Emil Asdurian: TREGU I PA TREGTË I LIBRIT
Autori dhe Historia e LibritNë të vërtetë, si emrat e njerëzve, si titujt e librave, të çfarëdoqofshin, nuk tregojnë asgjë të çuditshme, mitologjike, as janë talismanë oguri të mirë për të zotin, as nëmë e zezë në amshim, veç një e veçantë e përveçme, barrën e së cilës në shumicën e rasteve e mban mbiemri/nëntitulli. A ndoshta jo, se edhe kjo, si çdo gjë njerëzore është veç një reng i nënndërgjegjes së largët, për një dëshirë të paplotësuar.
“E shihte të strapacohej aq shumë, që çdo tingull note të dilte i përkryer jo vetëm si zë i vetes por dhe në harmoni me pianon, sa për atë dhimbje, tregimit të tij vendosi t’i vinte të njëjtin emër. A s’ish martesa, në të fundit një sonatë e vështirë, që qoftë dhe një gabim fare i vogël, një stonim në bashkëtingëllim mund ta prishë dhe ta thërrmojë në pluhur e turp? E kish parë të birin, bashkë me pianistin… që ishin munduar muaj të tërë dhe sa herë u ish çirrur me forcë ta pushonin këtë grindje instrumentesh, duarsh dhe mendjesh, sa gradualisht u bind, që jo vetëm emri ishte shumë i gjetur, por qe domosdoshmëri e providencës hyjnore, së cilës i kish besuar si manar gjithë jetën”. Por të paktën këtu, këtë radhë nuk do të flas për çmenduritë e burrave të mençur, por për një dukuri tregu.
Me këtë lëngim në mendje, sidomos me atë vajtim çjerrës së lëvizjes së parë të sonatës së Krojcerit të madhërishmit pianist improvizues Bethoven, u nisa të kërkoj në jetëshkrimin trivolumësh të këtij të fundit, se ç’e bashkonte në thelb Sonatën e 9-të për violinë, opus 47, me vrasjen tragjike të një gruaje një shekull më vonë. Përveç se një krize shpirtërore, që do lidhte mes kohërash të ndryshme, Levin me Ludvigun, aq sa të hynin e të dilnin tek njëri-tjetri me të njëjtin çelës në A major ose minor. Ndjehet dhe dihet. I pari nga një krizë në shtratin bashkëshortor dhe i dyti nga zbulimi se do ish i shurdhët në artin e tij, që këtej e tutje. Asgjë tjetër.
“Një kopje nga dora e Mihalit, të birit, u suall në Shën Petërsburg, nga zonja M. A. Kuzminskaja, në apartamentin Kuzmiski, ku u lexua me zë të lartë nga turma.. e cila mezi e priste”(1), sikur të ishte kampionati botëror i futbollit, në kohën kur kish vetëm një televizor për lagje në kryeqytet. Q’aty, u bënë shumë kopje të tjera. Kështu, pa lejen e autorit, sipas Yakubovskit, brenda tri ditësh u shpërnda në të gjithë qytetin dhe përtej. “Por kjo provonte t’ishte një pikë uji në oqean, se në qytet u shpërnda me kopjet q’u bënë në hektografë shtëpiakë dhe që pastaj u dërguan menjëherë në librari të dorës së dytë ku u shitën për 10 deri 15 rubla”.(1)… Sipas së bijës, Aleksandrës: “… mijëra e mijëra kopje kaluan dorë më dorë, u përkthyhen në çdo gjuhë dhe u lexuan kudo me dikë*(2),.. asnjë ngjarje politike nuk kish qenë objekt i një vëmendjeje të tillë…”, sa sipas Strakovit, njerëzit nuk pyesnin më “si jeni”, por “a e keni lexuar Sonaten e Krojcerit”? Skandali dhe tronditja gëlonin gjithandej! Kur s’ish veç një lajthitje e një gjashtëdhjetëenjë vjeçari gjenial të zhgënjyer nga vetja dhe gjithë përreth.
Janë disa përfundime që mund të nxjerrim nga kjo histori libri e përçudnuar për nga qëllimi i mbrapshtë, që autori kurrë nuk u mundua ta fshehë, madje e përforcoi me një tregim tjetër, “Djallin”. E kish fjalën për atë, midis këmbëve të grave. Janë po ata të njëjtët, që qëndrojnë edhe sot, kur njerëzimi ka zhvilluar mendësi të reja dhe kushtet materiale janë krejt të ndryshme. Prapë ka nga ata, që si puna e Jevgeni Irtenevit, veten vrasin trimërisht, si viktima fatkeqe të cilëve Djalli ua mori shpirtin!
