Emil Asdurian: MOSBINDJE PËR BINDJEN
“Një shoqëri e lirë dhe e hapur është në konflikt të vazhdueshëm, herë-herë ndërpritet nga një marrëveshje — të cilat bëhen fillimi i një konflikti në vazhdim, kompromisi dhe kështu ad infinitum (në pafundësi)”*
Bisedë në mure:
— Nga njëra anë jemi të lodhur nga kjo klasë politike dhe kërkojnë qarkullim e saj, jo vetëm të elitave dhe nga ana tjetër kryqëzojnë çdo të ri dhe etiketojnë angazhimin e tyre si i kësaj apo asaj partie!!! Si e doni ndryshimin dhe frymën e re në politikë?!
—Jemi lodhur me këtë klasë politike, jemi lodhur edhe me të rinjtë që ja sjellin këtë kontigjent politik, si zgjidhje apo si frymë e re! Edhe me hap nji parti të re prap s’ka besim njeri.
—Koha ka treguar se çdo i “papërlyer” i ri ka qenë në fund një militant i njerës parti apo tjetrës. Ke të drejëe sepse jo të gjithë janë ashtu, por ngaqë u dogjëm nga qumështi po i fryejmë edhe kosit.
Do të ishte krejtësisht e gabuar të mendoje se lëvizjet paqësore, si të gjitha, për shkak të pasivitetit dhe thuajse mungesës së plotë të rrezikut ndëshkimor, veçanërisht kur nuk ka udhëheqje të perqëndruar, në formën e një figure udhëheqësi apo një partie, nuk do të thotë që do të arrijë vetiu masën kritike dhe me një reaksion zinxhir të detyrojë pushtetin t’u dorëzohet kërkesave të saj. Siç pranohet nga të gjithë, se ligji “parësor i jetës politike është forca e numrave”*, shtrirja e lëvizjes në popull. Pas saj, ligji i dytë njutonian, lidhja midis kërkesave dhe mbështetja e tyre në popull, që përsëri ka të bëjë me përfshirjen e sa më shumë individëve, rreth ideve të thjeshta politike të cilat përjashtojnë kërkesat e skajshme dhe shpërblen sjelljen e përmbajtur. Dhe së treti, aspiratat e udhëheqësve. Çështje këto që i kishin biseduar disa herë, në mesazhe apo dhe në kafenë kur vinte, të shqetësuar pikërisht për aksiomën: se pa bindje s’ka lëvizje mosbindëse. “Lodhja” mendore e mosreagimi ishin dërrmuese, kur në të vërtetë kish 30 vjet që nuk ish parë ndonjë të tillë, rëndësisht veç çadrave partiake që s’ishin veç skena theatri kukllash që luheshin nëpër sheshe panairesh, në shpina karrosh të tërhequra nga kuaj. Sot, tani, në këtë çast që po bisedonin e kuptonin që asnjëra nga këto nuk prekej të ishte veç ndjenjës paformë të një pakënaqësie zvarritëse, si të kish të bënte me ngrohjen e përgjithëshme të planetit, i përkiste asnjërit veçmas dhe të ardhmes në pritje.
Lëvizjet për të, si të ishin të shkruara me ngjyra të gjalla mendjesh mbi një telajo. Kish një shtresë të parë fare pa tone, bazë, lidhëse që poret mbyllte aq sa për të djersirë a lagështinë e tepërt t’ia thithe a me buzë erë ta thante ajri, në dritë të plotë a në gjysmë errësire, nga ku dilnin ato figura të magjishme e një të tëre. Lëvizjet, veçanërisht ato të mosbindjes kishin me njera tjetrën lidhje të padukshme si ngjyrat me shkëmbime dhe ngjizje të pashtershme kur pahumbur veten krijojnë një të re. Kështu ato më të vjetrat, më të parat si borë e ngrirë, me një kore akulli mbrojnë dhe mbulojnë veten ta ruajnë të shkrihen ngadalë e kështu mbi njëra tjetrën një mbi një tek ajo më e fundmja valë shpërthyese dridhje toke. Dhe sa më e fortë humbja, aq më e gdhendur gjurma e saj në atë ndërgjegje të njëjtëzuar bashkësie, populli a kombi. Ndaj edhe sikur shpejt të dukej se po shuhej, po dështonte një palë të trashë boje do vendoste mbi telajon e historisë edhe sikur tridhjetë vjet të tjera më vonë. Eh, e kish marrë me hov të madh, si një goditje rrufeje qysh me shikim të parë e mandej duke e njohur ditë pas dite ish mësuar ta donte, i marri plak. Por për ta ndjerë e kish ndjerë qysh në rrahjen e parë dhe kjo nuk ish pak.
