Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: VEÇMAS SË BASHKU

 

VEÇMAS SË BASHKU
(Solidariteti fillikat)

Shumë nga ju do të mendoni me të drejtë, ç’ne ky? Po, e pranoj, të njejtën gjë e kam lëçitur dhe me veten, dhe megjithë shenjat e idesë së ngulitur, (obsesionit), siç është të shkruarit për një poet apo pa asnjë dyshim dashuria, jam përpjekur t’i mbush mendjen vetes se jo vetëm është e arsyeshme por dhe e nevojshme. Për kë? Shpesh, e paqartë: për veten; dikë tjetër, ju; dhe për të gjithë, ne, si shuma e dy të parave, lidhur ose jo nga interesi i secilit….

“Jam me të vertetë i lirë vetëm falë lirisë se të tjerëve, se sa më i madh numri i njerëzve të lirë rreth meje, sa më e thellë, më e madhe dhe më e shtrirë në gjerësi liria e tyre, aq më e thellë dhe më e gjere bëhet liria ime.” shkruante Mikel Bakunini, anarkisti, i cili më 1870, kundërshtoi Marksin për rolin e shtetit në çuarjen e shoqërisë drejt socializmit, duke e zëvendësuar atë me federatat e vetëqeverisjes dhe komunat. Sa keq, bota do kish shpëtuar nga një shekull i tëëe diktature!

Kjo mungesë lirie, për individin, për grupin si dhe për gjithë shoqërinë, e padukshme është e vërtetë, e prekëshme si rrymë elektrike! Që nga pamundësia në pjesëmarrjen e vetëqeverisjes, (thomëni cili është?) nga blerja dhe shtypja e votës, që s’i takon më vetes, por oligarkisë së re, pinjolle e së mëparshmes. Mungesa e mundësisë së një punësimi të drejtë dhe për të gjithë (jo vetëm për ata që paguajnë). Deri tek mungesa e një të ardhme ndërtuar në vendin tënd. Deri tek tarifa e padrejtë ndëshkuese ndaj të pafuqishmëve. Tek korrupsioni vemje, me një egoizëm të shfrenuar kundërshtuar nga një altruizëm inegzistent, në një shoqëri ngelur në vend, që rreket të shpëtojë n’arrati drejt Elbës. Lëvizja me e heshtur dhe me e eger, e ketij shekulli (ka marrë 1/3 e popullsisë, dhe sa akoma). Pa dashur të zgjidh këtë dilemë, Bakunin kundrejt Randt, sipas biosociologëve bashkëkohorë e paqenë, se jo vetëm nuk asgjësojnë njera tjetrën, por përkundrazi, mbahen dhe ushqehen ndërsjelltazi, pamvarësisht se cila është e parësore; do të flas për të edhe pse shpesh pa dashje, vetiu, zgjidhet vetja. Se sot ndoshta s’vjen për ty, as nesër kur për tjetrin, por kur të jetë radha jote, s’do ketë të ndihë kush! Se as ti s’ndihe kënd. Studentët mbeten vetëm!

Solidariteti, është një lidhje njesimi (jo, njesim, tjetërsim në një un kolektiv) por marrëveshje individësh të lirë për një qëllim të përbashkët. Mbështetje, qoftë dhe mendore, pa ndonjë ose shumë veprime, qoftë dhe në heshtje, siç bëhet sot nga divani, hibrid epruvete i Gabdit me Twiter. Nuk nënkupton anëtarësim, pagesë kuote të caktuar (tarifë partie) dhe as pjesëmarrje të detyruar. Është të jesh bashkë, pjesë e së tërës, pa mohuar apo kërkuar të fshijë veçoritë dalluese të çdokujt. Më shumë se “njera dorë lan tjetrën dhe të dyja fytyrën”. Pjesë e mbijetesës së përditëshme aq sa dhe në themel të së ardhmes. Brenda dhe jashtë kujijve. Plotësisht mendore dhe shoqërore, dhe si e tillë i përket secilit dhe të gjithëve. E megjithatë, asgjë s’ndodhi, plogështia pret të vrasë dhe një mundësi që mezi pritej të vinte dhe doshta jo më.

“Në Francë, solidariteti është pjesë e brendëshme e bashkështetësisë (Përse duhet të jetë nënshtetësi? Nën kë? Kush është mbi?), që shpresh një pamje të idealizuar të shoqërisë e drejtuar nga vlera të përbashkëta demokratike, tek të cilat çdo shtetas ka të drejta dhe përgjegjësi dhe është i lidhur me të tjerët me lidhje të ndërsjellta shoqërore….”*

a)“Pamje të idealizuar të shoqërisë”? Apo siç duhet të jetë në fakt, me të drejtën e së drejtës së lindur (siç shprehet në librin e tij “Politika e Bindjes” Etienne de la Boètie)?
Pse nuk paskemi NE të drejtë të kemi një shoqëri të tillë?
Kush na e mohon këtë? Shteti apo NE vetes, njësoj të korruptuar? Tarifa nuk eshtë për ne, presim të vijë e jona?
b)“si e drejte dhe detyrim shoqëror”, sigurisht jo me urdhër partie, por prapë pse çirremi në kafenè për këtë padrejtësi, (ndoshta të drejtë), se vetes i mohojmë një të ardhme më të mirë, pa lëvizur as një gisht! Presim të zgjidhet nga kush? Përgjegjësia e kujt?

