Albspirit

Media/News/Publishing

Eugjen Merlika: HIJET E ERRËTA TË SË SHKUARËS

 

Kujtimi i ditëve të shkuara është gjykatësi i jetës së njeriut. Lum ai që kur sheh mbrapa ndjen fërfëllimën e paqes së një engjëlli, mjerë ai që në çdo vështrim që i hedh së shkuarës vreroset nga një pendim i shterpët”

                                              MAHLMAN (1771 – 1826), poet lirik gjerman

            Ditët e fundit, nëpërmjet disa shkrimesh në gazeta shqiptare, qemë të pranishëm në një përshkallëzim të rrahjes së mendimeve mbi krimet e komunizmit në Shqipëri. Ra në sy, në mënyrë të veçantë, një shkrim i gjatë i një njeriu të lakuar shpesh herë në atë fushë tragjike t’atyre realiteteve të dhimbëshme, që qenë burgjet politike me punën e detyruar në vitet 80, ish komandantit të kampit të Qafë  Barit e më vonë drejtor I përgjithshëm I Drejtorisë së zbatimit të vendimeve penale, Edmond Caja.

Përballë një filmi dokumentar, të luajtur mbi një nga ngjarjet më të rënda të historisë së burgjeve, asaj të kryengritjes së Qafë Barit, e cila përfundoi me ekzekutimin e dy të dënuarvet, vrasjen pa gjyq të një tjetri e dënimet me shumë vite burg për njëmbëdhjetë të tjerë, Edmond Caja vendos “të thyejë heshtjen e tij 28 vjeçare”. Shkruan një përkujtesë mbrojtëse për t’i u drejtuar opinionit publik shqiptar, duke u përpjekur të hedhë poshtë paditë e kryer ndaj tij prej disa njerëzve, ish të dënuar, por edhe jo të tillë.

Autori i përkujtesës ka zgjedhur taktikën e sulmit ballor kundrejt të gjithë atyre, të njohur e të panjohur, kryesisht ish të dënuar, si shkrimtari Visar Zhiti, Haxhi Baxhinovski, Kastriot Çaushi, Bedri Blloshmi, Lekë Frroku, por edhe jo të dënuarish si zonja fisnike Fatmira Dine, Agron Tufa, kryetar i komitetetit për zbardhjen e krimeve të komunizmit, Kastriot Dervishi, historian e punonjës arkivash. Merr përsipër një mision të vështirë, që ve në provë aqpeshimin psikologjik i cili, në mungesë argumentash, strehohet në një narçizizëm vetëvlerësues, herë herë të papërmbajtur, që krijon përshtypjen e një vetëhipnotizimi. Ky i fundit vlen për të krijuar një tjetër realitet, për të cilin nuk gjen asnjë përkrahje të hapur, qoftë dhe nga ata ish të dënuar për të cilët mëton se i ka ndihmuar gjatë periudhës së burgut e me ndonjerin prej tyre shkëmben mesazhe nëpërmjet postës elektronike. N’atë proçes që i ngjet kacavjerrjes në pasqyra, atij i pëlqen të kthehet mbrapa në kohë, në moshën e ëndrrave, të mbarimit të shkollës së Sigurimit, për të gjetur në rininë e tij, atë personazhin e dyzuar, njeriun që madje i afrohet mendërisht viktimave të tij të mëvonëshme.

Të gjithë bashkëkohësit në shkollën e Ministrisë e dinë se emërimi im ishte poshtërues në raport me nivelin që kisha, ishte ndëshkues për andrallat që në vite ju kisha hapur si zë kritik, ishte riedukues.”

            Edmond Caja, student në shkollën e Sigurimit, në vitet e tmerrshme 1978 – 1982, kur arrestimet e dënimet arritën kuota të pazakonta, i emëruar me punë në Repartin 311 të ministrisë së Brendshme, e quan veten një rebel, të cilin e kishin flijuar në moshën 23 vjeçare nën “Dy hektarë qiell, thellë në pyjet e Munellës, Repart riedukimi, punë me të dënuar, edhe këto për një djalë të ri 23 vjeçar, nga Tirana, gjimnazist i “Qemal Stafës”, që dikur luante piano e violinë, dhe luante plot pasion basketboll.”

Kjo është përfytyresa që autori ka vendosur t’i japë që në fillim lexuesit për veten. Se sa pajtohet ky imazh me atë të një oficeri që, në vetëm shtatë vjet, arrin të bëhet njëri ndër kuadrot më të rëndësishëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të burgjeve të Shqipërisë, vetëm një mëndje e errësuar nga mungesa e gjykimit mund t’a konceptojë. Përfytyresa e dyzuar do t’i shërbente Cajës për t’u shkëputur mendërisht nga e shkuara e tij, por kjo e fundit është shumë e fortë, madje mizore e bart në vetvete dhe një krim të përbindshëm si këputjen në mes të një të dënuari, një veprim në kundërshtim edhe me ligjin të cilit i ka shërbyer.

