Albspirit

Media/News/Publishing

Bedri Blloshmi: In memoriam, Haki Hajdar Blloshmi!

 

 

 

Haki Blloshmi lindi më janër 1904 në fshatin Bërzeshtë. Ishte djali i dytë i Hajdarit. Arsimin e tij e filloi në Korçë në vitet e Luftës të Parë Botërore. Ishte i martuar, por pa patur fëmijë. Aty vazhdoi një vit liceun komëtar të Korçës. Në vitin 1918 migroi në SHBA ku vazhdoi një vit liceun anglez të Bostonit dhe dy vite gjimazin Lane të Chicago-s. Në prill te vitit 1922 punësohet si sekretar i konsullatës shqiptare të Neë Yorkut ku titullar ishte Konstadin Çekrezi. Më pas më 1923 me Abdyl Sulën duke vijuar me Konstandin Tashkon në vitet 1923-1925 mbas pushimit nga puna të Konstandin Tashkos në shkurt të vitit 1925 e deri në caktimin e konsullit të ri George Priftit në konsullatën e re në Boston. Hakiu ka kryer funksionin e gjerantit të konsullatës. Ai qëndroi në atë detyrë deri në fund të prillit të vitit 1929 ku u pushua për motive politike dhe u zëvendësua nga sekretari i ri Hito Sadiku. Ndërkohë kishte vijuar 3 vite universitetin e Bostonit për filozofi e letërsi. Mbas vdekjes së vëllait papritur, nënkolonel Selahudinit, me kërkesën e familjes kthehet në atdhe. Haiku punësohet si kuadër i Ministrisë së Punëve të Brendshme si kryetar komune. Fillimisht shërben si kryetar i komunës në Librazhd. Në 30 shtator të vitit 1939 ai emërohet si kryetar i komunës në Belsh dhe më vonë në komunën e Gracenit. Më krijimin e partisë së Ballit Kombëtar Hakiu bëhet udhëheqësi i Librazhdit dhe Qukësit. Së bashku me Nezir Muzhaqin ai merr pjesë në mbledhjen e Mukjes dhe Tapizës. Në mars të vitit 1944 zhvillohen luftime midis reparteve partizane dhe çetave balliste. Kështu më 7 mars 1944 në fshatin Dunicë të rrethit të Pogradecit në luftimin e ashpër midis batalionit të IV të brigadës së I-rë S, kapen disa luftëtarë të Hakiut. Më pas i bëjnë thirrje atij të dorëzohet për të falur forcat që kishte. Premtimi qe tipik komunist dhe nuk u mbajt. Mbas kapjes u pushkatuan 23 vetë ku 5 ishin të familjes Blloshmi. Mbas kapjes u pushkatuan 26 vetë ku 5 ishin të familjes Blloshmi. Nga familja Blloshmi u ekzekutuan:

  1. Haki Hajdar Blloshmi
  2. Shefqet Hajdar Blloshmi
  3. Bajram Blloshmi
  4. Skënder Blloshmi
  5. Sabri Blloshmi

 

 

Një herë lind dhe një herë vdes njeriu: Si u vra Haki Blloshmi[1]

 …Komandanti partizan u ngrit në këmbë, iu afrua të burgosurve, i vështroi një nga një si në paradë. Haki Blloshmi me disa të tjerë kishte dalë nga rrethimi. I bënë thirrje të dorëzohej dhe si këmbim do të falnin pjestarët e tjerë që kishin kapur. Hakiu e pranoi kushtin ndërsa i vëllai i thotë “Byrazer, mos i beso këtyre”. Pamjen e kishte të lodhur e të zymtë, pa atë energjinë e mëngjesit. Lexoi emrat e listës, duke i mëshuar zërit të dëgjohej qartë.

Atyre që u dilte emri, i veçonin nga grumbulli.

Kur mbaroi, u bënë njëzet e shtatë.

Qindra burra dëgjonin të heshtur si gurë, tensioni në shesh u ngrit. Shumica besonin se do të përfundonte në mënyrë paqësore. Ç ’u bë, u bë, nga të dy palët u derdh gjak, përse duhej akoma? Lufta mes veti nuk mbaronte kurrë, më e drejtë ishte të gjykoheshin faqe të gjithëve, pastaj të liheshin të lirë. Vrasjet nuk shtonin, as ndryshonin gjë, përveçse rëndonin gjendjen që edhe ashtu ishte shpërthyese. Rrëmonin në kujtesë të gjenin llojin e dënimit, por askujt nuk i shkonte mendja se do t’i pushkatonin, derisa zëri metalik i komandantit këputi çdo pandehmë.