“Po lindja e një “lëvizjeje solidariteti” nuk ishte vetëvetishme, as një ndodhi çrrënjosëse dhe nuk dukej se pasqyronte një bujari të beftë ose të gjetur rishtazi nga vetë francezët. Por, ishte ngushtësisht e lidhur me rrethanat shoqërore dhe ekonomike dhe veçanërisht me ndikimin e krizës së zgjatur, me pasojat e saj të thella mbi shoqërinë si një e pandarë. Përballë çeshtjeve të pabarazisë shoqërore, papunësisë apo privimi i të mirave materiale, si dhe ndjesia e dështimit nga ana e institucioneve për t’iu përgjigjur në mënyrën e duhur këtyre problemeve, shumë qytetare ndienë nevojën të vepronin vetë dhe drejt për së drejti të ndërhynë në sferën publike. “*

Do të rendim vërtik në një përfundim të nxituar, për t’u larguar nga thelbi i çështjes, me pohimin se s’jemi francezë. Argumenti se ku ishim dhe jemi, ne, në këto dekada të rëndësishme të pas LIIB, është mëse e qartë: në asnjerën plotësisht dhe në disa prej tyre asfare. Në shumicën veç një jehonë që zhurmuesit në malin e Dajtit nuk e sollën dot, me gjithë antenat e sajuara me tuba bakri, vjedhur nga uzinat e përbashkëta. Asnjëherë, një mosbindje e organizuar mase, madje edhe ato pak valë të lëpira u bënë nga fraksione partie nga lart dhe shpesh të nxitura enkas per ndëshkime dështimesh dhe për terror frike. Dhe megjithate, sidoqoftë, kurrë nuk mundi ta mposhtë atë shpirt të heshtur proteste, që si kërpudhat mbinte kudo. Deri sa ra dhe u rrëzua!

Zoti K., kish arritur në mjedisin shoqëror, në atë partiak dhe në një farë mënyre midis elitave politike, që shpesh nuk e kuptonte. A ndoshta po, dhe s’donte ta pranonte, statusin e një veterani-hero luftrash Napoleonike. Ndër të paret në fushatën e parë, siç kish bërë në çdo tjetër që erdhi më pas, dhe në 100 ditshin e kthimit, kish qenë i parë. “Hip” dhe pak hokatar simpatik, me trimerinë sfiduese, po ashtu, kish arritur të thoshte hapur çfarë në mend si i vinte, kujtdo dhe në çdo forum a mbledhje qëndrore të partisë. I kish sharë edhe ndyrë, por midis një anarkisti të çartur, a fraksionisti dhe një gjysëm heroi që e kishin falur, jo një por disa stuhi, madje shpëtuar dhe nga Mobi Dik Saliu, gjithmonë e anonin nga ky i fundit, heroi. E dinte, qartë, jo për respekt të “sakrificave”, por si dikur Gorki, i duhesh më shumë në radhë dhe pse rebel, për hir të perdorimit praktik të qenies. Ndoshta për një shembull empatie, t’i bënte ta ndiqnin pas të rinjtë, sidomos studentët. S’ish pak që një prof të luftonte e tallej si Fan-Fan Tulinani nga katedra dhe “çadra”. E megjithatë, ai donte dhe e bënte, përkatësia partiake, dhe ajo, ish gjithashtu historike a zakon i mbetur. E vlefshme si forcë karakteri a njohje e mire, deri në përvojë, e rregullave të lojës. Këtë radhë dhe ai kish heshtur. Asnjë lajm, qoftë dhe të tërthortë në media s’pat dërguar, asnje intervistë! Ish se nuk ia mbushtnin mendjen “ngelësit në klasë”, mungesa e simbolit apo e programit pikant apo e një bëme heroike që do e shpërndante kudo si epidemi, “viral” apo sepse kjo lëvizje fillikate i ngjante atij, dhe ai e njihte veten mirë si dhe se çfarë duhej për ta ngritur përtej një grushti stdentësh bohemë…. “Nuk ish dhe aq plak, ende i punonte … mendja”! Skeptik, nuk priste gjë nga vetja dhe askush. Dhe më rëndë e ndiente, se nuk kishin nevojë për të. S’e kishin thirrur? (Pse duhej?) Kjo lëvizje nuk ish si në 90-tën e Antiheroit, por duke qenë e askujt, për t’u ruajtur e pastër, e pacënuar në pamvarësinë e saj, mund të quhet me të drejtë, si e pakapëshme dhe aq më pak e dënueshme, e ZERO-HEROIT!

Ndoshta, për as tjetër, veç të ndih edhe unë sa të mund vendin tim. Në mos të jem pjesë e tij!

 

*Sarah Waters, “Social Movements in France/ Towards a New Citizenship” PALGRAVE MACMILLAN, 2003

Please follow and like us: