Albspirit

Media/News/Publishing

Bedri Blloshmi: Mirënjohje Flamur Hoxhës për botimin e libri të poetëve martirë

 

Në përvjetorin e lindjes së poetëve martirë sapo ka dalë nga shtypi libri “Poetët martirë Vilson Blloshmi dhe Genc Leka në shtypin shqiptar”, botuar nën mbështetjen e humanistit Flamur Hoxha dhe Shtëpisë Botuese e Promovuese ‘Klubi i Poezise’.

Në morinë e shkrimeve kushtuar dy poetëve të pushkatuar, janë përzgjedhur një sërë autorësh, mes të cilëve Ismail Kadare, Aleksandër Meksi, Agron Tufa, Sadik Bejko, Bamir Topi, Bujar Leskaj, Dine Dine, Kastriot Dervishi, Sami Blloshmi, Reshat Kripa, Hysen Haxhia, Elida Buçpapaj, Lekë Tasi, Çerçiz Loloçi, Dhurata Hamzai, Agim Pipa, Admirina Peçi, Florenc Stafa, Ndue Gjika, Luçiano Boçi, Agim Baçi, Alma Mile, Afrim Imaj, Skënder Karriqi, Fitim Zekthi, Gëzim Puka, Yzedin Hima, Ilnisa Agolli, Anisa Demiraj, Fatbardha Alimeta, Ilirjan Agolli, Ani Jaupi, Agim Dishnica, Mërgim Korça, Besim Muhadri, Luan Rama, Hyqmet Zane, Zyhdi Morava, Perikli Jorgoni, Musa Vyshka, Xhuliana Jorganxhi, Bedri Myftari dhe Rexhep Polisi, të cilëve u jam shumë mrënjohës.  Gjithashtu në fund të librit është edhe një kronologji e autorëve që kanë shkruar për poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka.

Poetët martirë Vilson Blloshmi dhe Genc Leka përbëjnë një rast unikal në gjysmëbotën komuniste për mënyrën se si u akuzuan për krime që nuk i kishin bërë, për angazhimin e një numri të madh zyrtarësh të të gjitha niveleve, përfshi edhe kupolën më të lartë të ish Sekretariatit të Komitetit Qendror dhe të Byrosë Politike, për vrasjen e tyre në moshë fare të re dhe për një sërë rrethanash të tjera që nuk kanë ngjarë kund tjetër.

Personalisht kam vënë një gur modest në rizbulimin e tyre si pinjollë të familjeve nacionaliste dhe si dy poetë krejt të veçantë, duke sjellë fillimisht krijimtarinë e tyre, por edhe duke hulumtuar për të zbardhur dosjet hetimore dhe ato operative, çka përbën rastin e parë dhe të vetëm në Shqipërinë postdiktatoriale. Bashkë me mua kanë dhënë ndihmesë në rizbulimin e tyre shumë personalitete të tjera, pothuaj të gjitha mediat e shkruara dhe vizive brenda dhe jashtë vendit, ndaj të cilëve unë dhe familja ime u jemi shumë mirënjohës.

Në radhë të parë dua të vlerësoj impenjimin e shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare, i cili u bë nxitës që dy poetët të merrnin vendin që u takon në historinë shqiptare, por edhe për apelin e fuqishëm për të hapur dosjet e zeza të regjimit totalitar.

Po ashtu dua të përshëndes kujdesin e treguar nga ish presidentët Sali Berisha, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, ish ministrin e Kulturës Bujar Leskajn, bashkëvuajtës të mi si dhe të gjithë ata që kanë mundur të shkrujanë diçka për poetët disidentë. Nuk dua të lë pa përmendur ndihmesën e dhënë nga poeti dhe profesori Sadik Bejko për monografitë kushtuar dy poetëve, skulptorin Sadik Spahija për monumentin në qytetin e Librazhdit, skenaristin Namik Ajazi për dokumentarin ndaj tyre si dhe shkrimtarin Çerçiz Loloçi për publikimin e mjaft materialeve për poetët martirë. Vilson Blloshmi dhe Genc Leka kanë pasur jehonë të gjerë në shtypin shqiptar pas viteve nëntëdhjetë, por unë jam munduar të sjell vetëm një pjesë të tij jo thjesht e vetëm për të dhënë të plotë personalitetin e tyre, por edhe që këto shënime të shërbejnë si shtysë që një ditë në Shqipëri të hapen dosjet e diktaturës dhe që personat përgjegjës, të vdekur apo të gjallë qofshin, të shkojnë para drejtësisë.

Please follow and like us: