LULZIM TAFA, POETI QË REFUZON ADORNON
Disa fjalë për librin “Vražiji Posao-Punë Djalli” të poetit nga Kosova Lulzim Tafa, të botuar në Sarajevë. Si e lexojmë ne këtë poezi, pse mendoj se Tafa ka bërë edhe më shumë se sa e thotë Abdulla Sidrani, a është Ajkuna e tij si Ursula e Marquez. Poeti e refuzon tezën e Adornos duke u shfaqur me një poezi tejet zemërprekëse.
Në fjalimin e tij (1982), me rastin e ndarjes së Çmimit Nobel , Gabriel García Márquez e ka prekur problematikën e raporteve gjithë kohore të artit dhe të botës reale, duke vërejtur se nuk është ai i cili e krijon letërsinë personale – por, prozën e tij e ka (për)shkruar realiteti i çuditshëm, të cilën nuk ka pasur nevojë ta mbindërtojë me imagjinatë ose ta plotësojë me detaje, është dashur, ç’ është e vërteta, vetëm ta formësojë gjuhësisht. “Ky është realiteti, i cili nuk është vetëm letrar, por i cili jeton brenda nesh dhe përcakton secilin çast të vdekjeve të panumërta të përditshme te ne, realitet i cili paraqet burimin e krijimtarisë së pashuar, plot pikëllim e bukuri”, thotë Márquez.
Duke mbetur në gjurmën e prozës së Márquezit, reflektimi për enigmat semiotike të poezisë së Lulzim Tafës do të ishte përafërsisht kështu: Shumë vjet më vonë, para punëve të djallit të të shkruarit të vargjeve të tij, Lulzim Tafa sjell në mend ato vitet e përgjakshme kosovare, kur jetës i kishte rënë çmimi, ndërkaq vdekje kishte me bollëk.
Përmes paradës së vargjeve për realitetin e çuditshëm vetanak, ku ekzistenca reduktohet, duke u shërbyer me sloganin zhgënjyes të subjektit lirik të Tafës bukë për sonte, barot për nesër, “Punë djalli” në tërë kompleksitetin dhe universialitetin e vet, është dramapoezi edhe e luftës së Kosovës edhe e secilës luftë tjetër në histori, kritikë e absurditetit të saj në të cilin Tafa adreson më së miri me vargjet, indikativisht dhe ironikisht të mbledhura nën titullin “Raport nga Kosova ’99”: Këtu nuk shkilen të drejtat dhe liritë e njeriut/Këtu shkilen vetëm kokat/.
Është pikërisht e padurueshme pakuptimësia e prodhimit të çdoditshëm të vdekjes, së cilës Tafa në mënyrë obsesive dhe me pasion brutal duke e modeluar në vargje, i jep modus operandin autentik, ironinë. Tafa e shfrytëzon ironinë me bollëk para së gjithash në formësimin e shprehjes. Ajo përveç tjerash i mundëson atij të shprehë kuptimin e tij për poezinë si formë ekonomike e cila në pak fjalë mund ta përmbledhë tragjedinë e një periudhe. Prandaj Tafa me ironi e dendëson shprehjen e vet, e ngrit në një lapidar proverbial, dhe e kupton se duke shmangur përshkrimet e dhe eksplicitetin e tepruar, njëkohësisht e privon edhe nga patetikja.
Rrjedhimisht, të liruar nga një patos i tillë, vargjet flasin me një dramë të veten të brendshme dhe arrijnë të vendosin ritmin e tyre specifik. Poezia e Tafës, paradoksalisht, afirmon, refuzon dhe në një mënyrë të caktuar e përmbush tezën e Adornos për pamundësinë e shkrimit të poezisë pas Auschwitzit. “Punë djalli” shpreh idenë se Auschwitz është bërë emër i përgjithshëm për çdo gjakderdhje dhe jo vetëm është e mundshme, por edhe e domosdoshme të shkruhet për këtë, gjegjësisht të shfrytëzohet letërsia si qërim i caktuar terapeutik hesapesh me të kaluarën. Tafa, megjithatë, subjektin e vet lirik nuk e dorëzon si aventurë naive të vetëshërimit përmes reminishensës, por para së gjithash e çarmatos, deheroizon, brutalisht ia nënshtron kujtesave për ta aktivizuar. Fjala është, pra, (edhe) për poezinë e angazhuar shumë më komplekse dhe më shumështresore sesa që ka menduar Abdulah Sidrani në recensionin e vet, të thjeshtëzuar dhe në mënyrë të tërthortë duke orientuar se Tafa thjesht i është përgjigjur urdhrit të epokës së vet, e ka marrë penën në dorë dhe e ka përmbledhur përvojën e vet. Tafa, ç’ është e vërteta ka bërë më shumë sesa kjo: duke e dëgjuar edhe pulsin artistik të epokës së vet, të kohës postmoderne, të shënuar me mosbesime të mëdha ndaj cilësdo formë të të dhënës (ekzistueses) dhe me vënien në pyetje të së kaluarës.
Ai unin e vet poetik e armatos me ironinë dhe me pezmin luftarak, duke ofruar perspektivë krejtësisht tjetër të ngjarjeve të dhëna historike dhe të kushtëzuara. Poeti, letërsinë e shfrytëzon si proces vetanak të vetëdijesimit të idesë për atë se ajo që ka qenë nuk mund të përmirësohet, por mund të kërkohet dhe të gjendet raporti i ri ndaj kësaj. Në shprehje filozofikisht i ashpër, gati ekskluziv, i pa kompromis, ironinë dhe sarkazmin i shfrytëzon si armë kritike, nga afër duke jetësuar qëndrimin e shkrimtarit bosnianohercegovas, Xhevad Karahasan, nënvizon se “libri nuk ka pushtet, por ka fuqi – ai nuk sundon, por formëson”. Kështu edhe Tafa është larg nga ajo që është bërë e zakonshme, kuptim i togfjalëshit “luftëtar i penës” sugjeron: duke zgjedhur me forcë mjetet shprehëse, dëshmon se si poeti refuzon të jetë organ transmisioni i përvojës vetanake tragjike, respektivisht adreson në potencialin artistik të angazhmanit aktiv përmes ndërrimit të perspektivës.
Duke e marrë këtë parasysh, bëhet e qartë se vërtetë me sa shtresa poezia e Tafës disponon dhe sa është semiotikisht zemërprekëse: ajo është në modusin e përhershëm të hulumtimit, prandaj edhe nga lexuesi kërkon po ashtu të njëjtën. Me fjalë të tjera, madje edhe ajo që duket si poezi dashurie, nuk është (domosdo) (vetëm) poezi dashurie. Sidrani, për shembull, në ciklin me titull simptomatik “Kaçakët” në personin e Ajkunës, e njeh, e identifikon hapësirën romantike, të intimes, të nostalgjisë, të mallit dashuror, larg nga ndjeshmëria kolektive, por nëse gërmon pak nëpër etimologjinë e vet fjalës “Ajkuna”, i tërë cikli merr krejtësisht tjetër konotacion: nga gjuha deri te gjuha, nënkupton “nënën”, “nënëmadhen”, “stërgjyshen”, “hyjneshën”, “shpirtin”… Degëzimi i mëtejmë do të mund të na shpinte edhe në atdhe, truall, shtëpi, ngrohtësi, siguri, mallëngjim, vaj për çfarëdo strehimi, (qoftë edhe abstrakt shpirtëror) në sëmundjet e kaosit ekzistues, prandaj boshllëku i cili ngritet mbi vargjet “Ti nuk më ke më/As unë nuk të kam ty”… ka marrë krejtësisht përpjesëtim tjetër, i cili për dallim nga interpretimi i Sidranit, inkuadron aq shumë ndjeshmërinë e një kolektiviteti. Vallë, a nuk korrespondon Ajkuna e Tafës me Ursulën e Márquezit, e cila për më tepër është më shumë sesa person dhe tërësi e gjithë spektrit të shenjave dhe gjithmonë shpie në interpretime të mëtejme – ajo është edhe fuqi, edhe pikëllim, edhe profeci, edhe kalueshmëri, edhe droje, edhe fije e rrënjës së gjeneratës qindvjeçare. Çfarë kuptimi më tej do të mund të luhej me qejf, për shembull, duke mos lëshuar nga vëmendja faktin e rëndësishëm se në të njëjtën poezi Tafa emrin “Zoti” e shkruan edhe me shkronjë të vogël edhe me të madhe? “Ishin vrasësit më humanë/Lavdi/vrisnin pa dallim/burra/gra/fëmijë…/vrisnin dhe këndonin/o zot!/Zoti u ndihmonte./ Zoti ua vraftë Zotin”. Është e qartë sesa paradoksalitet implikohet përmes drojës të zotit të atyre të cilët kanë “vrarë dhe kanë kënduar” dhe çfarë dyshimesh dhe kritikash hap Tafa me këtë…
Siç zbulohet, pra poezia e Tafës nuk është stabile dhe ekskluzivisht sipas përcaktimit të saj tematik, sado që na duket e kundërta, çelësi i të kuptuarit të saj, siç është dëshmuar edhe pjesërisht, duhet kërkuar në mënyrën në të cilën poeti i trajton fenomenet (universale) dhe të përcaktojë çfarë raporti krijon ndaj tyre.
Vet libri është ndarë në gjashtë cikle, për të cilët nuk do të mund të thuhej se janë ngritur sipas parimit tematik: duke marrë parasysh shtresëzimin e përmendur të kuptimeve, do të ishte më e udhës të vendoset se ato janë zgjedhur sipas një logjike vetanake të brendshme, e cila para së gjithash në ndërrimet e buta të modusit shprehës (“Ke fjetur në dritën e hënës” janë meditime intime, “Këngët e trishta” janë ndërtuar si monologë proverbial në miniaturë, te “Kaçakët” poezitë lidhen pothuaj me linjën narrative, “Paroditë e zeza“ zgjidhjen e gjejnë në paradoks, në ciklin “Vet me vete“ në plan të parë është pezmi i ironizuar…). Por, ajo që ngrihet mbi to, pa marrë parasysh ndryshimet e vogla të fokusit ose intervenimet shprehëse është mundimi ekzistencial, mundimi që del nga ndjenja e frikës, gati në njohje filozofike se në ashpërsinë dhe pakuptimësinë e luftës, koha vërtitet në rreth. Prandaj, arkitektonika, kompozicioni i këtij libri nuk shpie në një drejtim, fillim, ose fund, nuk i shfrytëzon ciklet si “stacione tematike”, nuk ka një vatër konkrete sepse me këtë drejton në joracionalitet, në përhumbje në kohë dhe hapësirë për shkak të shkatërrimit, i cili, siç duket nuk ka as fillim as fund, shkatërrimi është i thjeshtë, gjithmonë prezent. Varësisht nga ajo se sa vetëdije për kohën përreth Tafa i jep subjektit të vet lirik, i njëjti nga poezia në poezi ndërron qëndrimin e vet: nga lemeritës dhe zhgënjyes, deri te dorëheqës dhe i qetë, nga: “Mo Zot e liga e çohen e vijnë” në: “Mo Zot e liga/Ja po vijnë”/ e deri te poezia Uji… “ka me hupë krejt/Asnjë ngërçamë/Për sahat t’ dekës/s’ka me u gjetë”/. Në këtë aspekt poezia e Tafës e plotëson Adornon: me intensitetin e frikës së stërgjyshes së Márquezit, Ursulës, e cila “frikësohet se koha nuk kalon por se vërtitet në rreth”, përmes këtyre vargjeve imponohet pyetja – a është e mundshme pas Aushwitzit ta korrigjojmë kohën dhe ta drejtojmë njerëzimin drejt shpresës?
Në padurueshmërinë e harkut kohor poeti me vargje vizaton pasigurinë e pritjes të formës se re të tragjedisë (“Vetëm thonjtë mbesin thonj/Ditë e nesërme na sjell diçka të re/Se me të vjetrën u përgjakëm”) dhe çudia e vetmisë që vjen nga vetëdija se tragjeditë e përgjakshme nuk godasin vetëm popullin si kolektiv, por viktimat i numëron në individë: një edhe një, edhe një, edhe një… Implikimet e tilla veçanërisht vërehen në ciklin “Në mungesën tonë”, dedikuar shokëve e shoqeve të Tafës nga ditët shkollore, pastaj në “Këngët e trishta”, posaçërisht përmes vargjeve domethënëse, sikur në: “Secila pikë gjaku/Do të bëhet sumbull/Në këmisha dhe në xhamadanë/Të ushtarëve dhe të kapedanëve të mi”.