– Jeni dënuar me vdekje!

Ishin katër fjalë dërrmuese që fluturuan mbi shesh si krisma pistolete, u deshën sekonda të tëra të depërtonin në ndërgjegjen e të pranishmëve. Kur u rrok kumti, habia ua preu frymëmarrjen. Pas natës së kaluar me gjithë të mirat, robërit mezi arrinin të kuptonin ç’po ndodhte, ende s’u besohej. Fshatarët dhe pjesa më e madhe e partizanëve e pritën vendimin të befasuar e të pakënaqur, do të donin të jepnin gjithçka të mos ndodheshin atë ditë aty.

Haki Blloshmi u ngrit në këmbë gjysmë i kërrusur, si t’i kishin vënë mbi supe një ngarkesë trungjesh. Fytyra burrërore s’tregonte kurrfarë trembje, krahët e lidhur sikur i kishte kryqëzuar për të qenë rehat. Pak gjasa kishte t’i kalonte para syve jeta, siç thuhet se u ndodh atyre në prag të vdekjes.

– Kam një propozim më të mirë, – u tha dhe zëri nuk iu drodh.

Komandanti partizan ktheu kokën, sytë e tyre u takuan. I lidhuri i bëri ballë atij

vështrimi, tjetri jo, i uli, bëri me dorë shenjën që i jepte leje të fliste.

– Më dënoni mua, zgjidhni çfarëdolloj vdekje të doni. Këta, – ktheu sytë nga të lidhurit, – nuk kanë faj, zbatuan urdhrat.

Priti të përcilleshin fjalët deri te i fundit, pastaj vazhdoi.

– Përgjegjësia është imja.

Komandantit partizan nuk i luajti qerpiku, thua jeta e tyre të qe më e pakta që i interesonte. Për oficerin e karrierës, zbatimi i urdhrit epror mbetej detyrë e parë. Të qenë  rrethana të tjera do t’i vinte keq, ishte vërtet trim.

– Do të pushkatoheni të gjithë, – tha me ton akull të ftohtë.

Fytyra burrërore e Haki Blloshmit u mbush me zemërim të egër.

– Cili është faji ynë? – e pyeti me aq qetësi sa mundi të mblidhte, po zëri gjëmoi si thirrje për sulm.

Në vend të komandantit u përgjigj komisari, një burrë i shkurtër, biond me nofulla të gjera, sy ironikë e të ftohtë si të zhapikëve. Krahun e majtë e kishte të lidhur rreth qafës.

– Tradhtia, – bërtiti me ton të thatë si trokitje daulleje.

Hakiu e njohu kalorësin e plagosur dhe i erdhi keq që plumbi qëroi vetëm kalin.

– Nuk jemi tradhtarë, – i tha dhe nervi mbi vetull iu mblodh.

– Populli e ka vendosur.

– Kështu pandehni ju, populli s’e ka thënë ende fjalën e vet. Kur ta thotë do t’u dridhen leqet e këmbëve. Dhe ta dini, nuk ka për të vonuar.

Komandanti u bezdis nga zgjatja e fjalëve që nuk mund të ndryshonin kurrgjë, askush s’kishte fuqi ta kthente urdhrin e qarkorit.

– Ke gjë tjetër për të thënë? – e pyeti, pa e shikuar drejt.

Ai qëndroi një hop me dy mendje, sytë i mbërtheu diku nga mesi i të lidhurve.

– Faljani jetën tim vëllai, – i tha, – nuk bën të prishen dy meshkujt e një shtëpie.

Si të kishte marrë kundër urdhër, komandanti partizan u kthye nga shtabi. Ata rrëmonin dheun nën këmbë, asnjëri nuk guxoi të ngrinte kokën.

– Nuk pranohet, – vendosi, i bindur në përgjigjen e vet.

Haki Blloshmi u kthye nga të tijtë, i vështroi një nga një me radhë, si t’i përqafonte me sy. Nuk kishte pendim në fytyrën e tij.

– Një herë lind dhe një herë vdes njeriu, – u tha, – kjo është dita jonë.

Ndaloi një grimë, të mos i lëkundej zëri dhe shtoi i ligështuar për të parën herë.

– Vetëm për një gjë më vjen keq, po na e marrin jetën këta leckamanë.

