Piruetat tripartiake kundër zgjedhjeve të lira
Arben Rrozhani
Protesta e paralajmëruar e PD-LSI u mbyll pas tre orësh, pa shënuar ndonjë acarim serioz me policinë. Takimi i radhës është më 16 mars. Deri atëherë protestuesit politikë dhe qeveria do të vazhdojnë të luajnë ‘luftash’.
Këta që sulmojnë përgatitin në mënyrë artizanale maska kundragaz për të qëndruar sa më gjatë përballë policisë që hedh gazsjellës me shumicë. Policia vendosi nëpër shtylla kamera të rezolucionit të lartë për të dalluar sa më qartë vandalët ‘spiderman’ që hipin për të hequr edhe altoparlantët, por i ruajti ato duke i lyer shtyllat me graso.
‘Lufta’ më e madhe bëhet për mandatet. Protesta e opozitës përfundoi me një veprim simbolik: dorëzimi në KQZ i listës së deputetëve që nuk do të pranojnë të marrin mandatin e deputetit. Shumica iu përgjigj, si përherë: duke blerë apo duke ftuar të pakënaqurit që të zinin vendet bosh. Në kuvendin që i zhvilloi punimet nën shtetrrethim, thua se po deklamohej nisja e gjendjes së jashtëzakonshme, u betuan edhe katër deputetë të LSI-së. Njëri prej tyre ka qenë personazh anektodik gjatë legjislaturës së kaluar, kur më shumë këndonte nëpër dasma dhe zijafete, por nuk doli një herë në foltore. Vendin e deputetit nën siglën e LSI-së e kishte fituar falë drekave dhe darkave që u shtronte drejtuesve të partisë kur shkonin në Londër. Tjetri është një profesor i nderuar që i ishte bashkuar projektit të Ilir Metës, rreth 15 vite më parë, por lista e kryetarit s’kishte mundur ta bënte deputet. Edhe nga PD-ja ka sinjale se do të plotësohen vendet vakante, siç është pranimi i Ligoraq Karamelos, përfaqësues i PBDNJ-së së Dules, aleat i PD-së.
Kjo nuk është ndonjë politikë e re. Jemi kthyer fiks në parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 26 majit 1996, kur në emër të PS-së, që braktisi kuvendin, zinte vend edhe një doktor i nderuar, që quhej Sali Rexhepi. Atëherë partia e Berishës ishte bërë shumicë absolute duke vjedhur vota pa hesap, ndërsa 21 vite më pas Edi Rama do t’i fitonte zgjedhjet, me një qeveri të përbashkët me PD-në, duke blerë dhe tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve, me paratë e drogës dhe të krimit.
Kjo ‘lojë luftash’ u intereson të dyja palëve në kacafytje. Opozitës i duket se kështu po bën rolin e saj si opozitë radikale përballë një qeverisjeje që e cilëson gjëmën e vendit, ndërsa qeverisë i leverdis qëndresa stoike, sepse kështu shitet para elektoratit si përfaqësuese e vullnetit të shumicës që nuk përulet përpara kërkesave për pushtet në tavolinë.
Partia ‘Zgjidhja’ e ka thënë se Shqipërisë nuk i intereson kjo. As shqiptarëve. Vendi nuk ka nevojë as edhe një ditë për këtë qeverisje pa projekt, pa program, të zhytur në krim dhe korrupsion. Vendi nuk ka nevojë as edhe për një qeveri tranzitore ku PS-PD-LSI të bëhen bashkë për të ruajtur paqen dhe pushtetin e tyre, për të bërë thjeshtë farsën zgjedhore të radhës dhe për të ndarë pushtetin.
Vendit i duhet urgjentisht një qeveri teknike, pa implikime politike, e cila duhet të përgatitë reformën kushtetuese dhe atë zgjedhore, të çmontojë drejtimin politik të administratës zgjedhore nga tri partitë dhe të çojë shqiptarët në zgjedhjet e para të lira dhe të barabarta prej 22 marsit 1992. Ata e meritojnë rikthimin e pushtetit të votës në duart e tyre dhe bashkë me liritë politike atyre do t’u rikthehen edhe liritë ekonomike. Pikërisht kjo që nuk duan të lëshojnë tri partitë e përfshira në këtë ‘lojë luftash’, të destinuara të përfundojnë turpshëm si pengmarrëset e të sotmes dhe të ardhmes së vendit.