Tafa vargjet e tij në mënyrë me ngulm i ushqen me motivet e gjakut, duke orientuar kështu në përvojë vetanake të çmendurisë së palogjikshme të luftës, por edhe duke përkujtuar atë se si dhe sa poezia mund të jetë universale, madje edhe kur pikëmbështetjet e veta i ka në periudhën shumë konkrete të një realiteti tragjik. Poezia e Tafës është rekonstruim i detajuar i atij realiteti, reminishencë e trazuar ndaj pamfletit universal. Secila nga poezitë e tij është një enigmë e episodit të përgjakshëm të historisë e të cilën lexuesi, duke e shtresëzuar, i palos copëzat e ngjarjeve historikisht të vërtetuara. Por, përkundër shpirtit luftarak dhe ngulmimit ironik të diskursit të Tafës, mbi vargjet e tij ngritet vetmia, njësoj e rëndë, njësoj e mundimshme dhe e përbashkët – madje edhe për ata të cilët nuk janë të ndërthurur drejtpërdrejt në historinë e përgjakshme të kolektivitetit të Tafës, vetmia dhe mallëngjimi që aq fuqishëm korrespondojnë me klithmën e Lorkës për paqe: Cordoba/E largët dhe vetëm/(…) Edhe nëse i di rrugët, kurrë/Nuk do të arrijë në Cordobë.
Subjekti lirik i Tafës përkohësisht arrin të izolojë nga kundërmimi kolektiv i vdekjes, kështu që në torturën e vetmisë dukuritë të cilat e rrethojnë, pasqyrohen me disponimin vetanak: është motiv i shpeshtë i poetit shiu, i cili “do të pushojë një ditë”, i cili i mbulon gjurmët në qytet me aromën e gjakut, shiu i cili është “Vaji i Zotit”, njësoj “i tmerrshëm dhe i papushim” si shiu i Preverit, njësoj “i qetë dhe i drejtë” si shiu i Dizdarit. Ashtu si subjekti lirik i Tafës e humb kontrollin mbi kujtesat vetanake, kjo tregohet përmes ndërtimit të vet poezive: ato bëhen të privuara nga sistemi i tyre vargëzues dhe shndërrohen në rrëfim të rrymës së vetëdijes (“Reportazhi nga lufta e shenjtë”).
Për Tafën të shkruarit është proces terapeutik dhe qërim ironik hesapesh me botën – për lexuesin vargjet e tij janë sfidë ndaj së cilës autori drejtpërdrejt shpie në poezinë e titulluar simbolikisht “Epitaf“: “Nuk shkruhet dot një varg/ç’sëmundje muzave u solli liria”. Në poezinë më intime të përmbledhjes “Vet me vete“ , Tafa drejtpërdrejt zbulon tërë atë që “Punë djalli” paraqet për të: dëshminë e përvojës personale dhe kolektive të luftës dhe pasojat e saj, mënyrën se si lufta e ka formësuar raportin e poetit ndaj jetës, Zotit dhe ndaj vetvetes, por, ajo që mbase është më e rëndësishmja, ironia e fshehur në vargjet e fundit e pikturon raportin e Tafës ndaj “punës së djallit“ në krijimin artistik në përgjithësi: “Vështirë/Por duhet forcë/Eh/Qija nanën”. Përmes mesazheve të tij poetike se duhet ruajtur “nga Jeta dhe nga Vdekja“, përmes vargjeve, të cilat me ritmin e vet të brendshëm në mënyrë apokaliptike paralajmërojnë marshe të përmortshme, pashmangshëm sjellin në mendje poemën e Kashtelanit “Tifusarët” (“Vdekje deri te vdekja, vdekje deri në vdekje, vdekja janë gjurmët e mia”), shoshitet shpresa me të cilën Lulzim Tafa përkujton besimin e tij në poezi, si armë e fuqisë së konsiderueshme: “Kalo, lirisht/Të thotë Zoti/Dhe engjëlli i bardhë të mban/Për dore”.
(Autorja është profesoreshë dhe studiuese e njohur e letërsisë nga Sarajeva, përktheu: Smail Smaka).