Përballë skuadrës së pushkatimit u vendos në fillim i vëllai. Hakiu e ndoqi me sy, por ata nuk shkëmbyen vështrimin e fundit. Për këtë i erdhi keq. Radha vazhdoi e njëllojtë për të dënuarit e tjerë. Pushkatarët ndiqnin gjithë kujdes urdhrin, merrnin vijë shënimi, qëllonin njëherësh. Kufomat përpëliteshin një farë kohe, pastaj ndalonin me radhë, i dorëzoheshin fatit të lig. Sipas një dokumenti arkivor aty janë vrarë 14 burra. Të tjerë janë ngjitur të lidhur në majën e Sanakosit ku janë pushkatuar.

Komandantin e pushkatuan të fundit, pasi i pa të gjithë shtrirë për tokë. S’u luhat asnjë çast, as lëshoi zë, vetëm dhëmbët i mbajti shtrënguar. Kreu i partizanëve priti sa reshti jehona e krismave, u afrua të shihte me revole në dorë. Ai lëngonte në heshtje, nuk lëvizte, vetëm sytë e hapur i përpëliste nga agonia. Shtiu vetëm një herë aty ku ndahen vetullat dhe tiparet e të vrarit ngrinë, currila të holla me ngjyrë të kuqërremtë iu bashkuan dheut të qullur.

Sheshi u bë pellg gjaku.

Para se të fshihej si çdo natë prapa kodrave perëndimore, dielli i mbrëmjes qarkoi të fundmen herë kufomat me një rrip të vagullt ngjyrë shege. Gjithçka la pas ishte një pirg trupash bosh. Nuk pritën të errësohej, i varrosën në një  gropë të përbashkët me nxitim siç kallen gjithnjë të vdekurit.

Në mbarim te ditës mori fund gjithçka.

Fitimtarët e ndoqën skenën në heshtje, si detyrë luftarake të llogaritur me saktësi, të cilën mirë apo keq, duhet ta shpinin gjer në fund. Fytyrat pa jetë nuk shprehnin neveri, as keqardhje.

Tronditja e fshatarëve ishte e dukshme, shumë syresh qanin, të tjerë villnin. Nuk qenë ushtarë, e përcollën ekzekutimin me sy të zakonshëm, njerëzorë.

Sheshi i xhamisë u boshatis me të njëjtën lehtësi që u mbush. Qindra njerëz ia mbathën pa kthyer kokën pas, duke marrë me vete kujtimin e ngjarjes më të hidhur të jetës. U larguan pa entuziazmin e ardhjes, të zymtë e të heshtur siç ndodh gjithnjë me ata që kthehen nga funerali.

Vargu u zvogëlua ca nga ca, gjersa humbi rrugës së veriut. Disa ditë më vonë familjarët erdhën të merrnin trupat e të vrarëve. Sheshi memec u mbush përsëri me nëjrëz të nemitur që u kishte ikur dhe fytyra edhe zëri. Dhjetra burra e gra vështronin të terrorizuar vendin ku lanë kockat djemtë e tyre, duke shtrënguar supet me duar si të donin të mbanin veten të bashkuar. Ende nuk u besohet se ky fshat i humbur ua kishte përlarë të dashurit. I gjetën të gjithë me përjashtim të Hakiut. Trupi i tij ndodhej në varrin e përbashkët. Pyetën shumicën e fshatarëve, po asnje nuk qe në gjëndje ku përfundoi. Kishte komanduar formacionin më të madh ushtarak në krahinë. Kishte bërë emër. Tani nuk ishte më. Në gropën e hapur për krye varrezave të Somotinës vendosën armët dhe sendet vetiake të komandantit të pafat. Vitet që erdhën, varri bosh u kthye në më të vizituarin dhe më të frikshmin. Zbrazëtia e shëndërroi në momunemt. Dunajeti u bë fshati vrastar që hëngri kokën e aq shumë burrave njëhërësh, mori damkën e fajtorit pa qënë fajtor. Vështirë t’iu shpjegoje brezave që erdhën, të vërtetën e vshehur më vellon e thinjur të misterit. Për ata që nuk e jetuan, lufta nuk ishte veçse përllaë me fund të hidhur. Sado e dhimbshme, jeta e njeriut kthehet sëfundmi në një shaka të madhe.

 

 

[1]Nga romani “Paralele që priten” i shkrimtarit Istref  Haxhillari

Please follow and like us: