Shtriga e Serbisë dhe gjurmët e pashlyeshme të gjakut që la pas
Në moshën 76-vjeçare në Moskë ka vdekur Mira Markoviq, e veja e Sllobodan Millosheviqit – dhe gruaja mbase më me ndikim në punët politike në historinë e Serbisë. Ndonëse të dy tashmë nuk janë në këtë botë, trashëgimia e tyre ende është shumë e pranishme në Serbi. Në pushtet janë krijesat e tyre të viteve ’90: Ivica Daçiqi dhe Aleksandër Vuçiqi. Me vdekjen e Mira Markoviqit nuk mbyllet qarku i historisë më të re serbe. Gjurmët e gjakut që ajo dhe burri i saj lanë nga Sllovenia në Kosovë janë të pashlyeshme.
Ndoshta Draga Mashin do të bëhej gruaja më me ndikim në historinë e Serbisë – po të mos vritej bestialisht. Më 8 korrik 1900, Mbreti serb Aleksandar Obrenoviq njoftoi se kishte kërkuar dorën e Draga Lunjevica, e cila njihej si Draga Mashin. Kjo zonjë e oborrit mbretëror përflitej për shumë skandale. Martesa ose keqmartesa («mésalliance», siç njihet në frëngjisht) e Mbretit vetëm sa thelloi krizën në Serbi. Çifti u diskreditua tërësisht pasi Draga Mashin mashtroi opinionin me një shtatzëni të paqenë. Në orët e hershme të mëngjesit të 11 qershorit 1903, Mbreti Aleksandar dhe gruaja e tij Draga u vranë brutalisht nga një grup oficerësh, të cilët si trofe kujtimi ndukën nga një copëz lëkure prej trupave të viktimave. Vite më vonë të njëjtit nxirrnin nga kuleta copat e lëkurës dhe ua tregonin të tjerëve si dëshmi për pjesëmarrjen në vrasje.
Millosheviqi ishte gjimnazist kur e njoftoi Mira Markoviqin në qytetin e tij të lindjes, Pozharevac. Nëna e Mira Markoviqit gjatë Luftës së Dytë Botërore punoi për lëvizjen partizane, por më 1943 u arrestua nga trupat naziste dhe u mbajt në kampin Banjica. Shokët e saj partizanë e akuzuan se u kishte dhënë nazistëve informata të rëndësishme – pas Luftës së Dytë Botërore nëna e Mira Markoviqit nga regjimi komunist konsiderohej si tradhtare. Rrethanat e vdekjes së saj mbetën të paqarta. Xhaxhai i Mira Markoviqit, Drazha Markoviq, ka qenë kryeministër i Republikës së Serbisë. Tezja e Mira Markoviqit, Davorjanka Paunoviq, ishte sekretare dhe dashnore e liderit jugosllav Josip Broz Tito.
Mira (Mirjana) Markoviq studioi sociologjinë në Universitetin e Beogradit dhe fillimisht punoi në gazetën «Politika», pastaj ligjëroi marksizmin në Universitetin e Beogradit. Ajo e përkrahu pa kompromis burrin e saj në dalldinë nacionaliste dhe qe e gatshme të acarojë raportet me babanë dhe xhaxhain e saj, të cilët kundërshtuan kursin nacionalist të Sllobodan Millosheviqit. Në opinionin e gjerë serb Mira Markoviq u bë e njohur në fund të viteve ’80: e veshur shpesh me të zeza, ajo – ndonëse me zë belbëzues – u shqua si propagandiste e planeve të burrit të saj për shndërrimin e Jugosllavisë në Serbi të Madhe.
Në vitet ’90 ajo shkroi kolumna për mediat shtetërore dhe themeloi të Majtën Jugosllave (JUL), një parti patericë e regjimit dhe zyrë për punësimin e shërbëtorëve të çiftit Millosheviq. Pas rrëzimit të Millosheviqit më 5 tetor 2000 dhe ekstradimit të tij në Hagë, Markoviq kishte arsye të frikësohej se mund të arrestohej. Pas vrasjes së kryeministrit properëndimor Zoran Gjingjiq në vitin 2003, policia në kuadër të hetimeve gjeti kufomën e ish-kryetarit të Serbisë, Ivan Stambolliqit, i cili ishte një kritik i Millosheviqit. Që atëherë ekzistonin dyshime se urdhrin për vrasjen e Stambolliqit e kishte dhënë Mira Markoviq. Ajo është përmendur edhe si urdhërdhënëse e vrasjes së gazetarit Sllavko Çuruvija më 11 prill 1999 dhe atentatit kundër liderit të opozitës Vuk Drashkoviq.
Më 2003 Markoviq iku në Moskë, ku mori azil politik. Drejtësia serbe e kërkoi atë përmes Interpolit, por Kremlinit kjo nuk i bëri fare përshtypje. Por as qeveritë e Beogradit nuk insistuan aq që ajo të nxirret para drejtësisë serbe. Kështu Mira Markoviq vdiq e lirë në Moskë, ku vitet e pleqërisë i kaloi në një lagje luksoze.
Në kryeqytetin rus jeton edhe i biri i saj Marko, kundër të cilit në Serbi janë zhvilluar hetime për shkak të kontrabandës me cigare. Në vitin 2015 ajo publikoi një autobiografi prej 1000 faqesh, ku rrëfen për fëmijërinë e saj, martesën, ngritjen në pushtet dhe rrëzimin e bashkëshortit të saj. Ata ishin një çift kriminal – në të gjitha aspektet.
Vdekja e saj në liri dhe vdekja e burrit të saj në Hagë pa u dënuar nga Tribunali i Hagës janë e vetmja gjë për të cilën duhet shprehur keqardhje. Ndonëse të dy tashmë nuk janë në këtë botë, trashëgimia e tyre është shumë e pranishme në Serbi. Në pushtet janë krijesat e tyre të viteve ’90: Ivica Daçiqi dhe Aleksandër Vuçiqi.
Me vdekjen e Mira Markoviqit nuk mbyllet qarku i historisë më të re serbe. Gjurmët e gjakut që ajo dhe burri i saj lanë nga Sllovenia në Kosovë janë të pashlyeshme.