Emil Asdurian: DIVIDE ET IMPERA
(Ata, ishin vetë të ndarë)
E vërteta është që në përgjithësi të gjitha janë gënjeshtra. Ndoshta jo plotësisht, por ka mbi to një pluhur të mjaftë. Duke filluar nga gjuha, që pak mori nga gjesti, i cili në të fundit ish më i përcaktuar, si sinjalet me flamur të marinarëve, por dhe ata, sot, përdoren rrallë e më rrallë. Dhe për më tepër shkrimi, që pas saj përzieu veten me simbole, s’bëri tjetër veç ngatërroi edhe më shumë. Se shoqëria në fakt nuk ka personazhe dhe ata për të cilët u shkrua në bazë të fitoreve, mund të mos jenë aspak të tillë, por figurantë pa vargje e rreshta për të recituar, si trungje të ngrirë në një bashkësi pylli. Shpesh dhe në jetën e tyre s’arritën të bëhen aktorë, as dytësorë. Monologjet e tyre, në të vërtetë kurrë nuk u thanë, se dhe kur shihen, gjykohen tërthor nga këndvështrime të ndryshme, që si në fizikën kuantike janë vetëm përafërsi dhe mundësi probabilistike. S’ish rashtësisht që Prokopi i Madh, pa prokopi, s’diti ç’të bëjë, por shkroi dy libra për të njejtën histori. Dhe tani, si unë, si Çelebiu, si Ramsey McMullen* e kuptojmë, se s’përjashtoj dhe shumë të tjerë, që të jesh një kronikan i nderçëm dhe të përshkruash ç’sheh, nuk do i mjaftonte të vërtetës. Do ish njëlloj sikur të hidhje malet, kodrat, lumenjtë mbi një hartë e mos t’ia varje fare indigjenëve të shkretë të sapozbuluar. Si të studiosh trupin pa mendjen dhe s’ka asnjë dyshim që historia duhet të marë në konsideratë dhe mendjen e shoqërisë, përveç asaj të individëve heronj. Pak dhe borën me shiun.
E kishin lodhur tej mase këto të kundërta grindavece që e ndiqnin kudo nga shkonte si ujq të egër dhe do t’ia kish hedhur në sy, kujtdo përballë, por mund dhe vetes apo dikujt tjetër figurant, agnocist apo besimtar i devotshëm i dialektikës historike dhe si për inat të gjithë këtyre mendimeve që rednin si kope e hazdisur kuajsh, se ish kopeja dhe jo çdo njeri prej tyre, që vrapoi vërtik nëpër shkallë të gremisej në parkun e mardhur dhe të vetmuar humnerë, për të qartësuar disi mendjen. Të paktën ashtu shpresonte.
Sigurisht që s’i pëlqente nofka spiun apo kalec, (kësaj të fundit s’ia dinte prejardhjen), dinte që ish besnik dhe i dedikuar ndaj mjeshtrisë së tij, se ndaj saj i tillë qe deri në imtësi, si çdo lëvizje e programuar e duarve të një kirurgu, stërvitur aq shumë në kadavra në morg a me kafshë eksperimentale, siç kish bërë dikur një mjek i sapo mbarur, që përfundoi në çmendinë, kur një ditë të bukur pa pritur e pa kujtuar nisi të thërrasë: “ Po vdes, i Madhi po vdes, po jep shpirt”, si të qe vetë Kasandra e burrëruar. I ishte dashur atij ta përpunonte lege artis, sipas ligjeve të artit, pa e rrahur. S’duhej, se ndryshe me psikologjinë në kah të kundërt do e kishin besuar si të vërtetë. Kjo tani, ishte pjesa e tij në këtë kronikë dhe nuk i duhej të merrej me asgjë tjetër, aq më pak me mendime të tilla anësore. Ndiqte dy gratë e kapura prej krahu, të cilat i kish parë thuajse çdo ditë tek sheshi, ishin shoqe se kishin pirë bashkë mbi tre herë kafe, tek ecnin buzë përroit në anën veriore të tij drejt rrugës që të çonte në jug… “Na çanë menderen dhe këta, po në një brimë i bien…Po ato kërkesa”! Pastaj i ish afruar ajo tjetra, me floke të drejtë të rënde, Eva, e dinte kush ishte. Kishin shkëmbyer disa fjalë që s’kish mundur t’i dëgjonte dhe ishin kthyer tek ‘Blloku’ për të pirë kafenë. Vinin, silleshin rreth sheshit si ujkonja, flisnin me pjesëmarrësit, ose me asnjë, vëzhgonin të etura përreth, grabisnin me sy, si të ishin dykokët e një trupi, pinin ngjitura sup me sup, çoç krokëllisnin dhe u ngritën të iknin. Pasi mbaruan atë copë udhë hynë në selinë e partisë. “Aha, mendoi, më në fund të zura”! Por s’ish apak ashtu. Dy thëllëza aktiviste, anëtare të thjeshta partie, pa kurrfarë rëndësie, kishin kërkuar atë që kur i kishin dëgjuar, kishin qeshur me lot një copë herë të mirë: Vetingun e partisë. Tjetër risi kjo!
— Çfarë arritët me demonstratat dhe grevën tuaj? Ju u tallët me ne. E kuptoni që janë të gjithë pedagogët pa rroga? Bëni mësim dhe pastaj shkoni në grevë, u shpreh një pedagog i shqetësuar.
— Unë nuk mund të futem në mësim dhe diploma ime të mos njihet, më vjen shumë keq, iu përgjigj njëra prej studenteve.
— Ju u tallet me ne, tha ai.
Ndërkohë që në një fakultet studentët kishin gozhduar portën kryesore dhe kishin lënë jashtë profesorët e zemëruar dhe në disa të tjerë, kolegët e tyre qëndruan të paguheshin, përballë auditorëve të zbrazur. Ata të mësuarit me rregullin, ishin të pakënaqur, të lodhur, të zhgënjyer, kur ish pikërisht kjo çka duhej. Llogjikë e thjeshtë mendjeje. Shkundje.
Por ja që një grup intelektualësh të rinj, (më në fund disa me mend), me këmbëngulje këkrojnë që procesi të shkojë më përtej, të thellohet dhe më. Duke shkruar letra të hapura, peticione apo dhe shkrime si dikur kundër fashizmit mbi mure, që Vetingu të shtrihet dhe të spastrojë kuajt apo tufën e kuajve nga i gjithë sistemi arsimor, duke ushtruar një trusni të drejtpërdrejtë mbi qeverinë, jo për ndërrim gurësh shahu, por për një proces dhe sistem të vërtetë filtrimi. Te gjitha këto i shkruante me zell, por dhe kjo nuk i dukej e saktë, diçka tjetër i rrëshiste midis gishtave të shtrënguar grusht, që përpiqej me çdo kush ta mbante. Si Helena mbi bedena e shihte ç’do të vinte, shkatërrimin e Trojës me gjithë ç’kish a kthimin në krahët e burrit të penduar.
Lëvizja kish filluar me rrahjet e zemrës të formonte ngadalë, vetiu, si padashje ndërgjegjen e saj të veçantë, kish filluar të dëgjonte, të kuptonte, të zgjidhte çfarë i duhej, profilin e vet psikologjik. Atë të cilin do e shpërfillte historia. Ish ajo mendje që nga një peticion fëminor, kish sjellë dhe vazhdonte të binte: spastrimin. Sigurisht fillimisht në arsim, se andej varej nga placenta, por nuk do të mbetej aty. Dikush kish përmendur partitë, Katovicën, zhgjendrrën përrallë të rreme, por dhe sikur e tillë, shoqëria në kalbëzim që po ata qëllimisht e ngjizën, kërkonte qelizmë. Disa shpresonin te mos ish politikë, por ja që politike qe dhe qëllimi i saj pushteti, q’iu rrëmbye pa të drejtë të gjithëve.
Si kronikan, ose më saktë shkrues i ngjarjes, e dinte si nga të lëçiturit e librave në shkollë në Erdene, por dhe më pas, duke ndjekur disa fushata betejash apo rrethime, se nuk mund as të shtosh dhe as të heqësh nga e vërteta as një presje. Ngjarjet ditë pas dite, shkruhen sipas një orari të caktuar, si të ishe në një tren, i cili shkonte në një drejtim të caktuar, drejt pa kthim. Siç doli më vonë, në pleqërinë e hirtë, kuptoi se kthehej dhe tek e njëjta, vetëm jo për një jetë njeriu. Aty sa hap e mbyll sytë, dy pika fare pranë i bashkon një vijë e drejtë. Mund të shtoje, se ç’pa në gjumë Aleksandri një natë më parë, ndaj për të mos parë zhgjëndrra nuk i dërgonin djelmosha dhe vajza virgjëresha. Por dhe kjo s’ish e mjaftë. Se më shumë se vezirët dhe kryeveziri së bashku, dëgjohej kryeunuku Beshir Agai, i mirënjohur për vendosjen e besimit Hanafi Islam në gjithë perandorinë, aq më tepër kur dihet se eunuket veç të tjerave mbanin një rrjetë të gjerë spiunazhi jo vetëm në harrem. Oborri i “ruajtësve të shtratit” apo “mendjemirëve”, të “permbajtur” siç i quante Theofilakti i Ohrit, e kish dorën dhe zëmendjen shumë të gjate. Për këta, nuk fliste asnjë, veç për ndonje ëndërr të tyre. Puna e tij ish të shkruante me besnikëri ç’ndodhte dhe jo ç’mendohej, ndoshta ngaqë shpesh arsyet ishin nga më banalet, dhe asaj heroikes i hiqnin bukurinë.
*Ramsay MacMullen është Profesor Emeritus i historisë në Universitetin Yale.