Ky është makthi që e shoqëron atë dhe atje, në “mërgimin e artë”, në vendin më të madh e më të zhvilluar të Evropës. Është si hija e Bankos që shoqëron Makbethin deri në fundin e tij, një hije me të cilën ai ka luftuar në heshtje, në brëndësi të tij, larg Shqipërisë me shpresën e vakët që koha të mund t’a fashiste me forcën e saj ripërtëritëse. Ky ishte projekti për veten dhe familjen, i bazuar në një mashtrim, në një copë letër, të nënëshkruar nga ndonjë ish “armik i klasës”, i cili në “demokracinë” pas komuniste mundohej t’i bënte mirë edhe ish xhelatëve të tij. Në atë copë letër me firmë e me vulë “dëshmohej” se ish romantiku i “Qemal Stafës”, kishte qënë një njeri i përndjekur nga regjimi, një dokument që do të besohej nga zyrtarë të Gjermanisë të bashkuar, të ndjeshëm ndaj këtyre rasteve, si pasojë e përvojës së tyre me Stasin e Lindjes së tyre.

Caja nuk flet për jetën e tij mbas ikjes nga Shqipëria. Është një kapitull, për të cilin nuk dëshiron të hapet, mjaftohet me tregimin e një episodi të një padije nga ana e zonjës Dine, të cilën ai e kalon lehtë me një kundërpadi ndaj saj, që  prokurori gjerman e arkivon. Ky i fundit,  duke mos u thelluar në atë që vinte nga Shqipëria, jo “për të bërë padinë e gjyshit të vrarë më 1944”, siç mëton në mënyrë foshnjarake autori, por sepse në sytë e njerëzve të përndjekur për gati gjysmë shekulli nga diktatura komuniste shqiptare, strehimi politik për ish drejtorin e përgjithshëm të burgjeve të regjimit, në një demokraci perëndimore, tingëllon si një anakronizëm i pakonceptueshëm.

Por rasti ishte tepër i veçantë e mbartëte në vetvete të fshehtën e tij. Në lidhje me të z. Kurt Kola tregon një episod domethënës në një shkrim të tij: si kryetar i ish të përndjekurve politikë kohë më parë i kishte kërkuar zyrtarisht ish presidentit Berisha të ndërhynte pranë shtetit gjerman për dorëzimin e Edmond Cajës në Shqipëri e nxjerrjen para gjyqit për vrasjen e Sandër Sokolit. Presidenti i ishte përgjigjur prerë se ishte interesuar e kishte marrë vesh se personi ishte parë me sy të mirë në vendin ku jetonte. Është shumë treguese kjo dëshmi për të arritur të kuptohet se cilët kanë qënë ligjet e pashkruara që kanë qeverisur të gjithë periudhën e kalesës mbas komuniste në Shqipëri…

Për të ndrequr përfytyresën e tij në postet e rëndësishme që ka mbajtur, Edmond Caja i rrëfehet një ish të dënuari: “ajo periudhë nuk përbën lavdi për asnjë individ…qe një periudhë fatkeqe për ne si brez”. Do të ishte bindëse deri diku një shprehje e tillë në gojën e një ish zyrtari të lartë të majës së diamantit të diktaturës, sikur përkujtesa të ishte një kritikë e hapur e së shkuarës së tij, por ish komandanti i Qafë Barit mundohet të bindë lexuesin se jo vetëm nuk është një ushtrues i dhunës, por që ka qënë një “shenjt” që ka lehtësuar jetët e vartësve të tij, duke treguar episode “bamirësie” mes të burgosurve, të cilët janë thjesht veprime që ishin të detyrueshme për postin e tij zyrtar.

Shërbeva në një detyrë të vështirë në moshën më të bukur të jetës, e prania e ime aty ku isha, jam i bindur se më shumë ka ndihmuar në lehtësimin e vuajtjeve se sa i ka bërë ato edhe më të padurueshme”.

Është fraza në të cilën hipokrizia dhe mashtrimi arrijnë majën, me qëllimin e keq të bëjë të pabesueshëm të gjithë ata që kanë folur për të, duke treguar paudhësitë deri në krim të tij. Gënjen veten se dikush do t’i besojë, madje arrin të gjejë mirëkuptim  tek të ngjajshmit e tij, të fshehur pas pseudonimeve në komentet me të vërtetë të ndyra në faqet e internetit. Por “harron” se n’atë “bamirësi” një vënd të posaçëm zë vendimi për të mbyllur me llamarina nga jashtë dritaret e burgut, një nismë e tij për t’i mohuar të dënuarvet edhe dritën e diellit në banesën ku flinin.