Së pari, pse gjithë kjo zhurmë e paparë, kur siç thotë dhe Doris Lessing (4), s’ish as një vepër për t’u shënuar si e arrirë, përkundrazi! Për më tepër nuk është se Tolstoi e shkroi këtë tregim pas një studimi të thellë të problemeve shoqërore të kohës. As fare s’e vrau mendjen për atë. Njerëzit ishin mësuar dhe të kënaqur me jetën që bënin. Dhe as se thellë ne lukth ndjeu një lëvizje ringjalljeje krishtërimi antiseksuale për t’i shkuar pranë Zotit! Por për fajësinë e pafuqisë së tij. Dhe ndoshta për ç’gjithë jetën e kish nuhatur, kërkuar dhe përdorur me mjeshtëri: sensacionin, avalanshën e zhurmshme të thashethemit. Por në të fundit si thoshte Dritëroi: “Veç pordhët mos ia dëgjoni Tolstoit”! Ishte pikërisht ajo tronditje tektonike shprishëse në shpirt të të gjithë bashkohësve, shërbëtorë e të shërbyer, që bëri atë që s’arrti ta bënte asnjë librashitës, (Buchfuhrer, siç e quanin gjermanët). Ku mund ta dinte i ziu, se ashtu siç ishte, fantazmë e palindur, dorëshkrimi, do të kish pasur mundësi të fitonte çmimin Kadare, krijuar enkas për të nxitur leximin nga popullsia! Asaj popullsie që ia rrëmbeu nga tryeza e punës ende pa e mbaruar, fashikull pas fashikulli. Ç’bënte Beti tek Gjenerali, me gjeneralin, mes të vdekurve dhe heronjve të Nacionalçlirimtares, veç nxiste po atë si ajo e Krojcerit, thashetheme dhe letra anonime? Ç’kuptim të thellë kish ‘Vrima’ e Rita Petros në krahasim me një vepër “të qetë” si novela në vargje e Besart Varfit? Vrima-Djall ngelet dhe do mbetet në jetë të jetëve nxitëse marramendëse. Se Tregu kërkon ushqim të freskët dhe gjak buje. A nuk ka qenë kështu qysh në fillimin e fillimeve? A s’ish po ai, për të cilin shkroi Homeri, veç se jarani s’ish mësues pianoje por një princ fëminor i bukur si vashëzë? Eh, punë librash!
Vladimir Chertkov, dishepull i parë i oborrit letrar tolstojan, nuk ishte i qetë. Ai me të cilin, si shumë të tjerë në Shqipërinë e shekullit të ri, krijuan Shoqërinë Ndërmjetëse Botuese për të njëjtat arsye. Rrekej të zbulonte, i ziu, se çfarë donte lexuesi rus. Çfarë të re priste nga mjeshtri kur ai as çante kokë për gjëra të tilla. Aq i bënte se Sonja Andreyevna mendonte: “se e gjitha, s’ish veç një marrëzi e paparë, por edhe një hipokrizi e vërtetë, e cila fshihej pas një idealismi cinik puritan të mbulonte se ç’ishte e vërteta. Kush mund të lexonte vallë në atë farë shoqërie tejet të varfër, mundej 10% e saj”? Më 1897, (“Sonata” doli në qarkullim më 1890), afërsisht 33% e burrave dhe 14% e grave në Rusinë Evropiane dinin shkrim e këndim, nënprodukt i sistemit të edukimit rudimentar zemstva q’erdhi me të ashtuquajturin “emancipim të fshatarsisë”… kur shumë pak, pasi e kishin përfunduar, s’ishin në gjendje të shkruanin as emrin e tyre”. (5)
Dhe megjithatë ndodhi ajo që ndodhi me të famshmin Këthe Spirin, triumfoi mbi çdo arsye e ashtuquajtura “letërsi e nëndheshme”, (underground), shpëtimi i librave gjysmë të ndaluara, që në Rusi mori emrin: Samizdat (vetëbotim). Siç ndodhi me “Zhivagon” e Pastërnakut.
(1) “The Kreutzer Sonata and Other Stories”, Leo Tolstoy, Translated with an Introduction by DAVID McDUFF, Penguin Books, 1983.
(2) dike=pasion, dashuri e zjarrtë.
(3)What was the illiteracy rate of Czarist Russia before the Russian Revolution?
(4) Doris Lessing Introduction, The Kreutzer Sonata (Modern Library Classics), Leo Tolstoi, Isai Kamen translator, Published by Modern Library (2003).
(5)https://www.reddit.com/r/AskHistorians/comments/4kk20m what_was_the_illiteracy_rate_of_czarist_russia/