Këtë çast e kish menduar prej kohësh, madje dhe kjo frazë që sa po e shkruante ish e thënë disa herë më parë, se dihej, me çdo kusht do të vinte. Dhe ajo ad infinitum, ish më shumë për hir të dialektikës së pambarimi, kur që të jetë e tillë shoqëria duhet të jetë e lirë dhe e hapur. E vërteta e kish shtyrë, pa asnjë arsye, por për shkak të një ndjesie përmbledhje, përfshirje apo dalja nga ajo kullë apo qelë ku kish kohë që e kish futur vetë, një farë vetëmigrimi ku s’kish kufij, roje, doganë, ku mund të ish i çdo race, mund të ishte ai i huaji i papranueshëm dhe të ndjehej mirë në lirinë e epërme, kur i lidhur në “jelek” dhimbjeje torture, si tek Shëtitësi i Yjeve, i Londonit, fluturonte jashtë trupit dhe burgut përtej hekurave. Dhe ish kjo ndjenjë e plotë lirie, jo moskokëçarrje dhe papërgjegjësie qytetare, por se ndihma e tij me çdo formë pjesmarrje s’do të duhej më deri në ndeshjen tjetër kur ndërgjegja do i fliste me zërin e tij, me një ndjenjë ëe vinte nga thellë disi e paarsyeshme. Ndryshe nga të gjithë të tjerët, s’ish parë që të pushohej nga puna një kronikan në mesin e një fushate, se një gjë e tille do të dëmtonte shumë rëndë vërtetësinë e historisë dhe mund të sillte çoroditje me pasoja të paimagjinueshme, ai do të dilte vetë nga komedia. Por larg qoftë dhe papritur mund të vdiste. E kujt do t’i hynte neëpunë kjo, melodrama intelektuale vetmëshiruese, se mund të shkonte të hynte në kështjellën e vetë të padukshe, e të lexonte, të lexonte.
Biseda në mure, në mund të quheshin të shkruarat aty! Përgjigje kishin, teknikë e njëjtë e ndjekur thuajse nga shumë kafshë, gjitarët dhe macet me fjalët që i shkruan me erërat kundërmuese që lanë varur kudo që munden si shenjë:
— Në fakultetin e Ekonomikut mbi 200 studentë u janë bashkuar studentëve të tjerë të cilët vijonin ngujimin në ambientet e brendshme të këtij institucioni.
— Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale, shprehin mospajtim në lidhje me vendimet e dala nga mbledhja e Rektoratit, vendosen për vazhdimin e rezistencës me bojkot aktiv në mjediset e fakultetit
— Universiteti “Aleksander Xhuvani” Elbasan, nesër nis ngujimin përkah universiteteve të Tiranës, Politeknik, Mjekësor, të Shkodres, etj. (dhe mjekësia)
Që ish e vështirë dhe thuajse e pamundur të bëhej ajo që të gjithë, si një mendje e vetme, në mënyrën më të shpejtë dhe të lehtë e prisnit të vinte vetiu, fryrë nga shfrytëzimi i pamëshirë i kapitalit, nuk do të rriste numrin e pjesëmarrësve por do t’i jepte mundësi të krijonte dhe ushtrinë e saj. Ndarja në puristë dhe pragmatistë, në lëvizje, fliste për qëndrueshmërinë në raprezalje të puristëve dhe vendosmërisë për t’i shkuar gjerave deri në fund, por pa përkulshmërinë e pragmatistëve nuk mund të kish një shtrirje të gjerë që i bënte të pamundur ndëshkimin. Ai besonte thellësisht në forcën e një partie të fortë, me specialistë profesiionalistë që do ish zemra dhe mendja e çdo lëvizjeje, ndërsa zgjerrimin e shtrirjes në mbarë shoqërinë, agjitatoëeve të thjeshtë, që me shtresa mbrojtëse mbulonte bërthamen e domosdoshme. Por ai s’kish asnjerën, as bazë dhe as puristë të devotshëm të marrë. Për më tepër e kishin flakur jashtë si një lakuriq nate, të papranueshëm nga asnjë grup kafshësh, dite apo nate. Me një nervozizëm keqdashës, si të gjithë të vegjëlit në mendje, si Perandori shkurtabiq, por këtë as e besonte dhe as e dinte, se dhe idhulli i tij pa flokë në kokë, me mjekrën me majë, për t’i thënë kujtdo: “Duhet të isha unë!” Por në atë vend të qindra gulagëve, i largoheshin sikur të ish murtajë, nga ajo më vrasësja më e pabesa.
U nis të shkonte, të ikte, ndërsa i ftohti i akulltë, plotësisht i tejdukshëm ngriu dritat e rrugëve. Dhe atij sheshi të shkretë. Aty i duhej të priste.
*Saul Alinsky, Rules for Radicals: A Pragmatic Primer for Realistic Radicals (New York: Vintage Books, 1972), p. 59.