Albspirit

Media/News/Publishing

Si lindi qytetërimi ynë?

Fillesat e qytetërimit tonë si njerëz lidhen shpesh me lindjen e bujqësisë. Me shtimin e prodhimit të ushqimit, u rrit edhe popullsia, u zgjerua tregtia dhe taksat. Ose të paktën kjo është narrativa dominuese.

Por disa ekonomistë kanë ngritur së fundmi një hipotezë konkurruese, e cila sugjeron se një tepricë e ushqimit në vetvete nuk mjaftonte për të nxitur kalimin nga shoqëritë e gjuetarëve-mbledhës në shtetet hierarkike që çuan në fund tek qytetërimi siç e njohim sot.

Shumë prova dhe fakte që mbulojnë një hapësirë kohore prej disa mijëra vitesh tregojnë se kjo teori është empirikisht e gabuar. Edhe kur disa pjesë të botës nisën të praktikonin  bujqësinë dhe filluan të prodhonin një tepricë ushqimesh, kjo gjë nuk çoi domosdoshmërisht në një hierarki komplekse apo në themelimin e shteteve me sisteme tatimore.

Sipas kësaj teze, vetëm kur njerëzit nisën që të kultivonin ushqime që mund të ruheshin, ndaheshin, tregtoheshin dhe tatoheshin, filluan të merrnin formë strukturat sociale. Është me gjasë kjo arsyeja pse drithërat si gruri, elbi dhe orizi – dhe jo patatet – janë në origjinë të thuajse gjithë qytetërimeve klasike.

Nëse një tokë ishte e aftë të kultivonte drithëra, provat tregojnë se kishte shumë më tepër gjasa që atje të kishte struktura komplekse shoqërore. “Lehtësia relative e kultivimit të drithërave ndihmoi edhe në shfaqjen e elitave që vendosnin taksa”- shkruajnë autorët e hipotezës.

Ndërkohë bimët që kanë rrënjë të thella në tokë dhe ato me zhardhok të fortë, janë zakonisht bimë shumëvjeçare, ndaj nuk kanë nevojë të korren apo të shkulen për një periudhë të caktuar, por pasi të korren apo shkulen ato prishen shumë shpejt. Pë shembull në Amerikës së Jugut, bimët me rrënjë të thella dhe shumëvjeçare si kasava mund të korren gjatë gjithë vitit. Por ajo kalbet lehtë dhe është e vështirë për t’u transportuar.

Studiuesit sugjerojnë se kjo është arsyeja pse hierarkitë përtej udhëheqësve nuk u shfaqën në asnjë shoqëri të varur nga kasava, edhe nëse kishte shumë më shumë rrënjë të mjaftueshme për të ushqyer të gjithë. Nga ana tjetër, Majat ishin një nga qytetërimet më dominuese dhe më të sofistikuara në Amerikën Qendrore.

Por kjo shoqëri e lashtë nuk mbështetej vetëm tek këto kultura bujqësore. Përkundrazi, ky qytetërim ishte shumë i varur nga misri. E njëjta gjë vlen edhe për Inkasit në Ande. Lloji i ushqimit të kultivuar nga fermerët ishte qartësisht më i rëndësishëm për shoqërinë atje sesa sasia e tij e prodhuar.

Efektet e ndryshme sociale të bimëve që kanë rrënjë më të thella në tokë përkundrejt drithërave që rriten mbi sipërfaqen e tokës mund të ndihmojnë në shpjegimin se përse disa qytetërime u bënë më komplekse, ndërsa shoqëritë e tjera mbetën si komunitete lokale ose kryeqendra.

Po ashtu kjo mund të qartësojë edhe arsyen se pse një tepricë e ushqimit në një shoqëri të gjuetarëve-mbledhës, nuk çoi domosdoshmërisht në zhvillimin e qytetërimeve. Bujqësia ishte padyshim një hap i domosdoshëm për të përmirësuar prodhimin e ushqimit. Por studiuesit dyshojnë se vetëm ato kultura që mund të sekuestroheshin lehtë çuan në ngritjen e një klase elitare.

Nëse një hierarki e fuqishme e shoqërisë do të fillonte të mblidhte taksa në formën e grurit nga fermerët pa ushqim shtesë, atëherë komunitetet bujqësore nuk do të ishin në gjendje të mbështesnin një popullsi të tillë. Si rezultat, numri i tyre me gjasë do të tkurrej, duke krijuar kështu një tepricë ushqimi për t’ua dhënë shtresave më elitare.

Nëse këta fermerë nuk do ta mbronin elitën, kjo e fundit nuk do të mbronte rezervat e tyre ushqimore nga banditët. Vjedhja e drithërave është në fund të fundit, shumë më e vlefshme se vjedhja e ushqimeve që prishen shpejt.

“Prandaj ne pajtohemi me teorinë konvencionale të produktivitetit, sipas së cilës fermerët në shoqëritë hierarkike prodhonin ushqime me tepricë. Por pretendimi ynë është se në vend të tezës se kjo tepricë gjeneron elitën, është elita ajo që gjeneron tepricë ushqimore mbi të cilën mund të lulëzojë sapo të shfaqet mundësia për ta përvetësuar atë”- shkruajnë autorët që mbështetin këtë tezë.

Për shembull një atlas i kulturave njerëzore, tregon se numri më i madh i të afërmve të egër të kulturave të drithërave mund të gjendet në Gjysmëhënën Pjellore, për të cilën thuhet shpesh se është djepi i qytetërimit njerëzor. Ndërkohë shoqëritë historike që nuk praktikonin asnjë lloj bujqësie, gjenden në Amerikën Veri-Perëndimore, Azinë Qendrore, Australi dhe Afrikën Jugperëndimore.

Këtyre shoqërive u mungonin gjithashtu struktura komplekse hierarkike. Të dhënat nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë ofrojnë dëshmi të mëtejshme për hipotezën e re. Ato sugjerojnë se rajonet ku drithërat janë më produktivë se bimët me zhardhok, kanë më shumë gjasa të organizohen si shtete me norma më të larta taksimi.

“Duke përdorur këto të dhëna të reja, ne ishim në gjendje të tregonim se hierarkitë komplekse, u ngritën në zona në të cilat kulturat e drithërave, të cilat janë të lehta për t’u taksuar dhe për t’u shpronësuar, ishin de-fakto të vetmet kultura të disponueshme”- shpjegon ekonomisti Luixhi Paskali nga Universiteti Pompeu Fabra në Spanjë.

“Paradoksalisht, tokat më produktive, ato në të cilat jo vetëm drithërat, por edhe bimët me zhardhok ishin të disponueshme dhe produktive, nuk përjetuan të njëjtat zhvillime politike”. Bashkautori i Paskalit, ekonomisti Joram Majshar, e quan atë “mallkim i bollëkut”. Në mungesë të një lloj ushqimi që mund të grumbullohet dhe mbrohet nga individë të elitës, nuk ka shoqëri të organizuar, të kontrolluar nga ligji dhe rendi. Tek e fundit, thotë Majshar, mbështetja tek kulturat bujqësore duket se ka penguar shfaqjen e shteteve dhe zhvillimit ekonomik në disa pjesë të botës, si për shembull ishujt në Paqësorin Jugor. “Vetëm aty ku klima dhe gjeografia favorizonin kultivimin e drithërave, kishte gjasa të zhvillohej hierarkia”- thekson Majshar nga Universiteti Hebraik i Jerusalemit. / Science Alert – Bota.al

Please follow and like us: