Sapo mbërritëm tek një parcelë matanë fshatit Zagorçan e mbjellë me qershi dhe mollë iu afruam një lugine, rrëzë një kodre të vogël.
-Këtu mbaje – tha prokurori.
Zbritëm. Ecëm pak në këmbë. Duke ndjekur prokurorin i cili shikonte sa majtas djathtas, kthehej mbrapa, ulte kokën dhe përpiqej të kujtonte mesa dukej ndonjë shenjë të palëvizëshme.
-Këtu janë bërë sistemime, sheshime, ja, – më thotë – i shikon ato kodrat e vogla? Duke zgjatur dorën përpara tha: Këtu ka qënë pyll i madh me lisa e ferra të mëdha, aty poshtë ka qënë një përrua, tani është mbushur me dhé, janë mbjellë pemë e nuk orientohem dot, por për të qënë këtu në këtë zonë është vendi i pushkatimit. Është vështirë shumë për t`i gjetur, duhet lëvizur shumë metro kub dhé. Ikëm duke parë herë pas here atë vend ku ish derdhur plumb mbi njerëz patriotë , atë vend psherëtimash të vaditur me gjakun e Irfan Muços dhe Xhevit Muços e shumë të tjerëve. Mbi këtë gjak të derdhur ishin ngulur rrënjët e qershive dhe mollëve që lulëzonin çdo vit dhe zbukuronin kodrat e buta ku ndihen rënkime shpirtrash të pafajshëm. Këtu i vjen fundi këtij rrëfimi të dhimbshëm për kufomat e zhdukura përjetësisht. Në ato anë nuk kam shkelur më e as do ta shkel atë vend kurrë, sepse nuk dua të eci mbi gjak e kufoma e të dëgjoj rënkime nga thellësia e tokës. Është e pamundur të gjënden. Janë qindra metro kub për të lëvizur pa ditur pikërisht se ku sipas fjales së prokurorit. Mirë pra. O Xhevit e Irfan e ju të tjerë, pushofshi në paqe. Mos na mbani mëri ne të gjallve nga kalvari komunist që nuk e bëmë detyrën për ju të zhdukurit , për ju që e deshët vendin tuaj më shumë se çdo gjë tjetër. Këtu është bërë batërdia e askush nga shteti nuk intëresohet të zbulojë ato krime.
Lamtumirë, kurrë nuk do ju harrojmë, edhe pse për juve nuk ka mbetur asnjë shenjë se ku jeni. Për ne mbeteni shqiptarët më të dashur, ju e shënjtëroni këtë vend me gjakun tuaj.