Kjo prirje për të mos pranuar paditë që i bëhen nga shumë njerëz, pra për të mos zbuluar personalitetin e tij të vërtetë, e shtyn t’armatoset me të gjitha mjetet e mundëshme, kryesisht me armët e shpifjes, të gënjeshtrës, të diskreditimit të atyre që kanë thënë të vërtetën për bëmat e tij. Në këtë drejtim ai i kalon të gjitha caqet e etikës njerëzore e kthehet në atë qënien e tij të lashtë, me ADN e lindur bashkë me të, që i ka nxitur e frymëzuar atë mizori, e cila e bëri të ngjiste shkallët e karierës, deri në majat më të larta të sistemit të dhunës.

Në shënjestrën e tij hyjnë të gjithë, por helmin më të fortë ai e ruan për shkrimtarin Visar Zhiti, një ndër përfaqësuesit më të spikatur të botës sonë letrare, një nder për të gjithë kombin shqiptar. Me pafytyrësinë e një shpifësi, sa të ngushtë në shpirt, aq dhe të varfër në mendime, Edmond Caja i bën Visarit një pyetje: “Pse u trasferua nga Spaçi në Qafë Bari dhe pse në Qafë Bari punoi në ofiçinë?”. Shpreson me këtë pyetje prej leshkoje të verë në vështirësi një njeri që ka ruajtur dinjitetin e tij në provat më të mëdha, më të dhimbshme e më të mundimshme që jeta i ka vënë përpara. Vobektësia e shpirtit dhe ligësia e tij arrijnë deri aty sa të shpikë dy motive, në stil shqeto komunist, me të cilët ai pandeh se do t’a mposhtëte atë që e quan armikun e tij, sepse në romanin epope “Ferri i çarë” e gjen veten  si personazh, në përmasat e së vërtetës, të cilën ai do t’a varrosë me çdo kusht, por pa mundur të lirohet kurrë prej saj. Ai e din mirë se libri i Zhitit do të vazhdojë të lexohet edhe në t’ardhmen, edhe ndër breza të tjerë, e dëshmia e tij do të mbetet e shkruar  të zezë mbi të bardhë edhe kur ne nuk do të jemi më në këtë botë. E vërteta, si drita e diellit është se asnjëra nga këto padi nuk qëndrojnë. Visar Zhiti ka shkuar në Qafë Bari së bashku me të gjithë të dënuarit e tjerë dhe ka punuar gjithmonë në minierë, pa e ditur as drejtimin nga ishte ofiçina. Për këtë është dëshmitar një kamp i tërë.

Nëse fjalët vetëlavdëruese të Edmond Cajës kanë vërtetësinë e kësaj padie, është e qartë se e gjithë përkujtesa është e mbështetur në mashtrime të pafund që mund të kenë meritën të gënjejnë ndonjë idhtar të diktaturës ende sot, por që nuk mund të hedhin poshtë e të mohojnë paditë nga ish të dënuarit apo njerzit e tjerë që kanë folur për të të bazuar në fakte të vërteta. Po aq pa bazë janë edhe shpërthimet e Cajës kundrejt Agron Tufës e Kastriot Dervishit që, për detyrat që kanë duhet të zbulojnë e të nxjerrin në pah krimet e komunizmit edhe nëse kjo gjë do të shkaktojë shqetësime autorëve apo miqve të tyre, qoftë edhe në nivele të larta të shtetit. Është një gjë e pazakontë që publikimi i këtyre të vërtetave historike, jo shpifjeve të zakonshme komuniste, por e fakteve të pakundërshtueshme e të dokumentuara të shfaqjeve të ndryshme të së shkuarës të shihet ende me dyshim e të shkaktojë kundërveprime si ata të kohëve të fundit.

Ky shkrim ishte një borxh që më së fundi e shleva ndaj gruas time të mrekullueshme, fëmijëve të mi që këtu nderojnë jo vetëm familjen por edhe emrin e shqiptarit, nënës time 90 vjeçare…Shlyej një detyrim ndaj miqve e shokëve që jo njëherë këmbëngulnin që unë të flisja”.

Autori mendon se e ka shlyer atë detyrim ndaj familjes së tij, gjë që po t’ishte e vërtetë, pasojë e një pendese të sinqertë, ndoshta do t’ishte bindës dhe i dobishëm. Mënyra që ka zgjedhur ai për të përshkruar e përligjur jetën e tij nuk e plotëson atë qëllim, nuk i davarit retë e zeza të një të shkuare që vazhdon të projektojë hijet e saj ende mbi të tashmen e t’ardhmen e shqiptarëve.

Prill 2019.  

Please follow and like us: