Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: VEMI, DO VEMI…KU?

 
(Mesndërmjetëse në heshtje)

Si të gjitha të mëdhatë, përveç gënjeshtrave të atyre nga lashtësia, me rrufe apo shigjeta nga perëndi fëminore apo inatçore, me shikim të parë dhe dashuritë, flas për ato të vërtetat, më shumë se bien përpara këmbëve, a shpojnë mespërmes, krijohen, ngrihen gur pas guri. Këtë dikur e tha me gjysëm zëri dhe Freudi, por shpejt e tërhoqi, kur nga një mendje mjeshtërore mjeku, në buzë të shtratit, jo gjithmone të atij spitalor, pasi e provoi dhe e shthurri fije fije, e mohoi. Unë për vete, jam i gjithi në anën e Cervantesit dhe mikut të tij Sanço, që këtë krijim e shpallën botërisht, sajuan Ëmbëlzën edhe me një marri librash, se s’ish e gjitha ëndërr, ndërthurrur në gjithë katet e mendjes, në hapsira të ndryshme kuantike, e pranuan se qe çpikje e vërtetë njerëzish dhe jo e kundërta! Libra u shkruan ta hidhnin poshtë, e megjithatë gjithmonë, them gjithmonë, ngjalli ndienja të forta, si gjithë lëvizjet për Liri dhe Drejtësi! (Po këto nga mbinë?) Cili nga Zotat e bëri, ç’gjysmëperëndi, cili centaur shpirti? Prometeu ish i pari, ndaj dhe emri. Krishti dhe askush pas tij sa Ai. Thua të jetë e stisur?

Lëvizja, vazhdon të lëvizë në mungesë. Pjesëmarrësit janë me pushime, por sheshi i zbrazur ende s’rri në heshtje. Gurët e kalldrëmit, nxjerrin kokën aty këtu për të penguar qytetarët e harruar në harxhet e stinës dhe disa përpak sa nuk thyen qafën në truallin e ngrirë që priste brisk. Mallkonin bashkinë socialiste për këtë, e cila me gjithë ndryshimet me drita dhe shkurret në shesh, harronte në pakujdesi, imtësi të tilla jetike. Lere pastaj të shkoje në spital, ku morena gojëpanginjur prisnin viktimat e radhës. Dikush e quajti me shaka “protesta e sokakut”, dinosaur që papritur nxirrte gjemba mbi shpinë, por kjo metafore u ish dukur e sajuar, pra kishin zbritur me këmbë në tokë, tek “protesta e rrugës”, por dhe kjo s’e kish mrekullimin e simbolit.
Ç’ishte kjo që megjithë të gjitha, nga peticioni tek mungesa e një bisede të denjë Kryeministër-studentë, tek një farë rrugaçerie rebele mes dritave ndezur gëzueshëm si asnjëherë, rrinte në mes si fantazmë? Praninë s’e sillte i ftohti i hidhur, ai që ndjek pas çdo hije, as heshtja prishur nga gumëzhitja, por mospërmendja e saj, nga askush, madje dhe as nga vetë pjesëmarrësit mes tyre, përveç Kullufit, loços së marrë e të përkëdhelur të principatës së Topiajve. Thërriste rrugëve duke tërhequr zvarrë këpucët e grisura, si jargët:”…petsioni … petsioni me tet’ pika” që ia rrëmbente o shiu o era o binin të ngrira mbi kalldrëmin mozaik.
Sulmi i planifikuar, siç ish parashikuar, si për të mbushur zbrazësinë, vepronte në tre drejtime, edhe pse thuajse të padukshme si në “guerilla marketing”:
a) Përvetësimi i plotë i lëvizjes nga ana e kryeministrit. Filloi me fjalën “dialog”, që u përdor enkas të anashkalojë fjalën “bashkëbisedim”. Dhe duke nënkuptuar se zgjidhja është në vetëvete një veprim, pjesa “bisedë” ra. Mandej, me disa fjalë në media, të cilat flisnin qartë për plotësimin e tetëshit, (“i boni tetëshin tetëshit”) si dhe nga aftësia drejtuese e dukshme qysh nga koha e Bashkisë, kuptohej i binte fare vlera asaj “bashkë”. Se për çfarë duhej kjo zëmekur “bashkë”, te gjithe e dinin se ish lojë të mbulonte nën çarçaf Vetingun e bashkë me të, korrupsionin, që nuk e gjenin dot ku ishte dhe kush e kishte. Ai ishte trim i çartur si Zahoja, aq sa ta kërrente me thikë vetë tumorin nga mendja dhe trupi i tij. Ai si ai!
b) Sikur të mos mjaftonte heshtja të cilën e kish zgjatur enkas vetë duke pritur shpërndarjen për pushimet e dimrit, si për ta vrarë në mungesë e aq më tepër pa nxjerrë zë si qingjfli, nxorrën nga dosjet hetimin për një profesor të nderuar matematike, akuzuar pa të drejtë nga disa ngelësa katranjosë. Hetimi i zbardhur u shpall si përfundim i përgjithësuar, si viktimizim cubash ndaj “dlirësisë virgjërore” të profit a profave publikë. Sigurisht kjo ish kaq e vërtetë, sa jo vetëm fshinte të drejtën e kërkesave të këtyre parazitëve, (Pse këta do e bënin? Ku ishin të shkëlqyerit? Po mësonin gjermanisht të na linin? Ku shkoi përgjegjësia qytetare?), por edhe Vetingun, në çdo fushë, siç e kish urdhëruar BE. Ndërhyrje flagrante kjo, në punët e brendëshme të një shteti sovran, qysh më 1912, kur s’shpëtuam dot, nga Perandoria. Sikur historia të mos përsëritej duke qëndruar në vend, Kryeministri shpalli se turqit dhe Turgut Pashai, do rinovonin së shpejti ndërtesat e qytetit studenti! Baba ish me ne.
c)Përçarja ish e treta. Mospjesëmarrja ishte “kollona e pestë” brenda dhe rreth Lëvizjes. Ndarja në të shkëlqyer, të dobët a mesatarë në shpalljen e plotësimit të peticionit, bëri pikërisht këtë, përzgjodhi të ndihë të shkëlqyerit, që as s’e luajtën by… të dalin në shesh. Rrugeçërve një kockë t’u mbyllnin gojën. Flitej se mund të hiqej nga sheshi busti i Azem Hajdarit. Shembull-simbol i keq për të rinjtë! Lëvizja
mbeti në fazën e saj të parë, në një grup aktivistësh të çoroditur. Priste diasporën të rritej! Cilën? Po ashtu partitë me anëtarë qindramijëra, nuk i pranuan. As edhe një anëtar, individ i lirë, nuk mori pjesë pa urdhër, për hesap të tij. Asnjë prof s’u bashkua hapur se si la frika. Dolën ditën e fundit në grup. “Bela që s’kapërdihet është vlla Lëvizja”. As tjetër organizatë apo grup si ai i të Drejtave të Njeriut nuk u afrua. Deri sa mbërritën diasporsit, që pasi ua ndaloi protestën Edi, i ftoi ta bënin Lirua, tek Pallati i tij!

Zoti F., me F të madhe, se e kish merituat jo vetëm me tituj, por dhe nga respekti i njëzëshëm, si ndoshta korifeu i fundit i filozofisë, kur shumë si ai kishin ikur, por edhe sikur të mos, ai u përgatit nga instituti Nëna Mbretëreshë, për të qenë ky i tanishmi. Nipat dhe mbesat e thërrisnin xhaxhi T. Fjala xhaxhi zëvendesonte disi titullin zoti, në familje. Ishte pompoz sa dhe babaxhan, i ngadaltë, ose më mirë i panxituar, i pëpiktë, siç e mendonte thellë se ku shkonte fjala e thënë dhe dëmet që mund të shkaktonte; se ashtu duhej. Kish shkruar dhe poezi dhe ndarë veten dhe nga familja për të marë një rol asketi sokratik. Se kështu duhej. Përveç gruas që e rrihte për paudhësitë më çupat e reja, askush nuk mban mend se sa bij apo vëllezër kish Sokrati! Në të fundit vetëm më të denjët folën dhe shkruajtën për të. Kish folur shumë, por më shumë me veten, i veçmas nga të gjithë dhe të gjitha partitë, madje dhe nga Akademia, për të qenë i vetmi. Por kjo çoroditje e paparë, si lëvizje Browniane deri sa të pëlciste në vlim, e shqetësonte më shumë me atë që s’vinte. Kur kish qenë po ai vetë, ndoshta këshilla e tij, që kish krijuar dhe shuar atë të studentëve. Ajo e Unazës së Re s’mbante erë politikë dhe as ideologji që t’i jepte frymë. Donte të qeshte, por paksa me kujdes shtriu anash këndet e buzës, se ashtu duhej, kur mendonte për çudinë e fundit: protestën e diasporës! S’arrinte t’a kuptonte! Cila diasporë, ca diaspordhjake? Cila organizatë a gjeografi e saj kish zbritur në Qytetin shtet? Programi i tyre: Krimi dhe Korrupsioni dhe arroganca e qeverisë, Kryeministri. Pra protesta KKK, ose e tre K-ve! Po këta ç’i mundonte kur ata që jetojnë këtu s’duan t’ia dinë? Por një gjë mungonte mbi gjithçka, SIMBOLI! SImboli magjishëm bashkonte!
Psherëtiu: “Çoroditje”! (Por ende jo vdekje!)

“Unë s’i përkas ndonjë lëvizjeje, besoj në të dhe jam lëvizja. S’jam dhurues parash, as vullnetar ose mbështetës. Jam një besimtar i saj dhe më pëlqen ta ndaj këtë besim me shokët e mi.”*
—Interviste, aktivist i ceshtjes

 

*Derrick Feldmann: How Companies and Causes Build Viral Movements for Good/ Published by John Wiley & Sons, Inc., Hoboken, New Jersey. 2016

Please follow and like us: